Blogbox | Diaspora

Pse nuk duhet të më thirrësh ‘shaci’

Nga - 01.10.2019

Shënimet që nuk do të doja t’i bëja më.

diaspora e.f.: “Përhapje ose shpërndarje e cilitdo popull nga vendlindja zanafillore.”

Diaspora. Term që më ndjek qysh kur jam lindur.

Term që u përmend gjatë kujtimeve të mia të para dhe në këngët që i dëgjonin prindërit e mi. Janë plot këngë për diasporën dhe të gjithë duket se e përdorin këtë term si të ishte i vetëkuptueshëm.

Për mua, nuk ishte aq i qartë e i vetëkuptueshëm. M’u desh të mësoja gjithë jetën se ç’do me thënë ‘diasporë’.

Meqë jam lindur e rritur në Gjermani – tani jam 21 vjeçare – jam ballafaquar me një ide mjaft të pandryshueshme se ç’do të thotë diasporë. Do të thotë të të quajnë me termin poshtërues “shaci” në atdheun tim të dytë, Kosovë, e në anën tjetër të të quajnë “Ausländer” (gjermanisht: i/e huaj) këtu ku jam vendase.

Atdheu

Qysh këtu fillon hutia.

A mund ta përkufizoj atdheun tim? Nëse po, si ta bëj këtë? A është atdheu im vendi ku jam lindur e rritur, apo ai prej nga më vijnë paraardhësit?

Sigurisht, kjo më shtyn t’i shqyrtoj mundësitë e identiteteve të shumëfishta sociale. Çështja e identiteteve është diskutuar gjerësisht në literaturë, kurrë pa u sqaruar mirëfilli. As unë nuk mund ta sqaroj plotësisht. E vetmja që mund ta bëj është të përpiqem të tregoj ç’kuptim ka për mua diaspora dhe të rriturit në diasporë.

Kjo do të thotë gjithashtu të rritesh me pyetjen që u bëhet edhe sot shumicës së fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë: “A më mirë këtu a atje?”

Kësaj pyetjeje kurrë s’kam mundur t’i përgjigjem menjëherë. Për njerëzit që jetojnë në Kosovë, ishte e qartë se të jetosh “atje” duhet të jetë më mirë, e prandaj është më mirë.

Vetëm tani po e kuptoj pse nuk mund t’i përgjigjesha pyetjes aq shpejt. Mund të them se i njoh të dyja realitetet, por nuk i njoh, sepse kurrë nuk kam jetuar në Kosovë më shumë se 10 javë.

Por mund të flas për realitetin e të rriturit në një shtet ku është normale të reduktohesh në një term si “Ausländer” dhe të ballafaqohesh çdo ditë me pyetjen: “Por prej nga je me të vërtetë?” 

Tjetërsimi

Të arrish në një shtet në të cilin nuk ke komunitet të organizuar diasporik të të mirëpresë, duhet të jetë njëra prej ideve më tjetërsuese që mund t’i paramendojmë. Pra tjetërsimi bëhet shoqërues i përditshëm, dhe qendra e botës tënde tani është komuniteti yt dhe familja që e ke lënë prapa.

Shpesh pyes veten se si prindërit e mi mundën të jetonin një jetë aq vetëmohuese, ku gjithçka ishte më e rëndësishme se ata. Jeta e tyre përbëhej nga ndërtimi i shtëpive në të cilat kurrë nuk do të banonin, dhe udhëtimet e përvitshme në atdheun e tyre të dashur.

Kjo nuk ndikoi vetëm në jetët e tyre. Ndikoi edhe në jetët e ne fëmijëve, që u mësuam të ishim po aq vetëmohues. Kjo rezultoi me fëmijë që nuk ishin në gjendje t’i përmbushnin pritshmëritë e larta që kishin prindërit e tyre vetëmohues.

Komuniteti

Shumica e shqiptarëve në Gjermani krijojnë komunitete nga familjet e tyre. Komunitetin shqiptar, i cili u mungonte në punë, në jetën e përditshme dhe në rrugët e Gjermanisë, ku askush nuk dukej i njohur.

Puna emocionale që duhej ta bënin fëmijët e emigrantëve shqiptarë ishte e papërfytyrueshme. Duhej të ishin miq, familjarë dhe fëmijë njëherësh.

Më kujtohet kur shkova te mjeku me axhën kur isha 5-vjeçare, e po mundohesha t’i përktheja ç’i thoshte mjeku. Diçka që shokëve të mi gjermanë në çerdhe nuk u duhej ta bënin.

Kam kujtime të panumërta të tilla.

Tani që reflektoj, e kuptoj sa pikëlluese duhet të jetë që ta kesh vetëm vajzën si personin te i cili mund të mbështetesh.

Një tjetër kujtim që kam është se kam shërbyer si sekretare e prindërve, sepse ne fëmijët e mësuam gjuhën më natyrshëm, ndërsa prindërve shpesh u vinte shumë turp që flisnin me theks. Të qenët sekretare e prindërve ndonjëherë nënkuptonte se duhej të plotësoja aplikacione pune për ta (ndërsa isha ende në shkollë) pasi ata nuk kishin vijuar mësimin në shkolla gjermane, që të mësonin si të mbijetonin në tregun gjerman të punës.

Dhe mbi të gjitha, ndonjëherë ne fëmijët ishim të vetmit që mund t’i ngushëllonim prindërit kur familjarët e tyre, që ende jetonin në Kosovë, ishin të sëmurë ose ndërronin jetë.

Një ditë nëna më tha: “Të kam si motër.”

Së pari mendova: Ua, çfarë marrëdhënie të mrekullueshme që kemi. Tani që reflektoj, e kuptoj sa pikëlluese duhet të jetë që ta kesh vetëm vajzën si personin te i cili mund të mbështetesh e i cili mund të të ngushëllojë. 

Këto janë kushtet që riprodhojnë tjetërsimin.

Burokracia, deportimi, tëhuajsimi

Ndonëse nuk i priti ndonjë komunitet në Gjermani, realiteti tregon se disa gjëra i pritën. Këto ishin burokracia, frika nga deportimi dhe odiseada e gjatë e tëhuajsimit racor në jetën e përditshme.

Deportimi është term aq normal në familjen tonë pasi pothuajse të gjithë në diasporë e kanë dikë në familje ose e njohin dikë që është deportuar.

E pata privilegjin që familja ime mori leje të jashtëzakonshme për të qëndruar mjaft herët. Por prapëseprapë nuk e fituam shtetësinë gjermane menjëherë. Prindërit u detyruan të kryenin një deng punësh burokratike dhe të investonin shumë para. Shumë udhëtime nëpër ambasada të ndryshme, si ajo e Serbisë, ishin pjesë e odiseadës së shtetësisë sonë gjermane. 

E megjithatë, në vitin 2016, e mora një letër nga kompania e sigurimit në të cilën më pyesnin nga isha, meqë Jugosllavia nuk ekzistonte më. Përkundër pritshmërive tona, kurrë nuk je plotësisht gjermane nëse nuk mund ta fshish të kaluarën dhe të gjitha vitet gjatë të cilave nuk ishte gjermane zyrtarisht.

Dhe le të jemi të sinqertë: Si integrohesh në një shtet ku partitë e krahut të djathtë po fitojnë përsëri dhe e kaluara e gjatë e ideologjisë naziste më parë harrohet sesa procesohet?

Integrimi?

Kur flasim për integrimin, shkolla shpeshherë përfytyrohet si “mënyra” për t’u integruar në shoqëri. Por shumica e njerëzve harrojnë që shkolla është vetëm një tjetër pengesë byrokratike me të cilën duhet të ballafaqohemi.

Sistemi shkollor gjerman, në veçanti, është i themeluar mbi konceptin e ndarjes. Nga fundi i klasës së katërt, e ardhmja jote tashmë është e vendosur, meqë mësuesit i ndajnë fëmijët në një nga tri shkollat fillore të mesme, në bazë të notave të tyre.

Hauptschule (prej klasës së pestë deri në të nëntën) është niveli fillor i arsimit, pas të cilit alternativat i ke mjaft të kufizuara, sepse mund të marrësh pjesë vetëm në trajnim profesional për t’u bërë tregtar, bukëpjekës, pastrues industrial, etj. Niveli tjetër mbi të është Realschule (nga klasa e pestë deri në të dhjetën), i cili të lejon të inkuadrohesh në profesione si polic, asistent menaxher, asistent i laboratorit, etj. Niveli më i lartë është Gymnasium (nga klasa 5 deri në klasën e 12 ose 13), që të mundëson t’i kryesh ‘nivelet A’ e më pas praktikisht ta zgjedhësh trajnimin profesional ose universitetin.

Teknikisht, mund të kalosh nga niveli në nivel duke i kryer një nga një, por në realitet, lëvizshmëria e tillë është e rrallë.

Shkolla fillore ishte definicioni i racizmit strukturor, sepse pothuajse çdo fëmijë me prejardhje emigrante u dërgua në Hauptschule.

Ndonëse ka variacione në pjesë të ndryshme të vendit, në pjesën e Gjermanisë ku jam rritur unë, ishte normale ta shihje veten dhe ata rreth teje të klasifikuar dhe të ndarë në rrugë të ndryshme, me një gamë kaq të gjerë të perspektivave për të ardhmen, që në moshën 10-vjeçare.

Dhe po, racizmi dhe pabarazia e mundësive e kanë intensifikuar procesin ndarës.

Në rastin tim, shkolla fillore ishte definicioni i racizmit strukturor, sepse pothuajse çdo fëmijë me prejardhje emigrante u dërgua në Hauptschule, si në një ankth të keq.

Prindërit e mi nuk i dinin të drejtat e tyre në atë kohë dhe nuk mund ta shpëtonin vëllain tim të madh nga caktimi në këtë shkollë. Në fund, ai hyri në Realschule pasi nëna ime i bëri presion shkollës që ta lejonin t’i nënshtrohej një testi shtesë.

Ata mësuan se racizmi ishte rrezik i vërtetë për të ardhmen tonë, dhe kur hyra unë në klasën e tretë, mësuesi im i ri (i cili ishte personi që do ta vendoste fatin tim në klasën e katërt) qëlloi të ishte ish-mësuesi i vëllait tim, i cili qe munduar ta çonte në Hauptschule. Menjëherë filluan të më binin të gjitha notat.

Por nëna më shpëtoi, sepse e kishte guximin të luftonte për ndryshime në shkollë – diçka që është pothuajse e pamundshme në Gjermani. Shkolla ime e re ishte më pak raciste dhe vetëm arritjet shkollore ishin të rëndësishme aty, prandaj arrita të hyja në Gymnasium.

Për fëmijët e tjerë me prejardhje emigrante në shkollën time të vjetër, kjo ëndërr kurrë nuk u realizua. Ende i njoh dhe i kam parë duke shkuar në shkolla më të ulëta, duke e pasur shumë më të vështirë të arrijnë diçka më vonë. Edhe fëmijët shqiptarë në diasporë janë ndikuar nga ky sistem.

Arsyeja pse po e përmend këtë është se në Kosovë paragjykimi mbizotërues për “shacit” është se nuk jemi të arsimuar, pa i menduar pengesat shtesë të cilat duhet t’i tejkalojmë përveçse të arrijmë një jetë shkollore normale. Këto supozime i ndajnë shqiptarët dhe e përjashtojnë diasporën shqiptare nga debatet në Kosovë, sepse shpeshherë përshkruhemi si të paarsimuar dhe të dalë mode.

‘Shaci’

Dua të mos sjell kujtime dhe të mos tregoj anekdota për jetën time si fëmijë i emigrantëve, sepse unë mund ta përshkruaj vetëm sipërfaqen e një realiteti më të gjerë. Por kjo anë e monedhës “shaci” shpesh nuk diskutohet dhe harrohet.

Pjesë e kësaj është të vish në atdheun e prindërve, në atë të cilin ta atribuojnë plot njerëz brenda vendit ku në fakt jeton, e të kuptosh që nuk përket as atje.

Prandaj ju lutem, duke i pasur parasysh të gjitha këto sfida, ju nxis të mendoni për anën tjetër të të qenit “shaci”, para se ta përdorni atë shprehje të shkujdesur që ther më fort sesa mund ta merrni me mend.

Imazhi: Arrita Katona / K2.0.