Blogbox | BiH

Pse është e nevojshme të vjedhen votat, kur veç dihet se kush do të fitojë?

Nga - 26.10.2018

Kërkim për shpresë në parregullsitë zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Përgjithshme të vitit 2018 në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) pritet të publikohen në fillim të nëntorit, por tani veç se dihet se nuk kanë ndodhur ndryshime të mëdha dhe se këto zgjedhje nuk kanë sjellë befasi.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), 51 përqind të qytetarëve që u regjistruan për zgjedhje e ushtruan të drejtën për të votuar. Çështje të hapura mbeten ato se a nuk pati ndryshime për shkak të kënaqësisë së qytetarëve me qeverinë aktuale, zhvillimit të parregullt të zgjedhjeve, klientelizmit të gjithëpranishëm apo apatisë politike.

Qëllimi im këtu është t’i ngris disa pyetje, ankesa dhe paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor, në të cilin me sa duket ndodhën disa parregullsi.

Kush voton në zgjedhjet e Bosnjes?

Paqartësitë fillojnë me numrin e votuesve të regjistruar dhe çështjen se si është e mundur që numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve. Për herë të kushedisatë u përsëritën ankesat për përfshirjen e personave të ndjerë në listat e votuesve dhe mosdërgimin e fletëvotimeve jashtë vendit. Blerja e votave është fshehtësi publike, siç është distribuimi i fletëvotimeve të plotësuara paraprakisht. Kishte edhe raporte në media për vjedhjen e fletëvotimeve të zbrazëta dhe të plotësuara, në të gjitha nivelet e qeverisë dhe numri i fletëvotimeve invalide është rreth gjysmë milion, apo 7 përqind.

Sipas KQZ ishin 3,352,933 votues të regjistruar, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë që u krye në 2013, numri total i banorëve është 3,531,159.

Më 23 gusht, kur u mbyll Lista Qendrore Zgjedhore, sipas KQZ ishin 3,352,933 votues të regjistruar, ndërsa sipas regjistrimit të fundit të popullsisë që u krye në 2013, numri total i banorëve është 3,531,159. Siç më thanë KQZ, ata marrin të dhëna për numrin e votuesve nga Agjencia e BeH për Dokumente të Identifikimit, Regjistra dhe Shkëmbim të të Dhënave (IDDEEA BeH) dhe i konsiderojnë ato si relevante, ndërsa të dhënat e regjistrimit të popullsisë nuk janë relevante për ta.

Është e qartë se këto të dhëna nuk mund të jenë identike dhe se diaspora nuk përfshihet në regjistrimin e popullsisë, por devijimet prapëseprapë janë të mëdha, posaçërisht kur dihet se rreth 78,000 janë të regjistruar për të votuar jashtë vendit nëpërmjet postës ose në zyret e degëve diplomatike.

Sigurisht kjo është drejtpërdrejtë e lidhur me disa ankesa për numrin e lartë të personave të ndjerë që kanë votuar, si dhe ata që nuk janë më qytetarë të BeH. Por ankesa pati edhe para zgjedhjeve dhe ndonëse janë përsëritur për plot vite, këto parregullsi fatkeqësisht nuk janë përmirësuar, e as shkaqet e tyre.

Kjo ose tregon paaftësinë e KQZ për të përmirësuar gabime, ose në fakt paraqet një keqpërdorim të qëllimshëm të këtyre fletëvotimeve. Një numër i madh i ankesave të këtij lloji janë shprehur në media dhe në rrjete sociale, dhe qytetarët po dorëzojnë dëshmi për regjistrimin e njerëzve që kanë ndërruar jetë para shumë kohe.

Dijana Žabić: “Dëshmi se të vdekurit janë të regjistruar. Nëna ime ka vdekur në prill 2012!” Foto e marrë nga rrjetet sociale.

Unë jam në mesin e atyre votuesve që janë regjistruar për të votuar nëpërmjet postës, por asnjëherë nuk kam pranuar fletëvotime nga KQZ. KQZ e akuzoi zyrën postare austriake dhe zyra postare austriake nuk është e autorizuar për të më dhënë informata mua si marrëse. KQZ nuk ndërhyu në lidhje me këtë çështje, sigurisht. E vetmja përgjigje që e dhanë ishte se kanë dërguar fletëvotime dhe se nuk janë më të interesuar për asgjë tjetër. Sipas tyre, me këtë veprim (duke dërguar një fletëvotim me postë), pjesa e tyre e punës është kryer.

Gabim i rëndomtë?

Pasi të numërohen votat, është e mundur të mësoj, me një kërkesë të shkruar, se është keqpërdorur zëri im dhe definitivisht do ta bëjë këtë. Edhe vet KQZ shprehi shqetësime para zgjedhjeve për keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve personale të idenfitikimit dhe nënshkrimeve të falsifikuara gjatë procesit të regjistrimit për votim jashtë vendit.

Pas paraqitjes sime në N1 TV ku fola në lidhje me këtë çështje, morra plot mesazhe në të cilët qytetarët që jetojnë jashtë vendit u ankuan për të njëjtin problem. Kjo përsëri tregon se ky nuk është një gabim i vetëm aksidental.

Ekzistojnë dyshime të bazuara në deklaratat e qytetarëve se shtypshkronja “Atlantik bb” nga Banja Lluka, në bashkëpunim me kompanitë Nezavisne novine, RS Official Gazette, Grafomark nga Laktaši dhe Farma prom nga Banja Lluka (që ishin përgjegjës për printimin e fletëvotimeve), printuan më shumë fletëvotime se që ishte e nevojshme. Këto fletëvotime u plotësuan nga partitë që veç se janë në pushtet dhe e kanë infrastrukturën e nevojshme për këtë mashtrim dhe pastaj u shpërndanë në hyrje të vendvotimeve.

Elektoratit nuk i ofrohen programe për ndryshim. Votojnë për ata që i sigurojnë vendet e vetme të sigurta të punës në këtë vend, ato që paguhen nga buxheti, qoftë i kantonit, entitetit apo shtetit.

Sipas akuzave, ata që po mbledhnin fletëvotime të plotësuara po ja kthenin disa fletëvotime të zbrazëta organizatorit të të ashtuquajturit ‘trenit bullgar’. Pastaj gjithçka sillej në rreth. Votuesit dorëzonin fletëvotime të plotësuara paraprakisht dhe ja dërgonin fletëvotimet e zbrazëta organizatorëve, që i plotësonin për rundin e ardhshëm.

Përgjigja ndaj pyetjes ‘pse do ta bënte një votues’ është mjaft e thjeshtë. Zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë janë kryesisht të bazuara në klientelizëm. Anekdotikisht, grupi që merr pjesë më rregullisht në zgjedhje, domethënë që voton, është grupi i personave të punësuar në sektorin publik. Ata votojnë për ekzistencën e tyre, që varet drejtpërdrejtë nga elita politike që është në pushtet.

Elektoratit nuk i ofrohen programe për ndryshim. Ata votojnë për ata që i sigurojnë vendet e vetme të sigurta të punës në këtë vend, ato që paguhen nga buxheti, qoftë i kantonit, entitetit apo shtetit. Ndryshimet në strukturën qeveritare do të rezultonin në një ndryshim në strukturën e punëtorëve.

Kategoria e dytë e sistemit klientelist janë punëtorët në fabrika, pronarët e së cilëve janë të afërt me strukturat qeverisëse dhe ata janë target grupi që më së shpeshti merr fletëvotime të plotësuara. Kjo duket se është një përzierje e socializmit të trashëguar dhe demokracisë së re (neo)liberale, në të cilën nëse nuk je në parti dhe për partinë, nuk mund të ushtrosh të drejta të caktuara, dhe e gjithë kjo lidhet me kanalizimin specifik të kapitalit.

U raportua në rrjete sociale se punëtorët e fabrikave po detyrohen të votojnë në përputhje me interesat e punëdhënësve të tyre. Saša Baštinac është njëri prej tyre. Foto nga rrjetet sociale.

As blerja e votave nuk është diçka e re dhe çmimet dallojnë nga 50 deri në 200 BAM, siç më tha një person që e mbikëqyri procesin zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Paratë merren pasi ta prezantojnë një fotografi të fletëvotimit të plotësuar në vendvotim, para se ta fusin në kuti të votimi. Varianti më i favorizuar është ai me dokument të identifikimit dhe fletëvotim të plotësuar. Punëtorët e sektorit publik shpeshherë ua dorzojnë eprorëve të tyre fotografitë e tilla me fletëvotim dhe letërnjoftim.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të Misionit të Mbikëqyrjes së Zgjedhjeve (MMZ) në Zyren për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë shprehur dyshime para zgjedhjeve për paanësinë e administratës zgjedhore në bazë politike dhe etnike, si dhe frikën nga manipulimi.

Nga 1.7 milion votuesit që votuan në katër balotazhe, gati 500,000 u shpallën invalid. Ekziston mundësia që ata që punuan si numërues të fletëvotimeve dhe u vendosën në komitete nga diksuh në emër të partisë politike, i anuluan fletëvotimet e kandidatëve dhe partive garuese dhe prandaj erdhi deri te numërimi i gabuar i votave. Në media po thuhet se fletëvotimet u vjedhën dhe shkatërruan gjatë transportimit nga vendvotimi deri në pikat e numërimit, për shkak se KQZ nuk ndërmorri këtë proces.

Kjo kërkon logjistikë që nuk është në dispozicion të partive më të vogla, sepse përfshinë disa veprime kriminale që kërkojnë organizim serioz. Përveç qasjes së privilegjuar të mediave dhe trajtimit preferencial të kandidatëve që aktualisht janë në pushtet, ata e kanë në dispozicion një infrastrukturë të shtuar klienteliste.

Përgjigja për pyetjen pse po përdorin mjete të tilla, përveç përfitimeve dhe pushtetit që veç se e kanë, mund të jetë madje pozitive. Sepse kanë frikë që nëse nuk e bëjnë, mund t’i humbin zgjedhjet.

Nëse demokracia dështon në procesin zgjedhor, kjo është shenjë se qeveria aktuale, pa manipulime, shtrëngime dhe vjedhje, me gjasë nuk do ta kishte ruajtur pushtetin. Mund të jetë paradoksale, por këto vjedhje na japin optimizmin që nuk kemi humbur gjithçka ende.

Foto nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjes dhe Hercegovinës.