Në thelb | Zgjedhjet2021

Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh për ekonominë

Nga - 12.02.2021

Me zgjedhje gati çdo dy vjet, midis premtimeve të largëta, K2.0 dëgjon ide për zgjidhje.

Ani pse zgjedhjet janë bërë ndodhi e shpeshtë në Kosovë, diskutimi për atë që njëmend ka rëndësi për jetën e zgjedhësve është i rrallë. 

Në tubimet e partive politike, debatet televizive e në atë që shkruhet e thuhet nga dhe për partitë politike flitet shumë për llogaritje e manovrime partiake, sondazhe, slogane e njerëz, e më pak për çështje praktike që në thelb do t’i njoftonin votuesit se çfarë mund të presin pas fushatave zgjedhore. Në parim, vetë fushatat zgjedhore do duhej të ishin në funksion të këtij qëllimi — që votuesit të dinë për çfarë po votojnë.  

Midis gjithë kësaj e mbi të gjitha, për ta sfiduar këtë kontekst, në K2.0 kemi folur me ekspertë të fushave të ndryshme dhe përmes përgjigjeve të tyre jemi përpjekur të radhisim disa prej çështjeve që nuk diskutohen e që janë të rëndësishme për votuesit në këtë 14 shkurt. 

Përmes serisë “Zgjedhjet 2021, një perspektivë tjetërqysh”, në tetë artikuj të fokusuar në nga një lëmi shtjellojmë se çka konkretisht nuk po merr vëmendjen e duhur, cila është situata e tanishme dhe çka duhet bërë që gjërat të ndërrojnë në favor të qytetarëve. Po ashtu, provojmë që përmes ofrimit të zgjidhjeve largpamëse të informojmë votuesit e ta kthejmë mirëqenien e tyre në qendër të diskutimit.

Perspektivë tjetërqysh për rritjen tonë si shtet 

Tentativat sporadike e në thelb të paqëndrueshme të qeverive të njëpasnjëshme për përparim ekonomik, kanë bërë që sfidat e Kosovës në këtë fushë, edhe ashtu të shumta, të thellohen tutje, sidomos së fundmi. Tashmë një vit më parë, me paraqitjen e rasteve të para të të prekurve me Covid-19, u ndërmorrën masa shtrënguese për parandalimin e përhapjes së virusit – masa që i kushtuan shumë ekonomisë.

Në shumicën e sektorëve ekonomikë dhjetëra-mijëra punëtorë humbën vendet e tyre të punës, teksa edhe të hyrat buxhetore të shtetin u zvogëluan. Për vitin 2020, Banka Qendrore e Kosovës raportoi rënie të aktivitetit ekonomik për 5.9 përqind. 

Përbrenda përpjekjes për ta zbutur këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar nga Covid-19, në vitin 2020, u ofruan dy pako qeveritare: fillimisht, Pakoja Fiskale Emergjente, në fund të marsit, me rreth 178 milion euro dhe më pas Ligji për Rimëkëmbje, me 200 milion euro, i miratuar në nëntor, por i pashpërndarë plotësisht ende.  

E edhe në këtë fushatë, siç ndodh rëndom, kandidatët e të gjitha partive garuese patën gojën plot zotime për ‘‘ndihmë për ekonominë’’ e ‘‘zhvillim ekonomik’’. Por, përtej deklaratave, çka parashohin programet e tyre për atë se si mund të arrihet zhvillimi ekonomik në Kosovë?

Përkundër dallimeve midis partive, programet e tyre politike në këto zgjedhje i bashkon pika e nisjes, e që është kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19

AAK-ja e përmbledh planin për zhvillim ekonomik në dy shtylla: “Pakoja e Rindërtimit” dhe “Aleanca për Zhvillim”. Për ta, këto shtylla paraqesin përmbledhje të masave e politikave ndërhyrëse që, sipas tyre, u përgjigjen çështjeve akute, me të cilat po ballafaqohet vendi dhe që njëherit shtrojnë rrugën që të kalohet nga rindërtimi në ristrukturim e zhvillim. ‘‘Kështu arrijmë deri te shërimi i plotë ekonomik’’, thotë programi i tyre. 

AAK-ja parasheh edhe masa për ‘‘ndihmë të bizneseve’’ dhe ‘‘ndihmë për qytetarë’’ përmes ndarjes së miliardave eurosh për dy kategoritë dhe aplikimit të lehtësirave fiskale dhe lehtësirave në marrjen e kredive. 

PDK-ja premton themelimin e fondit me mbi 500 milion euro në ndihmë të bizneseve, uljen e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave nga 10%, në 8%, 7%, 5% dhe 0%, varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve. Gjithashtu, PDK zotohet që bizneset e individët do përfitojnë kredi duke rritur kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive deri në 100% dhe premton garantimin e projekteve të ndryshme investuese në shumë prej 100% për bizneset. 

Në anën tjetër, LDK-ja e përmbledh premtimin për zhvillim ekonomik të vendit në 5 pika, në të cilat parasheh ndihmë ndaj bizneseve përmes granteve, mbështetje për zonat ekonomike, mbrojtje për investiorët e rinj dhe inkurajim të bizneset që të formalizohen. Gjithashtu, parasheh që t’i lirojë bizneset nga tatimet për lëndën e parë, përkrahje për sektorin e IT-së dhe shtyrjen drejt digjitalizimit të ekonomisë dhe adminstratës publike. LDK, ndër tjera, synon që t’i reduktojë transaksionet me para të gatshme, t’u ofrojë mbrojtje konsumatorëve për shërbimet financiare dhe ta integrojë BQK-në në mekanizmat ndërkombëtarë.

VV-ja premton që me politikat e saj do të krijojë më shumë hapësirë për gratë, rininë dhe mërgatën. ‘‘Një ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës, e më shumë respektim të të drejtave të punëtorit’’, thotë ajo në program politik. VV premton edhe rritje të pagës minimale, nga 135/170 në 250 euro në muaj, shtesa për fëmijët e sapolindur, pushim të lehonisë 12 muaj, pjesërisht të paguar nga shteti, heqje të obligimit që TVSh-së në kufi, punësim të garantuar për të rinjtë e moshës 16-18 vjeçare deri në 1 vit. Largimi i monopoleve dhe konkurrencës së padrejtë, si dhe kryerja e pagesave me kohë për secilin kontraktim nga sektori publik janë premtime tjera nga VV. 

Për një zhvillim ekonomik që njëmend vendos qytetarët dhe nevojat e tyre në fokus, kemi folur me dy ekonomistë: Florin Aliu, Ligjërues Universitar për Ekonomi dhe Dita Dobranja, Specialiste e Ekonomisë, me ekspertizë në analizën e tregut të punës. 

Në pyetjet tona për atë se çfarë na mungon, çfarë aspiratash do duhej të kemi dhe si do të mund të vijë ndryshimi, kështu u përgjigjën ata:

Çka po na mungon?

Florin Aliu, Ligjërues Universitar për ekonomi

Zhvillimi është një proces i ngadalshëm, por shumë i vështirë. Sot, shumë vende gjenden në faza shumë të ulëta të zhvillimit dhe arsyet janë të ndryshme. [Ekonomisti] Micheal Spence në librin e tij ” Next Convergence” trajton problemet e rritjes ekonomike në shumë vende dhe arsyeton pse disa vende kane tempo me te ulët të rritjes ne raport me të tjerat. Në një pjesë të librit trajtohet ideja kur FMN  [Fondi Monetar Ndërkombëtar] i kërkon Koresë së Jugut të specializohet për prodhimin e orizit. Koreja e Jugut nuk e pranon për shkak se konsideron që edhe nëse bëhet vendi i parë në botë për prodhimin e orizit, prapëseprapë orizi ka çmim të vogël në treg dhe do te jenë të varfër. Prandaj, Koreja e Jugut fokusohet ne industrializimin e vendit dhe dihet sot se ku është me nivelin e të ardhurave. 

"Pasi emigrimi ekonomik konsiderohet si problem kryesor, atëherë duhet t’i qasemi ekonomisë seriozisht."

Prandaj, edhe nëse kthehemi në kontekstin e Kosovës, shumë industri japin vlerë të vogël në treg për shkak te çmimeve shumë te ulëta të output-eve të tyre. Për shembull, merreni sektorin e gastronomisë, ku pagesat janë shumë të ulëta dhe në këtë rast stimulohet edhe informaliteti. Prandaj mendoj që ne duhet te bëjmë analiza dhe studime që ta zhvendosim fuqinë tonë punëtore drejt sektorëve që japin vlerë me të lartë (fitime dhe si rezultat te ardhura më të larta për punëtoret). Pasi emigrimi ekonomik konsiderohet si problem kryesor, atëherë duhet t’i qasemi ekonomisë seriozisht.

Dita Dobranja, Specialiste e Ekonomisë, me ekspertizë në analizën e tregut të punës: 

Vizioni ose qasja gjithëpërfshirëse e zhvillimit të qëndrueshëm. Është viti 2021, jemi në mes të një pandemie, e cila përveç ndikimit të rëndë në shëndet, ka shkaktuar probleme globale ekonomike. Nuk mund të flasim më për zhvillim në suaza të ngushta, të zhvillimit të biznesit, apo të sektorëve specifikë. Është e qartë që sektorët e zhvillimit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe nuk duhet të fokusohemi vetëm në një aspekt ose tjetrin. Zhvillimi i sektorit privat duhet të drejtohet nga krijimi i vlerës së shtuar, krijimi i vendeve të punës, por mbi të gjitha nga inovacioni dhe zgjidhja e problemeve të shoqërisë dhe ekonomisë me anë të ideve inovative. 

Në aspektin e punësimit, nga ana e sektorit publik duhet të zhvillohen dhe implementohen politika dhe legjislacion i cili përkrah investimin në shkathtësi dhe aftësi të nevojshme për shekullin 21, por po ashtu të mbrojë të punësuarit, jo duke i ndëshkuar punëdhënësit, por duke krijuar ambient rregullativ që nuk lejon përfitimin e njërës palë në dëm të palës tjetër. Këtu përfshihet edhe reforma e Ligjit të Punës rreth pushimit prindëror. Nga ana e sektorit privat duhet të ofrohen mundësitë e zhvillimit të aftësive dhe shkathtësive të të punësuarve, të mundësohet orientimi në karrierë, në mënyrë që talenti të mbetet brenda Kosovës dhe t’i ofrohet mundësia e zbatimit në ekonominë e Kosovës.

Cilat qëllime duhet të na prijnë?

Florin: Sot, zhvillimi ekonomik matet me nivelin e të ardhurave, ose për ta thjeshtuar, me nivelin e rritjes ekonomike (PBB). Të gjitha problemet e tjera janë derivate të këtij problemi. Cili është çelësi i ngritjes se tempos së rritjes ekonomike është vështirë të thuhet, pasi mungojnë studimet. 

Disa probleme kemi arritur t’i identifikojmë, siç janë ato që lidhen me sistemin financiar për shkak të problemeve të financimit të firmave dhe kostos së financimit. Mirëpo, zhvillimi duhet të realizohet në bazë të një plani integral për ristrukturimin e ekonomisë, gjithmonë bazuar në studime. 

Pse po i përmend studimet – sepse janë e vetmja formë për identifikimin e problemeve të zhvillimit. Duke marrë parasysh nivelin e diskutimeve në terrenin mediatik, po e përmend një nobelist amerikan Daniel Kahneman. Ai konsideron dy forma të të menduarit, që ai i quan të menduarit e shpejtë (sistemi 1) dhe të menduarit e ngadalshëm (sistemi 2). Në sistemin 1, Kahneman klasifikon të menduarit dhe veprimet automatike qe rrjedhin si rezultat i kujtesës së njerëzve, ndërsa të menduarit e ngadalshëm lidhet me analizën e thellë mbi çështjet dhe problemet e caktuara. Kahneman thotë që edhe kafshët mbijetojnë me sistemin 1, po ashtu edhe njerëzit. Kjo m’i kujton diskutimet në vendin tonë mbi ekonominë që lidhen me sistemin 1, pra të menduarit e shpejtë dhe për këtë arsye ne s’kemi progres sepse mungojnë analizat.

Dita: Tash është koha e fundit të fokusohemi në një ekonomi, e cila bën ndërlidhjen e të gjitha aspekteve, duke përfshirë ambientin, me ide dhe qasje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse – duke mos lënë anash grupet e nënpërfaqësuara, si ato etnike, ashtu edhe gratë e rininë, e mbi të gjitha, të ndërtojmë një ekonomi që nuk i përkeqëson pabarazitë, por që e zhduk varfërinë dhe pabarazinë. Aspiratat në aspektin e qëndrueshmërisë duhet të përqendrohen në ruajtjen e ambientit, promovimin e ekonomisë së gjelbër, përfshirë këtu edhe energjinë e ripërtëritshme. 

"Duhet të prioritizojmë fuqizimin e vajzave dhe grave, si në arsim, ashtu edhe në ekonomi."

Në aspektin e arsimit dhe punësimit, duhet të fokusohemi në promovimin e shkathtësive dhe aftësive të cilat do të transformojnë modelin ekzistues ekonomik. Përveç kësaj, për të evituar probleme afatgjata, duhet të punohet drejt zhdukjes së hendekut të pabarazisë në nivele të ndryshme. Duhet të prioritizojmë fuqizimin e vajzave dhe grave, si në arsim, ashtu edhe në ekonomi. Por, mbi të gjitha, aspirata jonë kryesore duhet të jetë qasja e cila fokusohet në zgjidhjen e problemeve – cilatdo qofshin ato.

Zgjidhja inovative e problemeve, ekonomike, shoqërore, ambientale, çon drejt një vizioni ekonomik më gjithpërfshirës, që të mundësohet qëndrueshmëria e shoqërisë dhe e ekonomisë. Duhet të ndiqen shembuj të vendeve që kanë prioritizuar zhvillimin njerëzor dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Këto prioritete kanë sjellë zhvillim ekonomik më substancial se prioritizimi i ekonomisë, dhe kjo është diçka që ne duhet të kemi si model. 

Si të arrijmë te ndryshimi?

Florin: Problemi bazë i ekonomisë së Kosovës është papunësia dhe emigrimi si rezultat i papunësisë dhe nivelit të ulët të të ardhurave. Atëherë pyetja e natyrshme është: si të zvogëlohet papunësia dhe si rritet niveli i të ardhurave? Përgjigjja është shumë e thjeshtë për t’u thënë, mirëpo shumë e vështirë për t’u realizuar, dhe ajo është rritja ekonomike – PBB. Kosova duhet të arrijë tempon e rritjes në nivelin e 8% deri ne 9% në mënyrë që të kemi frymëmarrje te lehtësuar. 

Prandaj qeveria e ardhshme duhet të ketë fokus ekonominë dhe vetëm ekonominë përmes studimeve të thelluara me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Arsyeja pse po i përmend ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë është sepse e kam bindjen që problemet nuk janë mjaft të identifikuara. Veprimet e ekonomisë sonë duhet të konkurrojnë në një treg botëror. Ne çdo ditë blejmë produkte kineze, pra jemi në konkurrencë edhe me Kinën, e të mos flasim për ekonomitë e rajonit. 

Dita: Për të mos e zgjatur shumë, ndryshime rrënjësore në qasje dhe në vizion.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.