Pikëpamje | Të Drejtat e Minoriteteve

Asnjë dialog i brendshëm nuk është i mundur pa Listën Serbe

Nga - 26.03.2021

Nuk është në dorë të Kurtit të vendosë se kush e përfaqëson komunitetin serb.

Mosbesimi i Albin Kurtit ndaj Listës Serbe (Srpska lista) nuk është një sekret, por as qëndrimi i këtij të fundit nuk ka ndonjë ndikim mbi komunitetin serb të Kosovës. 

Akuzat për frikësim të votuesve, kërcënime dhe ushtrim të dhunës fizike mbi rivalët politik —  madje edhe akuzat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit —  e kanë shoqëruar Listën Serbe që nga fillimi. Asnjë prej këtyre nuk është hetuar si duhet deri më tani, e lëre më të provohet ose të hidhet poshtë, por fakti që sa herë që ndodh ndonjë incident në zonat me shumicë serbe hija e dyshimit së pari bie mbi Listën Serbe, të paktën flet për ndikimin e tyre psikologjik te qytetarët.

Ndjenjat e ndërsjella të mosbesimit mes këtyre dyve nuk do të jenë faktorë negativ në formimin e institucioneve, por ato do të vënë në pikëpyetje fillimin e një dialogu të brendshëm me serbët e Kosovës.

Pranimi i idesë se Kurti vërtetë dëshiron të ketë një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës poashtu sjell me vete supozimin se Kurti do të përpiqet të anashkalojë Listën Serbe në këtë proces, pjesërisht për shkak të reputacionit të tyre të përshkruar më lartë, por kryesisht për shkak të asaj që ai e sheh si ndikim të tepruar të Beogradit mbi Listën Serbe.

Kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe bashkëveprimin me institucionet dhe shoqërinë kosovare, Lista Serbe është po aq miqësore sa është e mundur të jetë.

Nëse kjo do të ndodhë vërtetë, procesi do të dështojë, ose më saktë, ai nuk do të fillojë fare, të paktën jo në ndonjë mënyrë që do të kontribuonte në afrimin e komuniteteve mes vete.

Ky lajmërim tashmë mund të interpretohet si një akt i “shënjimit” të territorit ose “pretendimit” mbi serbët e Kosovës, por nëse kjo bëhet me pjesëmarrje të kufizuar të serbëve të Kosovës vetëm sa do të armiqësonte edhe më shumë komunitetin në tërësi.

Ekziston një mendim mbizotërues në mesin e analistëve dhe vëzhguesve se mediat serbe pro-regjimit, politikanët serbë dhe vetë Lista Serbe nxisin dhe zmadhojnë narrativat dhe ndjenjat etnonacionaliste në komunitetin serb të Kosovës. Kjo nuk është krejt e vërtetë, dhe pse mund të tingëllojë e çuditshme për një lexues që nuk është ekspozuar ndaj pikëpamjeve të komunitetit serb të Kosovës, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe bashkëveprimin me institucionet dhe shoqërinë kosovare, Lista Serbe është po aq miqësore sa është e mundur të jetë. Çdo opsion tjetër politik që mund të shpresojë të fitojë mbështetje serioze të votuesve në veri janë lëvizjet e djathta nacionaliste që do të propagandonin bojkotim dhe mbylljen e institucioneve ekzistuese të Kosovës.

Kur një votues i zakonshëm nga një komunitet serb i Kosovës në veri e kritikon Listën Serbe dhe mjetet e tyre jodemokratike, gjëja kryesore që i shqetëson ata është fakti që ata i përdorin këto mjete për të çuar përpara procesin e integrimit dhe formimit të institucioneve të Kosovës në zonat me shumicë serbe.

Në platformën e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe pa presion të madh mbi komunitetin, pjesëmarrja [në zgjedhje] në zonat me shumicë serbe në veri do të ishte jashtëzakonisht e ulët dhe Lista Serbe nuk do të kishte legjitimitetin për të koordinuar proceset e konsolidimit të institucioneve të Kosovës që ajo i ka udhëhequr më herët, siç është shpërbërja e institucioneve serbe të sigurisë, gjyqësorit dhe një pjese të organeve komunale të Serbisë.

Jo vetëm që pjesëmarrja do të ishte e ulët, por pa nxitjen nga Beogradi, Lista Serbe do të pengohej nga forcat politike më autentike që kanë qeverisur pothuajse pa ndërprerje komunat veriore në dekadën e parë të viteve 2000, politika kryesore e të cilave ishte ruajtja e nivelit të funksionimit të institucioneve të Serbisë në Kosovë duke penguar çdo përpjekje (në atë kohë vetëm individuale) për komunikim dhe bashkëpunim me institucionet e Kosovës, madje edhe përmes dhunës dhe kërcënimeve.

Pa u ndihmuar nga autoriteti i Listës Serbe dhe mjetet e tyre “korrigjuese”, Kurtit me siguri se do t’i bllokohet hyrja në qendër të qytetit të një zone me shumicë serbe, ose të paktën nuk do të ketë më shumë se pesë-gjashtë serbë që do ta presin në takim.

Nuk i takon Kurtit të kontestojë zgjedhjen e përfaqësuesve politik dhe të kërkojë ata që ai beson se do të ishin partnerë më të përshtatshëm.

Diktimi i ritmit të integrimit është puna më e rëndësishme që Lista Serbe e ka dhe ata nuk do ta lënë Kurtin ta vë në pikëpyetje këtë.

Përveç kësaj, pavarësisht nga akuzat e shumta për mashtrim zgjedhor dhe presion mbi votuesit në zonat me shumicë serbe, derisa nuk do të ketë ndonjë veprim më serioz nga prokuroria dhe policia e Kosovës, rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të pakontestueshme. Këto rezultate, siç duket, dërgojnë një mesazh të qartë —  përfaqësuesit e vetëm politik të serbëve të Kosovës janë Lista Serbe.

Në një demokraci parlamentare ku përfaqësuesit politik zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ekzekutivi nuk mundet të bojkotojë këta përfaqësues pa rrezikuar të izolojë më tej pjesën e elektoratit që i ka zgjedhur ata. Edhe kundërshtarët më të fortë të Listës Serbe dhe metodave të tyre do të mbrojnë këtë në parim. Nuk i takon Kurtit të kontestojë zgjedhjen e përfaqësuesve politik dhe të kërkojë ata që ai beson se do të ishin partnerë më të përshtatshëm në komunitetin serb.

Nga ana tjetër, edhe nëse supozojmë se Kurti dhe Lista Serbe do të pajtohen disi që të bashkëpunojnë për të filluar këtë dialog, shtrohet pyetja se cilat do të ishin temat dhe agjenda e këtij dialogu. Kurti deri më tani nuk ka qenë i qartë lidhur me këtë ide, nuk është paraqitur asnjë kornizë e këtij dialogu të brendshëm dhe punëtorët në bujqësi dhe problemet e tyre me subvencione dhe shpenzime që lidhen me punën e tyre janë i vetmi grup të cilin e ka përmendur Kurti.

Pavarësisht kësaj, me ketë qasje ai duket se është në rrugën e duhur. Mënyra më e mirë për të hapur komunitetet dhe për të vendosur lidhje të reja është përmes bashkëpunimit ekonomik. Por për ta bërë këtë, Kurti duhet të zhbëjë dëmet e shkaktuara me vite të tëra me deklarimet e tij nacionaliste dhe me një varg fushatash të bojkotit kundër Serbisë të cilat patën efekte që prekën edhe integrimin ekonomik të prodhuesve serbë të Kosovës.

Nacionalizmi ekonomik i konsumatorëve dhe problemet afatgjata të prodhuesve serbë të Kosovës për të depërtuar në tregun e Kosovës jashtë zonave me shumicë serbe do të jenë lartë në listën e kërkesave të komunitetit.

Ngushtë të lidhura me zhvillimin ekonomik janë edhe çështjet e pronave të uzurpuara dhe vonesat në ekzekutimin e vendimeve të Agjencisë Kosovare të Pronës në rastet që kanë të bëjnë me komunitetin serb.

Çështje të tjera, varësisht nga niveli profesional me të cilin do të bisedojë qeveria e ardhshme e Kosovës, me siguri se do të përfshijnë diskutimin mbi të drejtën e shkollimit sipas programeve mësimore të ministrisë serbe, të drejtat gjuhësore dhe, më e rëndësishmja, të drejtat e bashkësive fetare.

Kjo e fundit do të ngrit çështjen e refuzimit të autoriteteve lokale të Deçanit që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konfirmimin e pronësisë së manastirit Visoki Decani mbi 24 hektarë tokë në afërsi të tij, si dhe paditë e vazhdueshme midis Universiteti të Prishtinës dhe KOS mbi kishën Krishtit Shpëtimtar në kampus.

Ndonëse e vështirë për t’u realizuar, idea e Kurtit për dialog të brendshëm do të ishte e dobishme për komunitetet, megjithatë, duke qenë i bindur se shumë prej kërkesave të këtij komuniteti diktohen nga Beogradi, Kurti mund të habitet kur të mësojë se apetiti i këtij komuniteti për vetë-rregullim dhe autonomi në të vërtetë është frenuar, e jo nxitur nga Beogradi.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

Ky artikull është publikuar fillimisht nga D4D dhe është ripublikuar këtu me leje.

Artikulli është mbështetur nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), si pjesë e projektit “Rruga dytësore drejt evropianizimit: Një qasje partneriteti”, financuar nga Fondacionet për Shoqëri të Hapur.

Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë të autores dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Fondacioneve për Shoqëri të hapur apo të D4D-së.