Vajzat që muzikën e kanë armën më të fortë kundër patriarkatit.
Grupi muzikor Pretty Loud(Mjaft zhurmshëm) ka qenë aktiv në Serbi që nga viti 2014. Anëtaret e tij, 12 sosh, kryesisht jetojnë në qytetin fqinj të Beogradit, Zemun. Muzika e tyre është një përzierje e popit, repit dhe muzikës tradicionale rome, kurse tekstet i kanë të shkruara në gjuhën serbe, rome dhe angleze, gjë që i bën ato një grup mjaft unik.
Ato janë shumë politike dhe aktive, që nuk është tipike për gjeneratat e Ballkanit të cilat i përfaqësojnë.
Ato i përdorin tekstet e tyre për të theksuar problemet e patriarkatit dhe racizmit, ndaj të cilave shpesh ekspozohen në komunitetin e tyre lokal. Megjithatë, ato e diskutojnë rëndësinë e edukimit, veçanërisht për gratë.
Vetë grupi ka lindur nga puna e Fondacionit Grubb, të cilët i kanë zyrat e tyre kryesore në Angli por janë aktivë rreth botës, përfshirë në Serbi, ku janë të fokusuar në programe edukative dhe muzikore dhe në popullatën rome.
“Ne kemi qenë pjesë e Grubb para themelimit të bendit. Ne jemi regjistruar në punëtori të vallëzimit, kemi mësuar dhe kur Pretty Loudështë krijuar, ne kemi qenë shumë të reja. Unë kam qenë ndoshta 15-vjeçare. Nuk e dija çka doja atëherë, pse isha duke luftuar, derisa kam ardhë në Grubb. Pastaj kam filluar të mendoj dhe kam kuptuar që ne duhet të flasim për probleme të përditshme, për dhunën, martesat e hershme, barazinë dhe paragjykimet”, thotë Silvia Sinani, duke u kujtuar se si kanë filluar.
K2.0 është takuar me Silvia dhe Zlata Ristić në Fondacion dhe ka folur rreth punës së tyre dhe çka duan të arrijnë. Përpos punës në bend, të dyjat janë të punësuara nga Fondacioni.
Silvia Sinani dhe Zlata Ristić kanë gjetur zërat e tyre si anëtare të bendit të vajzave Pretty Loud, duke folur për feminizmin dhe pabarazinë që i rrethon. Foto: Pretty Loud.
K2.0: Cili ka qenë motivimi juaj kryesor për t’u bërë pjesë e Grubb?
Silvia: Aksidentalisht jam bërë anëtare e Grubb-it. As nuk e kam ditur çka është, për çka ishin duke luftuar. Me siguri e di që dasmat tona rome janë të mëdha dhe unë kam vallëzuar në këto dasma. Një kolege e imja punonte në Grubb si mësuese dhe më ftoi të vallëzoj në ambientet e tyre. Më është dukur interesante prandaj kam qëndruar.
Më vonë e kam kuptuar që kanë një drejtor nga Kanada i cili udhëton, i ka muzikalet e veta, flet rreth paragjykimeve dhe diskriminimit të cilin janë duke e luftuar. Kjo ishte interesante për mua sepse jam duke bërë atë që dua dhe gjithashtu jam duke luftuar për romët. Para dhjetë vjetësh më kanë ofruar mundësinë të bëhem mësuese e vallëzimit dhe ta përcjell njohurinë që e kam fituar.
Kur na kanë pyetur nëse duam të kemi bendin tonë, kemi thënë po dhe pastaj kemi vendosur që do të jetë bend grash.
Zlata: Nuk e kam pasur asnjë ide për Grubb-in. Kam pasur disa shokë dhe shoqe të cilët shkonin në Grubb por nuk kam qenë e interesuar. E mbaj mend kur kanë qenë duke e inçizuar videon për këngën “Gadji”, të krijuar nga miqtë tanë nga grupi Roma Sijam; ata më kanë ftuar të vallëzoj aty. Kam vazhduar të marr pjesë në aktivitetet e tyre, të mësoj, të vallëzoj dhe jam bërë mësuese e vallëzimit. Tash kanë kaluar shtatë vjet që punoj këtu.
Kur ka lindur ideja për bendin e parë rep të vajzave rome?
Silvia: Djemtë e kanë pasur grupin e tyre. Fillimisht, Roma Sijam, pastaj Juniors dhe ne ishim vetëm valltare. Kur na kanë pyetur nëse duam të kemi bendin tonë, kemi thënë po dhe pastaj kemi vendosur që do të jetë bend i grave dhe që do të diskutojmë problemet tona përmes muzikës. Kështu e kemi themeluar bendin.
A kanë qenë prindërit tuaj dhe njerëzit rreth jush mbështetës?
Silvia: Mbështetja ka ardhur nga prindërit tanë, gjyshërit tanë. Nëse ata nuk do të na kishin mbështetur, ndoshta ne nuk do të kishim qenë aq të guximshme dhe të forta për ta ndjekur atë rrugë. Babi im ka qenë strikt dhe edukimi ka qenë primar për të. Ai më ka thënë që nuk mund të vallëzoj nëse kam nota të dobëta.
Ata më kanë rritur që t’i marr vendimet e mia rreth gjithçkaje që dua të bëj. Ata kanë qenë striktë në edukim por më kanë mbështetur. Unë kam pasur një qëllim në mendje. Sa i përket lagjes në të cilën jetoj, të gjithë na ndihmojnë. Jemi të lumtura për këtë. Ky lloj i mbështetjes është më i rëndësishmi për ne dhe pastaj, patjetër, mbështetja e gjithë të tjerëve. Kjo mbështetje na motivon të jemi më të mira dhe të provojmë më shumë.
Zlata: Krejt në fillim, gjyshja nuk më lejonte ta bëja këtë. Ajo më thoshte të largohem nga i gjithë kërcimi dhe që nuk më duhet sepse nuk do të fitoj asgjë nga kjo. Nëna më ka mbështetur prandaj kam marrë pjesë fshehtas. I kam thënë [gjyshes] që do të jem te nëna por kam ardhur këtu. Më vonë ajo e ka parë që kam vendosur të anëtarësohem. Për këtë kam luftuar, të jem e aftë të vendos vetë për çka dua. Ajo më mbështet tash dhe e gjitha është në rregull por në fillim ka qenë ndryshe.
A e keni njohur njëra-tjetrën para themelimit të bendit?
Zlata: Të gjitha jetojmë në të njëjtën lagje. E kemi njohur njëra-tjetrën që kur kemi qenë shumë të reja. Të gjitha jemi rritur bashkë, prandaj e njohim njëra-tjetrën por kemi njoftuar edhe përsona të rinj.
Po jashtë lagjes Zemun ku ju jetoni? Si është komunikimi, reagimet e njerëzve?
Zlata: Kohët e fundit kemi marrë shumë mesazhe mbështetëse. Ato na pyesin se si mund të bëhen një prej nesh. U pëlqen si jemi duke punuar dhe përfitimi i kombit tonë dhe të gjitha grave dhe nuk mund të presin që performancat tona të fillojnë.
Ka edhe disa urrejtës por ata janë qesharakë. Nuk është aq keq kur shkruajnë “të shurdhët janë me fat”. Ata kanë të drejtë mos ta pëlqejnë muzikën tonë.
Anëtaret e grupit të cilat vijnë nga komuniteti rom në Serbi e konsiderojnë të rëndësishme të këndojnë rreth edukimit dhe pavarësisë së vajzave. Foto: Pretty Loud.
Përpos faktit që jeni duke komunikuar me komunitetin rom, ju gjithashtu i përcjellni mesazhet tuaja te gratë. Këto janë dy grupe të margjinalizuara. A mendoni që jeni duke i ndihmuar apo duke rritur nivelin e tyre të vetëdijes, të romëve dhe grave? Ju shpesh e cekni që edukimi është kritik.
Silvia: Përmes faqeve tona në Instagram dhe Facebook, ne komunikojmë me bashkëmoshatarët por gjithashtu në rrugë kur na pyesin. Sa për edukim, është vital. Në mënyrë që të jesh i pavarur dhe të arrish diçka në jetë, duhet të kesh një edukim të duhur.
Unë kam përfunduar shkollën e mesme dhe është dashur të regjistrohem në universitet por kam bërë një vit pauzë sepse duhej të udhëtoja, prandaj e kam lënë por kurrë nuk është vonë të edukohesh. Ashtu që një ditë, kur të martohesh, kur të kesh fëmijë, mund të kesh paratë e tua, të mos varesh në askënd. Në atë mënyrë mund të përballosh çkado që dëshiron. Duhet të kesh një lloj qëllimi në mendje.
Zlata: Gjatë shkrimit të teksteve, ne shkruajmë se si bashkëmoshatarët apo gratë duhet të sillen. Dhe shkruajmë për rëndësinë e edukimit, të pavarësisë së tyre. Kushdo që e sheh veten në tekst gjen inkurajim. Kjo është mënyra si e bëjmë.
Silvia: Mendoj që kështu i inkurajojmë. Nuk mund të vendosim për ta por kushdo që e sheh veten mund të gjejë një lloj të mbështetjes. Kështu i mbështesim dhe ata na ndihmojnë duke e dëgjuar muzikën tonë, duke e shpërndarë.
Nuk keni shumë këngë por është vitale që ekzistojnë në tri gjuhë — gjuhën serbe, rome dhe angleze. A komunikoni me njerëzit jashtë komunitetit rom?
Silvia: Ka shumë ndjekës jashtë Serbisë. Jemi duke mësuar anglisht, duke provuar të shkruajmë ashtu që të gjithë mund të na kuptojnë dhe të marrim mbështetje edhe në këtë mënyrë.
Kem marrë pjesë në festivalin Women of the World (Gratë e Botës) vitin e kaluar dhe ka qenë një nder i madh të jemi të ftuara. Atëherë kemi pasur këngë vetëm në gjuhën rome dhe serbe dhe kemi krijuar këtë video muzikore si përmbledhje e këngëve tona. Ne i kemi përfunduar por nuk mund të vendosnim për një këngë të vetme për videon prandaj e kemi bërë një miks. Për këtë arsye, ka pak anglisht, pak romani dhe serbisht dhe martesat e hershme janë tema.
Një fokus i veçantë i videos është Samanta, një vajzë e re rome e cila duhet të martohet. Zlata është martuar shumë e re dhe është nënë e një djali 11-vjeçar. Çka mendon për këtë përvojë dhe a është e rëndësishme ta diskutosh?
Zlata: Prindërit e mi nuk më kanë detyruar. Unë kam vendosur të martohem vetë. Kam menduar që është momenti i duhur. Patjetër që isha gabim.
Tash kam një djalë i cili do t’i mbush 11 vjet por jam një shembull i shkëlqyer i personit që nuk ka hequr dorë nga jeta e vet. Nuk kam dalë të mbledh hekurishte për të mbijetuar. Kam kërkuar punë. Jam përpjekur të bëj çka dua dhe ta rris fëmijën tim. Ne jemi duke u rritur së bashku. Gjyshja dhe nëna ime më ndihmojnë dhe nuk është shumë e vështirë.
Po, jam vetëm, punoj dy punë por nuk do të mundja ta bëja këtë nëse nuk do ta kisha përfunduar shkollën. Mundohem t’i jap fëmijës tim çkado që i duhet ashtu që të marrë një edukim të duhur, ndoshta edhe më shumë se sa unë kam pasur. Kjo nuk është shumë e vështirë për mua dhe do të doja të përdorja shembullin tim për t’u ofruar mbështetje të gjitha nënave vetushqyese; ato duhet të luftojnë dhe të mos dorëzohen.
Je duke e bërë pikërisht këtë kur bën deklarata të tilla pubike.
Zlata: Dua të kem një punë publike. Nuk kam problem me të qenit nënë vetushqyese, gjë që është problem mes njerëzve romë, sepse atëherë mund të martohesh me një person i cili ka qenë i martuar më herët, i cili ka fëmijë… Dhe nëse dal e grimosur dhe me rroba të mira, ata menjëherë komentojnë duke thënë: “Shikojeni, ka fëmijë, është vetëm. Duhet t’i vijë turp nga vetja”.
Gratë vazhdojnë aty ku kanë mbetur dhe janë më të forta se kur kanë qenë më të reja. Më të forta, më të mençura, më të kujdesshme. Unë vetëm mund t’i këshilloj ta shijojnë jetën.
Është qëllimi ynë të arrijmë sa më larg që është e mundur, jo vetëm njerëzit romë por të ndryshojmë qëndrimet e njerëzve ndaj romëve.
Silvia: Pretty Loudvepron në Novi Sad dhe aty kemi pasur një kolege e cila është detyruar nga prindërit e saj të martohet herët. Ajo nuk mund të zgjidhte nëse donte të martohej apo jo por babai i saj ka vendosur, përderisa nëna e saj nuk është pyetur. Pastaj shoqet kanë shkruar një këngë për të të cilën ende e përdorim. Ajo është një shembull i vetëm një vajze, përderisa kjo shpesh u ndodh shumë grave rome.
Zlata: Asaj i është dashur ta bëjë këtë për shkak të varfërisë, reputacionit, për të mos e zhgënjyer babain e saj, sepse ashtu është rritur. Ne shkruajmë për dashuri, barazi dhe gjithashtu dhunë. Shpresoj që njerëzit do të duan t’i dëgjojnë të gjitha këto këngë edhe në ngjarje pas pandemisë.
Angazhimi juaj publik përdoret për të rrëzuar paragjykimet kundër romëve dhe jo vetëm në Serbi.
Zlata: Ne e kemi gjithë botën, jo veç shtetin tonë. Është qëllimi ynë të arrijmë sa më larg që është e mundur, jo vetëm njerëzit romë por të ndryshojmë qëndrimet e njerëzve ndaj romëve. Ta tregojmë më saktë gjendjen. Ne nuk jemi të gjithë të njëjtë.
Shpesh njerëzit theksojnë që ciganët vjedhin, gënjejnë… ne jemi një shembull që nuk është ashtu, që jemi duke u edukuar dhe duke punuar. Ne nuk jemi të vetmet, ka shumë të tjerë por askush nuk e përmend këtë. Ne jemi këtu për të vërtetuar që nuk duhet të dënohen të gjithë për gabimet e një personi tjetër. Nuk po them që nuk ka probleme por që ato eksiztojnë në çdo shoqëri. Është e lehtë të dënohen të gjithë romët.
Më pengon kur njerëzit thonë “punë ciganësh”. Disa njerëz romë janë më të edukuar se të tjerët por askush nuk flet për këtë. Është më e lehtë të thonë gjëra të shëmtuara. Ne jemi këtu për të treguar që jo të gjithë romët janë ashtu.
Pretty Loud janë bërë shumë të famshme dhe zëri i tyre është më i fuqishëm se shumë zëra tjerë nga komuniteti rom dhe grupe të tjera të margjinalizuara në Ballkan. Foto: Pretty Loud.
Sa shpesh jeni përballur ju vetë me diskriminim?
Silvia: Jo shumë shpesh. Megjithatë, rishtas ka ndodhur që shkova të tymosja shisha, nargjile. Ne e kemi vizituar lokalin rregullisht dhe ata nuk na lejuan të ulemi në vendet e zbrazëta në oborr sepse na thanë që duhet të bëjmë rezervim. Duke menduar që ashtu duhej me të vërtetë, provuam t’i telefonojmë që ta bëjmë rezervimin. Askush nuk u përgjigj në telefon. I tregova kamarierit dhe e pyeta: A është problemi që jemi gra rome?
Kërkova të flas me shefin e tij dhe ai më tha që shefi nuk është i lirë. Nuk ka ndodhur vetëm një herë. Kur dal me një shoqe serbe më lënë të hyj. Megjithatë, nëse jam e shoqëruar nga një rome, atëherë duhet të bëj rezervim. U kam thënë që do të vij në lokal me inspektorë ashtu që janë frikësuar.
Ju gjithmonë e theksoni rëndësinë e edukimit. Një problem me të cilin përballen familjet e mëdha është pamundësia t’i dërgojnë të gjithë fëmijët në shkollë, prandaj ata detyrohen të punojnë të rinj, shpesh si mbledhës të lëndëve dytësore. Si ta përfundoni këtë cikël?
Silvia: Mendoj që shteti duhet të përfshihet më shumë, t’i ndihmojë, ashtu që ata të mos duhen të blejnë libra. Ata mund ta sigurojnë një laps e një fletore, por librat janë të kushtueshëm. Edhe ushqimi është problem nganjëherë. Ata turpërohen të marrin ushqime nga shtëpia sepse të tjerët mund t’i ngacmojnë. Shteti duhet të përfshihet. Të gjithë flasin se sa shumë ndihmojnë por këto janë vetëm fjalë, pa veprime.
Nuk ka rëndësi kush ke qenë në të shkuarën. Duhet të shikosh në të ardhmen dhe të luftosh për dëshirat tua.
Zlata: Njerëzit tanë romë nuk gjejnë punë kur kërkojnë, prandaj disa prindër kanë prirje të thonë që nuk është e arsyeshme të kërkosh punë pasi nuk do ta gjesh. Dhe kjo është një ndër arsyet pse ata nuk shkojnë në shkollë — ngjyra ka rëndësi. Kur i thërret në telefon, të thonë që je pranuar por pastaj thonë që pozita është zënë kur shkon fizikisht. Fqinji im ka qenë duke kërkuar një banesë me qira dhe gjithçka ka qenë në rregull deri sa ka shkuar aty. Ata nuk kanë dashur t’ia lëshojnë banesën.
Repi është një lloj i përshtatshëm i muzikës për gjërat për të cilat flisni. A keni ndonjë person model muzikor?
Silvia: Cardi B ka qenë model për mua. Mënyra e saj e këndimit, dukja e saj në skenë. Ajo ka publikuar një këngë dhe është bërë e famshme menjëherë. Ka një sjellje të vrazhdë dhe shan shumë. Dua të them, ajo nuk është modeli im për shkak të kësaj por për shkak të mënyrës si bën rep.
Ajo ka qenë striptiste. Për këtë arsye duhet të kesh një qëllim. Nuk ka rëndësi kush ke qenë në të shkuarën. Duhet të shikosh në të ardhmen dhe të luftosh për dëshirat tua. Ajo e ka arritur këtë.
Zlata: Nuk e kam dikë specifik. Dua të zbuloj vetën ashtu që të mund të jem modeli i dikujt tjetër, sot apo nesër. Shpresoj që jam duke arritur aty. Mendoj që jam duke bërë punë shumë të mrirë.
Këto ditë e festojmë 8 marsin. Si e shihni statusin e grave në shoqëri sot dhe si mundet të ndihmojë puna juaj në këtë aspekt?
Silvia: Mendoj që e kemi zgjedhur një mënyrë shumë të mirë për të folur për tema kyçe përmes muzikës. Statusi i grave në Serbi, jo vetëm i grave rome, është i vështirë. Ka mjaft grupe dhe organizata që luftojnë të përmirësojnë situatën e tyre. Ne jemi duke e bërë këtë gjithashtu. Ne zgjedhim ta bëjmë këtë përmes muzikës sepse këtë e dimë më së miri. Por kur të bashkohemi një ditë…
Ne nuk jemi duke luftuar kundër burrave por vetëm për qëllimin të kemi të drejtat tona. Të paguhemi baraz. Së pari atë e pastaj gjithçka tjetër.
Zlata: Mendoj që është e domosdoshme të mos jemi gra vetëm më 8 mars. Burrat turpërohen kur një grua fiton më shumë. Bëhu amvise, kujdesu për fëmijët. Pse? Do të vozisja edhe kamion. Pse dreqin jo?!K
Angelina Mihailović ka ndihmuar në realizimin e kësaj interviste.