S`fundmi | Bisedë e Shkurtë

Bisedë e Shkurtër: Jemi në grevë

Nga - 24.01.2019

Biseda e Shkurtër e K2.0 për të diskutuar grevën e punëtorëve të sektorit të shëndetësisë dhe arsimit.

Në vitin 2017, bëri bujë të madhe vendimi i Kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagës së tij dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit. Thoshte se kështu do punohej më shumë. Mirëpo, gjatë këtij viti duket se është bërë pishman, pasi deputetëve u kërkoi që t’ia ulnin pagën. Se a do ndodhë kjo nuk dihet, por ajo që dihet është se qeveria e tij po përballet me presione për rritje pagash në sektorin publik.

Fillimi i vitit 2019 u shënua me greva të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, si dhe me paralajmërimin e punonjësve civil, të cilët po konsiderojnë nisjen e grevës së tyre me kërkesën për rritje pagash. Procesi mësimor është paralizuar që prej 14 janarit pasi mësimdhënësit po refuzojnë të kthehen nëpër klasa, përderisa edhe mjekët kanë marrë pjesë në një varg grevash përgjatë muajit të kaluar, gjë që ka ndikuar në funksionimin normal të spitaleve.

Deri më tash, qeveria ka ndërmarrë hapa konkret vetëm karshi kërkesave të mësimdhënësve, ku ka pranuar kërkesat e SBAShK-ut dhe ka marrë vendim që mësimdhënësve të shkollave të mesme t’u rriten pagat për 74 euro, atyre të arsimit fillor për 46 euro dhe mësimdhënësve të sistemit parashkollor për 54 euro. Mirëpo, SBASHK-u ka refuzuar të ndalë grevën pasiqë për ta, rritja e pagës nuk është e mjaftueshme, si dhe për shkak të mospërfshirjes në rritje pagash të punëtorëve teknik e administrativ të shkollave si dhe atyre të sistemit universitar.

Sidoqoftë, si kurrë më parë grevat në arsim dhe shëndetësi kanë hasur në kritika në opinionin publik me disa analistë që argumentojnë se rritja në paga duhet të përcillet me rritje të kualitetit në punë.

Me debatin që vazhdon, ne dëshirojmë të ulemi e të diskutojmë të gjitha çështjet që lidhen me greva në Bisedën tonë të radhës. Përse kanë hyrë mjekët dhe mësimdhënësit në grevë pikërisht tani? A do të vazhdojnë punën normalisht mësimdhënësit dhe mjekët? A do kenë sindikatat kërkesa të tjera karshi institucioneve apo ato do të kufizohen vetëm në rritje pagash? A janë këto kërkesa të mirë-justifikuara? A ka shteti kapacitet – ose vullnet – që t’i plotësojë ato?

Bashkohuni të enjten më 31 janar, në orën 18:00 në hapësirën e Kosovo 2.0, për një diskutim të hapur dhe përfshirës, ku do t’i trajtojmë të gjitha këto pyetje dhe më shumë. Për ta nisur diskutimin kemi ftuar:

  • Përfaqësues/e nga zyra e Kryeministrit  
  • Rrahman Jasharaj  — kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (të konfirmohet)
  • Blerim Syla — kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës
  • Saranda Ramaj — gazetare në Koha  
  • Dukagjin Pupovci — drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim e KosovësK

*Do të ketë përkthim në gjuhën angleze.

Kjo Bisedë e Shkurtër e K2.0 financohet nga National Endowment for Democracy.