Pikëpamje | Politika

A mund ta përdorë Kurti momentin për të filluar bashkëpunim të mirëfilltë ndëretnik?

Nga - 22.04.2021

Kjo pikë kritike tregon drejt ndryshimit të mundshëm.

Ndërtimi i institucioneve demokratike nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka qenë në shumë mënyra novator. Por megjithatë i ka vendosur themelet për disa nga pengesat më kritike ndaj ushtrimit de facto të autoritetit të vendit mbi qytetarët e saj. 

Mbase aspekti më i rëndësishëm i kësaj ndërmarrjeje ka qenë mbrojtja e pakicave etnike në Kosovë dhe e të drejtës së tyre të patjetërsueshme dhe të garantuar me kushtetutë për të marrë pjesë dhe për të formuar trajektoret e institucioneve të vendit.

Meritat e duhura duhet t’u jepen si kornizës së përgjithshme të Planit Ahtisaari — i cili formoi bazën e Kushtetutës së Kosovës dhe është i vendosur në të — ashtu edhe përpjekjeve në terren të drejtuara nga OSBE-ja për të vendosur kornizën praktike ligjore që siguron këto të drejta. Sigurisht që kjo detyrë vështirë se mund të ketë qenë më ambicioze dhe komplekse.

Sidoqoftë, me të gjitha paralajmërimet e qenësishme në të cilat është përfshirë ky sistem, kjo ndërmarrje vendos një precedent unik për mënyrën se si duhet të funksionojnë shoqëritë shumetnike. Ruajtja e përfaqësimit të pakicave etnike nëpër nivelet e qeverisjes dhe sigurimi i adresimit të nevojave të tyre gjatë gjithë formulimit të politikave janë sigurisht standarde që flasin për fuqinë e largët por prapë të angazhuar thellë të Kosovës për institucionalizimin e “standardeve evropiane”.

Ky konstelacion i “ndarjes së pushtetit”, i ideuar me kujdes përmes Planit të Ahtisaarit, dhe më pas i ushqyer përmes angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, përfundimisht iu dorëzua qytetarëve të Kosovës për t’u mirëmbajtur. Jo shumë kohë pasi përfunduan zgjedhjet e administruara nga institucionet vendore pas pavarësisë, të çarat në këtë sistem të ndërtuar në mënyrë të brishtë filluan të shfaqen, kështu që shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të marrin përgjegjësi më të madhe.

Serbëve të përditshëm të Kosovës u është dashur të përballen me pasojat e këtij polarizimi të rrënjosur thellë.

Për disa vite me radhë, përfaqësimi i garantuar me kushtetutë i pakicave serbe nëpër institucione ka qenë pikë kryesore e mospajtimit në debate publike. Në vend që të hulumtohen mundësitë se si mund të avancohet ky konstelacion i ndarjes së pushtetit në mënyrë që të adresojë nevojat e serbëve të Kosovës në veri dhe në pjesë tjera të vendit, ai është shndërruar në mjet politik. Ky mjet sigurisht, është përdorur në mënyrë agresive nga serbët e Kosovës, shqiptarët e Kosovës e gjithashtu edhe nga Beogradi.

Kjo enigmë mund të shpjegohet më së miri përmes negociatave politike në Kuvendin e Kosovës. 

Për shqiptarët e Kosovës, Lista Serbe është bërë sinonim i një kali trojan në formimin e koalicionit qeveritar. Ky diskurs, i përkeqësuar kryesisht nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka kërkuar demonizimin e Listës Serbe dhe çdo bashkëpunim të mundshëm me ta, qoftë kjo e kërkuar nga Kushtetuta apo për hir të formimit të qeverisë. Në anën tjetër, për serbët e Kosovës dhe Beogradin, vendet e rezervuara në Kuvend janë dëshmuar si mjet i dobishëm i vetos për të bllokuar çdo gjë përveç ndryshimeve kozmetike në rendin kushtetues dhe ligjor në Kosovë.

Është jorelevante se deri në ç’masë Lista Serbe është në fakt vetëm instrument i Beogradit për të minuar proceset demokratike në Kosovë apo deri në ç’masë forcat politike me shumicë shqiptare në mënyrë aktive kërkojnë ta margjinalizojnë pjesëmarrjen serbe. Në të dy rastet, serbëve të përditshëm të Kosovës u është dashur të përballen me pasojat e këtij polarizimi të rrënjosur thellë. 

Përmes demonizimit të Listës Serbe, serbët e Kosovës shihen si pjesëmarrës aktiv në një përpjekje për të prishur strukturën shoqërore në Kosovë. Kështu, serbët e Kosovës shihen si ata që e legjitimojnë instrumentalizimin e të drejtave të tyre në Kosovë nga Beogradi. 

Ky diskurs është mbështetur përgjatë viteve të fundit dhe sipas të gjitha gjasave do të mbetet i varur nga përvojat e kaluara. Zgjedhjet e fundit të mbajtura në 14 shkurt dhe ngjarjet pas tyre, megjithatë, e kanë përballur Albin Kurtin me një pikë kritike. 

Ashtu si me çdo moment kritik, mosndryshimi është gjithmonë një opsion, dhe si i tillë, Kurti mund të vazhdojë ta minojë Listën Serbe, duke i armiqësuar edhe më tej serbët e Kosovës. Duke pasur parasysh kërkesat publike të Kurtit për “dialog të brendshëm” me serbët e Kosovës, megjithatë duket se ndryshimi është në horizont. Mirëpo si me çdo qëndrim politik, shpresat për ndryshim të qëndrueshëm shpesh minohen nga tendencat nacionaliste. 

Qasja me fokus njerëzor e Kurtit ndaj problemeve të qeverisjes së Kosovës mund të jetë dritë në fund të tunelit.

Megjithëse Kurti ka sinjalizuar dialogun e brendshëm si parakusht të domosdoshëm për të hapur rrugën drejt zgjidhjes së disa prej zhvillimeve kryesore politike në Kosovë (qoftë ushtrimi i sovranitetit në veri të Kosovës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe apo dialogu me Serbinë), ai e bëri këtë në shpërfillje të plotë të fuqisë politike të Listës Serbe në Kuvend, por edhe në terren karshi serbëve të Kosovës. 

Kjo është problematike për një numër arsyesh. Së pari, Lista Serbe, ligjërisht, është përfaqësuese legjitime e elektoratit serb të Kosovës në Kosovë. Çdo përpjekje për t’i anashkaluar ata përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit në Kosovë dhe parimin themelor të një demokracie përfaqësuese. 

Së dyti, Kurti realisht nuk do të jetë në gjendje të gjejë përfaqësues të ligjshëm serbë të cilët veprojnë dhe kanë peshë politike në mënyrë të pavarur nga institucionet/administrata paralele, veçanërisht në veri të Kosovës. Duke pasur parasysh që Lista Serbe ka një monopol mbi këto institucione që sigurojnë mirëqenien themelore të serbëve të Kosovës në veri, qytetarët do të hezitojnë të angazhohen me Kurtin në kurriz të largimit nga komuniteti i tyre dhe nga burimet e të ardhurave bazike.

Përderisa një elektorat i serbëve të Kosovës që funksionon në mënyrë të pavarur nga presionet politike nga Beogradi dhe Lista Serbe është i domosdoshëm për funksionimin e Kosovës, Kurti duhet të pranojë që kjo gjendje e vështirë kërkon më shumë sesa thjesht të zgjedhësh se kush është përfaqësuesi i duhur i zërave serbë të Kosovës. 

Megjithatë, qasja me fokus njerëzor e Kurtit ndaj problemeve të qeverisjes së Kosovës mund të dëshmojë të jetë dritë në fund të tunelit. Përkundër shumicës së qeverive të Kosovës deri më tani, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër janë përqendruar në çështje të jashtme të “politikës së lartë”, Kurti ka premtuar se punësimi dhe sundimi i ligjit janë blloqet ndërtimore të këtij revolucioni të ri politik në Kosovë.

Qeveria duhet të sigurojë që të gjitha detyrimet ligjore dhe të drejtat kushtetuese të serbëve të Kosovës të respektohen në terren.

Të dyja këto çështje janë thelbësore për mirëqenien e përditshme të qytetarëve në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike. Nëse qeveria e re arrin të zbatojë një program që përmban punësim gjithëpërfshirës dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e saj, vetëm atëherë Kurti mund të fillojë të rregullojë polarizimin shumëdekadësh institucional dhe shoqëror midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. 

Dialogu i brendshëm nuk mund të shihet si një thirrje nga lart-poshtë për përfaqësuesit që e konsiderojnë veten të rëndësishëm ose intelektualisht të fuqishëm aq sa për t’i përfaqësuar qytetarët e tyre. Para së gjithash qeveria duhet të sigurojë që të gjitha detyrimet ligjore dhe të drejtat kushtetuese të serbëve të Kosovës të respektohen në terren. Kjo kërkon zbatimin proaktiv të aspekteve ndonjëherë edhe më të shpërfillura të sistemit tonë të qeverisjes gjithëpërfshirëse, duke siguruar përdorimin e gjuhëve të njohura zyrtarisht nëpër institucionet publike (gjë që mbetet problematike).

 

Andaj dialogu i brendshëm i Kurtit është në moment kritik. 

Unë nuk shoh ndonjë alternativë tjetër të qëndrueshme përveç promovimit të sistemit tonë të ndarjes së pushtetit të krijuar në mënyrë ndërkombëtare dhe të mirëmbajtur brenda vendit si nga ana institucionale ashtu edhe nga ajo shoqërore. As nuk e shoh lënien anash të akterëve legjitimë kushtetues dhe ligjorë (Listën Serbe) si alternativë të mundshme. 

Ajo që unë shoh është potenciali i programit të Kurtit të qeverisjes së përqendruar te njerëzit, për të qenë ilaç kundër monopolizimit të përfaqësimit politik. Hapja e dialogut civil e shoqëruar me qasje të barabartë në punësim dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës mund të jetë themeli i bashkëpunimit të qëndrueshëm ndëretnik në Kosovë.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Kjo Pikëpamje është shkruar për Nismën e Re Shoqërore në serinë e Op-Eds brenda Kolektivit të Kosov”s dhe është publikuar në K2.0 me marrëveshje. 

Kjo seri e Op-Eds është pjesë e një projekti të mbështetur nga Fondi Ballkanik për Demokraci i Fondit Gjerman të Marshallit në ShBA dhe USAID. Opinionet e shprehura në këtë seri nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Fondit Ballkanik për Demokraci të Fondit Gjerman të Marshallit në ShBA (BTD), të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ose të Qeverisë së ShBA-së.

  • PËR AUTORIN/EN Ardit Orana
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/es nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTO