Haliti ka jetuar me burrin e saj dhe dy djemtë e tij, me gruan e tij të parë, dhe me njerëkn e tij, në një shtëpi të dhënë nga komuna, në tri vitet e fundit. Deri sa minibusi parkohet pranë saj, ajo na kërkon që ta fotografojmë djalin e sëmurë para se të shkojë në shkollë. Pastaj, na fton brenda.
Selvie Haliti dhe djemtë e saj presin autobusin për të shkuar në shkollë në Fushën e Pajtimit, një nga dy lagjet e Prishtinës që ofrojnë strehim social për familjet, si ajo e Halitit.
“Burri im ka jetuar këtu për rreth pesë vite, prej kur u ndërtuan banesat e para. Këta janë fëmijët e tij dhe unë kujdesëm për ta, dhe për njerkën e burrit tim. Ajo është e sëmurë por gruaja e parë e burrit tim nuk kujdeset për të, kështu që duhet të kujdesem unë. Pasi që ajo e rriti burrin tim, duhet ta dua edhe unë”, na thotë Haliti deri sa ngjitemi shkallëve deri në katin e pestë, dhe hyjmë në banesën e vogël.
Ajo na drejton deri në një dhomë që shërben si dhomë e ditës, dhomë e ngrënies, dhe dhomë e fjetjes, dhe na njofton me vjehrrën e saj, grua shumë e vjetër që nuk mund të flas. Haliti na shërben një pije të gaztë, ngjyrë portokalli të çelët, dhe na shpjegon se si merr përfitime nga mirëqenia sociale, por asgjë tjetër, dhe se teshat që i ka të veshura janë donacione. “Burri im nuk ka punë por del në rrugë dhe ofron të prejë drunj për njerëz. Ndonjëherë nuk ka fare punë, por në disa ditë i bënë ndoshta 5 euro”, thotë ajo.
Haliti është e papunësuar dhe nuk ka të ardhura. Ajo kujdeset për familjen gjashtë anëtarëshe, përfshirë edhe njerkën e bashkëshortit të saj, e cila është e sëmurë, nuk mund të flasë dhe dhe ka nevojë për kujdes mjekësor.
Nën Ligjin për Programe Specifike për Banim dhe Financim, komunat në Kosovë janë të obliguara të sigurojnë strehim për ata që kanë nevojë, dhe ata identifikohen në bazë të kritereve si statusi i banimit, të hyrat, gjendja shëndetësore, aftësitë e kufizuara, dhe struktura familjare. Bashkëshortit të Halitit, që u lëndua si ushtar gjatë luftës së vitit 1999 dhe nuk ka pronë, iu dha banesa kur u hapën aplikimet e para për banim social në 2010.
OJQ-ja Banimi Social dhe Të Drejtat Pronësore në Kosovë (SHPRK) i ndihmon individët që kanë nevojë për banim social dhe u jep ndihmë ligjore në lidhje me çështje të banimit social dhe të drejtave pronësore. Agron Beka, Drejtori Ekzekutiv i SHPRK, më herët udhëheqi departamentin e dëbimit në Agjencinë Kosovare të Pronës. Në këtë rol, ai shpesh u detyrua të dëbojë okupues të paligjshëm të pronave private. Shumë njerëz u lanë të jetojnë në rrugë.
“Duke i parë këta njerëz ashtu më bëri të mendoj pse nuk ekziston një politikë sociale që siguron që njerëzit në këtë situatë ndihmohen prej shtetit”, thotë Beka. Duke hulumtuar ligjin mbi këtë çështje, ai kuptoi se komunat kanë obligim të sigurojnë buxhet që të paguajnë qiranë për ata që kanë nevojë. “Sipas Parimeve Pinheiro të OKB, të gjithë duhet të kenë kulm mbi kokë”, tha ai, duke iu referuar Parimit 2, ku thuhet se “Të gjithë refugjatët dhe personat e zhvendosur kanë të drejtë të t’iu kthehet çfarëdo banimi, toke ose prone e cila iu privua në mënyrë të paarsyeshme ose të paligjshme”.
SHPRK u themelua në 2009, duke u bazuar në këtë parim. Ishte atëherë, dhe ende është, e vetmja organizatë që punon në promovimin e banimit social dhe të drejtave pronësore në Kosovë.
Vakum ligjor dhe zbatim i dobët
Banimi dhe mbrojtja sociale adekuate është e drejtë njerëzore. Sipas Komitetit të OKB për të Drejta Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (CESCR), të gjithë kanë të drejtë të jetojnë në “siguri, paqe, dhe dinjitet… pa marrë parasysh të hyrat ose qasjen në burime ekonomike”. Për më tepër, për të ushtruar të drejta ekonomike, sociale dhe kulturore, banimi adekuat është vendimtar.
Haliti na tregon raportet mjekësore të djalit të saj, duke shpjeguar në mënyrë të përsëritur se ai vuan nga sëmundja e zemrës, por familja nuk ka para për mjekimin e nevojshëm.
Investimi në banime financiarisht të përballueshme gjithashtu ka ndikime sociale e ekonomike. Një raport i Frontier Economics tregon se punësimi, parandalimi i krimit, shëndeti, mirëqenia dhe kohezioni i komunitetit janë disa prej përfitimeve kyçe që lidhen me banime sociale.
“Nëse u sigurojmë strehim një familjes dhe i ndihmojmë të tejkalojnë krizën financiare sa më shpejtë që është e mundur, kjo do të thotë që në mënyrë jodirekte kemi pasur ndikim pozitiv në rritjen ekonomike”, thotë Beka. “E kemi marrë një familje të papunë që ka pasur nevojë për banim social dhe e kemi mundësuar të hyjë në shoqëri dhe në jetën e punës, si dhe e kemi liruar një shtëpi për ndonjë familje tjetër që ka nevojë. Ky është përfitimi ekonomik për shoqërinë dhe për familjen që ka dalur nga banimi social”.
Megjithatë, në Kosovë, politikat e banimit social ende nuk kanë treguar rezultate të tilla; ka nevojë për më shumë punë që të sigurohet zbatimi korrekt i ligjeve.
Një raport i vitit 2013 nga OSCE tregon se institucionet e qeverisë kanë bërë sadopak progres, si me zhvillimin e strukturës ligjore që me vendosmëri vërteton se sigurimi i banimit social është përgjegjësi e nivelit komunal, si dhe me zbatimin e projekteve të ndryshme të banimit social. Megjithatë, tregon edhe se shpeshherë ka pak pajtueshmëri me këtë strukturë.
Për shembull, ka mungesë të njoftimit publik për projekte të banimit, dhe mungesë të aderimit të kërkesave gjuhësore për njoftime të tilla, që duhet të bëhen në shqip dhe serbisht, si dhe në gjuhët tjera të folura në komunitetin lokal. Kjo mund t’i lë njerëzit të painformuar për mundësinë e aplikimit për strehim. Raporti gjithashtu tregoi se disa komuna vazhdojnë të operojnë në bazë të direktivave të vjetra për banim social, të publikuara para ligjit aktual për banim. Këto direktiva specifikojnë kritere të ndryshme të përzgjedhjes dhe përbërje tjetër të komisioneve zgjedhore, prej atyre të parashkruar në ligjin aktual.
Synimi i SHPRK është të sigurojë që ligji ekzistues për banim social aplikohet realisht, dhe procedurat korrekte përcjellen nga komunat. Beka thekson se fokusi i tij është në “zgjerim dhe përmirësim, në mënyrë që banimi social të mos shihet si vetëm shqetësim për të varfërit, por edhe si shqetësim i përkohshëm për njerëzit që nuk kanë ku të shkojnë”. Për mendim të Bekës, “banimi social nuk duhet të shihet si dhuratë ose si ndihmë, por si obligim ligjor i institucioneve”.
Megjithatë, ai thekson se, deri vonë, komunat vazhduan të operojnë në bazë të direktivave të vjetra për banim social, të specifikuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në 2007. Këto direktiva deklaruan se personi ka të drejtë për banim social nëse ka nevojë për të, por në momentin që punësohet, është i obliguar ta dorëzojë shtëpinë. Kjo nuk krijonte nxitje për të kërkuar punë.
“Nëse dikush që ka përfituar prej banimit social obligohet ta dorëzojë shtëpinë në momentin që gjen punë, normalisht që nuk do të nënshkruaj kontratë të punësimit – nuk ka kuptim, financiarisht, që ta shkëmbejë shtëpinë me një rrogë 200 euro”, thotë Beka. Ligji aktual nuk obligon njerëzit që të lirojnë banesën në rastin që ata punësohen. Megjithatë, Beka thotë se ligji aktual ka nevojë për përmirësime, në mënyrë që banimi social të kuptohet nga të gjithë vetëm si banim i përkohshëm. Si i tillë, ligji duhet të parasheh mekanizma më efikase që ndihmojnë si në punësim po ashtu edhe në riintegrim në shoqëri.
Nazim Cakoli, Drejtor i Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale për Komunën e Prishtinës, është i vendosur që t’i adresojë këto shumëkuptueshmëri e pamjaftueshmëri nëpërmjet një plani strategjik tre-vjeçar për banim social në Kosovë. Ky plan është ende në fazat e para, megjithatë, Cakolli thotë se po përpiqet të formojë kontakte dhe të prodhojë ide për zgjidhje të problemit me anë të diskutimeve grupore. Njëri prej kontakteve të parë, thotë ai, është vet Beka.
“Familjet që aplikojnë për banim social dhe e fitojnë atë mund të jenë në varfëri të skajshme, dhe pa pronë farë”, thotë Cakolli. “Për shembull, nënat e vetme me shumë fëmijë për t’i mbështetur, viktimat civile dhe veteranët e luftës e personat me aftësi të kufizuara, mund të prioritizohen për banim social”.
Zotim më i theksuar prej komunave
Aktualisht nuk ka të dhëna për numrin e njerëzve që aplikojnë për banim social. Sipas Cakollit, në 2010 numri i regjistruar ishte rreth 500, dhe tani mund të jetë më afër 1,000. Këto shifra e bëjnë të qartë se banimi social në Kosovë mungon seriozisht – familjet që kanë nevojë janë të shumta në krahasim me strehimin në dispozicion, pasi që janë vetëm rreth 200 banesa në Prishtinë.
Kur e pyesim nëse ka buxhet të planifikuar për ndërtimin e më shumë banesave sociale, Cakolli thotë, “Ende nuk kam punuar në sigurimin e një buxheti për të ndërtuar më shumë banim social. Duhet të analizojmë ku jemi aktualisht, dhe të vendosim sa punë kemi për të bërë. Financiarisht, duhet të dimë sa do të kushtojë, duhet të sigurojmë donacione, dhe të punojmë në alokimin e fondeve që i kemi në dispozicion”.
Beka beson se pjesë e problemit është fakti që nuk ka departament në komunë të dedikuar për të trajtuar vetëm banimin social. SHPRK insiston se duhet të ketë departament special për të mbajtur shënime për kush është pranuar dhe ku do të jetojnë, dhe kush nuk është pranuar, në mënyrë që të bëhet procesi i zgjedhjes më transparent.
Mungesa e një departamenti të dedikuar do të thotë edhe që komunat janë të paafta që të monitorojnë se a ka ndikim të matshëm pozitiv banimi social ndaj shëndetit ose perspektivave të punësimit të familjeve përkatëse. Beka thotë gjithashtu se duhet të ketë “proces të rregullt dhe transparencë, në mënyrë që të mund të shohim se a i ka trajtuar komuna aplikimet ashtu siç kërkon ligji”.
Sipas planeve të Cakollit, kur të jenë të gatshme banesat e reja dhe të dorëzohen aplikacionet e reja, do të shqyrtohen nga një panel me pesë anëtarë, dhe do të inspektohen prej anëtarëve të shoqërisë civile. “Procesi i zgjedhjes do të jetë krejtësisht transparent”, thotë ai. Prioritet i tij është të sigurohet se zgjedhja e familjeve për banim social bëhet në mënyrën më të drejtë të mundur, pa anësi dhe favoritizëm.
Banesa e Halitit përbëhet nga një dhomë multifunksionale ndenjieje, një dhomë gjumi dhe banjo. Ata që punojnë me politikat e strehimit social thonë se këto banesa duhet të konsiderohen vetëm si zgjidhje të përkohshme për familjet në nevojë.
Një prej ndryshimeve kyçe që ai shpreson t’i bëjë është të zbatohet një sistem me të cilin shpërblehen pikë për përfitues të mundshëm në një numër të kategorive, duke përfshirë statusin e banimit, të hyrat dhe gjendjen shëndetësore. Sistemi i pikëve është themeluar nga ligji për banim por Cakolli thotë se “e kaluara na ka mësuar se banimi social iu dha njerëzve me rezultate më të ulëta, edhe kur kishte të tillë që kishin më shumë nevojë për të”. Ai insiston se kjo nuk do të ndodh më, dhe prej tash e mbas, “vendimi përfundimtar do të bazohet në matematikë”.
Megjithatë, për momentin, komuna nuk ka proces zyrtar të aplikimit për banim social. Në përgjithësi, kërkesat e bëra u bazuan në dokumentimin e ofruar. Cakolli synon ta ndryshojë këtë, pasi që sipas tij, kur lejohet që dokumentimi të formojë të vetmën dëshmi për aplikim, atëherë ka hapësirë për subjektivizëm. Ai synon ta formojë një ekip të njerëzve që do të jenë të aftë të konfirmojnë me saktësi të gjitha informatat e paraqitura në dokumentim.
“Prej tash e mbas, zyrtarët që merren me aplikime duhet të shkojnë në vizita te familjet që aplikojnë në mënyrë që të verifikojnë që kushtet e tyre i kualifikojnë për banim social”, thotë ai.
Cakolli është i vendosur se do të ketë përmirësime sa i përket drejtësisë dhe transparencës së procesit të zgjedhjes, sertësisë me të cilën do të shqyrtohen kriteret e kandidatëve, dhe sigurimit të banimit social në Kosovë.
Megjithatë, familja Haliti dhe fqinjët e tyre do të kenë nëvojë për më shumë se kaq që të integrohen në shoqëri dhe të tejkalojnë krizën – në mungesë të një skeme që i nxit ata të kërkojnë punë dhe stabilitet, sipas gjitha gjasave do të stagnojnë, të ngecur në banim social me pamundësi që të lëvizin para.K
Fotografitë: Atdhe Mulla