Konferenca e Përgjithshme e UNESCO e refuzoi përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar të hënën e kaluar (9 nëntor). Me shumicën prej dy të tretat që nevojitej për t’u anëtarësuar,Kosova ishte vetëm tri vota larg anëtarësimit në atë që njihet si agjencia intelektuale e Organiztës së Kombeve të Bashkuara, duke siguruar 92 vota pro dhe 50 kundër (me 29 abstenime).
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e udhëheqi fushatën #kosovoinUNESCO, në përpjekje për t’iu bashkuar entitetit që kombinon përpjekje dhe burime ndërkombëtare për të mbrojtur dhe promovuar mrekullitë, shkencën, kulturën dhe arsimin e botës. Gjatë fushatës diplomatike 10 muajshe, Kosova u përball me kundërlobim shumë të fuqishëm nga fqinji i saj Serbia, pavarësisht dialogut të normalizimit dhe marrëveshjeve të arritura në vitet e fundit në mes të dy vendeve që dikur ishin në luftë me njëra tjetrën.
Pas dështimit të përpjekjes së Kosovës për anëtarësim në UNESCo javën e kaluar, 54 organizata dhe nëntë individë nga shoqëria civile nënshkruan një letër të hapur me katër kërkesa të qarta: që qeveria të caktojë kushte të qarta të cilave duhet t’u përmbahet Serbia në mënyrë që të vazhdojë dialogu; që Bashkimi Evropian të sigurojë trajtim të barabartë për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit; që të ketë llogaridhënie institucionale brenda Kosovës për përpjekjen e dështuar; dhe që standardet ndërkombëtare në lidhje me trashëgiminë kulturore të zbatohen pavarësisht refuzimit nga UNESCO.
Kosovo 2.0 analizon katër kërkesat, një nga një:
1. Kushtet e nevojshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë duhet të caktohen
Fushata e lobimit të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO ishte agresive. Në një pikë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Dacic, e çoi aq larg duke thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësi në UNESCO “do të ishte njëlloj sikur dikush ta propozonte ISIS për anëtarësi në UNESCO. Çka është dallimi?” Ky është vetëm një shembull, por zyrtarët serbasnjëherë nuk fshehën qëllimet e tyre për bllokimin e aplikimit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia janë angazhuar në dialog zyrtar, të ndërmjetësuar nga BE në Bruksel, prej marsit të vitit 2011. Pas fushatës bllokuese të Serbisë, letra e hapur nga anëtarët e shoqërisë civile kosovare kërkon që qeveria e Kosovës të vendos kushte që duhet të respektohen nga Serbia në mënyrë që të ketë vazhdim të dialogut. “Në rrethanat aktuale, çfarëdo vazhdimi i dialogut me Serbinë është i papranueshëm për neve”, thotë deklarata.
Pyetur për këtë situatë, gazetari Adriatik Kelmendi, që e ka nënshkruar deklaratën, i tha Kosovo 2.0 se sjellja e Serbisë në votimin e UNESCO tregon se ajo nuk është e gatshme për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. “Ende mundohet ta dëmtojë shtetësinë e Kosovës, dhe ta parandalojë shoqërinë e Kosovës që të mos ketë jetë normale”, tha ai. Gazetari beson se qeveria tani duhet të konsiderojë “shtyerjen e zbatimit të marrëveshjeve [me Serbinë] deri sa të shohim se ka reciprocitet në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”.
Një marrëveshje fillestare e parimeve u arrit në prill të vitit 2013, ndërsa në gusht të këti viti, Serbia dhe Kosova arritën marrëveshje për të finalizuar marrëveshje mbi katër çështje kyçe: energji elektrike, telekom, liria e lëvizjës në urën e Lumit Ibër në Mitrovicë (që ndanë veriun e qytetit që ka shumicë serbe me jugun që ka shumicë shqiptare), dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Asociacioni do ta kishte kuvendin, presidentin dhe flamurin e vet, dhe do të lejohej të merr fonde prej Beogradit.
Kjo marrëveshje për ta themeluar Asociacionin është një prej shkaqeve kryesore të ngërçit aktual në Kuvend, që po ndodh qe më shumë se një muaj. Prej 22 shtatorit, opozita, e udhëhequr nga Vetëvendosje, kanë përdorur disa taktika të pazakonshme për të bllokuar diskutimet për këtë marrëveshje. Presidentja Atifete Jahjaga e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese për t’u vendosur kushtetutshmëria e saj, dhe të martën Gjykata e pezulloi zbatimin e saj deri me 12 janar, 2016, kur do të jep verdikt të plotë.
Kelmendi thotë se dialogu është bërë lojë e vënies së fajit. “Kjo është një çështje që po konsumon shumë energji dhe përpjekje, dhe po e parandalon vendin prej fokusimit në tema shumë të rëndësishme si zhvillimi ekonomik”, tha ai.
Agon Maliqi, shkencëtar politik, e çon edhe më karg, dhe tregon pak se çfarë strategjie duhet të ndjek qeveria e Kosovës. “Kosova duhet të përdorë çfarëdo përparësi që ka”, tha ai për Kosovo 2.0. “Edhe nëse duhet t’i pezullojë përkohësisht përpjekjet për të arritur marrëveshje të reja, ose ndoshta më realistike është të mos vazhdojë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara”.
Për mendimin e tij, ky është një moment në të cilin qeveria e Kosovës duhet të shënjestrojë shtete perendimore dhe “ta paraqes Serbinë si jobashkëpunuese dhe shkatërruese, dhe si mbrojtëse e interesave të Rusisë në rajon”. Rusia e mbështeti fushatën lobuese kundër Kosovës në UNESCO, dhe është një prej dy anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB që vazhdimisht bllokon anëtarësinë e Kosovës në OKB duke ushtruar fuqinë veto. “Kosova duhet ta ketë si synim strategjik përfundimin e kësaj situate, me anë të së cilës Serbia e ka edhe mbështetjen e mirëkuptimin e Perendimit, edhe patronazhin e Rusisë”, tha Maliqi.
2. Bashkimi Evropian duhet të sigurojë kushte për dialog të barabartë
Kërkesa e dytë në letrën e hapur të shoqërisë civile i adresohet Shteteve Anëtare të BE dhe Bashkimit Evropian, si ndërmjetës të negociatave të normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Letra thotë se insistimi që Kosova të jetë në dialog nën rrethanat aktuale, “edhe kur Serbia është krejtësisht jobashkëpunuese”, do të ishte “veprim i padrejtë” dhe veprim i “papranueshëm”.
Një ditë pas votimit të UNESCO në Paris, Komisioni Evropian publikoi Raportin e fundit të Progresit të Kosovës. Ky ishte dokument i shumëpritur, pasi që ka ndikim në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj strategjisë së zgjerimit. Raporti lëvdoi përparimin e Kosovës me anë të nënshkrimit të marrëveshjeve kyçe: ajo me Serbinë, për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve, dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE.
Si pjesë e marrëveshjes së vitit 2013 për parimet e qeverisjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy republikave, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të mos “bllokojnë, ose nxisin tjerët të bllokojnë, progresin e njëra tjetrës në rrugët e tyre përkatëse drejt BE”.
Për shkencëtarin politik Maliqi, kjo pikë duhet të përforcohet në marrëveshjen mes dy vendeve dhe me marrëveshjet e tyre përkatëse me Bashkimin Evropian. “U prezantuan kushtëzime shtesë kohëve të fundit në procesin e negocimit BE-Serbi, në lidhje me Kapitullin 35 [që mbulon dialogun me Kosovën], ku Serbia parandalohet nga vazhdimi i negociatave për anëtarësim në kapituj tjerë nëse dështon të zbatojë marrëveshjet e negociatave të Brukselit”, tha Maliqi. “BE duhet ta zgjerojë këtë kushtëzim duke përfshirë qasje në organizata ndërkombëtare si kusht i qartë shtesë”.
Për Maliqin, “fati i anëtarësimit të Serbisë në BE varet prej shteteve anëtare të BE, pra shtetet anëtare të BE kanë përparësi të madhe mbi politikën dhe sjelljet e Serbisë”. Ai beson se implikimet e fushatës së Serbisë kundër Kosovës do të jenë më të mëdha se mohimi i anëtarësisë së Kosovës në UNESCO. “Është me rëndësi të cekim që lobimi agresiv i Serbisë në UNESCO nuk paraqiti vetëm shuplakë për Kosovën, por shuplakë edhe për Perendimin”, tha ai. “Kjo nuk do të kalojë e padalluar. Veçanërisht fakti që Serbia kërkoi patronazhin rus në kohën e ndarjes BE-Rusi. Serbia do të paguajë për këtë në një mënyrë apo tjetrën”.
3. Duhet të ketë përgjegjësi institucionale për këtë dështim
Shumë zëra, dhe jo vetëm ata që e nënshkruan deklaratën e shoqërisë civile, kanë kërkuar që qeveria të merr përgjegjësi për dështimin diplomatik. Lideri i opozitës, Visar Ymeri dhe shkrimtarë me ndikim si Halil Matoshi, kanë fajësuar një person: Hashim Thaçi. Zëvendës kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme pothuajse është zhdukur pasi dështoi strategjia e tij diplomatike për tri vota në Paris.
Në një artikull për Balkan Transitional Justice që u publikua të enjten (12 nëntor) nga Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi – që ishte në frontin diplomatik të përpjekjeve të lobimit të Kosovës – fajëson përpjekjet serbe për ta bllokuar anëtarësinë e Kosovës në UNESCO.
Ai gjithashtu foli për fushatën “pozitive” #KosovoinUNESCO, që ai e krahasoi me atë serbe ku u përmendën shumë trazirat e vitit 2004 në Kosovë, gjatë të cilave shumë kisha ortodokse u dëmtuan, djegën ose shkatërruan, dhe si rezultat i të cilave më shumë se 4,000 njerëz të minoriteteve të ndryshme ikën nga Kosova.
Selimi shpjegon se në vend që të ringjallen “imazhet e xhamive të djegura nga ushtria serbe në 1999” ose të flasim për “vjedhjen e monumenteve nga shteti serb”, ekipi diplomatik zgjedhi që ta paraqes një fushatë pozitive që fokusohet në “nevojën që rinia e Kosovës të ketë qasje të barabartë në programe të organizatës botërore të arsimit, kulturës dhe shkencës”. Shumë libra u botuan, një uebfaqe u krijua, dhe u kërkua prej përdoruesve të rrjeteve sociale që t’i mbushin profilet e tyre me imazhe që mbështesin #KosovoinUNESCO.
Pasi përmendi shumë aspekte të fushatës, Selimi tha që Ministria e Punëve të Jashtme ka kapacitet të kufizuar. “Me staf dhe buxhet tetë herë më të vogël se të Serbisë – dhe më pak se gjysmën e madhësisë së misionit UNMIK në Kosovë – ishte e qartë që Kosova kishte kufizime në fushën e diplomacisë multilaterale, ku shkëmbimi i votave dhe favoreve, lidhjet personale dhe grupimet botërore janë poaq të rëndësishme sa fuqia e lidhjeve bilaterale”.
Zëvendës ministri shpjegon që ekipi diplomatik kosovar u takua me mbi 150 delegacione individuale prej janarit deri në maj të vitit 2015, para se të përkushtohet në dorëzimin e aplikimit në verë. Ai vazhdoi duke thënë që Kosova refuzoi të kërkonte votat e “Bashar Al-Assad-it të Sirisë ose Kim Jon-un-it të Koresë Veriore, njerëz me të cilët Serbia u lidh në mënyrë aktive nëpërmjet bashkëbiseduesve në javët e fundit të fushatës”.
Të paktën shtatë shtete që e njohin Kosovën zgjodhën të abstenojnë gjatë votimit javën e kaluar; Egjipti, Guinea Bissau, Japonia, Nigeria, Polonia, Republika Qendrore Afrikane, dhe Korea Jugore, të gjitha zgjodhën të mos mbështesin përpjekjen e Kosovës.
Për Raportuesen e Kosovës dhe Zëvendës Presidenten e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, mungesa e tri votave tregoi që strategjia e përpjekjes së Kosovës për anëtarësim në UNESCO nuk ishte e përgatitur mirë. “Kosova ka 24 ambasada jashtë vendit, por gjashtë prej tyre nuk kanë ambasadorë”, tha ajo në një konferencë për shtyp në Prishtinë javën e kaluar. “Ata punojnë me [punëtorë të përkohshëm]… Kosova duhet të sigurohet që të mos i mungojnë tri vota”.
Aktivisti Hajrulla Çeku, drejtor i OJQ-së së trashëgimisë, EC Ma Ndryshe, dhe njëri prej të nënshkruarve në deklaratën e shoqërisë civile, theksoi që duhet të ketë llogaridhënie politike për këtë dështim. “Thaçi i deshi të gjitha meritat për vete, dhe tani e jep përgjegjësinë e dështimit për të gjithë tjerët pos vetës”, tha ai për Kosovo 2.0. “Thaçi duhet të largohet, si pasojë direkte e dështimit më të madh diplomatik të Kosovës”.
Deri më tani, nuk ka pasur dorëheqje, dhe nuk duket se do të ketë.
4. Kosova duhet t’i përmbush obligimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, pavarësisht dështimit të anëtarësimit në UNESCO
Në Kosovë pjesa më e madhe e diskutimit publik, para dhe pas votimit të UNESCO, është fokusuar në politikat e fushatës lobuese të Serbisë dhe ato që ajo pretendon t’i ketë trashëgimi – prej kishave në manastire, duke përfshirë edhe disa objekte që veç se janë të mbrojtura nga UNESCO. Megjithatë tendenca ka qenë të mos përmendet fakti që përpjekja për anëtarësi është përdorur në luftë paralele me një sistem që ende është i dobët në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.
Në letrën e hapur, qeveria e Kosovës nxitet që ta deklarojë trashëgiminë kulturore si politikë të interesit kombëtar. Të nënshkruarit nxisin institucionet që të miratojnë unilateralisht konventat e UNESCO; të caktojnë prona të trashëgimisë kulturore me mbrojtje të përhershme; të hartojnë plane të menaxhimit për prona të trashëgimisë kulturore; të themelojnë dialog të brendshëm për objektet e trashëgimisë ortodokse; të adresojnë ndërtimet e paligjshme brenda zonave të trashëgimisë së mbrojtur; dhe të miratojnë një ligj dhe strategji të re kombëatre për trashëgimi kulturore.
Trashëgimia kulturore e Kosovës pasurohet prej një shumëllojshmërie të atributeve të prekshme dhe abstrakte. Përfshinë produktet e filigranit që bëhen prej argjendarëve, kullat, xhamitë dhe kishat, zonat arkeologjike si qyteti antik romak i Ulpianës, dhe lokacionet si kalaja e Prizrenit. Kështjella e Novo Bërdës aktualisht është duke u rinovuar nga vet UNESCO.
Janë gjithashtu disa lokacione që janë deklaruar si trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO në Kosovë, që u propozuan nga Serbia në 2006 dhe aktualisht janë pjesë e Listës së Trashëgimisë së Rrezikuar Botërore të UNESCO. Pjesë e këtyre lokacioneve janë Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Patriarkati i Manastirit të Pejës, dhe Kisha e Virgjëreshës së Shenjtë të Ljevisës. Të gjitha janë të mbrojtura nën etiketën “Monumente Mesjetare në Kosovë”, dhe administrohen nga Kisha Ortodokse Serbe.
Edhe pse janë më shumë se 1,500 prona nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë, trashëgimia e vendit mbetet e lënë pas dore. Vetëm në gusht, një shtëpi e banimit nga shekulli 19 dhe një shtëpi e mysafirëve ngjitur me të në Qendrën Historike të Prizrenit, u shkatërruan, dhe kjo vë në pyetje përkushtimin e autoriteteve kosovare për mbrojtje të trashëgimisë kombëtare. EC MA Ndryshe e raportoi këtë shkatërrim, që organizata e konsideron si të paligjshëm, duke argumentuar se për shkak të lokacionit të tyre, këto struktura ishin të mbrojtura nga Ligji i Qendrës Historike të Prizrenit.
Gjithashtu argumentuan se pronat ishin të përfshira në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Kjo organizatë e informoi Kosovo 2.0 se, pas shumë presionit, prokurori publik tani ka nisur hetime, dhe drejtori i Inspektoratit të komunës ka dorëzuar akuzë penale kundër investitorit që bleu dhe shkatërroi pronën.
Sidoqoftë, Vjollca Aliu, drejtoreshë e departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, thotë se, në krahasim me periudhën e pasluftës, gjërat janë përmirësuar. Në debat për politikat kulturore që u mbajt para dy javëve, para se të mbahej votimi, Aliu tha se “nëse Kosova bëhet anëtare e UNESCO, shumë gjëra do të duhej të ndryshoheshin në lidhje me trashëgiminë kulturore, dhe nuk është mjaftueshëm që Ministria e Kulturës ta ketë trashëgiminë kulturore si prioritet – shumë aktorë tjerë duhet të përfshihen”. Aliu tha për Kosovo 2.0 se deri tani, prioritet ka qenë legjislacioni dhe zhvillimi i institucioneve.
Megjithatë është një institucion kyç i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që ka mbetur i lënë pas dore për shumë vite: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Ky organ është agjenci e pavarur e krijuar nga Kushtetuta dhe Ligji mbi Trashëgimi Kulturore. Mandati i tij është të mbikëqyrë dhe të koordinojë zbatimin e sistemit ligjor, dhe të mbështes mbrojtjen, ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Këshilli e ka rol aprovimin e trashëgimive të caktuara, për të qenë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Kombëtare, nën mbrojtje të përkohshme në Kosovë, por deri me 7 shtator, bordi nuk ishte funksional qe tre vite.
Gjejlane Hoxha, drejtoreshë e Këshillit, tha për Kosovo 2.0 se kishte shkruar “letra me kilometra” për Kuvendin e Kosovës – organi përgjegjës për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit – në mënyrë që të kërkojë që kjo çështje të zgjidhet, shumë kohë më parë. Kuvendi justifikoi vonesën me dykuptimësi ligjore; ndërkohë e la trashëgiminë kulturore të Kosovës në listë pritëse.
Si pasojë e stagnimit dhe vonesës në këtë proces, nuk ka pasur prona të reja të shtuara në Listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare nën mbrojtje të përhershme për më shumë se tri vite. Prandaj më shumë se 1,500 lokacione, monumente dhe prona që konsiderohen si trashëgimi kulturore nga Ministria e Kulturës kanë mbetur të shpërfillura dhe në pritje për listën e mbrojtjes së përkohshme. Si pasojë e kësaj, ata presin planet e menaxhimit dhe ruajtjes që do ta siguronin dokumentimin adekuat, përdorimin dhe ruajtjen e përhershme.
Sali Shoshi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pa Kufi, organizatë shumë aktive jo-fitimprurëse në fushën e restaurimit dhe promovimit të trashëgimisë, jep shembull të thjeshtë të kësaj situate. “Nëse shkon në Ulpianë, lokacioni më i njohur kulturor në Kosovë, askush nuk është aty”, tha ai për Kosovo 2.0. “Asnjë cicëron, asnjë pritës i vizituesve, asnjë objekt për vizituesit…”
I intervistuar para votimit të UNESCO, Shoshi tha që anëtarësia e UNESCO do të ishte mundësi që të vihet presion mbi institucionet, në mënyrë që ata të zhvillojnë plane të nevojshme të menaxhimit. Ai nuk është i impresionuar me menaxhimin e trashëgimive kulturore nga autoritetet qendrore deri sot. “Nuk kanë strategji dhe politika afatgjate”, tha ai. “Është qasje shumë ad-hoc”.
Në këtë aspekt, Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2015-2025 tani është hartuar, dhe është botuar më parë në uebfaqen e Ministrisë së Kulturës për konsultim publik. Megjithatë, këto aktualisht janë vetëm fjalë që shprehin qëllime të mira; ende nuk ka plan veprim që themelon mënyrën se si idetë në këtë projektligj do të përkthehen në praktikë.
Deklarata e nënshkruar nga aktorët e shoqërisë civile thotë që standardet e UNESCO duhet të miratohen unilateralisht nga Kuvendi i Kosvoës. Çeku, nga EC Ma Ndryshe, tha për Kosovo 2.0 (në një intervistë që u bë një muaj para votimit në UNESCO) që miratimi i kartave të UNESCO ishte rekomandimi që më së shpeshti u bë nga dokumentet e politikave të shoqërisë civile. “Institucionet tona injoruan rekomandimet e shoqërisë civile” tha ai.
Kosova duhet të pajtohet me faktin se ka dështuar të hyjë në UNESCO. Tani qeveria e vendit duhet të vendos se sa është e përkushtuar realisht ndaj vlerave që i ka promovuar gjatë 10 muajve të fundit; me ose pa UNESCO.K