Valbona Marku, Klara Marku, Donjeta Pajazitaj, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Diana Kastrati.
Kur i dëgjojmë emrat e tyre, shumë prej nesh kaplohemi nga zemërimi, dhimbja dhe pyetjet e papërgjigjura.
Valbona Marku, Klara Marku, Donjeta Pajazitaj, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Diana Kastrati.
Kur dëgjuam për vdekjet e tyre, shumë prej neve instinktivisht e me të drejtë na e mori mendja që ato u vranë prej partnerëve, burrave a baballarëve të tyre.
E kemi përbrendësuar dhe e presim. Gratë abuzohen nga burrat dhe gratë vriten nga burrat.
Sebahate Morina.
I njëjti mendim erdhi kur më 14 mars u raportua lajmi për vdekjen e 42-vjeçares Sebahate Morina. Ajo u gjet e vdekur, bashkë me ish-bashkëshortin e saj, rast ky që po hetohet si vrasje e Sebahates dhe vetëvrasje nga ish-bashkëshorti i saj, L.S.
Dhjetëra njerëz u mblodhën në heshtje, duke sjellë lule e duke ndezur qirinj në kujtim të Sebahates.
Me dhimbje e zemëratë, më 18 mars, një grup qytetaresh organizuan aksione në Prishtinë dhe mbajtën shkronja që formonin fjalët “Asnjë ma shumë”. Aksioni përfshiu qëndrimin përpara Policisë, Prokurorisë dhe Qeverisë, objekte këto që strehojnë tri institucionet kryesore përgjegjëse që dështuan t’ia shpëtojnë jetën Sebahates. Fotografitë e aksionit u përcollën nga një thirrje për t’u bashkuar e për ta kujtuar Sebahaten në një manifestim të heshtur, po atë mbrëmje.
Dhjetëra njerëz u mblodhën në heshtje, duke sjellë lule e duke ndezur qirinj në kujtim të Sebahates e për të shprehur ngushëllimet e tyre për familjen. Aty dëgjuam njërën nga familjaret e saj, teksa e përshkuar nga emocionet tha: “Qoftë ajo [Sebahatja] gruaja e fundit që vritet.”
Derisa qytetarët po pastronin pas shpërndarjes së turmës, mblodhën edhe shkronjat e togfjalëshit “Asnjë ma shumë”, sikur në heshtje e dinin që me gjasë, Sebahate Morina nuk do të jetë e fundit.
Sebahate Morina
Sebahate Morina u vra në mëngjesin e një të diele. Të dielat zakonisht konsiderohen si ditë të lehta. Por, nuk ka ditë të lehtë për gratë e ngujuara nëpër shoqëri ku dhuna kundër tyre është normë. Kur kjo dhunë është edhe e institucionalizuar, askush nuk duhet të ndihet lehtë.
Ajo e diel ishte hera e fundit që Sebahatja përjetoi çfarëdo dhune, por nuk ishte e para. Mbi të gjitha, atyre që duhej ta dinin — Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit — u ishte treguar zëshëm dhe qartë që Sebahatja po abuzohej.
Vdekja nuk duhet të shënojë pikën përfundimtare të abuzimit. Ndërprerja e abuzimit, pra vazhdimi i jetës, duhet të jetë çfarë presim.
Njëmbëdhjetë ditë mosveprim
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë i patën 11 ditë për t’ia shpëtuar jetën Sebahates.
Në komunikatën për media të 16 marsit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë u tha: “[…]më 03.03.2021, ka iniciuar rastin ‘dhunë në familje’, kundër të dyshuarit (tani i ndjeri) L.S.”, pas raportimit të së bijës së Sebahates në polici se nëna e saj po abuzohej.
Prokuroria Themelore shtoi se pas intervistimit të Sebahates, e njëjta kishte refuzuar ndihmën mjekësore, se ajo kishte pasur një mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj, i cili e kishte sulmuar fizikisht, se kjo ishte diçka momentale dhe se Sebahatja kishte thënë që nuk dëshironte ta ndiqte tutje rastin.
Për “të sqaruar ende këto rrethana”, Prokuroria Themelore thotë se e kishte intervistuar ish-bashkëshortin e Sebahates, i cili kishte mohuar ta ketë abuzuar Sebahaten. Komunikata shton se Sebahatja ishte ftuar për një intervistë shtesë më 4 mars dhe se e njëjta “përsëri” nuk ishte paraqitur për intervistim.
Më 3 mars, ishte detyrë e policisë dhe prokurorisë ta dinin se ai mund të ishte duke planifikuar ta vazhdonte më tej dhunën kundër Sebahates.
A ishte mohimi i abuzimit nga L.S. më i besueshëm se sa raportimi i abuzimit nga Sebahatja? A u desh që Sebahatja të ndërtonte një rast më të mirë? Të zgjidhte fjalë më të mira? Çka dëshiron Prokuroria Themelore të thotë me fjalën “përsëri”, kur e njëjta konfirmon të ketë intervistuar Sebahaten një herë? Sa herë duhej të paraqitej Sebahatja në polici, që policia të bindej për ta ndaluar abuzimin e saj? Përse paraqitet mungesa e Sebahates si veprim i përsëritur, kur veprimi i vetëm i përsëritur ishte dhuna kundër saj?
Që të dyja, edhe policia dhe Prokuroria Themelore kishin dëshmi që raportimi i fundit për abuzimin nga L.S. nuk ishte ndodhi e izoluar.
Një raport i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) më 17 mars thotë që L.S. ishte dërguar në mbajtje në vitin 2019 për abuzim ndaj Sebahates. Për më shumë, i njëjti raport tregon që Sebahatja kishe pasur urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit të saj deri në fund të vitit 2020.
Më 3 mars, ishte detyrë e Policisë dhe e Prokurorisë Themelore ta dinin se L.S. mund të ishte duke planifikuar ta vazhdonte më tej dhunën kundër Sebahates.
Që të dyja, Policia dhe Prokuroria Themelore veç e kishin të regjistruar dhunën e L.S. kundër Sebahates. Çka po prisnin më shumë nga Sebahatja?
Ishte detyrë e Policisë dhe Prokurorisë Themelore t’i bënin llogaritë — kur Sebahatja ka thënë që kishte pasur një mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj, ajo poashtu ka përmendur që ai e kishte sulmuar fizikisht.
Fakti që Prokuroria Themelore e la këtë punë te “mosmarrëveshja” lexohet sikur ata zgjodhën t’i mbyllin sytë përpara pjesës së abuzimit. Dallimi është që kur kemi mosmarrëveshje, kemi agjenci. Kur abuzohemi, ajo agjenci na merret.
Sipas raportit të IKD-së dhe RrGK-së, Prokuroria Themelore nuk ndërmori as edhe një veprim të vetëm gjatë 11 ditëve midis 4 marsit dhe 14 marsit, ditës së vdekjes së Sebahates. Detyra për ta ndjekur rastin ishte e tyre, jo e Sebahates.
Një grua që abuzohet vazhdimisht nuk mund t’i luftojë të gjitha betejat. Sebahatja edhe ashtu tashmë kishte luftuar tepër. Ishte radha e policëve dhe prokurorëve ta bënin pjesën që u takonte në ndjekjen e rastit.
Nëse policia dhe prokuroria nuk arritën t’i bashkonin pikat, kush mungoi njëmend? Sebahatja apo Policia?
Fakti që Sebahatja nuk u paraqit për një intervistë shtesë do të duhej të ishte alarm për policinë dhe prokurorinë. A menduan ata, qoftë veç një herë, në ishte gjallë apo jo Sebahatja? A u brengosën se mungesa e Sebahates në intervistën shtesë mund të nënkuptonte që ajo po abuzohej në atë çast, apo se mbase në atë moment ajo ishte në rrezik të atypëratyshëm?
Sebahatja e bëri pjesën e saj. Si viktimë e dhunës së përsëritur, ajo veç e kishte shpjeguar veten tepër shumë herë. Nëse policia dhe prokuroria nuk arritën t’i bashkonin pikat — duke i pasur të gjitha faktet në tavolinë — atëherë kush mungoi njëmend? Sebahatja apo Policia?
Duke vënë theksin te ajo se si Sebahatja “nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin” dhe në atë që “e njëjta përsëri nuk është paraqitur në Stacion policor” për intervistë shtesë, praktikisht, prokuroria po thotë “e ka lypë”.
Kjo lojë fajesh duhet të mbarojë, sepse ne nuk jemi duke luajtur. Është urgjente që mos ta bëjmë dhunën kundër grave më pak të fajsueshme duke i mveshur justifikime.
Vdekja e Sebahates ishte e parandalueshme, siç janë vrasjet e shumë grave të tjera në Kosovë dhe përtej.
Femicidi në Kosovë dhe përtej
2020-tën mund ta mbajmë mend si vitin kur jeta ndaloi për pak, të paktën në krahasim me mënyrën se si jetonim më parë. Por, për shumë gra në Kosovë, viti 2020 ishte viti kur jeta mori teposhtëzen edhe më shumë. Të ngujuara nëpër shtëpi me abuzuesit e tyre, izolimi nënkuptoi që edhe më shumë gra u bënë viktima të dhunës në familje.
Sipas Policisë së Kosovës, numri i rasteve të dhunës në familje u rrit për 105 vitin e kaluar, nga 1,915 në 2,020 në vitin 2020.
Të dhënat tregojnë që shumica prej viktimave janë gra dhe shumica e dorasve janë bashkëshortët ose partnerët e tyre. Vetëm në 2020, u raportua zyrtarisht se gjashtë gra u vranë nga partnerët e tyre — këto janë gjashtë që i dimë zyrtarisht.
T’i thërrasim në emër vdekjet e këtyre grave. Gratë po vriten sepse janë gra dhe ky është femicid.
Anembanë botës, mbledhja e të dhënave për femicid mbetet sfidë për shkak të përpjekjeve të kufizuara institucionale për ta përmirësuar procesin. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është veçanërisht sfiduese sepse në shumicën e vendeve, “sistemet e të dhënave të policisë dhe të atyre mjekësore që dokumentojnë rastet e homicidit nuk kanë informacionin e nevojshëm ose nuk raportojnë marrëdhënien viktimë-doras apo motivet e vrasjes, lëre më motivacionet për vrasje që lidhen me gjininë”.
Me fjalë të tjera, mbledhja e të dhënave për vdekjet e grave nuk është prioritet i lartë politik, shoqëror a shëndetësor. Mbase për shkak se ato kryesisht shkaktohen prej burrave dhe më së shpeshti prej partnerëve; apo mbase për shkak se sistemet e pushtetit nuk duan të ekspozojnë shtypjen dhe rreziqet që rrjedhin prej strukturave patriarkale.
Gratë nëpër të gjitha sferat e jetës përjetojnë frikë, luftë e dhimbje të përditshme, të cilat janë alarmueshëm të ngjashme kudo.
Një protestë për të sfiduar pikërisht struktura të tilla u mbajt më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Aktivistet dhe aktivistët kërkuan përfundim të dhunës me bazë gjinore dhe femicidit në Kosovë, me thirrjen “Marshojmë s’festojmë, kundër patriarkatit që vret”. Qindra protestues thirrën emrat e grave që u vranë përgjatë viteve, me shpresën që ato do të kujtohen dhe që shoqëria në përgjithësi do t’i dëgjojë ata emra dhe të bëjë pjesën e saj në parandalimin e vrasjeve sistemike dhe sistematike të grave.
Edhe pse ekziston një prirje që bota dhe çështjet njerëzore të ndahen nëpër linja ekonomike apo dallime politike, betejat e grave në Kosovë dhe tjetërkund, tani më shumë se kurrë, kanë dëshmuar që shkojnë përtej këtyre kufijve ndarës të ngritur nga njerëzit. Mjerisht, gratë nëpër të gjitha sferat e jetës përjetojnë frikë, luftë e dhimbje të përditshme, të cilat janë alarmueshëm të ngjashme kudo. Këtë e dëshmojnë protestat që po thirren në mbarë botën për të kërkuar vëmendje publike, njohje e fund të femicidit.
Së fundi, manifestime përkujtimore u organizuan nëpër qytete të Britanisë së Madhe pasi trupi i Sarah Everads u gjet në zonën malore Kent — ajo u pa e gjallë për herë të fundit teksa po shkonte në banesën e saj në Londër, në një mbrëmje në fillim të marsit. Zhdukja e saj nxiti vërshim tregimesh nga gratë të cilat rrëfyen se sa të pasigurta ndihen në baza ditore në jetën e tyre të përditshme.
Vitin e kaluar, Bianca Alejandrina Lorenzana pati fat të ngjashëm në Meksikë, kur doli nga shtëpia për të mos u kthyer më kurrë. Trupi i saj u gjet i copëtuar e i mbështjellur me plastikë. Rasti i saj nxiti protesta për të kërkuar drejtësi për të dhe për të kthyer vëmendjen drejt faktit që mesatarisht 10 gra vriten çdo ditë në Meksikë dhe drejt faktit që rastet e femicidit atje janë rritur për 137% në pesë vitet e fundit.
Pınar Gültekin u gjet e ngulfatur, e rrahur dhe e varrosur në një shportë të mbuluar me beton në malet Mugla të Turqisë verën e kaluar. Protestues u mblodhën në Stamboll dhe qytete të tjera të Turqisë, sërish për të protestuar rritjen e numrave të femicidit.
Këto vrasje janë të qëllimshme, të planifikuara dhe të ekzekutuara me një mesazh: Trupat dhe jetët e grave janë për t’u flakur tutje dhe për t’u kontrolluar nga burrat.
Këto vrasje janë të injoruara, harruara e të trajtuara me një mesazh: Gratë mund të kërkojnë ndihmë dhe drejtësi, por institucionet që duhet t’i ruajnë të drejtat e tyre themelore për jetë me shumë gjasë përfundojnë duke ndjekur të njëjtat rregulla patriarkale si edhe vrasësit e grave.
Duhet ta vëmë fajin dhe të kërkojmë llogaridhënie aty ku duhet.
Duhet që kolektivisht të ndalojmë zvogëlimin e peshës së këtyre rasteve përmes trajtimit të tyre si ndodhi të veçanta ose raste të izoluara dhe mediat duhet të mos i raportojnë ato si të tilla. Duhet t’i hapim sytë ndaj faktit që mbi gjysmën e popullatës sonë po ushtrohet dhunë strukturore. Dhe duhet ta trajtojmë si të tillë.
Duhet të fillojmë të presim sjellje të tjera nga burrat. Të presim nga burrat që të kryejnë këto krime të tmerrshme do të thotë të pranojmë që kjo dhunë është sjellje normale.
Duhet të ndalojmë së jetuari jetët tona me idenë që dhuna është karakteristikë e lindur e burrave dhe se gratë duhet të ndërrojnë sjelljet me qëllim që të mos e nxisin atë dhunë e të mos bëhen viktimë e saj. Ndërkohë që ne vazhdojmë të humbim jetë dhe të presim se do të humbim edhe më shumë jetë, narrativa duhet të ndryshojë. Duhet ta vëmë fajin aty ku e ka vendin dhe të kërkojmë llogaridhënie prej atyre që duhet të japin llogari.
Prandaj, mos bëj shaka me shoqen kur ajo të tregon se nuk mund ta kapërcejë as rrugën pa qenë e ngacmuar seksualisht nga një numër burrash. Merre seriozisht kur ajo të tregon që xhelozia e të dashurit të saj ia pamundëson takimin me miq. Ndihmoje kur ajo është e bllokuar dhe nuk e di se si apo ku ta raportojë bashkëshortin e saj abuziv. Dëgjoje kur ajo e shpjegon se si dhe përse nuk mund ta raportojë atë, përkundër dhimbjes.
Ti, mbase do ta shpëtosh një jetë.
Kërko nga policia, gjykatësit dhe prokurorët të zbatojnë ligjet që janë aty për t’i mbrojtur gratë.
Ata, mbase do ta shpëtojnë një jetë.
Sebahate Morina, Valbona Marku, Klara Marku, Donjeta Pajazitaj, Antigona Morina, Zejnepe Berisha, Dafina Zhubi, Diana Kastrati.
Duhet t’i përsërisim këta emra, që historitë dhe fatet e tyre të mos përsëriten.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.