Lamtumirë Milena Dravić, një nga legjendat e fundit të aktrimit të kohës së Jugosllavisë.
Milena Dravić na ka lënë, vdekja e saj duke shënuar edhe vdekjen e një pjese të identitetit kulturor të ish-Jugosllavisë. Ajo ishte një nga simbolet kyçe dhe të padiskutueshme të shtetit të humbur, një fytyrë e gdhendur në kujtesën kolektive; në pamje të parë, një mishërim i një kohe më të thjeshtë të cilën ne ende e çmojmë shumë. Por sigurisht, ajo kohë ka kaluar.
Arsyeja pse e deshëm atë nuk ishte vetëm për rolet e pafund që i luajti, duke lënë shenjë në historinë kinematike jugosllave dhe evropiane, por edhe për mënyrën modeste dhe krenare me të cilën i ushqeu vlerat e padiskutueshme urbane. Ajo vazhdimisht i lëvizi kufijtë e lirisë personale dhe artistike, madje edhe në momente kur u detyrua ta vëjë në rrezik ekzistencën e saj, në Jugosllavi dhe në Serbinë e Milošević-it.
Si e re, Milena Dravić për pak përfundoi në industrinë e modës, duke punuar si modele, gjë që do ta kishte ndryshuar përgjithmonë rrugëtimin e jetës së saj dhe do ta kishte çuar atë në një drejtim krejt tjetër. Fatmirësisht, gjatë angazhimit të parë profesional të saj në fund të viteve të 50-a, si modele për ballinën e revistës që publikohej çdo dy javë, Duga, ajo u dallua nga regjisori slloven František Čap, i cili vendosi ta marrë në filmin e tij të ri.
“The Doors Remain Open” (Dyert Mbesin të Hapura) ishte filmi i parë në të cilin luajti Milena Dravić dhe i cili e përcaktoi drejtimin e karrierës së saj. Foto: IMDB.
Kolumnisti dhe shkrimtari kroat Goran Gerovac beson se Čap, në kuptimin e plotë dhe simbolik të fjalës, e udhëzoi jetën e Milena Dravić drejt arritjeve për të cilat e njohim ne sot.
“Në 1959, Čan ja besoi rolin e parë të saj në film, në një film të titulluar “The Doors Remain Open” (Dyert Mbesin të Hapura – Vrata ostaju otvorena)”, shpjegon Gerovac. “Gjithçka që ishte mbrapa asaj dere, që e mishëroi punën artistike të Milena Dravić, është e mirënjohur dhe e kahmotshme, dhe atë me plot meritë. Dera ka mbetur e hapur për gjithë këto dekada dhe do të mbetet e hapur për ato që do të vijnë edhe pas vdekjes së një artisteje të madhe”.
“Milena Dravić u bë një nga simbolet e asaj kohe të zjarrtë, si dhe të qytetërimit së mposhtur të kohëve të sotme”.
Goran Gerovac, kolumnist dhe shkrimtar
Gerovac gjithashtu kujton se si Milena Dravić nuk kishte frikë të shkonte nga roli i një heroinës epike te roli i një kurorëshkelëses civile, “që për ata të cilët ngulën këmbë në qasjen e propagandës politike komuniste në art dhe letërsi, do të kishte qenë një sulm i papërballueshëm ndaj karakterit dhe punës së tyre, ndërsa për vet artin është një kapërcim i pashmangshëm në përjetësi”.
“Pikërisht kjo është pse Milena Dravić u bë një nga simbolet e asaj kohe të zjarrtë, si dhe të qytetërimit së mposhtur të kohëve të sotme”, thotë kritiku, duke theksuar gjithashtu se roli i vërtetë i saj në skenën e përgjithshme kulturore dëshmoi “se roli integrues i artit madhor është shumë i fuqishëm dhe se as politikat ultra agresive nuk mund ta prishin lehtë. Për shkak të kësaj dhe në rastin e saj, etnia është karakteristikë dytësore dhe për këtë, lajmi për vdekjen e saj ishte një lajm që preku gjithë rajonin”.
Krijimi i një legjende
Në 1962, Milena 22 vjeçare u bë personi më i ri që morri çmimin ‘Golden Arena’ në Pula Film Festival, për rolin e saj në filmin “Overcrowded” (“Prekobrojna”) nga regjisori kroat Branko Bauer. Në atë kohë, festivali po i përjetonte vitet e arta të tij, dhe të gjitha filmat e rëndësishëm që u prodhuan në Jugosllavi i mbanin premierat kombëtare në të.
“Overcrowded” e vendosi Dravić-in në mesin e yjeve më të mëdhenj të filmit të asaj kohe, kështu që nuk erdhi si befasi fakti që ajo u angazhua menjëherë për të luajtur role në disa filma të mëdhenj të një prej regjisorëve më të mirënjohur të asaj kohe, malazezi me diplomë italiane, Veljko Bulajić, i cili ishte i afërt me regjimin e Titos.
Për rolin e saj në “Overcrowded”, Milena Dravić e fitoi për herë të parë çmimin Golden Arena në Pula Film Festival në 1962. Foto: IMDB.
“Ajo ka mbetur në kujtesën time si profesioniste e rangut më të lartë, si grua modeste por pafundësisht këmbëngulëse dhe e vendosur për ta nxjerrë maksimumin nga secili rol”, thotë Bulajić për K2.0, duke shtuar se të gjithë njerëzit në set ishin pak të dashuruar në të.
Pas një bashkëpunimi të suksesshëm me “Boom Town” (“Uzavreli grad”), që u pa si një nga filmat më interesantë që eksploruan rolet gjinore në periudhën e industrializimit dhe urbanizimit, Bulajić i ofroi Milenës role në “Kozara” dhe “The Battle of River Neretva” (Beteja e Lumit Neretva – Bitka na Neretvi). Këto ishin spektakle epike të luftës që e çmuan mitologjinë e Luftës së Çlirimit Kombëtar (LÇK), në të cilët Milena Dravić luajti role kryesore përkrah aktorëve shumë të njohur jugosllavë si Bata Živojinović, Ljubiša Samardžić dhe Boris Dvornik, si dhe yje bashkëkohorë ndërkombëtarë si Yul Brynner dhe Orson Welles.
Rruga e një artistes
Në filmat e Bulajić, ajo i luajti tri role të rëndësishme por krejtësisht të ndryshme nga njëri tjetri, secili prototipik në mënyrën e tij dhe në përputhje me çështjet sociale të asaj kohe. “Ajo nuk i performoi duke ndjekur një klishe, përkundrazi. Ajo i solli një vlerë të re dhe për mua madje edhe të papritur, filmave që i krijuam ne”, kujton Bulajić.
Ai ishte personi i cili, në Kanë në 1980, propozoi që Milena Dravić të shpërblehej me çmim për rolin dytësor të saj në “Special Treatment” (“Poseban tretman”) të Goran Pasljakević, që u pranua në mënyrë unanime nga juria e drejtuar nga Kirk Douglas, duke afirmuar se karizma dhe talenti i saj shkoi përtej kufijve të Jugosllavisë.
Në vend se t’i ndjekë paratë dhe ballinat e shumëngjyrshme, ajo e zgjodhi rrugën e artistëve që u mblodhën në të ashtuquajturën Valën e Zezë të Filmit Jugosllav.
Koha kur ajo punoi me Veljko Bujalić ishte kohë kur Milena Dravić mund ta kishte pasur një jetë të rehatshme të një yllit të regjimit dhe publikut, një yllit transnacional që kishte luksin t’i zgjedhte rolet. Dhe ajo me të vërtetë i zgjodhi, por në një mënyrë, që në mënyrë të paktheyshme ja mbylli dyert e filmave të rrjedhës qendrore.
Në vend se t’i ndjekë paratë dhe ballinat e shumëngjyrshme, ajo e zgjodhi rrugën e artistëve që u mblodhën në të ashtuquajturën Valën e Zezë të Filmit Jugosllav, që në mënyra rebeluese dhe shpeshherë radikale i vënë në dyshim direktivat krahinore dhe ideologjikisht të definuara qartë të kulturës socialiste jugosllave.
Për rolin e saj dytësor në “Special Treatment”, Milena Dravič fitoi çmimin për rolin mbështetës në Festivalin e Filmit në Kanë në 1980. Foto: IMDB.
Ikonik është roli i saj (përkrah Jagoda Kaloper) në filmin “W. R. – Mysteries of the organism” (W. R. Misterije organizma) me regji të Dušan Makavejev, një film që u ndalua për një kohë të shkurtë pas premierës në vitin 1971 që u karakterizua nga trazirat politike. Regjimi u trazua nga paralelet satirike ndërmjet rendit socialist dhe shtypjes seksuale dhe skenë legjendare është ajo në të cilën Milena Dravić e mbanë një fjalim të zjarrtë në oborrin e një ndërtesës austro-hungareze, duke bërë thirrje për çlirimin seksual të rinisë.
“Bëni dashuri, njerëz! Bëni dashuri!”, bërtiti Milena plot pasion nga ballkoni, duke hedhur një dorzë në fytyrën e primitivizmit dhe mendësisë së qytezës së vogël. Ky film klasik i Valës së Zezë u transmetua në televizion, por jo para fundit të viteve të 80-a, kur u lehtësua censurimi. Me të kaluar koha, Milena Dravić u “fal për mëkatin” e roleve të valës së zezë.
Filmi vizionar i Želimir Žilnik “Pretty Women Walking Through the City” ishte një tjetër mundësi që Milena Dravić e shfrytëzoi per të treguar se çfarë aktore e veçantë ishte ajo. Foto: IMDB.
Në këtë periudhë, Milena Dravić e konfirmoi besimin dhe përkushtimin e saj ndaj eksperimentimit artistik duke punuar me Želimir Žilnik, një tjetër eksperimentues i Valës së Zezë të cilit nuk ja ndinte për traditat socialsite dhe perceptimit popullor të shijes së mirë. Hera e fundit kur bashkëpunuan ata dy ishte në filmin vizionardistopian “Pretty Women Walking Through the City” (“Lijepe žene prolaze kroz grad”), që në 1986 e parashikoi shpërbërjen e Jugosllavisë.
Një grua e një sistemi tjetër
Fillimi i 90-ve ishte periudhë e vështirë për të gjithë ata që refuzuan të bëhen pjesë e histerisë nacionaliste. Aktorja e cila me të vërtetë i jetoi vlerat e shpallura të vëllazërisë dhe bashkimit, duke mos u bërë kurrë një klishe socialiste, vështirë gjeti vend në regjimin e ri që e shtyu qytetin e saj, Beogradin, në valën e primitivizmit ksenofobik dhe luftënxitjes.
Për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pushtetit të Milošević-it për dy dekada, ajo ishte persona non grata në Radio Televizionin e Serbisë, dhe rolet filmike të saj në vitet e 90-a ishin aq të rralla, sa që ajo vështirë mbijetoi në Serbi. Interesante ishte që njëkohësisht ajo u injorua edhe në shtetet tjera të ish-republikës federative.
Tek në vitin 2008, 23 vjet pas angazhimit të fundit të saj në Kroaci, regjisorja e re Sara Hribar e solli atë përsëri në Zagreb. Dikur aktorja më e madhe dhe më e kërkuar e rajonit, Dravić pa ngurrim u pajtua të merrë pjesë në filmin e studentes, të titulluar “That Little Hand of Yours” (“Ta tvoja ruka mala”).
“Pak është të themi se Milena Dravić ishte modeste. Vetëm divat më të mëdha mund ta bëjnë këtë”.
Sara Hribar, regjisore filmi
“Ajo e luajti jashtëzakonisht mirë rolin, madje përkundër një dozës së vogël të ankthit të papritur, për të cilën e fajësoj vetëm faktin se ajo ishte vetëkritike dhe se nuk kishte luajtur në Kroaci prej 1986-ës”, kujton Hribar. “Nuk është se refuzoi thirrje, por telefoni nuk i kishte bërë me vite”, shtoi regjisorja, duke thënë se Milena kurrë nuk mburrej, por nëse e pyeste dikush me mirësi, ajo kishte qejf t’i kujtonte filmat e vjetër që i kishte afër zermës, veçanërisht në bisedë me miqtë e saj, si Mustafa Nadarević.
Ajo dhe Nadarević i luajtën rolet kryesore në filmin e Sara Hribar. Xhirimet për këtë film, që zgjatën tërë natën në temperaturë të akullt, u bënë në një veturë të parehatshme dhe të vjetër, të cilën e voziste Nadarević në rolin e tij të taksistit. Plot kolegë të ri u ankuan për kushtet e punës, por Dravić nuk e tha asnjë fjalë për këtë, siç e kujton regjisorja.
“Pak është të themi se Milena Dravić ishte modeste. Vetëm divat më të mëdha mund ta bëjnë këtë”, kujton Sara Hribar, duke theksuar se jemi duke folur për një nga “aktoret më të zhvilluara dhe më të kompletuara” të shkollës së vjetër, që ishin fantastikë si kur aktronin, ashtu edhe kur këndonin, vallëzonin apo performonin.
Hribar u lind në 1987. Jeta e saj nisi në një kohë kur Jugosllavia veç se kishte filluar të shpërbëhej, por fëmijëria e saj prapëseprapë u shënua nga rolet filmike të Milena Dravić. Hribar do ta kujtojë atë si një aktore e cila “e kishte aurën e një kohës në të cilën në Zagreb njerëzit po dëgjonin xhaz dhe swing, dhe po organizonin tubime sociale për një rini të shkëlqyer në Zagrebin kozmopolit”.
Të tjerët do ta kujtojnë atë si një nga simbolet e Beogradit urban që i shpërfillën të gjitha dogmat e shekullit 20, si një vajzë e ndrojtur e lagjes, apo madje edhe si një nga seks simbolet më të guximshme të ish-Jugosllavisë. Milena Dravić kishte fytyra poaq sa kishte role. Ajo thjeshtë e definoi veten si një aktore dhe si beogradase, një Dorćolka (e lagjes Dorćol), pa e theksuar klasën apo përkatësinë kombëatre.
“Vlera e një punimi artistik reflektohet në kuptueshmërinë e saj që tejkalon kufijtë politikë, në një hapësirë që nuk ka nevojë të integrohet në legjislacion për të komunikuar me njëri tjetrin”, thotë Gerovac, duke shtuar se Milena i shmanget këtij kuadrit të ngushtë dhe nuk është simbol jugosllav, por sigurisht është simbol i elegancës dhe mirësjelljes.
Roli i Milena Dravić në filmin “Gunpowder Barrel” i ruajti mbetjet e qytetarisë në Serbi, që po mposhteshin nga nacionalizmi. Foto: IMDB.
Gerovac thekson se nëpërmjet simbolizmit të jetës në film dhe filmit si një jetë, Milena Dravić në fund u vendos në autobus në filmin “Gunpowder Barrel” (Bure baruta). Ishte një film për Beogradin, një nga lagjet më të dhunshme dhe më të rrezikshme të fundit të shekullit të kaluar, ku ajo, si një zonjë urbane dhe e pensionuar, i përdorë privilegjet e saj në transportin publik deri sa rreth saj ndodhin disa ngjarje, që nxiten nga rrethana të ndryshme. Ajo ulet në pjesën e përparme të autobusit dhe e pret shoferin – “i cili është duke pirë kafe” – për të ardhur në mënyrë që të niset autobusi, duke personifikuar mirësjelljen që në botën e sotme paraqet dobësi.
“Në bindjen e saj ndaj momentit është edhe psikopatologjia e çdo frike ndaj çdo veprimi që qytetasit në mesin tonë e kthyen në një gjendje të përhershme të mbrojtjes”, thotë Gerovac, duke shtuar se partitë politike dhe kjo periudhë fatale historike nuk janë asgjë më shumë se faza të përkohshme dhe iluzione jetëshkurtër të pushtetit që bëhet proporcional ndaj “heshtjes së autobusit” dhe durimit tonë. “Arti, kultura dhe talenti shkojnë përtej [kësaj gjendjeje], duke kaluar konkavitetin dhe shtrembërimin e hapësirës-kohës, dhe e vazhdojnë rrugën e tyre prapa dyerve të hapura të asaj bote tjetër, për të cilën as nuk jemi të sigurtë a ekziston”, konkludon kritiku.
Si mysafire nderi e Pula Film Festival, krenare dhe modeste në madhështinë e saj, mbase aktorja më e madhe e rajonit me të vërtetë u prek kur i pa 5,000 njerëz duke duartrokitur pandalur për të.
Në këtë pikë, ia vlenë t’i përmendim të gjitha Golden Arena-t, çmimet nga Kanadhe Venediku, fakti se në një film, “The Dark Side of the Sun”, të birin e saj e luajti një Brad Pitt i ri, ose që Orson Wellesu fascinua nga karakteri dhe puna e saj, por rëndësia e Milena Dravić moti ka shkuar përtej njohjeve të shumta formale të saj në këtë profesion.
Në kujtesën intime të autores së këtij teksti, ajo do të mbetet e gdhendur në momentin e takimit tonë të fundit. Ishte këtë verë, në Arenën e njejtë ku u festua për të në 1962. Si mysafire nderi e Pula Film Festival, krenare dhe modeste në madhështinë e saj, mbase aktorja më e madhe e rajonit me të vërtetë u prek kur i pa 5,000 njerëz duke duartrokiturpandalur për të. Në atë kohë nuk e dinim, por me atë duartrokitje ja thamë lamtumirën e fundit Milena Dravić-it.