Në thelb | Migrimi

Evropa e largët

Nga - 13.11.2020

Kërkimi i njerëzve të zhdukur në shtegun Ballkanik.

Në varrezat e qytetit Bihaq është një rresht i varreve të sapogërmuara. Nën pllakat e gjelbëra prej druri që shenjojnë varret, shtrihen trupat e njerëzve të paidentifikuar të cilët vdiqën në këtë pjesë të Bosnjës e Hercegovinës afër kufirit kroat. Pllakat e varreve mbajnë shenjues minimalë të identitetit — N.N.1, N.N.2, N.N.3…

Nomen Nescio në gjuhën latine i referohet një personi të paemër: kështu ëndrra për një jetë më të mirë dhe peripecitë e një udhëtimi të vështirë drejt BE-së kanë përfunduar në varrezat e Bihaqit.

Dhe jo vetëm në Bihaq — kudo që njerëzit në lëvizje vdesin, varrosen në pjesë të harruara të varrezave të vogla dhe varret e tyre shpesh mbesin pa emër. Kur organizohen kërkimet nga familjarët, vullnetarët apo zyrtarët fetarë, shpesh këtu është vendi ku përfundojnë gjurmët.  

Çdo vit, me mijëra njerëz zhduken teksa përpiqen të arrijnë në Evropë. Nuk ka të dhëna statistikore të besueshme rreth personave të zhdukur, por sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në faqen për Migrantët e Zhdukur, deri tani gjatë vitit 2020, 1,861 migrantë kanë humbur jetën në të gjithë botën. 

Në vitin 2017, në Bosnjë filluan të regjistoheshin më shumë ardhje. Sipas të dhënave të Shërbimit të Bosnjës për Çështjet e të Huajve, nga viti 2018 deri në fillim të shtatorit të këtij viti, rreth 60,000 migrantë kanë hyrë në vend. Nga ky numër, gjysma arritën vitin e kaluar, por numrat kanë rënë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit. 

Varre të thjeshta, të shenjuara “N.N.” për të treguar një person të paemër, janë të shpërndara në Bosnjë e Hercegovinë. Foto: Kemal Softić.

Ditët e kërkimit 

Brahimi është nga Maroku dhe aktualisht jeton në Paris. Për muaj të tërë, ai është përpjekur të kontaktojë me vëllain e tij Ismailin, i cili për herë të fundit ishte lajmëruar nga Sarajeva. Herën e parë kur K2.0 bisedoi me Brahimin, ai tha se ishin bërë saktësisht 66 ditë që kur e kishte dëgjuar për herë të fundit zërin e vëllait të tij:

“Ai ishte në Sarajevë dhe më tregoi se dikush e kishte sulmuar, dhe pas kësaj më nuk telefononte. … Prej atëherë nuk e dimë ku është ose nëse është mirë. … E gjithë familja është e dëshpëruar”.

Ismaili po udhëtonte me disa të afërm dhe Brahimi thotë se shokët e vëllait të tij pretendojnë se ai është diku në një kamp të mbyllur në Sarajevë. Sidoqoftë, përkundër përpjekjeve të Brahimit, ai nuk ka arritur ta gjejë Ismailin. Familja e ka raportuar zhdukjen e tij në Ambasadën e Bosnjës në Paris, por Brahimi thotë se Ambasada kanë bërë të njëjtën gjë si policia boshnjake:

“Nuk na tregojnë asgjë; nuk kemi asnjë informacion”, thotë ai. Tani janë bërë 69 ditë që nuk kemi folur”. 

Për familjen e Ismailit, çdo ditë është e vështirë dhe e gjatë.

Një dorë e zgjatur

Kërkimi për migrantët dhe refugjatët e zhdukur në Bosnjë e Hercegovinë është një histori e përpjekjeve të vullnetarëve, aktivistëve dhe mbështetjes sporadike vendore. Janë ata të cilët kontrollojnë rrugët e kampet dhe thërrasin policinë, spitalet e morgjet, në tentim për të gjetur informata për familjet që gjenden larg nga Bosnja.

Dženeta Delić-Sadiković jeton në Tuzëll. Në shtator, ajo u kontaktua nga Waris Ali, i cili kërkonte ndihmë për të gjetur tre të rinj nga Pakistani që ishin zhdukur në mesin e qershorit, teksa kalonin nga Serbia në Bosnjë. Waris Ali është gjyshi i një prej tyre dhe kërkimi i tij filloi në Tuzëll.

Kishte qenë një grup që po kalonte lumin. Siç i treguan Aliut disa nga grupi, ata i kishin parë të rinjtë kur u zhdukën nën ujë. Dženeta fillimisht kontaktoi spitalin në Zvornik, por trupat nuk ishin aty. Ajo pranoi informata se dy trupa të paidentifikuar ishin varrosur më 28 qershor në varrezat e Janjës.

Shumica e njerëzve në lëvizje që ndodhen në Bosnjë e Hercegovinë nuk synojnë të qëndrojnë aty. Foto: Kemal Softić.

Aliu shkoi në Zvornik por policia nga aty e dërgoi në Ambasadën e Pakistanit në Sarajevë. Kërkimi i tij ende vazhdon.

“Në Beograd, kam folur me Kryqin e Kuq, të cilët pastaj më referuan në Bosnjë. Kam shkuar në Bijeljina, Janja dhe Zvornik. … Nuk më kanë pritur aq mirë. Të gjithë më shmangen; mendojnë se jam migrant edhe pse i kam të gjitha dokumentet e nevojshme për të ardhur këtu”, ka thënë ai për të përditshmen Oslobođenje.

Për Dženeta-n, këto lloj përvojash tashmë janë të njohura. Me ndihmën e vullnetarëve të Tuzllës, ajo është përpjekur shumë herë të gjejë vendndodhjen e të zhdukurve dhe të marrë informata për ta.

Nëse kërkimi përfundon në mënyrën më të keqe — nëse gjenden të vdekur — zakonisht mblidhen para për të mundësuar transportimin e të vdekurve, trupat e të cilëve ndonjëherë mbesin në morgje për muaj të tërë. Ndonjëherë, pas ushtrimit të trysnisë, ata arrijnë ta bindin IOM-in për të mbuluar shpenzimet e riatdhesimit të mbetjeve mortore.

IOM është agjencia së cilës që nga viti 2018 i janë dhënë me miliona euro nga BE-ja — dhe me to efektivisht liri e plotë — për t’u kujdesur për njerëzit në lëvizje në Bosnjë. Kjo ujdi është pritur si minim i besimit në autoritetet vendore. Ndër të tjera, IOM menaxhon kampet (apo “qendrat e akomodimit të përkohshëm”, siç i quajnë ata) ku strehohen njerëzit në lëvizje.

“IOM angazhohet të sigurojë menaxhimin e rregullt dhe human të migrimit, të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar për çështjet e migrimit, të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve praktike për problemet e migrimit, dhe t’u ofrojë ndihmë humanitare migrantëve në nevojë”, shpjegohen detyrat e IOM-it në faqen e organizatës.

Rrëfimi i Bilal-it

Megjithatë, Delić-Sadiković thotë se kur vullnetarët në Tuzlla kërkuan ndihmën e IOM-it për ta transportuar trupin e të riut në vendlindjen e tij, atyre iu tha se “IOM është përgjegjës vetëm për migrantët brenda kampit”. Sidoqoftë, pasi ajo publikoi ngjarjen në rrjete sociale dhe krijoi një iniciativë për të mbledhur para për riatdhesim, IOM-i u përfshi duke mbuluar shpenzimet.

Ndërkohë, për tre muaj trupi i të riut bashkë me dy të tjerë u la në morgun e Tuzllës. 

Ai ishte Bilal-i, një i ri maroken me të cilin Dženeta kishte qenë veçanërisht e lidhur. E kishte takuar në stacionin e autobusëve në Tuzëll,, ku njerëzit në lëvizje mblidhen dhe shpesh flenë pasi nuk kanë zgjedhje të tjera — edhe pas tri vitesh prej kur filloi të vinte një numër i madh i njerëzve në këtë pjesë të Bosnjës, autoritetet vendore ende refuzojnë të japin leje për ndërtimin e një hapësire strehuese. Andaj stacioni i autobusëve është kthyer në vendin ku vullnetarët e organizatave bamirëse si dhe njerëzit me vetiniciativë sjellin ushqim dhe veshmbathje. 

“Atëherë thashë se kurrë nuk do të lidhesha sërish me dikë — natyrisht, gënjeva."

Dženeta Delić-Sadiković, vullnetare

Bilal-i po qëndronte në një shtëpi të braktisur, jo larg nga banesa e Dženeta-s. Ai ishte bërë gati të provonte edhe një herë ta kalonte kufirin. Por dikush që po qëndronte në të njëjtën shtëpi kishte lënë një qiri ndezur dhe një zjarr kishte filluar. Bilal-i u zgjua, por tashmë po ngulfatej nga tymi vdekjeprurës. Ai ishte vetëm 24 vjeç kur vdiq.

“Bilal-i kishte një karakter të veçantë”, thotë Dženeta. “Ai ishte njeri i mirë”. 

Pas disa muajsh pritje, rregullim dokumentesh, vonesa dhe lutje, trupi i Bilal-it u transferua në Marok, ku përfundimisht u varros. Pas presionit nga vullnetarët, IOM-i më në fund u pajtua të paguante 4,500 euro për shpenzimet e transportit. 

“Kisha menduar se si do ta telefononim nënën e tij dhe si ajo do të reagonte kur t’ia shihte djegiet. Kisha përgatitur veshje për të pasi të dilte nga spitali, madje edhe një telefon për ta thirrur nënën e tij sapo të ishte në gjendje…”, shkroi Dženeta në Facebook pasi Bilali vdiq.

Nëna e Bilal-it nuk e pranoi kurrë atë telefonatë; vetëm trupin e tij të vdekur. 

Në një fotografi që familja ia dërgoi Dženeta-s, nëna e Bilal-it është e ulur afër varrit të djalit të saj, një ditë pas varrimit. “Atëherë thashë se kurrë nuk do të lidhesha sërish me dikë… se vetëm do të ndihmoja me çfarë të mundja”, thotë Dženeta. “Natyrisht, gënjeva”.

I dashuri Ali

Rrëfimi i Dženeta-s është i ngjashëm me ato të vullnetarëve të tjerë që i kërkojnë personat e zhdukur dhe lidhen me familjet e tyre, duke iu bashkuar në vuajtje. Përmes grupit Dead and Missing in the Balkans (Të vdekur dhe të zhdukur në Ballkan) në Facebook, ata shkëmbejnë fotografi dhe provojnë të ndihmojnë në gjetjen e të zhdukurve. 

Vullnetarë të tillë e kërkuan të riun e quajtur Ali, nga Pakistani, historia e të cilit përfundoi ndryshe nga ajo e Bilal-it. 

Senada Kramer jeton në një fshat afër Tuzllës. Rrëfimi i saj për afërsinë me një migrant fillon po ashtu nga një stacion autobusi, ku e takoi Aliun. Ajo po sillte ushqim aty, por ai refuzoi ndihmën e saj. Pas kësaj, Senada shkonte shpesh në stacion dhe sillte me vete ushqim dhe veshje, dhe kështu ajo dhe Aliu dikur u afruan mes vete.

Në maj të këtij viti, Aliu vendosi që sërish të provonte ta kalonte kufirin, dhe pastaj nuk u lajmërua më. Senada provoi ta gjente por policia dhe vullnetarët e tjerë nuk kishin asnjë informatë. Ajo provoi të kontaktojë IOM-in dhe organizatat e tjera të huaja, por nuk pati fat.

"I dogjën të gjitha, përveç çorapes që mbante adresën e shtëpisë sime.”

Senada Kramer, vullnetare

Javë më vonë, Aliu u lajmërua nga Velika Kladusha — pjesa thuajse më veriore e Bosnjës, në kufi me Kroacinë. Ai i tregoi se kishte arritur ta kalonte kufirin por policia kroate e kishte kthyer mbrapsht; ata ia kishin marrë paratë, ia kishin djegur rrobat dhe e kishin kthyer plotësisht të zhveshur.

“I dogjën të gjitha, përveç çorapes që mbante adresën e shtëpisë sime”, thotë Senada.

“E mora një veturë bashkë me vëllain tim, sepse atëherë nuk lejohej që migrantët të transportoheshin në Kantonin Una-Sana me autobus dhe shkova në Velika Kladusha për ta marrë Aliun e dashur. E mbështolla me batanije dhe e solla në shtëpinë time”.

Ndalimi i transportimit të migrantëve të cilit i referohet Senada ka të bëjë me vendimin e autoriteteve të Kantonit Una-Sana për të ndaluar hyrjen dhe lëvizjen e migrantëve brenda kantonit. Edhe pse përgjegjësia ligjore për lëvizjen e të huajve i takon shtetit, nuk kishte asnjë reagim nga institucionet shtetërore rreth vendimit të autoriteteve të kantonit.

Amnesty International dënoi vendimin e autoriteteve, duke e vlerësuar si diskriminues dhe shkelje të të drejtave njerëzore të njerëzve në lëvizje. Ata e quajtën vendimin të paligjshëm dhe të pamatur.

Para se ta merrte Aliun në shtëpinë e vet, Senada u këshillua me hoxhën e vendit, komunitetin dhe komunën. Ajo jeton në një komunitet të vogël e tradicional dhe thotë se disa nga të afërmit e saj ende janë të zemëruar me të për atë që ka bërë.

Megjithatë, ajo nuk shqetësohet për këtë gjë. Feja e saj është humaniteti: “Çka lypi unë në xhami kur një fëmijë i uritur gjendet i shtrirë afër xhamisë?” pyet ajo.

Aliu kaloi dy muaj të tjerë me Senadën dhe pastaj vazhdoi. Ai arriti atë që synonte dhe tani është në Itali, me vëllain e tij.

Shpëtimi në xhami

Efendiu Sadet Bilalić është imami kryesor i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gacko dhe Bileqa, me seli qendrore në Gacko.

Ai thotë se Bashkësia Islame e Bosnjës e Hercegovinës po ndihmon aq sa ka mundësi përmes Këshillit të Merhametit. Hapësirat e xhamive me raste kanë qenë streha e vetme për migrantët. Ai po ashtu ka ndihmuar familjet në riatdhesimin e mbetjeve mortore.

Në tetor të vitit të kaluar, një bari nga Bileqa shtiu në drejtim të më shumë se dhjetë personave të shpërngulur në një shtëpi fqinje. Shumë prej tyre arritën të largoheshin, por një trup mbeti i shtrirë në dysheme. Trupi u varros në varresat e Bileqas ku Efendiu Sadet Bilalić e drejtoi ceremoninë mortore. I riu u varros si N.N pasi nuk kishte dokumente dhe ishte e pamundur të identifikohej.

“Gjatë aksidentit kishte edhe njerëz të tjerë me të, andaj provuam ta gjenim se kush ishte me ndihmën e tyre”, thotë Bilalić.

“Kontaktuam me ambasadorin e Marokut në Zagreb; u vërtetua se personi i vdekur ishte Said Addouu. Ai ishte 20 vjeç”.

Vendësit dhe vullnetarët kanë treguar mbështetje dhe bashkëndjenjë për njerëzit në lëvizje në Bosnjë e Hercegovinë, por ka pak shenja të një reagimi të organizuar nga autoritetet shtetërore. Foto: Sadet Bilalić.

Pas identifikimit të trupit, prindërit e Saidit thirrën nga Maroku.

“Ne biseduam me familjen dhe ua sqaruam se ku dhe si ishte varrosur”, thotë Bilalić. “E kishim një foto ku shihej vetëm një pjesë e fytyrës së tij, pasi ishte goditur në kokë. Kur e kuptuan se ishte bërë ceremonia e varrimit dhe ai ishte në varreza, ata pranuan që ai të mbetej i varrosur këtu”.

Komuniteti mysliman i Gackos dhe Bileqas është i vogël, por Bilalić thotë se po ndihmojnë aq sa munden. Në një nga komunikatat për shtyp të Bashkësisë Islame thuhet se në disa raste Bashkësia ka shpërndarë para, ushqim e barna dhe se do të vazhdojë të kontibuojë aq sa ka mundësi për të pakësuar vuajtjet e refugjatëve, migrantëve dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilët aktualisht gjenden në Bosnjë e Hercegovinë.

“Por kjo formë e ndihmës … nuk mund ta zëvendësojë një reagim sistematik nga autoritetet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Autoritetet shtetërore injorojnë çështjen

Dhe, cili është reagimi i autoriteteve shtetërore boshnjake ndaj çështjes së migrantëve të zhdukur? Është e thjeshtë: institucionet ose e injorojnë këtë çështje, ose thonë se përgjegjësia i takon një institucioni tjetër.

Sipas Ligjit për të Huajt dhe legjislacionit përkatës të Bosnjës, përgjegjësia ligjore për pjesën më të madhe të çështjeve të ndërlidhura me migrantët dhe refugjatët — përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollimin e lëvizjes dhe qëndrimit të të huajve — i takon Shërbimit të Bosnjës për Çështjet e të Huajve. Ky institucion është pjesë e pavarur e Ministrisë së Sigurisë; ka udhëheqësinë e vet dhe vepron në kuadër të fushës së vet ligjore.

Megjithatë, kur K2.0 e kontaktoi duke i kërkuar të dhëna dhe informata përkatëse rreth lëvizjes së migrantëve, Shërbimi mohoi se kjo ishte përgjegjësi e tyre.

Më pas, K2.0 kërkoi të dhënat për migrantët në Ministrinë e Sigurisë duke i pyetur për kompetencat e tyre në rastin e personave të zhdukur dhe mbështetjen që ua kanë dhënë institucioneve të tjera shtetërore. Pas dy javësh, Ministria u përgjigj:

“Ministria e Sigurisë e Bosnjës e Hercegovinës nuk i posedon informatat e kërkuara, andaj ju sugjerojmë ta kontaktoni Shërbimin për Çështjet e të Huajve”.

Shërbimi për Çështjet e të Huajve veçse ishte deklaruar se “nuk është përgjegjës për regjistrimin dhe kërkimin e personave të zhdukur” duke e drejtuar K2.0-në te “agjencitë e Bosnjës për zbatimin e ligjit”. Në pyetjen se për cilat agjenci në veçanti ishte fjala, Shërbimi nuk dha asnjë përgjigje.

Ministritë e Brendshme të Bosnjës gjithashtu thonë se kjo çështje nuk është kompetencë e tyre.   

Është shumë e vështirë të lidhësh identitetin — personin — me emrin.”

Ale Šiljdedić, Ministria e Brendshme e Kantonit Una-Sana

Ministria e Brendshme e Kantonit të Tuzllës, ku është i koncentruar një numër i madh i njerëzve në lëvizje, ka informata vetëm për katër vdekje në tri vitet e e fundit. Ata e dërguan K2.0-në përsëri te Ministria e Sigurisë dhe Shërbimi për Çështjet e të Huajve për informata më të hollësishme.

Ministria e Brendshme e Kantonit Una-Sana gjithashtu konfirmoi se është kompetencë e institucioneve të nivelit shtetëror për t’u marrë me këtë çështje.

Zëdhënësi i kësaj Ministrie, Ale Šiljdedić, i ofroi K2.0-së informatat e nivelit kantonal që posedonte dhe shpjegoi pse është e vështirë gjetja e vendndodhjes aktuale të personave të zhdukur të raportuar dhe e identitetit të të vdekurve.

“Për shembull, familja e kërkon dikë duke përdorur emrin dhe mbiemrin e vërtetë, derisa ai është i regjistruar me një emër tjetër”, thotë ai. “Nëse ai ka përdorur një emër të tretë në një vend tjetër, atëherë ne përfundimisht nuk e dimë cilin emër të përdorim për ta gjetur. Më vonë, është shumë e vështirë të lidhësh identitetin — personin — me emrin”.

Sipas të dhënave të tyre, 34 migrantë dhe refugjatë kanë vdekur në Kantonin Una-Sana që prej vitit 2018: katër vrasje, nëntë fundosje, 12 raste të vdekjes natyrore, katër vdekje si rezultat i aksidenteve rrugore, dy njerëz që kanë rënë nga vende të larta dhe tre persona të djegur në zjarre. Šiljdedić thotë se ka shumë gjasë që numri të jetë më i lartë, sepse nuk përfshin raportet e spitaleve.

Sipas tij, Ministria e Brendshme e nivelit shtetëror dhe Shërbimi për Çështjet e të Huajve duhet të kenë të dhënat për gjithë Bosnjën e Hercegovinën.

Krijimi i lidhjes mes njerëzve

Përveç ndihmës së vullnetarëve, njerëzit në lëvizje në Bosnjë dhe familjarët e tyre pranojnë mbështetje edhe nga Kryqi i Kuq i Federatës së Bosnjës e Hercegovinës. Në kuadër të mandatit të vet, Kryqi i Kuq ofron një shërbim kërkimi.

Aktualisht, në Federatë — një nga entitetet e Bosnjës e Hercegovinës — janë tri ekipe RFT (Rivendosja e Lidhjeve Familjare) të Kryqit të Kuq në Sarajevë, Bihaq dhe Tuzëll. Në tre muajt e fundit, ekipet regjistruan rreth 1,250 shërbime të ofruara, të fokusuara kryesisht në rivendosjen apo mbajtjen e lidhjeve familjare dhe kontakteve ndërmjet anëtarëve të familjes dhe personave në lëvizje.

“Anëtarët e ekipeve tona qarkulluese po ua mundësojnë personave në lëvizje të realizojnë thirrje telefonike me anëtarët e familjes, apo t’i mbushin bateritë e telefonëve, duke iu ofruar qasje në kartela interneti dhe mbushje telefonike”, thotë Indira Kriještorac, zëdhënëse e Kryqit të Kuq të Bosnjës.

Për më tepër, njerëzit kanë qasje në faqen “Gjurmo Fytyrën” (Trace the Face) në rast të ndarjes në rrugë. Në këtë faqe publikohen fotografitë e personave të zhdukur dhe nëse dikush që kërkon një të afërm e njeh personin e zhdukur nga fotografia, atëherë mund të bisedojë me zyrën më të afërt të Kryqit të Kuq për të rënë në kontakt. 

Çështja më e shpeshtë me të cilën përballen anëtarët e ekipeve që rivendosin lidhjet familjare në Federatë është fakti se Bosnja është shtet transit. Personat në lëvizje nuk qëndrojnë gjatë në këtë vend, andaj në kohën kur Kryqi i Kuq pranon një kërkesë, ka shumë gjasë që të kenë humbur gjurmët e personit të zhdukur.

Shpesh dihet pak për ata që vdesin sa janë në lëvizje, edhe pse disa organizata vendore dhe individë po bëjnë përpjekje për t’i zbardhur historitë e tyre. Photo: Nidžara Ahmetašević.

Rrëfimet për njerëzit e shpërngulur, të zhdukur apo të vdekur, shpërndahen edhe përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të internetit.

Portali Solidariteti Transballkanik — një kolektiv i njerëzve aktivë që mbështesin në mënyra të ndryshme njerëzit në lëvizje — ka krijuar një faqe përkujtimore për nder të viktimave të regjimit kufitar evropian në Ballkan. Faqja përmban fotografi të atyre që kanë vdekur në përpjekje për të arritur në BE, dhe bën këtë deklaratë të thjeshtë:

“Qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar për nder të viktimave të dhunës kufitare dhe brutalitetit policor në Balkan; për nder të të gjithë atyre të vdekurve, grave, burrave dhe fëmijëve, të cilët vdiqën derisa banonin, qëndronin apo migronin për në Evropë, përmes tokës apo detit. Qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar me familjet e tyre, motrat dhe vëllezërit, miqtë dhe komunitetet në të gjithë botën. Qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar për të kërkuar drejtësi për çdo jetë të humbur dhe të marrë, çdo fundosje, çdo arrestim dhe burgosje në kamp, çdo plumb të shkrepur, çdo shtyrje, torturë, rrahje dhe vuajtje të urisë që çoi në vdekjen e një njeriu!”

Evropa e paarritshme

Në korrik të këtij viti, një trup u gjet në brigjet e liqenit Bileqa. Efendiu Sadet Bilalić thotë se trupi ishte i dekompozuar, andaj ishte plotësisht e pamundur t’i njihej fytyra. 

“Autopsia e kryer nga Instituti për Mjekësi Ligjore në Trebinje tregoi se i vdekuri [ kishte një problem me zemër] e kishte diabetin dhe se kishte vdekur nga një sulm në zemër. Ai mbeti i paidentifikuar”, thotë Efendiu Bilalić. “Nuk e dinë se nga vinte … Pakistani, Bangladeshi, Afganistani … u varros si person i paidentifikuar dhe nuk ka fotografi të fytyrës sepse ishte e pamundur për t’u njohur”.

Është përgatitur edhe një shenjues varri N.N.K

Imazhi i ballinës: Kemal Softić / K2.0.

Kthehu prapa tek Monografia