Pikëpamje | BE

Shpata Evropiane e Damoklesit ka potencialin për të ndryshuar gjithçka

Nga - 28.08.2018

Një nen i thjeshtë qëndron vazhdimisht i varur mbi kokën e Kosovës.

Shpata e Damoklesit i referohet një fabulës së Greqisë antike, ku një ndryshim i vetëm në rrethana e ndryshon krejtësisht përfundimin e tregimit. Në shkenca shoqërore kemi tendencë t’i aludohemi si pikë e referimit për fundin e afërt, ku rreziku zbulohet lehtë por vështirë shmanget.

Këtë asocimin e dytë do të mundohem ta ngulis tek ju nëpërmjet këtij artikulli, lexues të dashur. Sepse nëse analiza e shprehur këtu është e saktë, Bashkimi Evropian (BE) e ka afruar një shpatë të tillë mbi kokët e lidershipit kosovarë, e kjo situatë mund ta nxisë një kthim prapa në marrëdhëniet Kosovë-BE dhe ta shkaktojë atë që mund të interpretohet vetëm si një katastrofë për evoluimin e Kosovës drejt të qenit ‘shtet evropian’.

Mund ta pyesni veten, çfarë mund të jetë aq e fuqishme për ta bërë një gjë të tillë, dhe a është e qëllimshme? Por përderisa për pjesën e parë të pyetjes gjejmë lehtë përgjigje, të dytën ua kisha lënë juve për të gjykuar vet. Unë vetëm do t’i prezantoj faktet siç i shoh.

Përgjigje për pjesën e parë të pyetjes mund të jetë një akronim i shkurtër: MSA – Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Marrëveshja e parë (dhe kryesore) kontraktore ndërmjet Kosovës dhe BE-së është baza e bashkëpunimit ndërmjet dy palëve dhe një themel i angazhimit të vazhdueshëm ndërmjet tyre. Është një gjë që i lidh në mënyrë konkrete Kosovën dhe Bashkimin Evropian (jashtë politikave bilaterale të shteteve brenda saj) dhe, prej sot, është fokusi kryesor i procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Është një dokument i ndërlikuar me një histori të ndërlikuar. U nënshkrua në Strasburg më 27 tetor, 2015, pas një serie të gjatë të negociatave ndërmjet dy palëve, dhe më vonë hyri në fuqi më 1 prill, 2016, kur u ratifikua plotësisht. Tani me gjasë keni kuptuar rëndësinë e MSA-së, por prapëseprapë mund ta pyesni veten: Ku është ajo shpata për të cilën foli? Eh, atë mund ta gjejmë brenda tekstit të marrëveshjes. Po ua shpjegoj menjëherë.

Secila marrëveshje ndërkombëtare nga natyra ka një mekanizëm specifik brenda saj për të zgjidhur konflikte të mundshme, sepse dihet se marrëveshjet (edhe ato më të mirat) mund të rrjedhojnë në probleme gjatë zbatimit të tyre. Si marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet dy palëve që nuk kanë bërë ‘biznes’ me njëra tjetrën në skenën ndërkombëtare, MSA posedon llojin e njejtë të mekanizmit për zgjidhje të konfliktit, të shtjelluar në Nenet 136 (kryesisht në paragrafët 3 dhe 4) dhe 137.

Si mund të ketë mekanizëm për zgjidhje të konfliktit që nuk vlenë për dy nene specifike brenda një marrëveshjes që ka më shumë se 270 nene?

Në ato nene shpjegohet se si zgjidhen konfliktet ndërmjet dy palëve dhe çfarë procedura duhet të kryhen për të zgjidhur probleme të mundshme. Është mekanizëm standard për zgjidhje të konfliktit, i përdorur në shumë marrëveshje ndërkombëtare, ku një grup bilateral (këtu i quajtur ‘KSA’ – Këshilli për Stabilizim Asocim) formohet duke shtuar numra çift të të dy palëve dhe këtij grupi i ipet pushtet për të zgjidhur mospajtime brenda fushës së marrëveshjes.

Po ta ishte ‘kaq’, ky artikull nuk do të ishte shkruar, por kur e lexojmë më tej Nenin 136 (veçanërisht paragrafin 6) zbulojmë diçka të çuditshme dhe njëkohësisht interesante. Paragrafi 6 i artikullit kthen mbrapsht gjithçka kur thotë: “Paragrafët 2 dhe 4 të këtij Neni (136) nuk vlejnë për Nenet 5 dhe 13”.

Çka?! Si mund të ketë mekanizëm për zgjidhje të konfliktit që nuk vlenë për dy nene specifike brenda një marrëveshjes që ka më shumë se 270 nene? Dhe çfarë dreqin janë Nenet 5 dhe 13?

Këtu e shohim duke u ngritur Shpatën e Damoklesit, sepse Neni 5 (neni kyç në këtë procedurë speciale) thotë kështu: “Kosova përkushtohet të jetë vazhdimisht e angazhuar për përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë dhe bashkëpunim efektiv me misionin për Siguri të Përbashkët dhe Politika të Mbrojtjes përderisa është në fuqi, siç përcaktohet më tej në Nenin 13. Këto përkushtime përbëjnë parimet thelbësore të kësaj Marrëveshje dhe do ta mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin ndërmjet dy Palëve. Në rast se Kosova nuk vepron në pajtim me këto përkushtime, BE mund të merr masa të cilat i mendon si të përshtatshme, përfshirë këtu pezullimin e plotë apo të pjesshëm të kësaj Marrëveshje”.

Edhe leximi më i thjeshtë i këtij Neni interesant na tregon qartë se si e sheh BE angazhimin e vet me Kosovën. Qartë shihet se për BE-në, ‘parimi thelbësor’ që e mbështetë bazën funksionale të MSA-së është përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe se BE ka të drejtë që në mënyrë unilaterale ’t’i merr të gjitha masat që mendon se janë të përshtatshme’ për t’u siguruar që Kosova i bindet marrëveshjes edhe nëse ato masa janë maksimale në natyrë – si për shembull duke pezulluar krejtësisht MSA-në.

Gjithçka në këtë procedurë speciale bëhet në mënyrë unilaterale: BE vjen në përfundim se Neni 5 është shkelur disi dhe thjeshtë lëviz para duke i zbatuar pasojat pa nevojë për diskutime të mëtejme, apo çfarëdo procese bilaterale.

Shtrirja e kësaj procedure speciale shtjellohet edhe më tej në Nenin 13 (specifikisht paragrafët 2 dhe 3) ku BE specifikon çfarë mund të përbëjë një ‘shkelje’ të Nenit 5. Argumentohet se Kosova e shkel Nenin 5 fillimisht kur: “a) Kosova nuk zbaton marrëveshjet e ‘besimit të mirë’ të nënshkruara me Serbinë”. Kjo duket si ide e rrezikshme për skenën politke kosovare, siç duket edhe shkelja e dytë e mundshme: “b) Kosova ndal zgjidhjen e problemeve tjera nëpërmjet dialogut dhe frymës së kompromisit”. Kjo me sa duket aludon mjaft qartë se Kosova nuk mund të heq dorë nga dialogu në mënyrë unilaterale pa pasoja të rënda për marrëdhëniet e saj me BE-në.

Megjithatë, favorite e kam shkeljen e tretë të mundshme: “c) Konflikti Kosovë-Serbi duhet të çojë deri te një ‘marrëveshje e lidhur ligjërisht’ dhe se Kosova nuk mund ta bllokojë vazhdimësinë e një përpjekjes së tillë [nëse dëshiron që MSA të jetë në fuqi]”. Meqë ra fjala, gjithçka në këtë procedurë speciale bëhet në mënyrë unilaterale: BE vjen në përfundim se Neni 5 është shkelur disi dhe thjeshtë lëviz para duke i zbatuar pasojat pa nevojë për diskutime të mëtejme, apo çfarëdo procese bilaterale.

Këto shkelje të mundshme të Nenit 5, të shtjelluara në Nenin 13 – prej së cilave janë edhe nja dy tjera, por më të buta se këto trija – na dëshmojnë se Neni 5 ka mundësi ta ndryshojë krejtësisht strukturën e dinamikës Kosovë-Serbi brenda dialogut, sepse pushteti i plotë i BE-së qëndron vendosmërisht mbi vendimmarrjen e Kosovës dhe mund t’i bëjë presion në mënyrë ligjore Kosovës, për ta drejtuar atë në një rrugë specifike në dialog. Dhe këtë e bëjnë pa rrezikun për t’u akuzuar për ndikim shtetëror mbi marrëveshjen të cilën e ka nënshkruar edhe Kosova.

Kjo është Shpata e Damoklesit për të cilën fola më herët. Ajo dëshmon qartë se për BE-në, rrugëtimi i integrimit të Kosovës shkon në përputhje me procesin e dialogut me Serbinë. Gjithashtu tregon se Kosova nuk mund të mbetet e padëmtuar nëse heq dorë nga dialogu – mund t’i ndërrohet edhe pozicioni, nëse ndryshimi konsiderohet i papranueshëm nga BE.

MSA dhe të mirat që vijnë prej saj nuk bën të rrezikohen nga Kosova. Është pika e fundit e presionit që mund ta përdorë BE për ta detyruar Kosovën t’i bindet diçka për të cilën (teknikisht) nuk flitet në MSA – për shkak se ajo është marrëveshje ekonomike dhe bashkëpunuese ekskluzivisht me BE-në, jo me Serbinë!

Mund të argumentojmë se Kosova ka synuar të ardhme politike si shtet evropian duke punuar drejt kësaj marrëveshje specifike dhe BE ka pushtetin për të bërë ‘çfarë të dojë’ në mënyrë unilaterale nëse Kosova nuk përputhet me mënyrën e mendimit të BE-së sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Pezullimi i marrëveshjes nuk është e vetmja mundësi. Neni 5 është i formuluar në mënyrë të paqartë dhe si i tillë nuk ka kufi të qartë të shtrirjes së tij, kështu që BE praktikisht mund të bëjë pothuajse çkado brenda pushtetit të saj për t’i bërë (në mënyrë ligjore) presion të pakufijshëm Kosovës në rast se ata përcaktojnë se është shkelur marrëveshja. Mund t’i bllokojnë investimet dhe qasjen në programe të BE-së (për shkak se këto janë kontingjente ndaj vazhdimësisë së MSA-së), si dhe të krijojnë pengesa për investime të reja nga shtetet anëtare, apo edhe ta bllokojnë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me mekanizmin e ri të pezullimit që është prezantuar në vitin 2017.

Por rreziqet implicite janë poaq shqetësuese. Për shkak se MSA është baza e perspektivës së Kosovës për BE, çfarëdo ndryshimi i saj përkthehet në ndikim të drejtpërdrejtë në rrugëtimin e integrimit të Kosovës. Nuk rrezikohen vetëm paratë dhe përfitimet – zhvillimi i mëtejmë politik i Kosovës varet shumë nga kjo marrëveshje dhe pothuajse i gjithë evoluimi politik në dy vitet e fundit ka qenë i fokusuar në këtë proces të vetëm.

Mund të argumentojmë se Kosova ka synuar të ardhme politike si shtet evropian duke punuar drejt kësaj marrëveshje specifike dhe BE ka pushtetin për të bërë ‘çfarë të dojë’ në mënyrë unilaterale nëse Kosova nuk përputhet me mënyrën e mendimit të BE-së sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

Nëse kjo nuk përputhet me definicionin e parimit të Shpatës së Damoklesit, nuk e di çka tjetër përputhet! BE po e mban pezull këtë rregull mbi kokën e Kosovës si rrezik të përhershëm dhe pikë përfundimtare të presionit që mund të përdoret nëse ata mendojnë ndonjëherë se ka nevojë – përsëri, në mënyrë krejtësisht unilaterale!

Pse janë vendosur këto kushte në marrëveshje? Si mund t’i bindet ekipi negociues i Kosovës një kërkesës së tillë? A e kanë kuptuar të gjithë brenda procesit të negocimit këtë nen në mënyrë të njëjtë? Këto pyetje ja kam shtruar vetes pafund dhe janë disa prej pyetjeve që ua kam bërë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian nëpërmjet EU Direct. Por pavarësisht që kanë politikën e përgjigjes brenda tre ditëve, kanë kaluar më shumë se 20 ditë dhe ata janë ende të heshtur në lidhje me këtë çështje.

Pra, do të vazhdoj ta presë përgjigjen e tyre (nëse vjen ndonjëherë) dhe do të doja ta kuptoja se si mund të ekzistojë një artikull i tillë brenda një marrëveshjes bilaterale. Pse janë pajtuar të gjithë brenda atij procesi negociues se diçka si Neni 5 është e kaq e rëndësishme për marrëdhëniet Kosovë-BE, sa për ta bërë bazë të të gjithë marrëveshjes dhe rrugëtimit të integrimit të Kosovës në përgjithësi?!

Gjithashtu, si pikë përmbyllëse: Si është e mundur që nuk e përmend kurrë askush publikisht? Duket si pikë me rëndësi dhe ndikim të madh për diskursin tonë politik, veçanërisht tani. Sidoqoftë, është interesante nga cilado pikëpamje që të duket e përshtatshme edhe pse krijon një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet e mëtejme BE-Kosovë. Neni 5 është nen unik, brenda një marrëveshjes unike, ndërmjet dy akterëve unik brenda skenës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Çfarë të presim tjetër?

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTO