Blogbox | Lokomotiva

Mendime mbi ndërthurjen

Nga - 18.11.2020

Shqyrtimi i anëve të ndryshme të identiteteve tona nuk është i lehtë, por i domosdoshëm. 

Të gjithë kemi pasur mundësi të dëgjojmë perspektiva të ndryshme kur vjen puna te diskriminimi dhe mënyra se si njerëzit përballen me të. Shumë aktivistë dhe të tjerë janë në gjendje dhe të gatshëm t’i shprehin përvojat e tyre personale me shtypjen dhe diskriminimin, duke e konsideruar identitetin e tyre si faktor të rëndësishëm. 

Por ka të tjerë që argumentojnë se “fiksimi” me identitete shoqërore nuk është asgjë më shumë se sa një arsyetim i personave të ndjeshëm të cilët nuk munden të jenë “të fortë” dhe të arrijnë gjëra në jetë — të cilat në fakt duhet të jenë të mirëqena por vështirë arrihen në një sistem të padrejtë — siç është e drejta për të qenë të lirë nga diskriminimi, të qenët të respektuar pavarësisht nga identiteti shoqëror, apo të hyrat bazike për të pasur një jetë më të mirë. 

Unë bëj pjesë në grupin e njerëzve të cilët besojnë se duke i kundruar identitetet tona shoqërore, mund të mësojmë se si secili prej nesh është i privilegjuar në mënyra të caktuara dhe i pafavorizuar në shumë të tjera. 

Gjithashtu besoj që shumë pikëpamje konservative mbi temën e identitetit shoqëror burojnë nga besimi që të shtypurit nuk janë të interesuar në shkatërrimin e shtypjes, por thjesht në zhvendosjen e balancit të fuqisë dhe në shtypjen e të privilegjuarve. Përpos që ky besim është i gabuar, me gjasë do të ishte një synim i paarritshëm edhe sikur të ishte i vërtetë; do të kërkonte zhbërjen e shtypjes që ka zgjatur me shekuj dhe zëvendësimin e personave në pozita të fuqishme kyçe. 

Por është e kuptueshme pse njerëzve u duket e vështirë të pajtohen me mënyrat se si identiteti i tyre shoqëror i ndikon, qoftë në mënyrë negative apo pozitive. 

Të analizojmë implikimet shoqërore të identitetit tonë nuk është detyrë e lehtë. Kjo përfshin, ndër të tjera, pranimin e fajit për mënyrat në të cilat kemi përfituar nga disavantazhi i dikujt tjetër dhe sfidimin e të menduarit tonë paragjykes. Megjithatë, çka është edhe më e vështirë është të rikujtohemi vazhdimisht për mënyrat se si identitetet tona shoqërore ndërlidhen dhe na lënë të cenueshëm e të margjinalizuar.

Përgjatë viteve, prizmi përmes të cilit mund ta kuptojmë më mirë shtypjen është zhvilluar dhe ka përfshirë sfera të shumta të jetës.

Pikërisht këtu hyn në punë koncepti i ndërthurjes, të cilin e ka krijuar në vitin 1989 Kimberle Crenshaw, avokatja zezake amerikane për të drejtat civile. Ajo ka dashur ta nxjerrë në pah faktin që jetët e njerëzve ndikohen në mënyra negative për shkak të ndërthurjes së identiteteve të tyre dhe ka argumentuar që gratë afrikano-amerikane janë diskriminuar për shkak që identitetet e tyre si zezake dhe si gra ndërlidheshin me njëra-tjetrën. 

Ajo ka argumentuar që ishte kjo ndërthurje e identitetit racor dhe gjinor që ka kontribuar specifikisht në diskriminimin e tyre. Prandaj ato nuk ishin parësisht të diskriminuara për shkak që ishin të racës së zezë apo për shkak që ishin gra, ndaras, por për shkak që ishin gra zezake. Para kësaj, ndërthurja e identiteteve nuk merrej seriozisht në gjykatë në raste të diskriminimit — ke mundur të ngrisësh rast të diskriminimit me bazë racizmin apo seksizmin, por jo ndërlidhjen e të dyjave. 

Përgjatë viteve, prizmi përmes të cilit mund ta kuptojmë më mirë shtypjen është zhvilluar dhe ka përfshirë sfera të ndryshme të jetës. Këtu hyn raca, gjinia, orientimi seksual, aftësitë e kufizuara, etnia, statusi socio-ekonomik dhe të gjitha aspektet e një personi të cilat munden ta shtojnë shtypjen.

Bashkë drejt drejtësisë shoqërore 

Kur e përqafojmë këtë këndvështrim mund t’i kuptojmë më mirë mënyrat përmes të cilave kemi ndikuar jetët e njerëzve, qoftë personalisht apo në nivel institucional. 

Në Kosovë gjatë viteve të fundit është rritur vëmendja nga OJQ-të dhe aktivistët shoqërorë kur bëhet fjalë për ndërthurjen dhe rëndësinë e identitetit shoqëror në përvojat personale me diskriminimin. Gjithnjë e më shumë njerëzit kanë filluar të kuptojnë që cilado betejë për drejtësi shoqërore e cila e sheh suksesin individual si qëllim të vetëm dhe nuk merr në konsideratë barrierat e shumta që i pengojnë grupet e margjinalizuara të arrijnë sukses, nuk është shumë e dobishme. 

Në fakt, ajo vetëm ruan një sistem të vlerave shoqërorei cili fajëson njerëzit për problemet e veta dhe i sheh faktorët e jashtëm si dështime të tyre personale.

Nëse ne si aktivistë pranojmë dallimet tona dhe vështirësitë për t'u bashkuar, do të mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin në betejat tona për drejtësi shoqërore.

Duhet të mundohemi ta shkatërrojmë këtë çekuilibër të fuqisë. Aktivizmi duhet të përfshijë një pikëpamje të ndërthurjes nëse duam të arrijmë drejtësi për të gjithë. Konsiderimi i të gjitha këtyre aspekteve na ndihmon të kuptojmë më mirë se për çka jemi duke luftuar dhe për çka duhet të luftojmë, ose më thjesht si të bëhemi aleatë më të mirë të njerëzve të cilët kanë nevojë për ndihmën tonë. 

Sigurisht, më lehtë të thuhet se të bëhet — pjesërisht për shkak që shumë grupe shoqërore të margjinalizuara kanë internalizuar mënyrën shtypëse se si shoqëria i shikon dhe nuk arrijnë të shikojnë dobinë e bashkimit me grupet e tjera shoqërore për të arritur lirinë. 

Këto vlera të internalizuara — që përfshijnë por nuk ndalen te mizogjinia, racizmi, homofobia dhe transfobia — mund t’i pengojnë personat e margjinalizuar nga të kuptuarit që janë në disavantazh. Ata diskriminohen nga të tjerët pastaj e internalizojnë fajin dhe paragjykimin, duke e bërë më të vështirë luftën për drejtësi shoqërore dhe empatinë me grupet e tjera të cilat mund të jenë të margjinalizuara. 

Nëse ne si aktivistë i pranojmë — në vend që t’i mohojmë — dallimet tona dhe vështirësitë për t’u bashkuar dhe në të njëjtën kohë vërejmë ndikimin e tyre në jetën tonë të përditshme, do të jemi në gjendje të bashkohemi dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në betejat tona për drejtësi shoqërore. Shkrimtarja, avokatja për të drejtat civile dhe kontribuesja e njohur në pikëpamjen e ndërthurjes, Audre Lorde, ka folur në shumë nga esetë e saj për prapavijën e saj si grua e racës së zezë e cila ishte gjithashtu lezbike dhe vështirësitë që i ka pasur në rrethet feministe, të cilat ishin kryesisht të përbëra nga gratë e bardha. 

Ajo ka thënë: “Nuk janë dallimet tona ato që na ndajnë. Është paaftësia jonë për të njohur, pranuar dhe festuar këto dallime”. Përmes këtij prizmi të ndërthurjes ne mund të krijojmë solidaritet dhe të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët të barazisë për të gjithë dhe jo vetëm privilegjit për disa.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.