Në korrik të këtij viti, Admir Thanza, në atë kohë anëtar i Gjykatës Supreme të Shqipërisë qëndroi me lotë në sy deri sa u mundua ta shpjegojë dënimin që e kishte vuajtur dikur për vjedhje në Itali. Ai pretendoi se kishte marrë përgjegjësi për krimin për të mbrojtur kunatën e tij, nënën e nipit 9 vjeçar të tij, që po trajtohej në Itali në atë kohë.
Thanza u ballafaqua me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), që prej nëntorit të vitit 2017 i ka rivlerësuar gjykatësit dhe prokurorët e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në fund ai u shkarkua si rrjedhojë e mosraportimit të dënimit të tij në Itali, si dhe lidhjeve të raportuara me kriminelë të organizuar dhe mospërputhjes së aseteve të tij me burimet e tij financiare.
Një tjetër gjykatës i Gjykatës së Apelit që u shkarkua së fundmi pretendoi se sasi të mëdha të parave që i posedonte i kishte marrë si dhuratë nga prindërit e bashkëshortes së tij që janë në pension të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarë të tjerë gjyqësorë që janë shkarkuar nëpërmjet procesit të vetingut i justifikuan apartamentet luksoze dhe paratë në llogaritë e tyre bankare duke thënë se kishin marrë hua prej familjarëve, ose se i kishin marrë paratë si dhuratë të martesës.
Shkarkimi i disa gjykatësve e ka pamundësuar funksionimin e gjykatave në nivele të ndryshme, përfshirë këtu Gjykatën Supreme, që ka mbetur me 1/5 e anëtarëve [Gjykata i kishte 19 gjykatës dhe tani ka mbetur me 3 anëtarë dhe kryetarin]. Procesi është në vazhdim e sipër dhe pritet të ekzaminohen 800 zyrtarë në sistemin e drejtësisë.
Adresimi i korrupsionit të nivelit të lartë
Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë gjithmonë kanë qenë ndër problemet më të theksuara nga Komisioni i BE-së në të gjitha Raportet e Progresit për Shqipërinë. Në vitin 2014, në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni u tha se funksionimi i mirëfilltë i drejtësisë pengohej nga “niveli i lartë i korrupsionit” dhe tri nga pesë prioritetet e vendosura nga raporti lidheshin me sistemin e drejtësisë. Një raport i publikuar në vitin 2016 nga instituti IDRA gjeti se 76 përqind e qytetarëve shqiptarë besojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar.
Deri në gjysmën e parë të shtatorit, KMK i kishte procesuar gati të gjithë 57 gjykatësit dhe prokurorët që ishin vendosur si prioritet në këtë proces, e 24 ishin shkarkuar deri në atë pikë.
Në korrik 2016, Kuvendi votoi në mënyrë unanime në favor për ta ndryshuar Kushtetutën, me shpresë të lehtësimit të reformave ambicioze në sistemin e drejtësisë. Procesi i zbatimit është ende në fazat e hershme dhe mbikëqyret nga një Operacion Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Edhe kjo strukturë ndihmëse e dy institucioneve kryesore të “vetingut” (KMK dhe Dhoma e Apelit, me jurisdiksion për rishikimin e apeleve kundër vendimeve të KMK) mund të dorëzojë gjetje dhe opinione, të prezantojë dëshmi, apo të dorëzojë rekomandime në lidhje me çështjet e ekzaminuara.
Deri në gjysmën e parë të shtatorit, KMK i kishte procesuar gati të gjithë 57 gjykatësit dhe prokurorët që ishin vendosur si prioritet në këtë proces, e 24 ishin shkarkuar deri në atë pikë. 20 gjykatës dhe prokurorë të tjerë të sistemit të drejtësisë kanë dhënë dorëheqje, duke u “liruar” nga procesi.
“Ky është rezultat shumë i mirë për popullin shqiptar. Dhe faza e ardhshme është edhe më e thellë”, tha Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, në një intervistë televizive të zhvilluar së fundmi, në të cilën shtoi se themelimi i KMK, si dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGj), krijimi i Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) “fut frikë në zemrat e liderëve të krimit të organizuar dhe politikanëve të korruptuar”.
Të parët që iu nënshtruan vetingut ishin anëtarët e gjykatave më të larta në sistemin ligjor shqiptar dhe kandidatët për institucionet e reja do të lindin nga reforma.
“Do të jetë proces i gjatë, që pritet të zgjatë tre deri në pesë vjet, ndërmjet rivlerësimeve dhe apeleve”, shpjegon në bisedë me K2.0, Jonida Koçi, Koordinatore për Media dhe Marrëdhënie të Jashtme në KPK. “Por, me kapacitetet aktuale buxhetore dhe të stafit në institucionin tonë, me gjasë do të zgjatë më shumë”.
Kryekomisionerja e KPK, Genta Tafa Bungo, i ka shkruar disa kërkesa Parlamentit për ta shtuar numrin e stafit të saj, përfshirë këtu një në qershor dhe një në shtator të këtij viti. Personeli aktual ishin të stërngarkuar nga vëllimi dhe intensiteti i punës dhe më 4 tetor, Parlamenti e miratoi kërkesën e Komisionit për ta shtuar numrin e stafit.
“Pasi të kryhet procesi, presim ta krijojmë një besim të rinovuar në sistemin e drejtësisë që do t’i sjellë të mira të ndryshme vendit”, shpjegoi më tej Koçi.
Një rol i rëndësishëm në mbledhjen e informatave, jashtë kanaleve zyrtare, i përket qytetarëve shqiptarë, të cilët mund të raportojnë me njohuritë e tyre për tema specifike.
Rivlerësimi i Komisionit është i bazuar në tri kritere: vlerësimi i pasurisë, ekzaminimi i imazhit dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Një rol i rëndësishëm në mbledhjen e informatave, jashtë kanaleve zyrtare, i përket qytetarëve shqiptarë, të cilët mund të raportojnë me njohuritë e tyre për tema specifike. Institucionet e sapokrijuara janë të obliguara me ligj t’i kontrollojnë informatat që i marrin, ndërsa qytetarët mbrohen nga ligji shqiptar që mbulon sinjalizimin. Në vitin 2017 u dorëzuan 334 ankesa, ndërsa ky numër është shumë më i lartë sivjet.
“Deri më tani procesi ka qenë frytdhënës. Megjithatë, me sa duket janë të zhgënjyer disa persona”, tha Koçi. “Kjo për shkak se ata shpresonin për rivlerësim të rasteve të tyre, në të cilat ishin të mendimit se gjykatësit dhe prokurorët vepruan kundër ligjit. Nëse një subjekt shkarkohet nga KMK për shkak se nuk arrinë ta justifikojë pasurinë e tij, kjo nuk ndryshon asgjë për personin që e dorëzoi ankesën kundër tij”.
I gjithë procesi është monitoruar afër nga mediat dhe nga seancat gjyqësore kanë dalë disa storje famëkeqe, përfshirë këtu ajo e Admir Thanzës.
Zgjerimi i procesit
Në shtator, i njëjti proces i rivlerësimit u zgjerua për t’i përfshirë punëtorët e Policisë Shtetërore dhe Gardës së Republikës.
“Vetingu i policisë” veç se e ka kaluar fazën e parë, ku afro 12,000 punëtorë dorëzuan forma të vetëdeklarimit dhe dokumente për justifikimin e pasurive të mbledhura gjatë viteve që kanë punuar në forcën policore. Ngjashëm me rastin e sistemit të drejtësisë, rreth 200 punëtorë nuk e dorëzuan këtë formë, ose zgjodhën të japin dorëheqje për t’iu shmangur fazës së ekzaminimit.
Megjithatë, pas fazës së parë, vetingu në polici ka ngecur, për shkak të vonesave me përgatitjen e komisioneve që do t’i vlerësojnë 300 zyrtarët më të lartë, përfshirë këtu krerët e policisë, kryeinspektorët, inspektorët etj. Nuk janë të gatshme zyret ku do të punojnë 30 anëtarët e Komisionit dhe ende pritet të përcaktohen rrogat dhe përfitimet e tjera.
Hapi tjetër me sa duket është zbatimi i procesit në sferën politikë të Shqipërisë. Në fillim të shtatorit, Partia Demokratike, partia kryesore e opozitës, e propozoi një projektligj që do ta zgjeronte më tej procesin për t’i përfshirë zyrtarët e lartë publikë, përfshirë këtu deputetët, kryeministrin, ministrat, kryetarët e bashkive dhe krerët ligjorë apo kushtetues të institucioneve.
Ndonëse në favor të vetingut politik, mazhoranca paralmentare ka kërkuar zgjerimin e procesit për t’i ekzaminuar edhe familjarët e politikanëve dhe për t’i vlerësuar pasuritë e tyre.
Nëse zbatohet, nuk do të jetë reforma e parë që i kap politikanët, sepse kjo po i ndjek hapat e ‘procesit të dekriminalizimit’ që është zhvilluar në dy vitet e fundit. Gjatë kësaj kohe, nëntë deputetëve u është pezulluar mandati ose kanë dhënë dorëheqje si rrjedhojë e procesit, ndërsa 12 të tjerë janë nën hetim. Ka ndikuar gjithashtu tek më shumë se 200 zyrtarë të lartë publikë, apo kandidatë.
“Politikanët që janë të lidhur sot me krimin e shkruajnë ligjin, i marrin vendimet, bëjnë ligje në Parlament, marrin vendime nëpër bashki dhe janë të paprekshëm. Vetëm një mënyrë është për ta pastruar politikën nga kjo gjeneratë e re dhe më e sofistikuar e kriminelëve: vetingu”, tha Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp, ku i shpjegoi amendamentet e propozuara kushtetuese.
Ai shtoi se për ta kryer me sukses vetingun politik duhet gjithashtu të ketë presion të madh nga publiku, apo siç e quan ai shpesh “mosbindje civile”.
Pasi që opozita nuk po merr pjesë në seancat plenare, dialogu politik për amendamentet e propozuara nga PD mbetet i tensionuar. Ndonëse në favor të vetingut politik, mazhoranca paralmentare ka kërkuar zgjerimin e procesit për t’i ekzaminuar edhe familjarët e politikanëve dhe për t’i vlerësuar pasuritë e tyre. Për këtë opozita nuk është e gatshme të negociojë.
“Do të isha shumë i lumtur po t’i kontrollonim shpenzimet e politikanëve, familjarëve të tyre dhe familjarëve të bashkëshortëve të tyre”, tha Kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive. “T’i kontrollojmë shpenzimet e udhëtimeve të tyre, akomodimit të tyre, ku kanë qëndruar, dasmat, lindjet, sëmundjet dhe të gjitha. Dhe mbi të gjitha, t’i gjejmë të gjitha burimet e të hyrave që kanë prodhuar pasuri apo aktivitete me shpenzime të larta apo jonormale. Do të isha shumë i interesuar dhe i lumtur, dhe le të fillojë e tëra me posedimet e mia”.
Rama vazhdoi të aludojë se nisma e opozitës për veting është vetëm një marifet i fushatës. Propozimi i PD do të dërgohet tek ekspertët e Komisionit të Venedikut, një organ këshillues i Këshillit të Evropës i specializuar në fushën e ligjit kushtetues, por gjjithashtu, Partia Socialiste me gjasë do ta propozojë një projektligj të vetin për vetingun politik. I pashmangshëm duket ballafaqimi për atë se cili model i vetingut duhet të zbatohet.
Pavarësisht konfliktit, disa analistë politikë në vend, si Afrim Krasniqi, besojnë se ka mundësi për t’i realizuar reformat, për shkak të formimit të organeve të reja të specializuara. “Vetëm ato mund dhe duhet ta shënojnë fillimin e një procesi të katarsisit dhe llogaridhënies nga politika”, shkroi ai në Facebook. “Gjithçka tjetër është dhe mbetet, retorikë politike”.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0