Gazetarët malazias nuk kanë pasur arsye të shumta për ta festuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj, as sivjet e as vjet. Sulmet e vonshme kanë krijuar trysni të mëtejme gjatë dy muajve të fundit. Gjatë gjysmës së dytë të marsit — pra, një periudhë prej më pak se 15 ditë — janë raportuar tri sulme ndaj gazetarëve.
Sidoqoftë, viti i kaluar ka qenë po ashtu i vështirë për punëtorët e mediave dhe situata nuk ka qenë aq ndryshe as gjatë dekadës së fundit, një epokë kur kanë punuar në një atmosferë pasigurie dhe rreziku të përditshëm, por edhe me kërcënimet e rëndomta që janë pjesë e punës për “mbrojtësit e demokracisë”.
“Në bazë të raporteve të brendshme dhe ndërkombëtare dhe duke monitoruar situatën në terren dhe ngjarjet në këtë zonë, jepet përshtypja që gjendja e gazetarëve [në Malin e Zi] akoma nuk pasqyron rëndësinë e rolit të tyre në shoqëri”, ka thënë ombudspersoni Siniša Bjeković për K2.0 përmes emailit.
Sipas të dhënave të ofruara nga ombudspersoni, vitin 2020 nuk e kanë karakterizuar përpjekjet serioze për të përparuar liritë e mediave. Lista e gjatë e shkeljeve të këtyre lirive gjatë dekadës së fundit përfshin vrasje të pazbardhura dhe raste të vrasjes e sulmeve; statusin e parregulluar të punësimit të disa punëtorëve; situatën shqetësuese financiare në shumicën e transmetuesve publikë; mosmarrëveshjet e zëshme brenda komunitetit mediatik dhe luftën kundër lajmeve të rreme. Këtyre u shtohen edhe arrestimet, kërcënimet dhe fyerjet, të cilat ndodhin thjesht sepse gazetarët kryejnë punën e tyre.
Pandemia u shfaq gjatë një situate të katandisur dhe solli kufizime të mëtejme e mohim lirish për të gjithë. Sidoqoftë, publiku sivjet u ekspozua ndaj informatave mbi përgjime të paligjshme dhe 18 ngjarje u raportuan si të dëmshme për gazetarët dhe mediat.
Rrahjet dhe abuzimi në vend të punës
Sulmet e fundit ngjajnë të jenë kulminacion i tensioneve të ndryshme që zihen tash e një kohë në Malin e Zi. Ndodhia e parë që ka ngjallur shqetësime u shënua në mes të marsit, kur u lëndua gazetarja e të përditshmes së pavarur “Vijesti” Jelena Jovanović në qytetin e Nikshiqit.
Ndërsa raportonte nga një tubim i madh para shtabit të koalicionit “Për të Ardhmen e Nikshiqit” — i cili përbëhet nga një numër partish lokale — pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Jelena u godit në kokë me një fshesë veturash. Dukej se publiku ishte më i preokupuar me cakun e sulmit, sesa me identitetin e kryerësit. Nuk pati ndonjë diskutim për mjedisin shqetësues dhe të pasigurt për gazetarët që punojnë në terren.
Sulmi ndaj Jelena Jovanović-it ishte një ndër tri sulmet e tilla që kanë ndodhur sivjet. Foto: Jelena Kontić.
Në bisedën me K2.0, Jelena thotë se pavarësisht nga sa e qëllimshme ka qenë goditja e protestuesit, “kjo nuk është diçka që do të qartësohet plotësisht në gjykatë; jam ndier plotësisht e pambrojtur atë natë, edhe pse kanë qenë së paku 20 policë që kanë pasur për detyrë ligjore mbrojtjen e qytetarëve”.
“Ata nuk reaguan, sulmuesi nuk u arrestua menjëherë pasi më goditi në kokë dhe policët nuk e parandaluan kryerjen e veprës, sidomos kur kihet parasysh se ai sillej në mënyrë të paligjshme teksa i sulmonte edhe ata”, kujton Jovanović duke theksuar se kjo ndihmon në vendosjen e një klime të favorshme për sulmet ndaj gazetarëve.
Dhe me të vërtetë, vetëm shtatë ditë pas incidentit të Jelena-s u shënjestrua Sead Sadiković, ndërsa 14 ditë më vonë u sulmua edhe kolegu i tyre Esad Kočan.
“Këto nuk janë risi për ne, por janë tepër shqetësuese."
Jelena Jovanović, gazetare
Gazetari e spikeri i mirënjohur Sadiković dhe kryeredaktori e gazetari i revistës së përjavshme “Monitor” — e cila shihet nga shumë si simbol i rezistencës në Malin e Zi — u sulmuan përkatësisht në Bijelo Polje dhe Podgoricë. Sipas dëshmitarëve dhe vetë Sadiković-it, ai u sulmua nga një grup i përbërë prej së paku katër burrash të rinj nga një e ashtuquajtur autokolonë patriotike, kështu duke pësuar lëndime fizike. Sulmi u ndërpre nga një grup qytetarësh që gjendeshin afër.
Një videoincizim i sulmit që ka qarkulluar në media sociale ishte subjekt i abuzimit, frikësimit dhe mashtrimit publik, duke përfshirë edhe policinë. Sipas sekretarit shtetëror të Ministrisë së Brendshme Zoran Miljanić, policia beson se videoincizimi është redaktuar për ta fshehur kryerësin dhe po punon për të kuptuar rrethanat e publikimit të saj.
Në një përgjigje përmes emailit për K2.0, Miljanić thotë se pjesa e incizimit që mund ta vërtetojë se kush ka qenë përgjegjës për sulmin ndaj Sadiković-it mund të gjendet në 10 sekonda të fshira të incizimit prej një nga shumë kamerat vëzhguese që gjendeshin afër.
Rasti i Kočan është paksa më ndryshe. Atij i është qasur një njeri i panjohur para pallatit ku banon dhe është kërcënuar e fyer. Dikur, personi në fjalë ka marrë hov ta sulmojë. Më vonë ka dalë se ai kishte pasur dënime paraprake.
“Këto nuk janë risi për ne, por janë tepër shqetësuese”, thekson Jovanović. Bashkë me pjesën tjetër të publikut malazias, ajo pret nxjerrjen e rezultateve të hetimeve për sulmet ndaj gazetarëve. Sidoqoftë, tash për tash ato mungojnë.
Në rastin e Jelenas, policia e Nikshiqit dorëzoi një raport kundër një personi të dyshuar për kryerjen e “shkeljes penale të sjelljes së dhunshme në dëm të gazetarit”.
Në rastin e Esad Kočan-it gjykimi ka filluar më 19 maj. Sulmuesi i dyshuar është akoma në paraburgim dhe akuzohet për rrezikim të sigurisë, gjë për të cilën mund të dënohet me burgim deri në një vit.
Për më tepër, qeveria së voni ka emëruar Komisionin për Hetimin e Sulmeve ndaj Gazetarëve, e cila sipas tyre “do të ketë pushtet të gjerë dhe lë të hapur mundësinë për ndihmë nga ekspertët e huaj”. Një nga anëtarët e Kryesisë së Komisionit është vetë Sead Sadiković, ndërsa kryetari Mihailo Jovović është po ashtu viktimë e një sulmi.
Reagimet e vakëta të autoriteteve
Rasti më i vonshëm ka ndodhur në mes të muajit prill, kur është abuzuar gazetari i transmetuesit publik të Malit të Zi Nebojša Šofranac. Ai po raportonte nga ceremonia e mirëpritjes për përfaqësuesin malazias të boksit Petar Liješević, i cili kishte fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror për të Rinj, ku një grup qytetarësh e kishin fyer dhe i kishin bërtitur në mënyrë kërcënuese.
Šofranac thotë se e sheh tërë ngjarjen si “diçka më e gjerë”.
Gazetari Nebojša Šofranac thotë se do të donte që e gjithë vëmendja të përqendrohet në raportimin e lajmit e jo në sulmin kudër tij. Foto: Jelena Kontić.
“Më duhet të them se që nga fillim, unë nuk e kam parë këtë si ngjarje të përmasave të jashtëzakonshme dhe si skandal të madh”, ka thënë Šofranac për K2.0, duke ngulur këmbë se gjithçka kishte përfunduar po atë natë dhe se është i pikëlluar që nuk ka mbetur me kaq.
“Po të kishte qenë ashtu si kam dashur, njerëzit do të flisnin për raportimin që kam bërë, ku kam theksuar gjëra krejt të ndryshme: pra, suksesin në sport. E vetmja gjë që kam dashur nga kjo situatë është që të përfundonte”, thotë Šofranac.
Sidoqoftë, ajo që është veçanërisht shqetësuese në rastin e tij është se abuzuesi kryesor ishte Vladimir Vuković, i cili punon si konsulent në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit.
“Që nga viti 2010, në Malin e Zi janë shënuar 55 sulme. Asnjë nga rastet më serioze nuk është zbardhur."
Damir Nikočević, Qendra për Edukim Qytetar
Në videon e publikuar mund të shihet dhe të dëgjohet se si Vuković abuzon gazetarin. Sidoqoftë, ministria përkatëse ka komplimentuar përpjekjen e Vuković-it për të ndihmuar Šofranac-in që “të sigurojë një intervistë me fituesin e medaljes botërore të argjendtë Liješević”. Ata shtuan se ai kishte qenë i pranishëm në festë si person privat dhe se nuk do ta sanksionojnë sjelljen e tij sepse nuk kanë ndonjë mekanizëm për një gjë të tillë.
Prapëseprapë, ky rast është dënuar nga shumë subjekte të ndryshme dhe sidomos nga sektori i OJQ-ve. Koordinatori zhvillimor i Qendrës për Edukimin Qyetetar Damir Nikočević na kujton se përveç dënimeve , shumica e sulmeve ndaj gazetarëve dhe pronave mediatike në Malin e Zi nuk kanë pasur kurrë epilogë të kënaqshëm.
“Që nga viti 2010, në Malin e Zi janë shënuar 55 sulme. Asnjë nga rastet më serioze nuk është zbardhur, përfshirë vrasjen e bashkëpronarit, drejtorit dhe kryeredaktorit të së përditshmes ‘Dan’ Duško Jovanović; vrasja në tentativë e gazetarit të ‘Vijesti’ dhe të së përjavshmes ‘Monitor’ Tufik Softić; si dhe atë të gazetares së ‘Vijesti’ Olivera Lakić”, na kujton Nikočevič. Sidoqoftë, ai përmend që zakonisht vërehen më shumë veprime në prag të nxjerrjes së raporteve të progresit për Malin e Zi nga Komisioni Evropian.
Damir Nikočević nga Qendra për Edukimin Qytetar thotë se në dy dekadat e fundit, Mali i Zi ka përjetuar 55 sulme ndaj gazetarëve dhe mediave. Foto nga Qendra për Edukimin Qyetetar MNE.
“E gjithë kjo sugjeron që institucionet përkatëse nuk po punojnë me përgjegjësi ose me profesionalizëm, kryesisht për shkak të kufizimeve politike”, pohon Nikočević dhe shton se mungesat në hetimet zyrtare, sikur ato për vrasjen e Duško Jovanović-it, janë vërtetuar nga anëtarët e qeverisë së kaluar.
“Është e nevojshme që të shtohen përpjekjet në mënyrë serioze dhe përmbajtësore, si dhe të intensifikohen hetimet për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe pronave mediatike, së bashku me rezultate të ngurta dhe të matshme që përcaktojnë identitetin dhe iniciatorët që i kanë urdhëruar ato”, thotë Nikočević me vendosmëri.
Hapa të rëndësishëm
Gazetarja dhe aktivistja nga Shoqëria Malazeze e Gazetarëve Profesionistë Jelena Popović po ashtu beson që nuk është e mjaftueshme të avokohet për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve por se “duhen veprime konkrete, të qarta dhe vendimtare për të përparuar gjendjen e këtij sektori përnjëmend”.
“Me këtë nënkuptojmë autoritetet që deri më tash nuk kanë treguar proaktivitet dhe rezultate të matshme, por të kundërtën e kësaj — rastet zvarriten në prokurori me vite të tëra duke pritur që të zbardhen”, paralajmëron Popović në bisedën me K2.0. Ajo shton se nuk është e mundshme të flitet për sigurimin e kushteve që punëtorët e mediave të punojnë pa pengesa “deri sa të zgjidhen rastet e tyre paraprake dhe të sillen para drejtësisë kryerësit”.
Prokurori i shtetit dhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të shtetit në Podgoricë Vukas Radonjić thotë që rastet e rrezikimit të lirive të mediave janë “në mbikëqyrje të veçantë."
Qeveria e sapozgjedhur ka vërejtur të meta në proceset e kaluara. Në një korrespondencë përmes emailit, Ministria e Brendshme përmend që hetimet dhe proceset gjyqësore në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve “duhet të bëhen prioritete prej tash”. Shërbyesit e kësaj ministrie thonë që nuk mund të kënaqen me dënimet për kryerësit deri më tash dhe që ata nuk janë ndëshkuar. Sidoqoftë, ata besonë që janë “në krye të detyrës” sa u përket sulmeve të fundit ndaj Sadiković-it dhe Kočan-it.
Policia ka dorëzuar rezultatet e hetimit te zyra e prokurorit për veprime të mëtutjeshme. Prokurori i shtetit dhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të shtetit në Podgoricë Vukas Radonjić thotë që rastet e rrezikimit të lirive të mediave janë “në mbikëqyrje të veçantë”. E njëjta vlen për sulmet ndaj gazetarëve, rastet e diskriminimit dhe rrezikimin ose shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ata pohojnë që bashkëpunimi me policinë është “më i mirë se kurrë”.
Megjithatë, gazetarja Jelena Jovanović mendon që ka munguar reagimi i policisë natën kur është lënduar dhe që nuk i është qasur askush nga zyra e përmendur e prokurorisë në Nikshiq.
“Shpjegimi i vetëm për mungesën e reagimeve nga zyrtarët e Komisariatit të Policisë, të cilët kanë qenë në vendndodhje, është që janë urdhëruar të mos reagojnë”, thotë ajo. Ajo po ashtu beson që rasti i saj nuk është i vetmi rast sulmi ku “e vërteta është mbuluar me kujdes”. Kjo fshehje e së vërtetës, sipas saj, i përligj tërthorazi dhe i mbështet sulmet, frikësimet dhe kërcënimet e ardhme.
“Zbardhja e sulmeve ndaj gazetarëve dhe pronës mediatike është turp për autoritetet hetuese malazeze dhe për gjyqësorin”, paralajmëron Jovanović.
Statusi zyrtar, thikë me dy tehe
Në mënyrë që të ofrohet mbrojtje më e mirë, kanë filluar sërish konsultime për caktimin e një statusi zyrtar për gazetarët. Ky sugjerim daton nga viti 2010 kur është rekomanduar nga OJQ-ja Action for Human Rights. Për vite me radhë, zyrtarët kanë pretenduar se nuk ka bazë ligjore për caktimin e këtij lloj statusi për gazetarët, por tash kjo nismë mbështetet nga Shoqëria Malazeze e Gazetarëve Profesionistë, porse me disa ndryshime.
“Jemi nisur nga një variant më real që tashmë ekziston në ligjin penal të rajonit sepse e dimë që praktika e dikujt tjetër është pikënisja më e mirë”, thotë përfaqësuesja e Shoqërisë Jelena Popović. Ajo përshkruan se si sugjerimet e reja nënkuptojnë rëndimin e dënimeve për sulmet ndaj punëtorëve mediatikë.
“Sa u përket vendeve të rajonit, gëzohet një nivel më i lartë i mbrojtjes ligjore nga gazetarët në Kroaci dhe në Serbi. Serbia nuk i përmend veçanërisht gazetarët por saktëson profesionet që kryhen për hir të interesit publik dhe që i nënshtrohen rrezikut të shtuar nga sulmet. Ky formulim do të ishte i pranueshëm edhe për ne në Malin e Zi”, qartëson Popović dhe shton se Shoqëria pret zgjidhje më konkrete “sa më shpejt që është e mundur”.
Përfaqësuesit e Shoqërisë thonë se në mënyrë që të barazohen gazetarët me zyrtarët, është e rëndësishme të konsiderohet në hollësi se çfarë nënkupton kjo; pra, cilat do të ishin detyrat dhe obligimet e gazetarëve në këtë rast dhe cilat janë dobitë e një statusi të tillë.
A do të veprojë policia ndryshe për sulmet ndaj gazetarëve nëse ata kanë statusin e zyrtarëve? Kjo është pyetja që e shtron shumëkush në Malin e Zi sot. Foto: Jelena Kontić.
Gazetarja Jelena Jovanović thotë se pas së gjithash, ajo prapë nuk kupton telashet për caktimin e statusit zyrtar për gazetarët.
“Të qenët zyrtar nuk do të thotë më vete që do të jesh më i mbrojtur. Frikësohem se ky status do të sillte kufizime të mëdha për punën tonë në kushtet e tanishme të Malit të Zi. Ata që janë mësuar t’ua mbyllin gojët të gjithë njerëzve rreth tyre sigurisht që dinë se si ta shpërdorojnë këtë”, thotë ajo dhe pretendon që gjyqësori mund ta lehtësojë situatën po t’i trajtonin të gjithë në mënyrë të barabartë dhe t’i sanksiononin njerëzit simbas ligjit.
Solidariteti i diskutueshëm mes gazetarëve, pozicionet publike kontraverse
Sa i takon përgjegjësisë, të gjithë njerëzit që kanë folur me K2.0 pajtohen që tensionet politike që kanë trazuar diskurisn publik në Malin e Zi tash e shumë muaj kanë krijuar një mjedis të pafavorshëm për punën e gazetarëve.
“Ngjarjet shoqërore dhe politike pa dyshim se ndikojnë qytetarët dhe atmosferën e përgjithshme në shoqëri. Fatkeqësisht, periudha e tranzicioneve dhe entuziazmit politik turbulent është ende e pranishme”, thonë përfaqësuesit e Zyrës së Ombudspersonit.
Përfaqësuesit e Shoqërisë theksojnë që janë tejet të shqetësuar nga mungesa e solidaritetit mes gazetarëve.
Megjithatë, Jelena Jovanović sheh arsyet e sulmeve të shpeshta si pjesë përbërëse të fushatës së vazhdueshme negative kundër gazetarëve, por edhe si rezultat i mosndëshkimit të sulmeve të kaluara.
Përfaqësuesit e Shoqërisë theksojnë që janë tejet të shqetësuar nga mungesa e solidaritetit mes gazetarëve dhe Jelena Jovanović gjithashtu ka rënë pre e kësaj.
“Njerëzit e mi të afërt më thirrën për të më pyetur si jam, më ofruan ndihmë dhe shprehën zemëratë. Familja kërkoi që të mos shkoj më në qendër të çdo ngjarjeje, ndërsa të tjerët — ministri që merret me mediat, sektori i OJQ-ve, kolegët dhe partitë politike — morën pozicionin e tyre përmes heshtjes”, kujton ajo.
Ndryshe nga mediat dhe institucionet vendëse, me përjashtim të Unionit të Mediave të Malit të Zi, sulmi ndaj Jelena Jovanović-it ka shkaktuar reagime nga shoqatat e huaja të gazetarëve. “Gazetarët në Malin e Zi nuk i shohin kolegët që punojnë në mediat e tjera si pjesë e një gare të shëndoshë, por si armiq, gjë që është e padëgjuar”, na thotë Jovanović me keqardhje.
Sidoqoftë, sulmet ndaj Kočan-it dhe Sadiković-it prapë kanë shtyrë kolegët të dalin për protestë në Bijelo Polje me sloganin “Të gjithë jemi Nero dhe Edo (nofkat e Kočan-it and Sadiković-it)”. Sidoqoftë, të gjitha rrëfimet e sulmeve shpejt bien në heshtje.
Shoqëria e Gazetarëve është e vendosur që të kërkojë nga autoritetet të tregojnë “proaktivitet, përpikëri dhe vendosmëri për gjetjen dhe sanksionimin e kryerësve të sulmeve ndaj gazetarëve”. Përfaqësuesit nga sektori i ombudspersonit besojnë se mënyra e vetme për t’i parandaluar sulmet e ardhme është rishqyrtimi sa më i ngutur i situatës nga ana e autoriteteve në mënyrë që të zgjidhen problemet.
“Të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, mediave dhe pronave të tyre duhet të hetohen dhe ndiqen në plotni sepse është e vetmja mënyrë për t’u marrë si duhet me presionin ndaj gazetarisë së lirë në planin afatgjatë”, përfundon Siniša Bjeković dhe përmend se mediat janë pjesë e themelit e secilës shoqëri të lirë dhe se për këtë nuk ka alternativë.
Imazhi i ballinës: Jelena Kontić.