Biseda | Art

Samir Karahoda: Filmi i personazheve të mia nuk ka përfunduar

Nga - 06.08.2021

Regjisori i “Pa vend” flet për pingpongun në garazhe dhe bodrum të kishës, fotografinë si skenar, dhe simetrinë.

Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati përgjatë 15 viteve të fundit u detyruan t’ia ndërrojnë vendin tavolinës së pingpongut me qindra herë. Dy lojtarët profesionistë së bashku me trajnerin e klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit” e kanë bartur tavolinën e fortë drejtkëndëshe nëpër vendet më të papritura dhe pamenduara për luajtjen e një sporti.

Për disa vite e kanë stacionuar në bodrumin e një kishe në Prizren. Me një rast dhe kohë tjetër, tavolina ka zënë vend në mes të një salloni të papërdorur dasmash, me shumë gjasë gjatë ndonjë dimri kur festimet e martesave presin ngrohtësinë e verës. Në krahasim me këto, qilaret e garazhet përbënin strehimin më pak të çuditshëm dhe gati të zakonshëm për treshen më të rëndësishme të pingpongut të Prizrenit dhe dhjetëra gjenerata të fëmijëve dhe të rinjve të qytetit që u trajnuan nga Rifati.

Samir Karahoda, fotograf, kinematograf dhe regjisor, gjithashtu nga qyteti i Prizrenit, ishte pranë duke vrojtuar e dëgjuar këto peripeci gati prej zanafillës së klubit, pak vite pas përfundimit të luftës. Bile vetë Mazreku, një nga miqtë më të afërt e tij, ia rrëfente shpesh telashet e pengesat në mungesë të një hapësire.

“Nesër para se të shkoj në punë, duhet ta largoj tavolinën dhe ta çoj diku tjetër”, Karahoda kujton t’i ketë thënë shpesh shoku i tij gjatë daljeve të tyre në mbrëmje. “Më kujtohet kur në vitin 2004 apo 2005, i kanë ndërruar tetë a nëntë vende brenda vitit”.

Nuk është e rastësishme që Karahoda vendosi ta dokumentojë pikërisht këtë orvatje në filmin e tij të dytë “Pa vend”, se si disa individë si Rifati, bashkë me Mazrekun dhe Kazazin kanë bërë çmos për ta mbajtur gjallë pingpongun në qytetin e tyre. Filmi është në formën docu-fiction, ku karakterët luajnë veten e tyre Rifati, Mazreku, Kazazi dhe fëmijët që trajnohen në klub duke rikrijuar ngjarje aktuale dhe të kaluara të jetës së tyre. Derisa personazhet gjuajnë topin në anën tjetër të rrjetës, afër kamerës statike, kuadri i ngushtë që mezi zë pjesët e lartme të trupit lëvizës ndoshta aludon më së miri mungesën e hapësirës dhe ngulfatjen e sportistëve si pasojë e dështimit të gjatë të një sistemi për të mbështetur sportin në vend.

Filmi “Pa vend”, i realizuar në formatin docu-fiction ka marrë pjesë në Festivalin prestigjioz të Filmit në Kanë.

Filmi 15 minutësh që tregon 15 vjet histori të klubit dhe të Kosovës bëri histori të re për kinematografinë kosovare gjatë kësaj vere me pjesëmarrjen në Festivalin e Filmit në Kanë në konkurrencën zyrtare për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër. Për Karahodën kjo është vazhdimësi e vlerësimit të punës së tij nga qarqet më të larta të filmit në Evropë: filmi i tij i parë, dokumentari “Në Mes”, ka qenë pjesë e garës ndërkombëtare të filmave “Berlinale Shorts”, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Berlinale. Të dy filmat janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK).

Karahoda ka punuar si fotograf gati tërë jetën e vet, prej pas luftës si xhirues dhe kinematograf, dhe vitet e fundit edhe si regjisor. Së bashku me producentin e dy filmave të tij, Eroll Bilibanin, janë pjesë thelbësore e DokuFestit Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Filmi “Pa vend” do ta ketë premierën e vet kombëtare mu në DokuFest, të shunën (7 gusht), në ora 20:00 në Kinemanë “Lumbardhi”. Në të njëjtën kinema do të shfaqet edhe filmi “Në Mes” të dielen (8 gusht) në ora 12:00. 

K2.0 u takua me Karahodën për të folur për tavolinën që ka bërë rekord ndërrimi vendesh në historinë e pingpongut, emigrantët brenda Kosovës dhe karakteret që luajnë veten e tyre. 

K2.0: Para disa ditëve më rastisi ta shikoj një dokumentar për Joan Didion, autore dhe gazetare amerikane. Derisa flet për qytetin e saj të lindjes, Sacramento, në Kaliforni, ajo përmend ndikimin e gjeografisë dhe motit në atë se si ndërtohemi, dhe se si shpesh disa nuanca por edhe ekstreme të qytetit mbesin të pavërejtura për shumicën që kanë rutinë të zakonshme, por marrin kuptim në punën krijuese të dikujt. Mu kujtua kjo pjesë derisa mendoja për Prizrenin dhe punën tuaj. Cilat janë këto nuanca që i keni observuar, ose që kanë nxitur edhe bërjen e filmave tuaj?

Samir Karahoda: Në dokumentarin “Në Mes” [këto nuanca] kanë lidhje shumë, sidomos edhe për fenomenin që e kam trajtuar, çështjen e pronës në këtë rast. Tash personalisht njoh edhe shumë familje, duke filluar prej familjes time, apo të themi më zgjerimisht çdo e dyta, apo çdo e treta familje në Prizren kanë probleme me pronën. Shumica e familjeve nuk flasin me vete për shkak të paqartësive dhe për shkak të asj që nuk janë zgjidhur këto probleme prej prindërve të tyre. Dhe shumë më ka lënë përshypje kjo mënyra se si e kanë zgjidhur çështjen e pronës nëpër fshatëra disa udhëheqës të familjes, në këtë rast prindërit, babai me nënën. 

Tek ne shumë e kanë marrë këtë si komike, por kur kam filluar ta analizoj këtë fenomen i kam gjetur shumë të arsyeshëm këta prindër. Edhe në film e keni pa, që [karakteret] në disa raste thonë: “Derisa janë prindërit gjallë është mirë t’i rehatojnë fëmijët”.

Ajo që më ka nxitur më së shumti t’i kthehem filmit si regjisor është injorimi që e kemi pasur prej komunitetit filmik.

Në këtë rast këto janë aq të vetëdijshëm për vendin ku jetojnë, ku ligji nuk funksionon si duhet, dhe janë të vetëdijshëm se çka mund të ndodhë nëse nuk rregullohen sendet. Dhe në Kosovë prona është çështje e ndjeshme dhe e shenjtë për disa familje. Këta prindër kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë pavarësisht se sa iu kushton financiarisht, vetëm e vetëm mos të prishet harmonia në familje dhe të mbahen fëmijët bashkë. Kjo më kanë lënë shumë përshtypje dhe e respektoj vendimin e tyre pavarësisht kostos që ju ka dalë sepse edhe kjo është guxim i prindërve që kanë punuar tërë jetën. 

Zakonisht për kinematografët thuhet që janë regjisorë në pritje. A ka ndikuar të qenit pjesë e DokuFestit për një kohë të gjatë pranë mijëra filmave ta bëni këtë kapërcim nga fotografia dhe kamera në regji?

Mundem të them që ka pasur ndikim. Megjithatë prej si fëmijë, ëndrra ime gjithmonë ka qenë të xhiroj filma, dhe të shkoj të studioj në Evropë kinematografinë. Por kjo ka qenë shumë e komplikuar për shkak të kushteve edhe çështjeve administrative në vitet ‘90. 

Në vitin 1992 kam filluar të merrem me fotografi, kur kam qenë 15 vjeç. Dhe mandej e kuptova që në Turqi ka shkollë të fotografisë, edhe shkova atje, ku kam qëndruar gjashtë vjet dhe ka studiuar fotografinë. Mendojsha që me fotografi mund t’i afrohem kinematografisë dhe filmit. U ktheva këtu, dhe fillova menjëherë të merrem me Dokufest.

Por gjatë gjithë kohës kam qenë i kyçur në film. Kam punuar në filmin “Kukumi” [të Isa Qosjes, 2006] si fotograf. Ajo ka qenë përvoja e parë në film. Mandej fillova ngadalë të merrem me projekte të vogla, dokumentarë, dhe pataj të xhiroj edhe filma të shkurtër për regjisorë tjerë. 

Rifat Rifati, qëndron në mes fëmijëve të klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e drejton. Ai mbetet një nga figurat më frymëzuese për Karahodën. Foto e shkëputur nga pamjet filmike të “Pa vend”.

Megjithatë ajo që më ka nxitur më së shumti t’i kthehem filmit si regjisor është injorimi që e kemi pasur prej komunitetit filmik. Përparësi kanë pasur të huajt dhe ne jemi neglizhuar [për arsyen] me demek se jemi të Kosovës dhe nuk dimë. Nuk na kanë dhënë shumë mundësi të zhvillohemi si xhirues, apo si kinematograf. 

Askush nuk lind mjeshtër. Sa më shumë që punon, aq më shumë mëson sende të reja. Unë punoj në fotografi mbi 20 vjet. Jam profesionist, por prapë vazhdoj të mësoj sende të reja, për shembull si të gjndem në kushte të vështire. E gjithë përvoja të bën edhe më me shumë përvojë. 

Kjo ka qenë diçka që më ka penguar shumë, dhe sa herë që produksionet nuk kanë pasur buxhet janë kthyer nga ne duke thënë: “Jemi shokë e shoqe, e apo vjen me na ndihmu”. 

Në atë moment kam vendosur t’i bëjë vet filmat e mi, dhe t’i xhiroj vet. Sot të dy filmat vlerësohen edhe për kinematografinë që e kanë. 

Fillimi i viteve ‘90 përbën një nga periudhat më të vështira të vendit, kur tashmë kishte filluar ajo që sot e njohim dekada e shtypjes. Jam kurreshtare të kuptoj më shumë se cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur këtë dëshirë për fotografi dhe film, atëherë kur nuk kishte prodhim të filmave?

Në atë kohë bile ka qenë e ndaluar të xhirohen filma prej regjimit të Millosheviqit, sepse filmi i fundit [para suprimimit të autonomisë së Kosovës në 1989] është bërë në vitin 1987, dhe ka qenë “Rojet e Mjegullës” [i Isa Qosjes]. Kjo ka qenë një arsye pse është dashur të dalë jashtë Kosovës. 

Unë isha duke punuar si fotograf me një dyqan te djemtë e hallës, dhe çdo ditë ishte njëjtë: fotografo ata që martoheshin, fotografo pasaporta, dhe nuk ishte aspak përvojë përmbushëse. Asgjë nuk ndodhke, e as filmat nuk u xhirojshin, dhe ka qenë një periudhë monotone të punoj vetëm në një dyqan e të bëj sendet e njëjta.

Vendi i vetëm që më përshtatej më shumë si financiarisht, dhe më lehtë të dilja ka qenë Stambolli dhe ika atje.

Në filmin e Karahodës lojtarët e pingpongut në shumë skena janë xhiruar në kuadër të ngushtë, duke aluduar në hapësirën dhe vendin e munguar për klubin e këtj sporti në Prizren. Foto e shkëputur nga pamjet filmike të “Pa vend”.

Duket e qartë që në të dy filmat tuaj fotografia është mjeti kryesor i rrëfimit në film. Ndërsa skenari më shumë ka rolin ndihmës duke u përdorur për ta përmbushur ndonjë pjesë që nuk mund të kuptohet vetëm me fotografi, që në fakt nuk është konvencionale brenda idesë së rrëfimit…

E kam thënë edhe me një intervistë që fotografia është pjesë kryesore e skenarit dhe filmit. Zakonisht skenat i shoh si fotografi, e mandej sigurisht në disa vende më duhet të intervenoj për t’i zbërthyer më shumë dhe të përfshij dialog të shkurtër, ose dialog të shkurtër me domethënie më të madhe. 

Tek të dy filmat kemi pak dialog, por që tregon shumë për problemet që i ka shoqëria, sidomos tek filmi “Pa vend”. Aty ke dialog në tre a katër vende, por e kupton se çfarë po ndodhë në Kosovë në përgjithësi. Është rasti te skena në garazh ku e kuptojmë që secili i ri sot flet se si të dalë jashtë, ose si e kanë kthyer jovullnetarisht. 

Të dy filmat e kanë një atmosferë më shumë dramatike, më të errët, ashtu qysh e shoh unë vendin tonë.

Andaj te skena në sallonin e dasmës kur pronari i vendit me pak dialog shpërfaq karakterin e trajnerit, Rifat Rifatit, që e ka përballë [kur i referohet me fjalinë: “E di çfarë ke bërë për këtë vend”]. Në fakt trajneri është një nga patritotët më të mëdhenj që kam njohur në Kosovë, është një trajner që afër 40 vjet ka punuar pa kompenzim për pingpongun e Kosovës dhe është kryetar i Federatës së Pingpongut. 

Edhe sot e kësaj dite paradite punon si kontabilist, e pasdite shkon t’i ushtrojë fëmijët, vetëm e vetëm ta mbajë gjallë këtë sport. Dhe në të njëjtën kohë tre lojëtarët e klubit e përfaqësojnë Kosovën [si pjesë e ekipit kosovar]. Edhe Rifati nuk e ndalur punën as atëherë kur gjithçka ishte e ndaluar; në vitet ‘90 ai ushtronte fëmijët ilegalisht në garazh, vetëm që të mos ua ndërprejë zhvillimin.

Po të kthehem prapë tek kuadrot filmike; çdo skenë e shoh si fotografi dhe mundohem më shumë t’i shpreh ndjenjat e mia përmes atmosferës. Të dy filmat e kanë një atmosferë më shumë dramatike, më të errët, ashtu qysh e shoh unë vendin tonë. Unë nuk mund të gënjej asgjë, por ta shprehi se si e shoh unë vendin tonë.

Kur po mendoj për ngjyrat e filmit, po më bie në mend që në të shumtën e kohës skenat janë xhiruar në kohë të vranët, gati para ndonjë shërthimi shiu, ose edhe në mbrëmje në terr. Nuk është që shpesh e shohim qiellin e hapur dhe të kaltër. Do të thotë moti dhe ngjyrat e tilla i shtohen zymtësisë së ngjarjeve që i keni në filma?

Mua shumë më ka rënë të jem në terren, dhe sa herë shkoj nëpër fshatëra, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit e ke atë ndjesinë e zbrazëtisë dhe pastaj ndihesh i trishtuar për shkak të kësaj zbrazëtie. I sheh shtëpitë me dritare të mbyllyra, me roleta të mbyllura. Dhe të gjitha këto i kam treguar në filmin e parë. 

Ka qenë sfidë që 15 vjet të bëhen në 15 minuta.

Për shembull nuk kemi as muzikë, që ka qenë sfidë edhe për dizajnerin e zërit ta mbajë ritmin, dhe i është dashur të punojë shumë. Sepse nëse duhet ta vë një këngë në një vend të cakuar për të është shumë më lehtë se sa t’i mbajë 15 min pa muzikë, me frymë e me zhuma. Pra edhe zëri është një pjesë shumë e rëndësishme e rrëfimit.

Pse keni vendosur që “Pa vend” të jetë në formatin doku-fiction?

Film “Pa vend” i ka gati 15 vjet tregim brenda dhe ka qenë sfidë që 15 vjet të bëhen në 15 minuta. Për këtë arsye ky film e ka një format tjetër prej të parit. E kam menduar gjatë se si ta trajtoj dhe kam menduar që ndoshta forma më e mirë është që disa skena të jenë fiksion, pasi që shumica e filmit është rikrijim i skenave që i kanë përjetuar këta në jetën reale. 

Shumë thonë se ju duket si film fiksion sepse ata po aktrojnë, e në anën tjetër këta aktorë janë personazhë të vërtetë, janë lojëtarët e pingpongut. Do të thotë nuk e kemi asnjë aktor profesionist në film, që prapë e bën filmin si dokumentar, por në të njëjtën kohë i bën të aktrojnë ata.

Pse keni vendosur përfundimisht të mos ketë asnjë aktor/e profesionist/e?

E kam menduar shumë, dhe prapë se prapë kam thënë se tregimi është i tyre dhe meritojnë ata të jenë aty. Nuk pendohem aspak për këtë sepse nuk mendoj që aktorët profesionistë do të mund të luanin ashtu siç e kanë luajtur ata veten e tyre. 

Ndoshta mund të them se shumë rrallë ka nodhur t’ju jap sugjerime që të bëjnë këtë apo atë. Por ata në njëfarë forme kanë hyrë në veten e tyre siç kanë qenë përpara. 

Aq mirë i shprehnin emocionet, si në atë skenën në traktor. Veç janë ulur dhe unë s’kam bërë as zë. Veç u kam thënë që do të sillemi nëpër Prizren dhe asgjë tjetër. Personazhi i kthyer prej Gjermanisë e mbante kokën lartë sepse ai thoshte “Unë po e ndi veten qishtu dhe jam i lumtur sepse kam bërë diçka të mirë për këtë vend”.

Gjithashtu në shumë pjesë i kemi bërë dialogjet bashkë. Unë i përgatisha skriptat bashkë me Zgjimin [Terziqin], dhe në disa raste ata thonin: “Jo, po e bëjmë kështu më mirë”.

Për shembull ajo skena në kafiteri, e cila është edhe skenë vendimtare ku kuptohet gjithçka, e kemi bërë në moment të fundit të gjithë bashkë krejt. E pata xhiruar dy ditë më herët dhe nuk isha i kënaqur me përfundimin, edhe mandej kemi shkuar atë natë dhe e kemi bërë komplet dialogun. Përmes asaj skene kuptohet çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. 

Lojtarët e rinj të klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”. Foto e shkëputur nga pamjet filmike të “Pa vend”.

Simetria gjen hapësirë të madhe në të dy filmat tuaj. Në “Në Mes”, simetria brenda kompozicionit të kuadrit përkon edhe me temën e filmit, ndarjen e pronës në mënyrë të barabartë dhe mbajtjen e harmonisë brenda familjes. Te “Pa vend”, simetria gjithashtu jep një ndjenjë të harmonisë, por që është edhe më shumë në kontrast me zymtësinë e tregimit. A mund ta elaboroni këtë përdorim të simetrisë?

[Simetrinë] e kam pak sëmundje profesionale dhe për “Në Mes” mu ka përshtatur sese ka të bëjë edhe me arkitekturë pak. Edhe gjatë hulumtimit të tregimit i kam parë disa vende … më shumë kam shpenzuar kohë duke hulumtuar vendet se sa të xhiroj. Kështu kam vendosur që të shkojë me atë formë apo stil dhe pastaj kam menduar që është edhe metaforë e mirë që lidhet me kontekstin e stories, që gjithçka duhet të jetë e barabartë,

Shumica e tregimit pastaj lidhet me migrim, sepse shumë emigrantë që jetojnë jashtë e kanë pyetjen: A me ndejt a mu kthy? Krejt duan të kthehen, por nuk munden të kthehen sepse nuk duan të jetojnë këtu.

Unë shpesh kam udhëtuar nëpër Evropë dhe kur bisedonim me bashkëatdhetarë gjithmonë ka qenë muhabeti për Kosovën, dhe vërehej qartë që edhe ata që jetonin atje 30 vjet aq shumë i ndiqnin ngjarjet këtu, që edhe i dinin disa sende më mirë. Krejt mendojnë që ata atje e kanë lehtë të jetojnë dhe i kanë kushtet e mira, por në të njëjtën kohë e kanë ndjenjën e zbrazëtisë që nuk paguhet me asgjë.

Pra edhe titulli i filmit ka dalë nga kjo “Në Mes” dhe më shumë e ka pasë domethënien që as këta nuk janë as anej e as knej. Dhe përveç titullit, ajo është edhe pikënisja e simetrisë.

Thoshte: “Nesër para se të shkoj në punë, duhet ta largoj tavolinën dhe ta çoj diku tjetër”.

Mandej me filmin e dytë, pasi që kam marrë kritika të mira për fotografi kam vendosur ta mbaj këtë stil xhirimi dhe ndoshta ta bëj edhe si nënshkrim timin, që nesër pasnesër kur dikush i sheh fimat e mi, do ta dijë që Samiri e ka xhiruar këtë film, ose që kështu i ka xhiruar Samiri filmat.

Migrimi është një nga temat kryesore në dokumentarin e parë: karakteret janë familjarët e atyre që jetojnë në diasporë. Edhe pse në “Pa vend”, nuk është temë kryesore, migrimi megjithatë zë vend të madh nëpër referenca dhe aludime, sidomos te pjesa e dialogut. Duket që është një dukuri që ju preokupon. Ku është pikënisja e kësaj?

Komplet ngjarja është e vërtetë dhe Jetoni ka migruar në Gjermani para lufte, kur i ka ardhë ftesa të shkojë ushtar prej Ushtrisë Jugosllave (JNA-së) dhe është detyruar të ikë. Ai kthehet pas lufte dhe ne, nëse nuk gaboj, jemi njoftuar në vitin 2003.

Dhe po e lidhi me migrim sepse e ka një rast unik. Ky e ka pasur edhe punën, gjithçka ka pasur në Gjermani, por është kthyer që të bëjë diçka për vendin e vet. Fatkeqësisht nuk i ka dalë ashtu siç e ka menduar, por fatmirësisht që është kthyer, nëse e shikojmë për vendin tonë. 

Po kthehem prapë të pyetja e migrimt, dhe të dy filmat i prekin njerëzit që jetojnë në Kosovë si emigrantë. Ne shumë filma shohim për emigrantë që jetojnë në vendet që kanë migruar dhe pak filma janë bërë për emigrantët që jetojnë këtu. 

Përfundimisht të dy filma filmat prekin sistemin më thellë që duhet të analizohet më mirë dhe të kuptohet. Në të dy filmat e shohin që kur një sistem nuk punon mirë shoqëria është viktimë. Në këtë rast viktimë janë sportistët, e në filmin e parë viktimë janë familjarët. 

Dhe në të njëjtën kohë migrimin e konsideroj si pjesë të pandashme të popullit tonë. Mos të kishin qenë emigrantët apo bashkëatdhetarët, nuk besoj që ky shtet do të mund të rrinte në këmbë. 

Nëse do të kishim pasur kushte më të mira nuk do t’i kishim pasur tash tri medalje, por gjashtë a më shumë. Prej televizorit është shumë lehtë të krenohmi, derisa askush nuk bën gjë për t’i rregulluar sendet. 

Lojtarët e pingpongut kanë ushtruar profesionin e tyre nëpër garazhe, bodrume dhe sallona dasmash. Foto e shkëputur nga pamjet filmike të “Pa vend”.

Ka qenë vazhdimisht me vullnet dhe optimizëm. Ai fillon të inkuadrohet në klub dhe energjinë e vet përpiqej ta kalojë edhe tek të tjerët derisa po riaktivizohej klubi. E mbaj mend kur dilshim natën dhe tregonte se si kishte ndonjë problem çdo të dytën apo tretën javë.

Thoshte: “Nesër para se të shkoj në punë, duhet ta largoj tavolinën dhe ta çoj diku tjetër”. 

Më kujtohet kur në vitin 2004 apo 2005, i kanë ndërruar tetë a nëntë vende brenda vitit. 

Shumica e përvojave tona edhe lidhet me ato të shfaqura në filmat tonë nga aspekti i sistemit.

Unë jam i sigurtë që ky ekip po t’i kishte pasur kushtet më të mira, jam i sigurtë që njëri prej tyre do të ishtë në Tokio tash.

Kam shkuar t’i vizitoj para dy jave dhe nuk kam mundur të qëndroj aty. Ata luanin brenda në temperaturë pej 50 gradë, dhe në të njëjtën kohë në hapësirën poshtë tyre vaksinoheshin njerëzit. Filmi i personazheve të mia nuk ka përfunduar.

Mendoj që filmi ka arritur të paktën ta senzibilizojë këtë temë qoftë prej Kryetarit të Komunës, i cili ka marrë inciativën të përshpejtojë këtë proces [të gjetjes së hapësirës].

Karakteret e filmit “Pa vend” nuk janë aktorë profesionistë, por e luajnë veten e tyre, dhe filmi është bazuar në përvojat e tyre. Foto e shkëputur nga pamjet filmike të “Pa vend”.

Jetoni dhe Ermegani thonë ndoshta më shumë se një herë “bohet mirë”, fraza e njohur që përçon të paktën një shpresë, bile të vobektë për një të ardhme më të ndritshme. Medaljet e arta në Tokio, sukseset e mëdha të shumë filmbërësve kosovarë vetëm këtë vit A nuk janë këto gjurmë të vogla që edhe mund të bëhet mirë?

Edhe me Dokufest të njëjtën përvojë e kemi pasë, dhe rreth 10 vjet kam punuar pa kompensim. Unë dhe shumica e kolegëve kemi qenë të vetëdijshëm në çfarë vendi po jetojmë, dhe që vendi ka nevojë për kontribut në secilin aspekt, por kjo nuk mund të vazhdojë tërë jetën. Shumica e përvojave tona edhe lidhet me ato të shfaqura në filmat tonë nga aspekti i sistemit. 

Nuk mund t’i thuash traktoristit “Prit derisa të mi qes QKK-ja paret”.

Unë komplet filmin e kam xhiruar pa mjete, edhe pse kërkesën e kemi bërë me kohë muaj më herët. Tek pasi që ka dalë lajmi për Festivalin në Kanë i kemi marrë mjetet. Pra ekipi ka punuar pa kompensim [prej QKK-së], dhe secili film ka ankesa të njëjta. Normal që kjo na dekurajon nëse je duke u marrë me diçka kreative dhe je duke bërë diçka që kërkon 100 përqind përkushtim në punën që je duke bërë. 

Duhesh të merresh edhe me sende tjera që më shumë ngarkohesh psiqikisht dhe logjistikisht, pasi që duhesh të sigurosh mjete dhe ushqim për ekipin, apo për pagesat për transport që duhen të bëhen menjëherë. Nuk mund t’i thuash traktoristit “Prit derisa të mi qes QKK-ja paret”.

Këto janë sendet që na kanë munduar në njëfar forme, por prapë them që vullneti ndoshta ëshë më i madh, më i fortë, dhe dashnia për vendin që edhe në film e kemi … për të cilët [lojëtarët e pingpongut] ka qenë më e rëndësishme të bëjnë diçka për vendin se sa të përfitojnë prej vendit. 

Mendoj që krejt si shoqëri duhemi të kontribuojmë për ta  ndrequr këtë vend, për të ardhmen, për fëmijët tonë, e për tjerët. Se kush po përfiton e dimë shumë mirë. 

Si për fëmijët në film, si për gjeneratat e ardhshme të regjisorëve, kjo që kemi bërë vitet e fundit, do të jetë një lehtësim për brezat e rinj, sepse na veç i kemi hapur dyert dhe kemi treguar që jemi një vend që mund të bëjë sende të mira. Gjëja tjetër është që nuk duhet ta kemi paragjykimin që po vijmë prej një vendi të vogël, dhe që nuk mund të shtyhemi me shtetet tjera të pasura.K

 

Imazhi i ballinës: Elmedina Arapi.