Në tetor 2008, autoritetet malaziase njohën pavarësinë e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Rocen, tha se vendimi i qeverisë ishte i bazuar në mbrojtjen e interesave të shtetit malazez, dhe se sigurimi i stabilitetit përreth kufirit ishte në interesin më të mirë të Podgoricës.
Nuk zgjati shumë dhe filloi procesi i demarkacionit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Bisedat e para në mes të Podgoricës dhe Prishtinës u mbajtën në 2009, por komisionet shtetërore për demarkacion në mes të Malit të Zi dhe Kosovës u takuan mbas tre viteve, në nëntor 2012. Pas tre viteve tjera plot negociata intensive, një takim me 17 korrik të këtij viti duket se e ka shtruar rrugën drejt përfundimit të këtij procesi. Megjithatë, deri para disa ditëve, Prishtina ishte e vetmja anë që po ndërmerrte hapa për informim të publikut.
Në fillim të gushtit, qeveria kosovare publikoi një nismë për nënshkrim të Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi. Me 12 gusht, ata e pranuan një raport nga Komisioni Shtetëror për Demarkacion të Kufirit me Malin e Zi. Qeveria dha deklarata që konfirmuan se demarkacioni i kufirit ishte përfunduar në përputhje me Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974, Propozimin Gjithëpërfshirës për Rregullimin e Statusit të Kosovës (që quhet më shpesh plani i Marti Ahtisaarit) dhe Kushtetutën e Kosovës.
Podgorica, në anën tjetër, gjatë procesit kishte qëndruar e heshtur për një periudhë të gjatë. Ajo heshtje më në fund u thye para tre ditëve (24 gusht) kur Ministri i Malit Zi për Punë të Brendshme, Rasko Konjevic, dha deklaratë. Ai i tha TV Vijesti se delegacionet nga Mali i Zi dhe Kosova do të nënshkruanin Marrëveshjen e Demarkacionit të mërkurën (26 gusht) në Vienë, dhe ajo do të themelojë kufi shtetëror të bazuar në kushtetutën e vitit 1974.
“Dy qeveritë po miratojnë punën e vështirë të komisioneve përkatëse dhe janë pajtuar mbi çështjet në lidhje me demarkacionin në mes të Malit të Zi dhe Kosovës”, tha Konjevic.
Përveç Marrëveshjes me Kosovën, Mali i Zi ka nënshkruar Marrëveshje Demarkacioni edhe me Bosnjen e Hercegovinën dje, para Samitit të BE-së për Ballkanin Perendimor, që mbahet në Vienë.
Megjithatë, asnjëri prej këtyre proceseve nuk shkoi krejtësisht pa probleme. Bisedat në mes të BiH dhe Malit të Zi u komplikuan prej çështjeve në lidhje me Sutorinën, zonë e kontestuar afër Herceg Novit, ndërsa diskutimet kosovaro-malaziase patën vështirësi për shkak të kundërshtimit me ndikim të madh të opozitës në Kosovë, si dhe mospajtimit të qytetarëve në zonat e kontestuara në të dy anët.
Pra çfarë është diskutuar në mënyrë kaq intensive gjatët këtyre tre viteve?
Vija që i ndanë kodrat e Malit të Zi dhe Kosovën është 79 kilometra në gjatësi. Kalon nëpër zona që janë të pasura me kullotë e pyje, dhe lidh Plavën dhe Rozhajën në anën malaziase, dhe Pejën, Deçanin e Istogun në anën kosovare. Megjithatë, bisedat në mes të Podgoricës dhe Prishtinës u ngadalësuan kur negociatat u fokusuan në zonat rreth Kulës dhe Grykës së Rugovës, afër Cakorës.
Ramush Haradinaj, lideri i partisë opozitarë kosovare AAK, pretendoi se Mali i Zi kishte uzurpuar këto zona dhe se fqinjët e tyre nuk po e respektonin kufirin e themeluar në 1974, Haradinaj supozoi se Mali i Zi ishte zgjeruar në tokë kosovare për të paktën 12 hektarë; shumica e anëtarëve të publikut spekuluan se zona e kontestuar ishte rreth dy hektarë e gjysmë.
Në mënyrë që ta kundërshtojnë këtë uzurpim të supozuar, partia e Haradinaj propozoi një zgjidhje për parlamentin kosovar, që u miratua nga shumica me 29 qershor, 2015. Rezoluta këtkoi që kufiri të jetë i definuar nga kushtetuta që u miratua para 41 viteve; dhe se zona e kontestuar të jetë pjesë e Kosovës. Dy javë më vonë, një gazetë e Podgoricës, Vijesti, publikoi deklarata që thonin se ky dokument u miratua në Parlamentin e Kosovës vetëm disa ditë pasi Podgorica dhe Prishtina kishin arritur marrëveshje, që parashihte që territori i kontestuar t’i mbetet Malit të Zi.
Kryetari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Rasko Konjevic, i tha TV Vijesti të hënën se askush nuk humb. “Nuk kemi marrë asgjë, asnjë centimetër të territorit të huaj, e as nuk kemi lejuar që të merret ndonjë centimetër i territorit tonë, i cili sipas akteve zyrtarë të miratuara në ish-Jugosllavi, i përket Malit të Zi”, tha Konjevic.
Qoftë për shkak këtyre zbulimeve, ose ndoshta për shkak të dëshirës për ta promovuar vetën politikisht, Haradinaj nuk ka heshtur zërin e tij mospajtues për këtë çështje. Edhe pse pajtohet gjerësisht me pozitën e qeverisë për miratim të visë kufitare të vitit 1974 – pozitë që qeveria thotë se nuk i humb asgjë Kosovës – Haradinaj si duket nuk mund të hiqte dorë nga kjo çështje.
Në prezantimin e tij të Raportit të Demarkacionit për qeverinë kosovare, kryetari Muhat Meha deklaroi se Komiteti i tij (për shënjimin dhe pohimin e visë kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi) “merr përgjegjësi të plotë për dokumentimin e faktit se territori i Republikës së Kosovës nuk ndryshohet për asnjë centimetër katror. Meha shtoi se vija e demarkacionit u themelua në bazë të dokumentimit të Parlamentit të Kosovës Autonome, Drejtoratit Karhinor të Gjeodezisë, Departamentit të Gjeodezisë së Serbisë dhe dokumenteve tjera prej kohës së ish-Jugosllavisë.
Kjo nuk e kënaqi Haradinajn. Pasi i kishte akuzuar autoritetet në fuqi për korrupsion gjatë procesit, ai urdhëroi institucionet e Kosovës të ndalin shënimin e kufirit. Duke ia drejtuar mesazhin Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryeministrit Isa Mustafa, dhe Zëvendës Kryeministrit si dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçit, Haradinaj kërkoi vullnetin e popullit, duke deklaruar: “Ndaluni, e keni gabim! Ndaleni vetën, ose do t’iu ndalë populli! Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Nëse duan ta shohin situatën reale, të vërtetën, le të vijnë e ta vizitojnë atë zonë, me mua ose pa, të binden vet”.
Pasi që janë përmendur populli, duhet t’ua kujtojmë lexuesve se në 2009 popullsia nga Peja, Istogu dhe Deçanti, komunat në kufi me Malin e Zi, u ankuan për uzurpim të supozuar të pronave të tyre dhe për pamundësinë e arritjes tek to. U mbajtën protesta në vitet që vijuan.
Duke kërkuar të kuptojnë pikëpamjet e popullsisë lokale, folëm me 40 vjeçarin Adi Grvava, aktor nga Duboviku, afër Deçanit, në Kosovë. Ai ka një pronë afër Maleve të Shtedimit, e prona kanë edhe anëtarët e familjes së tij. Ai thotë se ajo zonë rrethon 50 fshate, që i përkasin bashkatdhetarëve të tij dhe është e tyre, territor kosovar. “E kemi përdorur këtë mal me shekuj. Gjyshi im dhe stërgjyshi im banuan aty deri në luftën e fundit. Por pas saj, fshatrat u dogjën, kështu që i humbëm. Tani e kemi vështirë t’i ndërtojmë, kemi vështirë të jemi pronarë të tokës sonë. Besoj se demarkacioni i propozuar nuk është i drejtë. Ky është territor kosovar”, tha ai për Kosovo 2.0.
Grvava thotë qartë se askush që jeton në zonën e kontestuar nuk do ta pranojë qetësisht se toka e tyre do të bëhet pjesë e Malit të Zi. “Do të ketë protesta, edhe shumë bile! Varret e të dashurve tonë kanë qenë aty për shekuj të tërë”, tha ai.
Në anën tjetër, Në Humc, afër Kulës, Rahman Ljaic, qytetar i Malit të Zi, ka frikë ndaj protestave të mundshme. Prandaj po i paralajmëron politikanët të jenë “të pjekur”, sepse kjo rrëfenjë “mund të jetë problematike”.
“Nëse nuk merren vesh në bazë të interesave të përbashkët, nuk do të jetë tokë e askujt, por tokë e konfliktit”, tha Ljaic për Kosovo 2.0. Ai ishte delegat i Parlamentit Federal në 1974 kur kufiri u themelua. Ai beson se një marrëveshje që nuk i kënaq të dy anët nuk duhet të arrihet, dhe sugjeron që popullsinë lokale të zonës së kontestuar ta përfshijnë më shumë në proces. Ai thotë se dialogu do të çojë deri te një zgjidhje. “Deri ku e ke kosit barin? Këtu. Deri ku janë ushqyer bagëtitë e juaja? Këtu. Kjo është zgjidhja më e mirë”, tha ai.
A është një vi kufitare e rënë dakord zgjidhja më e mirë? Mund ta kuptojmë pasi të ratifikohet marrëveshja nga dy parlamentet. Është e sigurt se Marrëveshja e Demarkacionit do të kalojë Parlamentin Malazias pa probleme, e e njejta gjë pritet të ndodh edhe në Kosovë. Por, megjithatë, nëse ndodh një mrekulli, dhe parlamenti refuzon kufirin e rënë dakord, është realistike të supozojmë se do të ketë përsëri arbitrazh në lidhje me kufijtë malazias, këtë herë me kroatët në zonën Prevlaka. Në anën tjetër, nëse kufiri në Kosovë pranohet, dhe nuk i kënaq qytetarët në zonën e kontestuar, si dhe Haradinajn, atëherë protestat duken të pashmangshme.
Sidoqoftë, qytetarët e Malit të Zi dhe Kosovës – veçanërisht ata në rajonin e kufirit, duke përfshirë Rahmanin prej Humcit dhe Avdiun e Dubovikut – po vëzhgojnë dhe dëgjojnë se si do të përfundojë rrëfenja e një kufiri 79 km i gjatë.K