Sikur për të mos mjaftuar probleme si papunësia (e cila është rreth 30 përqind sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës) dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar që na është bërë kusht këtu e 10 vjet më parë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave — kosovarëve iu shtohet edhe territori si problem.
Deri më tani, bisedimet e zhvilluara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, i kanë hapur udhë diskutimit edhe për territorin. Në një raport studimor, të publikuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet në tetor 2014, vjen në përfundimin se: “Pranimi nga ana e Kosovës i qëndrimit neutral të serbëve ndaj statusit politik është një kompromis shtesë me çmim të lartë dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, ka vënë bazat për forcimin e ndarjes etnike përtej pjesës veriore”.
Kësaj here, idea e korrigjimit të kufijve veçse ka prodhuar një rezultat. Më i rëndësishmi dhe më i rrezikshmi është se i ka hap rrugë zyrtarëve serb ta kërkojnë hapur ndarjen e Kosovës që e kanë dëshiruar prej kohësh.
Përpos kësaj, Serbia ka dhe një qëllim tjetër: Të vihet në lojë Shqipëria. Qëllimi i Serbisë për të përfshirë Shqipërinë në një zgjidhje përfundimtare të çështjes së Kosovës ka qenë vazhdimisht i nevojshëm, sepse e lehtëson çështjen duke e vënë në lojë lëvizjen e kufijve.
Me Shqipërinë, pala serbe është e interesuar të negociojë territorin, konkretisht kufijtë që i ndajnë shqiptarët në njërën anë dhe serbët në anën tjetër. Si rrjedhë e kësaj, e rëndësishme për palën serbe është që të vë nën kontroll vetëm disa elemente strategjike si Kompleksi industrial Trepça apo Liqeni Artificial i Ujmanit. Përmes këtyre kontrolleve ngritet niveli i ndikimit politik, paçka dhe të shkoj më tutje në kërkesa.
Në një situatë, kur pjesa tjetër e Kosovës nuk do të ishte më si entitet politik, por si pjesë e territorit të Shqipërisë, do t’i mundësonte Serbisë të kërkonte të drejta shtesë duke përdorur si mjet dhe si formë ndikimi, në veçanti Ujmanin, nga i cili furnizohet një pjesë e mirë e Kosovës me ujë të pijshëm.
Deri në një masë, Presidenti serb Vučić ia ka arritur qëllimit që ta vë Shqipërinë në lojë. Kjo i është mundësuar nga dëshira e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për të qenë protagonist në politikën rajonale. Pikërisht, intensifikimi i takimeve mes Ramës dhe Vučić-it, po shfrytëzohen nga ky i fundit për ta bërë Shqipërinë palë në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Në një debat televiziv mes Ilir Dedës dhe Ivica Dačić-it në maj 2011, në fund të emisionit, politikani serb deklaron se “çështja e kufirit duhet të diskutohet me Tiranën”. Vazhdojmë tutje. Para takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin më 7 shtator 2018 në Bruksel, por edhe më pas, të cilin e anuloi me shkas, kryetari serb Aleksandër Vučić, në mesin e shumë gjërave deklaroi se është i interesuar të vendosë paqe me shqiptarët.
Nga ajo çfarë vërejmë këtu, duhet theksuar mungesën e Kosovës si entitet politik në diskursin politik të zyrtarëve serb. Kjo dëshmon se janë të interesuar për një zgjidhje të problemit me shqiptarët, ku me patjetër palë në negociata duan që të jetë edhe Shqipëria.
Por, dhe pushteti vendor (i Kosovës) vazhdimisht ka investuar energji për t’i bindur njerëzit se propozimet politike të tyre, duke përfshirë shkëmbimin e territoreve, janë të sakta dhe kundërshtimi i tyre përbën një lloj blasfemie. Shfrytëzimi i kanaleve të komunikimit me masat, përmes teknologjisë informative ia ka lehtësuar dërgimin e mesazheve dhe ia ka mundësuar suksesshëm pushtetit ta amortizoj çdo reagim social, në mënyrë që qytetarët të jenë sa më indiferent edhe ndaj atyre çështjeve të një rëndësie parësore si territori i vendit, sovraniteti dhe karakteri unitar i shtetit.
Indiferentizmi iu ka dhënë mundësi të qeverisin atij lloj politikanësh që fatin e popullit e lidhin me atë se çfarë është e mirë për ta. Kjo është saktë ajo që sociologu gjerman Robert Michels e ka quajtur si ‘Ligji i Hekurt i Oligarkisë’. Çfarë nënkupton se, interesi i një populli të tërë, reduktohet në interesin e një nën-strukture të partisë politike në pushtet.
Kosova humbësja më e madhe
Në një proces negocimi për “korrigjimin e kufijve” sipas një versioni, apo për “shkëmbimin e territoreve” sipas një tjetri, një propozim si ky do të kishte disa konsekuenca, të cilat për qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata shqiptar, do të ishin të dëmshme.
Fillimisht, mos ndryshimi i kufijve ka qenë njëri nga parimet e vendosura për Kosovën nga Grupi i Kontaktit, një grup jo-formal i ‘fuqive të mëdha’ me interes në zhvillimet e Ballkanit, ku bënte pjesë ShBA-ja, Rusia, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Parime të tjera të vendosura nga grupi ishin: mos kthimi në gjendjen e para vitit 1999 dhe mos bashkimi me ndonjë vend tjetër.
Siç vërehet nga këto parime, asokohe i është rënë fort idesë nga fuqitë e mëdha se zgjidhja e statusit politik të Kosovës është bërë duke e përjashtuar diskutimin e tërësisë territoriale. Këtë qëndrim, vendet aleate të Kosovës — SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania — vazhdojnë zyrtarisht të mbajnë. Madje kjo e fundit, Gjermania, më konkretisht kancelarja gjermane Angela Merkel, është deklaruar kundër. Ajo është shprehur në një rast se mbështesin përpjekje për gjetjen e një zgjidhje, por që merr në konsideratë tërësinë territoriale.
Së këndejmi del se konteksti ndërkombëtar për të provuar një zgjidhje politike të problemit mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i pafavorshëm për palën kosovare që avokon për korrigjimin e kufijve. Për një ide si kjo mungon mbështetja zyrtare ndërkombëtare, por as nuk ka Kosova kapacitet për ta imponuar një zgjidhje të tillë.
Një tjetër element që përmban deklarimi i presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve”, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, në një interpretim të drejtë, paraqet pretendim territorial i një shteti sovran ndaj një shteti tjetër, po ashtu sovran. Politikanët tanë, harrojnë një gjë me rëndësi, se përfaqësojnë një shtet të pavarur, jo një grup rrebelësh deklaratat e të cilëve nuk i merr askush seriozisht.
Fakti që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk nënkupton që është shtet gjysmak, sepse e kanë njohur një pjesë e konsiderueshme e kësaj organizate, e cila nuk njeh shtete, por vetëm pranon anëtarë. Prezenca e NATO-s në Kosovë, i trimëron politikanët e saj për të dhënë edhe të tilla propozime, të cilat në kushte të tjera do mund të konsideroheshin kërcënim i drejtpërdrejt ndaj një vendi tjetër.
Në një raport të studiuesit David Phillips nga Columbia Univeristy, të bërë për bisedimet në Bruksel i publikuar më 5 shtator 2017, rekomandohet një zgjidhje e modelit të Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore: për një marrëveshje të përkohshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është shumë më pragmatike politikisht, paçka edhe do të kishte gjetur mbështetje ndërkombëtare, sikur pala kosovare të kërkonte një zgjidhje të tillë, të modelit gjerman se sa të avokojë për korrigjimin e kufijve.
Sipas një marrëveshje të tillë, shtetet do të njihnin njëri tjetrin de facto, të cilat do të zotoheshin për fqinjësi të mirë deri, duke i njohur palët njëra tjetrës, atributet e shtetit sipas Kartës së Kombeve të Bashkuar — si pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial — por pa një njohje formale.
Vetëm opsionin e pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesit e saj politik kanë argumente të mjaftueshme për ta mbrojtur. Çdo opsion tjetër, do të ishte një eksperiment social i rrezikshëm me pasoja destabilizuese për vendin. Në negociatat e Brukselit, si kompromis Kosova do të duhej të ofronte vetëm një model të avancuar të të drejtave të minoriteteve. Prekja e kufijve, do të nënkuptonte më pak territor për Kosovën në secilin variant.
Filozofja dhe politologia e njohur gjermane e shekullit të 20, Hannah Arendt, në librin e saj “The Origins of Totalitarianism” (Origjinat e Totalitarizmit) ka konstatuar se; këmbimi i territoreve dhe popullsive, si dhe përjashtimi i minoriteteve, ka qenë standard politik i Evropës së mes dy Luftërave Botërore.
Ky standard rezultoi me një gjakderdhje të përmasave që nuk kishte njohur historia më parë. Me idenë e korrigjimit të kufijve, Presidenti i Kosovës do të mund ndoshta ta integronte vendin në Evropën e mes dy Luftërave Botërore. Përmes saj, vështirë ta arrijë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian të sotëm, i cili ndër kriteret kryesore për anëtarësim ka, respektimin e integritetit territorial të fqinjëve dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë minoritetet.
Korrigjimi i kufijve në esencë këtë përmban, vizatimin e kufijve mbi baza etnike. Pikërisht, për këto kompromise si dhe shumë të tjera, që nuk mund të përmenden në këtë trajtesë, në çfarëdo diskutimi për tërësinë territoriale, Kosovën do ta bënte humbësen më të madhe.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.