Pikëpamje | BE

BE duhet të veprojë që ta rikthejë besimin në aftësinë e saj për ta ndërmjetësuar marrëveshjen Kosovë-Serbi

Nga - 14.11.2018

Ndikimi evropian ka ecur mbrapsht gjatë mandatit të Mogherinit.

Në përpjekje për t’i normalizuar plotësisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëpërmjet strategjisë së zgjerimit, BE-ja e lansoi idenë për ta arritur një marrëveshje përfundimtare që do t’i zgjidhte konfliktet e dy shteteve nëpërmjet një dokumentit të lidhur ligjërisht.

Atëherë nuk ishte e qartë, siç nuk është as tash, se çfarë kuptimi kishte fraza ‘marrëveshje të lidhur ligjërisht’ që e përdori BE-ja, sepse nuk tregoi si dhe kur mund të arrihet një marrëveshje e tillë. Por vet idea, e shoqëruar nga lajmi që një valë e zgjerimit pritet të ndodh në 2025, e ndryshoi tërë perspektivën e dialogut Kosovë-Serbi.

Serbia ka pritur që në fund të dialogut do të bëhet anëtare ë e BE-së, pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa i sakrifikuar marrëdhëniet e afërta të saj me Rusinë.

Të gjithë e dinë, përveç Serbisë, se një vizion i tillë është problematik dhe se problemi është që qëndrimet e tilla janë të papajtueshme. Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së nëse ka kufi të kontestuar me Kosovën apo nëse e ka politikën e jashtme të lidhur me Moskën. Pyetja këtu është, pse BE-ja nuk është më gjermane në këtë aspekt. Deri më tani, vetëm Gjermania ka qenë e qartë për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së.

Ata që e ndjekin nga afër politikën e jashtme të BE-së e dinë se, për një kohë tepër të gjatë, BE ka qenë e ndarë dhe nuk ka qenë koherente sa i përket Ballkanit dhe nëse nuk merret me seriozitet, kjo mungesë e koherencës do të ketë pasoja të mëdha që vështirë do të rregullohen.

Disa efekte veç se po manifestohen. Pozita e BE-së në rajon ka pësuar prej kur Mogherini u bë Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë. Dështimi i BE-së për të folur me një zë sa i përket Ballkanit nuk është diçka e re, por e re është mungesa e vullnetit për të bërë diçka për këtë.

Mungesa aktuale e lidershipit dhe unitetit e dërgon sinjalin se BE-ja është e dobët në Ballkan në krahasim me SHBA-në dhe Rusinë.

Puna e Përfaqësueses së Lartë është ta paraqes situatën sikur ka unitet edhe kur nuk ka. Catherine Ashton, paraardhësja e Mogherinit, e bëri mirë këtë. Ajo arriti ta shtojë ndikimin e BE-së në Ballkan gjatë mandatit të saj duke qenë e përfshirë në mënyrë aktive në rajon, shpeshherë duke i vizituar krerët e shtetit dhe duke i ftuar ata në Bruksel dhe gjithashtu duke folur me njerëz.

Mbase ajo ishte përfaqësuesja e parë e BE-së që arriti t’i bëjë Kosovën dhe Serbinë të besojnë se nuk kanë më nevojë për Washington-in (në rastin e Kosovës) apo Moskën (në rastin e Serbisë) në tryezën e negocimit, sepse BE-ja u konsiderua si akter i besueshëm, i aftë për të ofruar zgjidhje.

Mungesa aktuale e lidershipit dhe unitetit e dërgon sinjalin se BE-ja është e dobët në Ballkan në krahasim me SHBA-në dhe Rusinë. BE e din shumë mirë si dështoi të veprojë me unitet gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe Shtetet e Bashkuara ishin ato që e rregulluan punën në oborrin e saj. Për Kosovën, është tepër natyrale të besojë në SHBA-në si aleat të dëshmuar që mund të prodhojë rezultate, por jo në BE-në, sepse BE e ka lënë në lloç Kosovën vazhdimisht.

Por BE nuk po bën asgjë për t’i adresuar të metat e tilla. Në vend se ta gjejë problemin dhe ta zgjidhë atë, ajo vazhdon ta luajë lojën e vjetër që ka dështuar për një kohë kaq të gjatë dhe e ka lënë rajonin të ndarë.

BE nuk mund ta trajtojë Kosovën dhe Serbinë me të njëjtën qasje sepse Serbia tani ka probleme shumë më të mëdha se Kosova. Serbia është i vetmi vend që nuk e fsheh bashkëpunimin e afërt të saj me Rusinë; nuk ka qëllime t’i bashkohet NATO-s dhe e ka politikën e jashtme të lidhur me Moskën. Është koha që BE ta pranojë se ka problem dhe të fillojë të flasë për të.

Nuk ka paqe dhe stabilitet afatgjatë në Ballkan nëse e kaluara nuk paqësohet. Qysh mund të shikojnë përpara shtetet kur Serbia ende është kapur për idetë e së kaluarës dhe nuk kërkon falje për krimet e saj. Është koha të vendosen letrat në tavolinë dhe të lihet Serbia që ta zgjedhë rrugëtimin e saj.

Nëse e zgjedhin Moskën, ashtu qoftë, por BE-ja duhet t’i mbrojë ata që e zgjedhin BE-në dhe vlerat për të cilat qëndron ajo. Pra duhet të bashkohet, ta njeh pavarësinë e Kosovës, ta mbrojë integritetin territorial të saj dhe të iu dërgojë një mesazh të qartë Serbisë dhe Rusisë që BE-ja është e ardhmja për Ballkanin.

Mogherini i keqësoj më shumë gjërat

Kosova është mbase shembulli më i mirë i suksesit dhe dështimit të BE-së sa i përket politikave të jashtme të përbashkëta. Në 2011, për herë të parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan ta lënë SHBA-në dhe Rusinë jashtë tryezës së negocimit, dhe ta pranojnë BE-në si ndërmjetëse të vetme. Ky ishte një hap i madh i progresit, për shkak se BE asnjëherë nuk u konsiderua si akter i aftë për të kryer punë dhe as Serbia e as Kosova nuk u mbështetën në BE në të kaluarën e afërt.

Si Përfaqësuese e Lartë, Ashton shfrytëzoi një kombinim të mirë të shpërblimeve dhe dënimeve nëpërmjet strategjisë së zgjerimit të BE-së, e cila funksionoi mirë në rastin e Kosovës, por jo aq mirë në rastin e Serbisë. Lidershipi personal i saj kompensoi në masë të madhe mungesën e koherencës, ndarjeve të brendshme dhe dobësisë së shteteve anëtare në lidhje me Ballkanin.

Megjithatë, BE asnjëherë nuk ishte e aftë për t’i përmbushur premtimet kyçe që ja bëri Kosovës dhe Serbisë dhe dështoi sa i përket unifikimit për ta dërguar një mesazh të qartë. Serbia përfundoi duke i gëzuar të gjitha shpërblimet, ndërsa Kosova vetëm u ndëshkua. Serbia i hapi negociatat për anëtarësim pa i zbatuar plotësisht dhe realisht marrëveshjet që u arritën dhe deri sot BE ende nuk i ka përmbushur premtimet kyçe për liberalizim të vizave për Kosovën.

Dështimi për t’i bërë më shumë presion ka krijuar hapësirë të bollshme që Serbia ta përdorë Kosovën si vegël në politikën e saj të jashtme për të përparuar në agjendën e BE-së, si dhe të mburret para BE-së për marrëdhëniet e afërta të saj me Rusinë.

Zbrazëtia e aftësive-pritjeve’ u zmadhua më tej kur Mogherini e morri postin. Mogherini e bëri gabimin taktik duke e larguar fokusin nga Ballkani, duke e marrë për të dhënë idenë se progresi ishte i pakthyeshëm. Gjërat ndryshuan shpejtë, kur Serbia u kthye kah Rusia dhe Kosova kah SHBA për të kompensuar për humbjen e vëmendjes nga BE.

Është koha që BE-ja të jetë e drejtpërdrejtë me Serbinë dhe Kosovën për të ardhmen.

Roli i dobët i Mogherinit u dëshmua kur liderët e Kosovës dhe Serbisë filluan të takohen fshehtazi në New York dhe jo në Bruksel. Presidenti i Kosovës e ndryshoi rrëfenjën duke iu referuar më shumë SHBA-së dhe duke vizituar Washington-in më shpesh, ndërsa presidenti i Serbisë filloi ta vizitonte Moskën dhe ta thërriste Putinin në telefon për ‘problemin’ e Kosovës.

Mogherini nuk veproi fare në lidhje me këtë. BE nuk veproi me shpejtësi për ta rikthyer besimin në mesin e partive që dialogu do të prodhojë rezultate, dhe që adresa është Brukseli dhe jo Washington-i apo Moska, sa i përket zgjidhjes së krizave në Ballkan.

Mungea e lidershipit të saj e ka dobësuar rolin dhe ndikimin e BE-së në Ballkan. Gjithashtu e ka shtuar frikën dhe dyshimet që BE nuk mund të bashkohet dhe të flasë me një zë, jo vetëm në mesin e liderëve, por edhe në mesin e popujve në Ballkan.

Është koha që BE-ja të jetë e drejtpërdrejtë me Serbinë dhe Kosovën për të ardhmen. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e nisi një fushatë intensive të deklaratave për korigjimin e kufijve me Serbinë, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vučić së fundmi e mobilizoi ushtrinë për të ‘ndërhyrë në Kosovë’ nëse ka nevojë. Deklaratat dhe provokimet e tilla me sa duket kanë kaluar pa u dalluar nga Mogherini, për shkak se ajo nuk i ka dënuar ato.

Kërkesa e bërë nga BE-ja për një marrëveshje të lidhur ligjërisht duhet të jetë më e qartë dhe më precize. Duhet të përcjellet nga një plan konkret që nuk duhet të lejë hapësirë për interpretime, as nga Kosova, e as nga Serbia. Një marrëveshje e tillë duhet të jetë në përputhje me realitetin në Ballkan. Duhet ta pranojë të kaluarën dhe të shikojë drejt të ardhmes dhe duhet të jetë në përputhje me politikën e jashtme të BE-së dhe vlerat thelbësore të demokracisë.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0

KOMENTO