Shtyp | Seks

Homofobia në Kosovë

Nga - 14.12.2012

Në një bar në periferi të Prishtinës, Ademi, një mashkull i ri i pashëm shqiptar, qëndron në një ballkon me një pije në njërën dorë, ndërsa në dorën tjetër mban një cigare. Është natë e ngrohtë korriku, ndërsa bari po gumëzhin nga energjia e ndenjjes. Në anën e djathtë të Ademit, dy meshkuj janë duke u puthur. Në anën e majtë të tij, disa femra janë duke flirtuar. Brenda, një turmë njerëzish, duke përfshirë një transvestit me parukë bionde, janë duke e dridhur pistën e vallëzimit.

Ademi, truphollë, me flokë bojëkafe dhe me një këmishë të bardhë e të ngushtë, buzëqesh si me ankth dhe pranon se ishte në mëdyshje për të ardhur në bar sonte. Atij i ishte dashur të pinte dy pije për të marrë kurajë. “I thashë taksistit të më priste pesë minuta, se mund të kthehesha prapë”, thotë Ademi. “Kisha frikë për sigurinë time”.

Frika është e kuptueshme. Ndenjja po organizohet nga një organizatë lokale joqeveritare, e cila punon në interes të komunitetit të personave lesbikë, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë (LGBT), dhe përpjekja e fundit për të organizuar ndenjja të komunitetit LGBT në Prishtinë ka përfunduar si mos më keq. Vetëm një vit më parë, një punonjës i “Pure Pure”, një klub nate pranë stadiumit të qytetit, ka nisur të reklamojë lokalin si “të përshtatshëm për homoseksualët” në “GayRomeo.com”, një ueb-sajt i popullarizuar ndërkombëtar për takime dhe çiftime. “Njerëzit që duan të rrinë dhe të ndihen të rehatshëm mund të gjejnë qetësi në këtë vend”, thuhej në një ftesë elektronike. Por, gjërat morën një kthesë të gabuar kur mediat lokale mësuan për përpjekjen e klubit për të joshur klientelë të re. Portali “Lajme Shqip” dërgoi një fotograf në “Pure Pure” për të përcjellë ngjarjen, duke zemëruar pronarët dhe duke tërhequr vëmendje të padashur. Në internet u shfaqën reagime homofobe, dhe, sipas një burimi, disa tifozë futbolli shkuan te klubi për të krijuar probleme.

Brenda pak muajsh, klubi ka nisur të rinovohet dhe ka marrë emër të ri, ndërsa punonjësi që kishte reklamuar “Pure Pure”-n në “GayRomeo” është larguar nga vendi. “Familja ime ka kuptuar se jam homoseksual dhe se unë e kam organizuar ndenjjen… Pas kësaj, jam rrahur në shtëpi”, thotë ish-punonjësi. Ai gjithashtu u është frikuar sulmeve të qëllimshme në publik. “Si do të ndiheshit po të ishit i vetëm në një park dhe i rrethuar nga 500 ujq? Ashtu jam ndier unë”.

E këtillë është jeta për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë. Antagonizmi i thellë ndaj njerëzve që nuk përputhen me normat tradicionale seksuale dhe gjinore bën që të qenit “ndryshe” të të çojë drejt stigmatizimit social dhe reagimeve armiqësore. Bërja e një “jete të dyfishtë” është e zakonshme: Njerëzit janë heteroseksualë në shoqëri dhe me familjet e tyre, por zbulojnë orientime apo sjellje të tjera me miq dhe partnerë. Nuk ka klube apo bare për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë. Ata takojnë njëri-tjetrin në internet apo qetas nëpërmjet shoqërisë.

Përvojat e pjesëtarëve të komunitetit LGBT nuk janë të njëjta. Disa njerëz kanë përqafuar identitetet LGBT apo identitete shtesë, të paetiketuara, që janë jashtë parametrave tradicionalë socialë, përderisa të tjerët nuk duan të kategorizohen në bazë të sjelljeve të tyre seksuale apo karakteristikave gjinore. Disa janë shumë të gatshëm për të aktivizim, përderisa të tjerët nuk janë aspak të interesuar. Disa kanë përjetuar dhunë dhe diskriminim, përderisa të tjerët kanë arritur të pranohen disi. Disa shpresojnë për të ardhmen, përderisa të tjerët vetëm duan ta lënë Kosovën.

majlinda-hoxha-cover-story-3

Foto nga Majlinda Hoxha.

Ekzistojnë ngjashmëri të habitshme në mesin e tregimeve të njerëzve, por kjo paraqet një pamje të zbehtë të ekzistencës së komunitetit LGBT. Mbrojtja e të drejtave dhe e përpjekjeve të personave LGBT për të inkurajuar pranimin e stileve të tyre të jetesës ka ngecur në mes të dëshirave familjare, paqëndrueshmërisë ekonomike, joefektivitetit të Qeverisë dhe realiteteve të tjera të jetës në Kosovë. Aktivizimi LGBT i ka bërë hapat e parë, por ai ende përballet me beteja të mëdha me popullin kosovar, zbatimin e ligjit, e madje edhe me vetë komunitetin LGBT. “Është fakt se pjesëtarët e komunitetit LGBT, fatkeqësisht, duhet të punojnë më shumë se pjesëtarët e komunitetit heteroseksual, duhet të dëshmojnë veten më shumë se ata të komunitetit heteroseksual”, thotë Myrvete Bajrami, e cila është haptazi lesbike dhe e cila ka pranuar që emri i saj i vërtetë të përdoret në këtë shkrim. E ardhmja e popullatës LGBT të Kosovës, me fjalë të tjera, nuk është aspak e qartë.

“Kultura e heshtjes”

Duke u rritur në një qytet të vogël në jug, Marigona kishte dëgjuar fjalë si pëshpërima për meshkujt të cilëve u pëlqenin meshkujt. Askush, megjithatë, nuk kishte folur haptazi për marrëdhëniet e personave të gjinisë së njëjtë. Andaj, kur ajo kishte filluar të ndihej më e joshur nga vajzat si adoleshente, ajo ishte hutuar. “Kam menduar: ‘Çfarë po ndodh me mua?’”, thotë Marigona, tani 25-vjeçare, me një zë të çjerrë dhe flokë të shkurtër elegant. E vetmja gjë që ajo dinte ishte se nuk duhej t’ia tregonte askujt ndjenjat e saj,por veçanërisht jo familjes. “E dija se ishte diçka që nuk duhej ta thosha”, kujton ajo.

Tregimi i Arbenit është i ngjashëm. Tani në vitet e tij të 30-ta, Arbeni është rritur në një fshat në lindje të Kosovës. Si adoleshent, ai ka eksperimentuar seksualisht me djem të tjerë. “Ne nuk e dinim pse e bënim atë, por e bënim, dhe na pëlqente”, thotë ai. E vetmja fjalë që komuniteti i tij përdorte për t’i përshkruar njerëzit si ai ishte “peder”. Feridi nuk i ka treguar askujt se i pëlqejnë meshkujt, ndërsa edhe pas zhvendosjes së tij në Prishtinë ai është frikuar se familja dhe shoqëria e tij do ta kuptonin të vërtetën. “Në Kosovë është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë njerëzit për ty”, thotë ai.

Vërtet, një pjesë e madhe e intolerancës ndaj komunitetit LGBT në Kosovë rrjedh nga rëndësia që i kushtohet ruajtjes së strukturës dhe dukjes së familjes tradicionale shqiptare. (Në Kosovë, 92 për qind e banorëve janë shqiptarë). Meshkujt martohen me femra. Femrat bëjnë fëmijë. Meshkujt kujdesen për familjet e tyre dhe ruajnë nderin e tyre. Këto stereotipa në shumë mënyra janë intensifikuar që nga lufta e 1999-ës, që ka çuar drejt pavarësimit të Kosovës nga Serbia. “Konteksti i pasluftës i çmon meshkujt si luftëtarë, ndërsa femrat si nëna”, shpjegon Nita Luci, antropologe dhe profesoreshë në Universitetin Amerikan në Kosovë. Individi, në shumë mënyra, është më pak i rëndësishëm se bashkësia.

“Njerëzit këtu jetojnë për të tjerët”, thotë Feridi. “Familja jote dëshiron që ti të rritesh, të krijosh familje dhe të bësh fëmijë – pra, të vazhdosh trungun familjar”.

Në komunitetin LGBT qarkullojnë tregime për njerëz, sapo merren vesh identitetet e tyre, që dëbohen nga shtëpitë e tyre, rrihen apo sulmohen verbalisht nga të afërmit, apo detyrohen të martohen me pjesëtarë të gjinisë së kundërt. Ahmeti, 19-vjeçar, thotë se babai dhe vëllezërit e tij e kanë keqtrajtuar atë pasi kanë mësuar se ai është homoseksual, ndërsa nëna e tij i ka thënë atij: “Unë të kam sjellë në jetë… Unë jam e martuar, andaj do të martohesh edhe ti dhe do të bësh fëmijë”. Ahmeti thekson se përveç ruajtjes së familjeve të tyre, kosovarët gjithashtu nuk duan t’u njolloset nderi me pasjen e një familjari homoseksual: “Ty të njohin si i biri i dikujt. Andaj, njerëzit do të thonë: ‘Biri i filanit është homoseksual’”.

Ajo që i komplikon edhe më tej gjërat për personat LGBT është ekonomia e dobët e Kosovës. Shkalla e papunësisë së përgjithshme në vend prej rreth 45 për qind nënkupton që shumë njerëz duhet të varen nga familjet e tyre për të mbijetuar. “Nëse nuk ke të ardhura tua, duhet të rrish me familjen, sepse s’ke ku të shkosh”, thotë Feridi. “Duhet të bësh çfarë të të thonë ata”.

Rrjedhimisht, shumica e madhe e personave LGBT nuk flasin për identitetet e tyre me familjet e tyre. “Është një kulturë e heshtjes”, thotë Hansi, një homoseksual nga Evropa Perëndimore, që jeton në Prishtinë. “Kur nuk flet për një çështje, ajo s’përbën problem”.

Familja nuk është i vetmi burim i paragjykimit në Kosovë. Shoqëria kosovare, e cila bazohet në vlera konservatore që burojnë nga historia, kultura dhe parimet e fesë islame (që është feja e shumicës në Kosovë), është në masë të madhe intolerante ndaj personave LGBT. Pjesëtarët e këtij komuniteti thonë se u kanë thënë të gjithë, prej shokëve e deri te profesorët universitarë, se personat LGBT janë të sëmurë, neveritës, apo imoralë, apo se identitetet dhe të drejtat LGBT janë konstrukte perëndimore që janë importuar në Kosovë. Kur kosovarët e dëgjojnë fjalën “homoseksual”, thotë Marigona, “ata i mendojnë dy meshkuj duke bërë seks, dhe nuk i shohin ata si njerëz që bëjnë dashuri, që e duan njëri-tjetrin, apo që kujdesen për njëri-tjetrin”.

Këto pikëpamje nganjëherë kthehen në sulme ndaj personave LGBT. Sipas degës për Evropë të Shoqatës Ndërkombëtare të Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve, Transeksualëve dhe Hermafroditëve (ILGA), një homoseksual është vrarë egërsisht në një park në Prishtinë më 2008. Personat LGBT, veçanërisht meshkujt homoseksualë, gjithashtu janë rrahur nëpër rrugë apo nëpër bare. “Unë kam pasur një shok që ishte munduar të prekte një tip në një klub nate, dhe ai tipi e kishte goditur atë”, thotë Marigona. Të tjerët kanë përjetuar keqtrajtim apo diskriminim. Brahimi, një mashkull i ri biseksual, është dëbuar nga një internet- kafe, pasi punonjësit e atyshëm kishin marrë vesh për orientimin e tij seksual. “Ata më patën thënë: ‘Kompjuteri nuk punon për kategorinë tënde… Kur të bëhesh tamam burrë, mund të vish këtu’. Jam ndier vërtet keq”.

Efektet psikologjike të homofobisë në Kosovë, qoftë në shtëpi, qoftë në publik, janë tmerruese. Shumë pjesëtarë të komunitetit LGBT ndiejnë trysni të pashmangshme për t’u përshtatur me të tjerët, të paktën prej së jashtmi. Disa prej intervistave për këtë shkrim janë realizuar në kafene private apo gati të zbrazëta. Në një rast, një i intervistuar kërkoi që zëri i bisedës sonë të ulej, që askush tjetër të mos mund të dëgjonte. Për më tepër, individët transeksualë mbeten aq të fshehtë, saqë disa të intervistuar për këtë artikull kanë përmendur se vetëm “njohin” transeksualë dhe se kurrë nuk kanë takuar të tillë. “E vetmja mënyrë për mbijetesë për një person, jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht, është të jesh pjesë e shoqërisë së përgjithshme”, thotë Alex, një mashkull 29-vjeçar homoseksual. “Është sikur të zgjedhësh ndërmjet suksesit dhe dështimit”.

“Gjithmonë duke gënjyer dhe duke u shtirur”

Për Dardanin, një homoseksual truphollë dhe fjalëbutë, çiftimi nuk është i lehtë. Ai e di se mundësia për të takuar dikë në publik është e vogël. Prandaj, ai takon meshkuj në internet, nëpërmjet “Facebookut” (ku ai ka një profil anonim, përveç atij me emrin e tij të vërtetë), dhe në “GayRomeo”. Nëse Dardani, i cili është 24-vjeçar, identifikon dikë që i pëlqen, ata bisedojnë disa herë, e mbase edhe komunikojnë nëpërmjet kamerës. Më pas, nëse që të dy janë të pajtimit, ata takohen diku për ndonjë kafe apo pije tjetër. “Ia zgjat dorën, ulesh, dhe më pas ia nis të bisedosh”, thotë Dardani.

E gjithë skena i ngjason një takimi të dy shokëve. Të flirtuarit, të paktën haptazi, as që mund të merret me mend. “Në fund, disi arrin te faktori homoseksual. Por, faktorin homoseksual nuk e përmend”, thotë Dardani. “Ai mund të të pyesë: ‘Kur ka qenë hera e parë që ia ke nisur? A ke takuar shumë tipa që janë si ne?’”

Nganjëherë, nëse gjithçka shkon mirë, ata gjejnë ndonjë vend për të bërë seks – një vendim i komplikuar, sepse shumë meshkuj të rinj jetojnë në shtëpi bashkë me familjet e tyre. Seksi në rrugica apo pranë një prej pak vendeve të shëtitjes në Prishtinë është opsion, megjithëse i rrezikshëm. “Unë nuk bëj seks aq shpesh”, thotë Dardani. “Nuk më pëlqen intimiteti”. Pavarësisht se a përfshihet seksi apo jo, dy meshkujt ka pak gjasë të nisin një lidhje. Në fakt, ata mund të mos takohen kurrë më.

majlinda-hoxha-cover-story-5

Foto nga Majlinda Hoxha.

Dardani është një prej shumë meshkujve homoseksualë dhe biseksualë në Kosovë, që veprojnë në një botë të çiftimit të fshehtë, të qeverisur nga rregullat e pashkruara të sjelljes, më e rëndësishmja prej të cilave është të mos flasësh për atë që ndodh gjatë një takimi. “Mund të takosh një tip dhe të bësh diçka me të, por më pas nuk flet për atë gjë”, thotë Brahimi, i cili gjithashtu ka një profil anonim në “Facebook”. “Ke të bësh me njerëz që nuk duan të shihen kurrë në shoqëri të një personi me të cilin ata ‘luajnë’ apo ndajnë intimitetin në hapësira të caktuara”, thotë Alex.

Një rregull tjetër është se një mashkull nuk mund të “sillet si homoseksual” – që do të thotë se ai nuk mund të bëjë gjeste që mund të duken shumë femërore. “Disa meshkuj të tregojnë si të sillesh në publik. Për shembull: ‘Mos e lëviz dorën ashtu’”, thotë Dardani. Ngjashëm thotë edhe Brahimi për meshkujt, të cilët i takon në internet, dhe shpesh e pyesin: “A dukesh shumë homoseksual?”. Nëse ata e shohin atë në kamerë dhe vlerësojnë se ai duket shumë femëror, nuk ka gjasa që ata të takohen. Nuk ia vlen të rrezikosh të identifikohesh si peder për një romancë apo miqësi të re. “Ne të gjithë jemi paranojakë. Kjo është pjesë e të qenit homoseksual”, thotë Dardani.

Nuk është e pazakontë të gjesh meshkuj të martuar në “Facebook” apo “GayRomeo”. Brahimi, për shembull, është takuar shumë herë me një mashkull që ishte i martuar me një femër; ata kurrë nuk kanë bërë seks, por ai mashkulli, i vendosur për kontakt fizik, e ka pyetur Brahimin se a mund t’i bënte masazh. “Njerëzit gjithmonë gënjejnë dhe shtiren”, thotë Brahimi. Feridi e njeh njërin që, pas shumë vjetësh përfshirjeje në komunitetin homoseksual, është martuar me një femër në Gjakovë. “Ai ka dashur të bëjë diçka të mirë për familjen e tij”, thotë Feridi. I njohuri i tij, megjithatë, i ka thënë Feridit se planifikon që të vazhdojë të flejë me meshkuj.

Femrat lesbike dhe biseksuale veprojnë në një mënyrë më ndryshe. Ndonëse edhe ato takohen në internet, ato i përdorin ueb-sajtet e çiftimit dhe “Facebookun” më rrallë se meshkujt, duke u mbështetur më shumë në shoqërinë e tyre për t’u njohur me partnerë të mundshëm. Ato gjithashtu janë të prira për t’u përkushtuar më shumë në lidhje afatgjatë. Në publik, megjithatë, ato veprojnë në kushte të kufizuara, të ngjashme me ato të komunitetit të meshkujve homoseksualë dhe biseksualë. “Nuk mund të sillesh sikur je në një lidhje kur je në një restorant”, thotë Marigona, e cila ka një të dashur. “Nuk mund ta shikosh tjetrën me dashuri”.

Socializimi në grup përmban sfidat e veta. Para incidentit të “Pure Pure”, vitin e kaluar, ndenjjet e komunitetit LGBT në Prishtinë mbaheshin herë pas here në hotele në periferi të qytetit apo në apartamente të të huajve. Ato janë mbajtur rrallë në lokale në qendër të qytetit, ku ato mund të kishin rënë në sy. E njëjta brengë e shoqëron kontaktin ndërmjet pjesëtarëve të grupeve të ndryshme etnike. “Unë jam munduar të komunikoj me njerëz në veri të Kosovës”, thotë Alex, duke iu referuar rajonit ku jeton një pjesë e madhe e minoritetit serb të vendit. “Shoqëritë e ndryshme nuk na lejonin të takoheshim dhe të rrinim shpesh, sepse ashtu meshkujt serbë do të shiheshin me shqiptarë në qytetin apo fshatin e tyre”.

“Ne nuk mund të premtojmë për të bërë shumë”

Kosova, në letër, ka garanci ligjore në fuqi për njerëzit LGBT, e cila duhet t’u mundësojnë atyre lirinë për t’u çiftuar, dashuruar, punuar dhe jetuar, sikur të gjithë të tjerëve. Kushtetuta garanton respektimin e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe thotë se këto instrumente madje “kanë prioritet ndaj dispozitave të ligjeve dhe të akteve të tjera të institucioneve publike”. Për më tepër, neni 24 i Kushtetutës thotë se “askush nuk duhet të diskriminohet mbi bazën e… orientimit seksual”, ndërsa neni 2 i Ligjit Kundër Diskriminimit e përsërit këtë parim.

E, megjithatë, ligjet e Kosovës janë larg të qenit të përsosura. As orientimi seksual, e as identiteti gjinor nuk konsiderohen si faktorë të mundshëm rëndues në një krim urrejtës. Marrëdhëniet e personave të gjinisë së njëjtë nuk njihen ligjërisht. Dhe, Ligji i rishqyrtuar i vendit për Policinë, i miratuar më 2011, më nuk e klasifikon si “shkelje e rëndë disiplinore” një veprim apo nxitjen e një veprimi që diskriminon njerëzit në bazë të orientimit të tyre seksual.

Përveç këtyre zbrazëtirave ligjore është i theksuar edhe dështimi i Qeverisë për të zbatuar garancitë ekzistuese. Sipas një raporti të 2011-ës të ILGA-s, “ekziston ende një mungesë e vetëdijesimit për çështjet LGBT, të cilat nuk diskutohen haptazi. Oficerët e zbatimit të ligjit kanë njohuri dhe kuptim të kufizuar të të drejtave të këtij komuniteti”. Disa njerëz të intervistuar për këtë artikull kanë përshkruar takimet e tyre të pakëndshme me policinë. Disa vjet më parë, pasi ishin sulmuar në rrugë, dy meshkuj homoseksualë kanë shkuar në një stacion të policisë, ku, një nga një, oficerët kanë ardhur vetëm për t’i parë. Një lesbike e intervistuar për artikullin ka thënë se kur ka raportuar në polici se është nxjerrë jashtë një lokali për shkak se ka shfaqur simpati ndaj një femre tjetër, një oficer policor i ka bërë asaj pyetje të pahijshme për marrëdhëniet e saj, si për shembull: “Kush e luan rolin e mashkullit?”

Avokati i Popullit i Kosovës, Sami Kurteshi, pranon dobësitë e ligjeve dhe institucioneve të vendit. Në një intervistë në zyrën e tij në lagjen “Kodra e Diellit”, në Prishtinë, Kurteshi thotë se agjencia e tij, e cila ka për detyrë të mbikëqyrë rastet e shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga personat LGBT gjatë tre vjetëve të tij në detyrë. Ai beson se personat LGBT nuk raportojnë raste në agjencinë e tij, për shkak se “ata nuk i besojnë institucionit” – me gjasë një shenjë e mosbesimit të përgjithshëm në Qeverinë e vendit. Por, edhe nëse do të vinin raportime, Kurteshi pranon se atyre mund të mos u kushtohet vëmendje e plotë apo e drejtë. “Ne nuk mund të premtojmë për të bërë shumë”, thotë ai. “Njerëzit që punojnë këtu janë gjithashtu pjesë e shoqërisë. Mbase ata nuk e respektojnë komunitetin e personave LGBT, dhe ndoshta nuk mund të japin më të mirën e tyre për të zgjidhur problemin”. I pyetur se çfarë bën ai për të siguruar që stafi i tij të respektojë dinjitetin e personave LGBT, – që Kurteshi me shpejtësi thotë se i respekton personalisht, – ai shpjegon se institucioni që ai udhëheq ka mjete shumë të kufizuara dhe probleme të tjera të shumta të të drejtave të njeriut, që pamundësojnë organizimin e ndonjë programi edukues apo trajnues.

Nuk është për t’u habitur, pra, që disa persona LGBT kanë shumë pak besim në aftësinë e Qeverisë për t’i ndihmuar ata. “Ka shumë gjëra të tjera që ata thonë se do t’i bëjnë, por nuk i bëjnë”, thotë Feridi. “Ata vetëm duan të thonë, në sytë e të tjerëve, e veçanërisht në sytë e komunitetit ndërkombëtar ‘Ne e mbështesim këtë, ne po bëjmë këtë’, por në fakt nuk bëjnë asgjë”.

“Një zonë e sigurt”

Në një mbrëmje të së hënës, në korrik, mbahet një koktej i vogël në oborrin e restorantit “Pjata”, që ndodhet pranë Universitetit të Prishtinës. Tavolinat e mbuluara me shtroja të bardha ofrojnë meze dhe verë. Kokteji është shtruar me rastin e themelimit të “Libertas”, një OJQ e re, që vepron në interes të personave LGBT, e emërtuar sipas perëndisë romake të lirisë. E themeluar nga dy të huaj nga Evropa Perëndimore (që të dy meshkuj homoseksualë), “Libertas” ka hapur selinë e saj në qendër të Prishtinës, e cila përmban një hapësirë socializimi, një sallë konferencash, dhe dy shtretër, të cilët pjesëtarët e komunitetit LGBT mund t’i përdorin nëse u duhet një vend për të qëndruar. Një mur në hapësirën e saj kryesore është i stolisur me flamurin e Kosovës dhe me atë me ngjyra të ylberit. Njëri prej themeluesve, i cili udhëheq OJQ-në bashkë me një staf kosovar, mirëpret mysafirët në koktej, ndër të cilët është edhe Kurteshi dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve evropiane. “Libertas”, shpjegon themeluesi, është “një vend ku njerëzit mund të vijnë dhe të jenë të sigurt, pa pasur nevojë të bëhen çfarë nuk janë”.

“Libertas” nuk është OJQ-ja e parë që vepron në interes të personave LGBT në Kosovë. “Elysium”, e cila është themeluar rreth një dekadë më parë”, sot kryesisht ofron testime për virusin HIV. Më pas është edhe Qendra për Emancipim Shoqëror, shkurtimisht QESH-i, e cila është themeluar, rreth tetë vjet më parë, nga tre persona LGBT. QESH-i asokohe kishte për qëllim të dokumentonte rastet e dhunës dhe të diskriminimit kundër pjesëtarëve të komunitetit, të lobonte në Qeveri për reforma ligjore, dhe “të krijonte një mjedis të sigurt dhe tolerant në Kosovë”, sipas fjalëve të një prej themeluesve të saj.

Por aktivizimi LGBT ka përjetuar ngritje dhe zbritje të mëdha. Një prej themeluesve të QESH-it është sulmuar në Prishtinë dhe më pas ka fituar azil në Shtetet e Bashkuara. Organizata ka qenë kryesisht joaktive për disa vjet. Disa aktivistë, ndërkohë, kanë braktisur kauzën, me arsyetimin se Kosova nuk është e gatshme për një komunitet të hapur dhe dinamik të personave LGBT – dhe se shumë në komunitet nuk janë vetë të gatshëm për ndryshime. Disa preferojnë të ruajnë status-quon, sesa të stigmatizohen si rezultat i demonstrimit apo pranimit të identitetit të tyre haptazi, përderisa të tjerët nuk besojnë se orientimi i tyre seksual apo identiteti i tyre gjinor duhet t’i përcaktojë ata ligjërisht, shoqërisht, apo ndryshe. “Kam ardhur në përfundimin se me gjithë këto sakrifica që po bëja, nuk po shihja vërtet rezultate”, thotë Alex, i cili dikur ishte pjesëtar i “Elysium”, ndërsa tani është i përqendruar në karrierën e tij. “Nëse dëshiron të përfaqësosh një komunitet, ai komunitet duhet të jetë i interesuar për t’u përfaqësuar”.

QESH-i i ka ndryshuar objektivat e tij për arsye të ndryshme. Organizata ka bërë një pauzë për disa vjet (ajo është ringjallur vetëm disa muaj më parë) për shkak se personat LGBT nuk u përgjigjeshin përpjekjeve të saj: Ata dëshironin ndenjja dhe organizime sociale, jo mbrojtje të të drejtave. Myrvete Bajrami, aktiviste në QESH, thotë se ekziston një përçarje në komunitet, bazuar në atë se kush e ka pranuar haptazi identitetin e vet dhe kush jo, gjë që mund ta komplikojë veprimtarinë bashkëpunuese. Ajo thotë se disa pjesëtarë të komunitetit i kanë thënë asaj: “Ne nuk mund të rrimë me ty, sepse ti je shumë e hapur”. Për më tepër, meshkujt dhe femrat në komunitetin LGBT shpesh nuk shikohen mes vete sy më sy. “Edhe komuniteti i meshkujve homoseksualë është patriarkal. Ai është një pasqyrë e shoqërisë në Kosovë”, thotë Bajrami.
Sot, QESH-i përqendrohet në dialogun me Qeverinë. Ajo ka organizuar një konferencë të vogël në muajin maj, në të cilën kanë marrë pjesë Kurteshi dhe zyrtarë të tjerë, për të hapur kanale të diskutimit. “Ne punojmë për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT… dhe i monitorojmë shkeljet e tyre, por nuk organizojmë aktivitete”, tregon Bajrami për planet e QESH-it. “Vetë komuniteti duhet t’i nënshtrohet një zhvillimi. Nuk mund t’i japësh diçka dikujt që nuk do”.

Për dallim prej QESH-it, “Libertas” është themeluar me qëllimin kryesor për të organizuar ngjarje dhe fushata. Në faqen e saj në “Facebook”, e cila ka pothuajse 400 pjesëtarë, thuhet se grupi planifikon të organizojë gjithçka, prej netëve të filmit e deri te trajnimet për të drejtat e njeriut. Organizata gjithashtu është duke dizajnuar një varg pllakatesh që inkurajojnë respektimin e personave LGBT, të cilat do të vendosen nëpër stacione të autobusëve në Prishtinë.

Fillimet e “Libertas” në Kosovë, megjithatë, janë dëshmuar të vështira. Kokteji me rastin e themelimit, i mbajtur në restorantin “Pjata”, fillimisht ishte menduar të shtrohej në një tjetër lokal, por, në minutën e fundit, pronari është zmbrapsur, duke përmendur si arsye rrezikun ndaj sigurisë. Arben Fejzaj, i cili punon për “Libertas”, dhe i cili ka pranuar t’i përdoret emri i vërtetë në këtë shkrim, thotë se pronarët e lokaleve janë ende hezitues, pas incidentit të “Pure Pure”. Me sa duket, ata i frikohen humbjes së reputacionit, po aq sa dhunës. “Nëpërmjet telefonit, pronari i lokalit na ka thënë: ‘Oh, kam dëgjuar fjalë. Kemi frikë nga këta njerëz, nga fundamentalistët që janë kundër homoseksualizmit. Kemi frikë se ata do të na sulmojnë’”, tregon Fejzaj. “E kam pyetur atë: ‘A mund të jesh më i qartë? A ju ka kërcënuar ndokush?’, dhe ai më është përgjigjur: ‘Jo, jo, jo.’”, shton Fejzaj.

Kjo OJQ është ende duke menduar si të veprojë sigurt. Miqtë e organizatës kanë sugjeruar vendosjen e një kamere të sigurisë para derës së selisë, ndërsa aktivistët duhet të kontrollojnë me kujdes e-mailat dhe kërkesat në “Facebook” për të mësuar adresën e “Libertas”. Vetë pjesëtarët e stafit janë shumë të kujdesshëm: Në njërën anë, ata janë aktivistë, por, në anën tjetër, ata duan t’i mbajnë identitetet e tyre të fshehta nga publiku i gjerë dhe familjet e tyre. “Ekziston një zonë e sigurt”, thotë Dardani, i cili ka punuar në “Libertas” për disa muaj gjatë verës së kaluar, “dhe unë e respektoj atë”.

“Nuk kam mundur të fle gjithë natën”

Organizimi i parë i madh social i “Libertas” është ndenjja e korrikut, duke vazhduar prej aty ku është detyruar ta lërë “Pure Pure”, vitin e kaluar. Çdo mysafir merr dy pije falas, dhe një ventilator në pistën e vallëzimit punon pandërprerë për të flladitur turmën, ndonëse efektet e tij nuk vërehen shumë. Një mashkull, duke iu drejtuar pistës së vallëzimit, bërtet prej gëzimit, në mes të zhurmës së krijuar nga tingujt e muzikës pop, që vinin nga tavolina e DJ-it: “Kjo është ndenjja më e mirë e komunitetit LGBT që kemi parë ndonjëherë!”. Një aktivist i “Libertas” është më pak optimist. “Në fakt, ajo është më shumë kokëçarëse”, thotë ai, duke shikuar me ankth në drejtim të derës së hyrjes, ku një rojë e vetme e sigurimit rri e përgatitur në rast të ardhjes së njerëzve të padëshiruar.

Në komunitetin LGBT të Kosovës, ngazëllimi dhe frika kurrë nuk janë larg njëra-tjetrës. Shpesh, në tregimet jetësore të mbledhura për këtë artikull, ankthi e ka mundur shpresën apo gëzimin. “Unë pres që një ditë të vijë diçka, si dashuria apo të drejtat”, thotë Ahmeti, i cili krijon lidhje të shkurtra dashurore me meshkuj, por vazhdon të përjetojë trysninë e familjes, e cila këmbëngul që ai të martohet me një femër. “Jam shumë i lodhur. Nuk di se çfarë të bëj”.

Por, megjithatë, ka edhe tregime me përfundim lumtur – ngjarje të mbajtura pa ndonjë incident, lidhje që i rezistojnë trysnisë sociale dhe familjare. Dhe, në disa raste, ka edhe fillime të reja. Marigona e ka befasuar veten kur, në një natë vere, ia ka pranuar haptazi nënës së saj se është lesbike. “Ne dolëm për të pirë kafe, dhe unë i tregova asaj”, thotë Marigona. Ndonëse nëna e saj i ka thënë asaj se nuk duhet t’i tregojnë babait të Marigonës apo dikujt tjetër në familje, ajo e ka mirëpritur rrëfimin e vajzës së saj. “Ajo ka qenë e shkëlqyer… më ka pyetur: ‘Pra, je lindur e tillë?’”, kujton Marigona, me buzëqeshje. “Nuk mund të flija gjithë natën nga adrenalina”.

 

Ana homoseksuale e “Facebook”-ut

I ulur në një tavolinë me laptopin e tij para vetes, Dardani* hap “Facebookun” dhe klikon në profilin e tij. Në të gjendet një fotografi e tij dhe, nën të, informatat e zakonshme: emri i tij, ku e ka kryer shkollimin, vendbanimi i tij. Më pas, ai klikon në profilin tjetër që ai e mban – atë që është anonim, atë që është “gej”. Në të nuk e ka paraqitur emrin e vërtetë, dhe nuk ka asnjë fotografi në të cilat ai do të mund të dallohej. Ai klikon në profilet e disa “shokëve”, të cilët ngjashëm nuk kanë ofruar informata identifikuese: Njerëzit përdorin emra të rremë që shpesh janë të çuditshëm dhe karakterizohen nga aliteracioni, ndërsa “muret” e tyre janë përplot me video dhe fotografi me tematikë LGBT. Edhe ata janë të lidhur me “profile ashiqare të rreme”, siç i quan Dardani, të cilave ai ua lëshon një sy në kërkim të meshkujve që atij mund t’i pëlqejnë për të bërë muhabet, e mbase edhe për t’u takuar.

Interneti përbën një bazë të mirë për çiftimin e personave lesbikë, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë (LGBT) të Kosovës, veçanërisht për meshkujt homoseksualë dhe biseksualë. Ai është një vend ku meshkujt kanë mundësi ta gjejnë njëri-tjetrin pa pasur nevojë që t’i zbulojnë orientimet apo identitetet e tyre në publik. “Facebook”, me potencialin e tij të madh për lidhje, është një qendër e popullarizuar. “Vetëm me profilin tim të vërtetë, po të më pëlqente një djalë, nuk do të mund t’i tregoja atij”, thotë Brahimi, duke shpjeguar se pse ka edhe një profil anonim në “Facebook”. “GayRomeo.com” është një tjetër ueb-sajt i frekuentuar, i cili u kërkon meshkujve që të zbulojnë karakteristikat e tyre fizike – gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve – dhe pozitat e tyre të pëlqyera seksuale, ndër informata të tjera. “Këtu (në Kosovë), njerëzit nuk mund të flasin për disa gjëra”, shprehet Brahimi. “Kjo është njëra prej mënyrave të pakta se si ne mund të shprehemi”.

Brahimi mendon me kujdes se si të paraqitet në internet. Në vend se të vë një fotografi të vërtetë të tij në “Facebook”, ai kërkon fotografi të meshkujve të tjerë, përfshirë edhe të famshëm, dhe zgjedh për ta vënë një që ai mendon se i ngjan atij. Të tjerët paraqiten me fotografi të manekinëve apo të yjeve të filmit që atyre u pëlqejnë. Ka edhe prej atyre që përdorin fotografi të trupave të tyre apo të pjesëve të tjera trupore, përfshirë gjenitalet, por që nuk i shfaqin asnjëherë fytyrat e tyre. Disa madje shkojnë aq larg sa që publikojnë fotografitë e tyre të plota, ku vetëm pjesën e fytyrës e kanë të shlyer. Në “GayRomeo”, shumë meshkuj madje përkujdesen për t’i siguruar të tjerët se ata nuk “duken” apo “nuk sillen si homoseksualë”: Një përdorues i këtij ueb-sajti nga Prishtina e përshkruan veten si “djalosh i mirë, me pamje burrërore dhe me qëndrim si të njerëzve heteroseksualë”.

Pasi krijojnë miqësi në këtë rrjet, dy meshkujt vendosin se çfarë informata “të vërteta” duan të shkëmbejnë. Shpesh, kjo bëhet nëpërmjet kamerës, e cila përbën rreziqe. Njëherë, Brahimi ishte pajtuar që të ndizte kamerën për të komunikuar me një mashkull me të cilin ishte lidhur, por sapo kishte filluar transmetimi, ai kishte kuptuar se e njihte atë person nga fakulteti i tij. Kështu, Brahimi menjëherë e kishte fshehur fytyrën e tij nga kamera, duke mos dashur që të identifikohej nga dikush që njihte shoqërinë dhe të njohurit e tij.
Ngjashëm, i paparashikueshëm mund të jetë edhe takimi me dikë personalisht. Pasi kishte filluar të lidhej me meshkuj nga interneti, Dardani mbante me vete një thikë të vogël në takime. Ai kishte dëgjuar për së paku një mashkull që ishte joshur në një takim nga një homofob, i cili ishte shtirur si homoseksual në internet. Dardani më nuk mban thikë me vete, duke thënë se tani “thjesht mund ta ndjejë” kur diçka nuk duket mirë në një lidhje.

Mbi të gjitha, sfera e fshehtë në internet zbulon se numri i meshkujve në Kosovë që janë homoseksualë apo biseksualë, apo që identifikohen si diçka tjetër, por që u pëlqen të lidhen me meshkuj, nuk është i vogël, përkundër pohimeve nga disa kundërshtarë të të drejtave dhe të stilit të jetës së personave LGBT. “Komuniteti ynë nuk është shumë i vogël. Vetëm se njerëzit nuk shfaqen haptazi”, thotë Brahimi. “Kur unë publikoj diçka në profilin tim anonim në ‘Facebook’, marr plot komente”.

(* Të gjithë emrat e përmendur në këtë shkrim janë ndryshuar për të mbrojtur identitetet e vërteta të këtyre njerëzve. *)

  • PËR AUTORIN/EN Seyward Darby
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO