Blogbox | Diaspora

Pse duhet ta rimendojmë dhurimin e parave në Kosovë?

Nga - 24.08.2018

Filantropia strategjike arrin rezultate dhe mund t’i përgjigjet nevojave humanitare.

Dhurimi i parave nga fondet personale për të mirën e përgjithshme, formëson sot pjesën kritike të shoqërive moderne dhe në një formë është indikator i pjekurisë së mendimit kritik dhe strategjik për anën solidare të individëve në shoqëri.

Kontributet financiare jashtë sferës institucionale, krijojnë rol jetik në orientimin e politikave publike.

Kështu, duke krijuar mobilizim të mendimit të qytetarëve në veprime të koordinuara për avokim dhe propozime konkrete të përmirësimit të politikave publike apo orientimit të tyre jashtë përkufizimeve dhe limitimeve që ofron mandati qeverisës apo spektri i gjerë politik e ideologjik të një grupacioni që është në pushtet qeverisës.

Në Kosovë, qindra e mijëra euro dhurohen nga individë, fonde personale e kolektive, fondacione e koorporata që kontribuojnë përmes edukimit, shëndetësisë, artit, aktiviteteve joformale dhe fushave tjera të cilat kanë për qëllim të përmirësojnë jetën e qytetarëve të vendit. Por, të gjitha këto aktivitete ndodhin nën hijen e injorancës terminologjike dhe mungesës së kuptimit objektiv të këtij lloj veprimi që ndonjëherë edhe ngritë dyshime e teori konspirative se pse dhe çfarë qëndron prapa këtyre dhurimeve.             

Zinxhirit filantropik në mes të institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve i mungon konceptualizimi dhe përkufizimi i qartë për sektorët që duhet ndryshuar.

Duke tentuar të kuptojmë domethënien e përkufizimit të “filantropisë“ është e rëndësishme të dallojmë premisat përcaktuese të saj. Duke parashtruar pytjet se “Kush dhuron në Kosovë?“, analizojmë sasinë e individëve, bizneseve dhe komunitetit dhurues në vend. Kur mendojmë se “pse dhurohen këto para” tentojmë që, përtej arsyeve subjektive dhe anës krejt njerëzore të dhurimit që është e trashëguar ndër breza, ta kërkojmë motivin e dhurimit të mjeteve si angazhim organizativ në shoqëri.

Studime mbi fushën e filantropisë duke analizuar faktorët që ndikojnë në dhurim, vënë theksin në besimin, gjininë, të ardhurat dhe nivelin e edukimit si faktor shtytës të të qenurit filantropistë. FIDES, ceremonia e çmimeve mbi kontributet filantropike, vazhdon tash e një dekadë procesin e mirënjohjes dhe vlerësimit të punës së filantropëve dhe promovimit të filantropisë në Kosovë dhe diasporë, duke tentuar të ndikojë në edukimin publik mbi kulturën e dhurimit dhe ngritjes së potencialit të këtij sektori në vend.  

Në Kosovë mund të gjenden pak raste të evidentuara por shpesh nuk mund të hasen indikator të tillë, ngase dhurimi i mjeteve nuk ndodhë në bazë të planifikimit strategjik në përgjithësi. Planifikim i tillë që ndikon në mënyrat e përfshirjes së filantropistëve, ndërmarrësve social, mënyrat e reja të investimit dhe rregullimit të marrëdhënieve në mes “dhuruesve” dhe “pranuesve”.  Zingjirit filantropik në mes të institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve i mungon konceptualizimi dhe përkufizimi i qartë për sektorët që duhet ndryshuar, ku do mund të përfshihen reformat në mjedis, shëndetësi dhe arsim si sektorët thelbësor në reformimin shoqëror afatmesëm.

Përkrahja institucionale dhe të menduarit strategjik

Mungesa e kornizës ligjore mbi kontributet filantropike, vetëm sa e thellon boshllëkun filantropik në Kosovë. Ligjërisht të parregulluara, dhurimet e parave shkojnë shpesh në destinacione që më shumë kanë karakter humanitar dhe mbeten larg nevojave për transformim të shoqërisë dhe modeleve që ndryshe nuk do të mund të ekzistonin.

Këtë boshllëk deri tani e kanë mbuluar fondacionet dhe përkrahjet nga fondet filantropike nga SHBA dhe BE siç janë: Rockefeller Brothers Fund, Charles Stewart Mott Foundation, fondacionet Gjermane, Westminster Foundation, fondet bilaterale dhe ato të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Në vendet perëndimore filnatropët arrijnë që përmes dhurimit, të formësojnë kornizën e politikave publike. Në një prej paragrafëve të librit The Givers- Wealth, Power Philanthropy in the New Gilded Age- David Callahan mes tjerash përmend eksperimentimin e filantropisë me modele të reja të sistemit shoqëror të cilat adoptoheshin nga qeveria. Bie fjala për Fondacionin Robert Wood Johnson, që me kontributin e tyre milionësh,  vendosi bazat për sistemin e sotëm të thirrjeve emergjente 9-1-1.

Çka është e ndryshme sot, thotë Callahan, është se në vend të fondacioneve të trashëgimisë që ndikonin në përmirësimin e fatit të shumë njerëzve të harruar, filantropët e sotëm janë të gjallë dhe shumë të përfshirë në mënyrën se si shpenzohen paratë e tyre. Në Kosovë nevojitet një platformë konkrete që përkrahë dhurimet për shoqërinë.

 

Mbetet shumë e rëndësishme të bëhet diferencimi i arsyeve subjektive të dhurimit të parave, planifikimit strategjik dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në këto aksione.

Motivi kryesor i komunitetit biznesor për të dhuruar për mirëqenien e përgjithshme është “vullneti për të ndihmuar njerëzit në nevojë”. Bizneset në Kosovë kanë bamirësinë motiv të dhurimit, ku janë të fokusuar në eleminimn e varfërisë e vuajtjeve të shkaktuara nga problemet sociale, ndërkaq kontributet filantropike fokusohen pikërisht në eleminimin e këtyre problemeve.

Në këtë pikë, bamirësia dhe filantropia dallojnë dhe komuniteti i biznesit në Kosovë nuk e ka bërë dallimin e plotë ndërmjet këtyre dy formave të dhurimit. Një mbështetje financiare nga individë që dhurojnë në projekte prej të cilave përfiton e gjithë  shoqëria është më se e nevojshme. Por kush janë filantropët e vërtetë shqiptar sot? A është diaspora kontribuesi më i madh filantropik në vend duke përfshirë dhe dhurimet strategjike që kanë përkrahur idenë, themelin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimin e vendit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.                         

Diaspora e Kosovës njihet si një prej grupeve që më së shumti dhuron para. Për çdo vit 1.5miliard euro shpenzohen nga diaspora në Kosovë në konsum, paluajtshmëri dhe shpenzime tjera të pa planifikuara. Dhe të gjitha këto të ardhura nuk shkojnë për investime strategjike dhe të qëndrueshme. Në këtë sens është e nevojshme të bëhet transformimi se si të dhurohen paratë dhe të mësohet ndryshimi i destinimit të tyre. Kjo do të krijonte ndikim në zhvillimin ekonomik direkt për vendin dhe do të përjashtonte mundësinë e rritjes së parazitizmit në vend.

Mbetet shumë e rëndësishme të bëhet diferencimi i arsyeve subjektive të dhurimit të parave, planifikimit strategjik dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në këto aksione. Filantropia bëhet e pandashme prej sferës shoqërore vetëm kur integrohet në planin strategjik të planifikimit. Idetë shumë specifike të filantropisë ndërlidhen me riformësimin e politikave në hapësirën ku jetojmë, aktivizmin, përkrahjen e individëve dhe sektorëve të cilët ndryshe nuk do të mund të financoheshin.

Edhe pse në parim mund të duket i vogël, i gjithë sektori filantropik në vend, nëse në mënyrë strategjike do të ndodhte një process koheziv i koordimit të kontributeve ndërmjet individëve dhe kompanive vendore e ndërkombëtare përfshirë edhe sistemin bankar dhe pjesëtarëve të diasporës, trashëguesve të pasurive, atëherë disa nga sektorët strategjik të vendit do të mund të gjenin përkrahje fianciare.

Pa u ballafaquar me burokracinë e pafundme të ngritjes së fondeve apo pa iu nënshtruar presioneve politike dhe agjendave të grupacioneve të ndryshme që tentojnë të përfitojnë kredi dhe të transformojnë idetë apo edhe në raste të veçanta që mundohen të bllokojnë plotësisht iniciativa që mund të jenë jetike për evolucionin, inovacionin dhe kreativitetin në një shoqëri që aspiron të krahasohet me shoqëritë e zhvilluara demokratike.Filantropia është forca e ndyrshimit shoqëror,cdo ndryshim në drejtësinë sociale ndodhë për shkak të  artit të dhurimit.Ky lloj arti nuk ka kuptim abstrakt,ka formë,ndikim dhe arrin të krijoj mundësi për njerëzit.Këtyre mundësive u nevojitet më shumë hapësirë në Kosovë ,ky lloj arti duhet të kuptohet.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.