Tri vite më parë, Elmaz Çakalli vendosi ta merrte rrugën e emigrimit si shumë bashkëmoshatarë të tij në Shqipëri. Vetëm 20 vjeç, ai u nis drejt Francës si rrugë ndërlidhëse për të kaluar më pas në Angli. Në Francë qëndroi për 3 muaj, dhe me gjithë shpresën që do t’ia dilte, shteti francez e ktheu pas.
Vendlindja e tij, Bulqiza, s’është aspak vend i panjohur. Për vite me radhë zë vend në dhjetra rrëfime për kushtet mjeruese të punës në minierat e kromit – numri i madh i vdekjeve të punëtorëve, lëndimet, pagat e ulëta – shpesh e vetmja mundësi punësimi për mijëra banorë të zonës. Së voni, ishte një nga minatorët e këtij vendi, Elton Debreshi, që ndezi një shkëndijë ndryshimi duke kandiduar për deputet në zgjedhjet e fundit në Shqipëri në prill të këtij viti. Pavarësisht që nuk fitoi mjaftueshëm vota për një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë, Debreshi ― për pak kohë ― e solli në qendër të vëmendjes nevojën për përmirësimin e kushteve të punës së minatorëve.
Minierat e kromit në Bulqizë janë shpesh puna e parë e të rinjve në këtë zonë. Elmazi, tanimë 23 vjeçar, punën në minierë e kishte nisur që në moshën 17 vjeç, fillimisht në të zezë, pa siguracione dhe kontratë pune dhe pas një viti vijoi punën në formë të rregullt. Ndërsa përshkruan procesin e punës që kryen prej gjashtë vitesh tanimë, me mbushjen e vagonëve me krom, ai ndan ndjesinë që përjeton çdo ditë që hyn në galeri.
“Unë kur hyj në minierë pikë së pari kam qefinët nën sqetull”, thotë Elmazi. “E kam nga momenti në moment sepse ka shumë rrezik ― që nga hyrja nga dera e galerisë, të punosh nëpër hapësira apo shkrepa që nuk kanë asnjë siguri”.
Bulqiza nuk ofron shumë mundësi për banorët e kësaj zone, pos punës në minierat e kromit. Foto: David Hardy.
Brez pas brezi, ky profesion është i trashëguar në familjen e tij, nga gjyshi te babai, ndërsa nuk ngurron të thotë se ka frikën se të njëjtin fat mund të kenë edhe fëmijët e tij kur t’i ketë. Por përpos viteve të shkuara, kushtet vijojnë të mbeten njësoj, teksa frika që i shoqëron gjatë punës është e pandashme.
“Është e njëjta situatë që në kohën e gjyshit, që më ka pas tregu shumë histori, edhe në kohën e babait, se babai ka ndërruar jetë edhe madje në galeri”, thotë Elmazi. “Të njëjtat kushte po i përjetoj edhe unë, madje më keq, sepse më përpara ka pas pak më shumë siguri sepse nuk ka qenë shfrytëzuar kaq shumë”.
Krahas djemve dhe burrave, në minierë punojnë edhe gratë dhe fëmijët. Shpesh si krah pune ndihmës për familjet e tyre, e shpesh si e vetmja mënyrë për të fituar pak të holla, ndërsa kanë humbur në minerë burrat dhe baballarët e tyre. E megjithatë e gjitha kjo nuk ka ardhur pa kosto në jetën e tyre.
“Ka pasur shumë nga ato gra që punojnë nëpër stogje dhe i kanë shtyrë fadromat gabimisht për arsye të shkarkimit të materialit dhe si kanë parë kur kanë lëshuar kovën sipër”, thotë Debreshi. “Kemi pasur nga ato që fëmijët i kanë zënë stogjet sipër, janë thyer këmbët e duart”.
Shumë gra në Bulqizë detyrohen të punojnë në stogjet e kromit qoftë për t’i ndihmuar familjet e tyre, qoftë si e vetmja mënyrë për të fituar pak të holla. Foto: David Hardy.
Ditën e 28 majit këtë vit Bulqiza e mbylli me lajmin se një 35 vjeçar humbi jetën brenda galerisë së kromit të kompanisë AlbChrome nga rrëshqitja e një grumbulli gurësh. Kompania Albchrome, pjesë e Balfin Group, e cila ka në pronësi pjesën më të madhe të minierave në Bulqizë nuk mbajti përgjegjësi, ndërsa fillimisht njoftoi se ngjarja ndodhi për pakujdesi të minatorit.
Një ditë më pas policia e qarkut në Dibër vendosi për arrestimin e një tekniku për veprën penale “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” , dhe procedoi penalisht dy brigadierë.
Në tre muajt e parë të vitit 2021, në sektorin e minierave janë aksidentuar katër minatorë, dhe e ka humbur jetën një tjetër prej tyre.
Ngjarja e 28 majit ishte vazhdimësi e një sërë ngjarjeve të tjera me natyrë të tillë përgjatë këtij viti. Me 24 maj, një tjetër minator u plagos në galeritë e kromit në Bulqizë, e pak javë më parë se 24 maji, për shkak të gazit të çliruar nga gjeneratori u asfiksuan tre minatorë në Martanesh, në zonën e Dibrës.
Përveç ngjarjeve të mësipërme, sipas Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) në tre muajt e parë të vitit 2021, në sektorin e minierave janë aksidentuar katër minatorë, dhe e ka humbur jetën një tjetër prej tyre. Ndërsa përgjatë vitit 2020 sipas analizës vjetore të ISHPSHSH-së humbën jetën pesë minatorë dhe u aksidentuan 28 të tjerë, mes të cilëve tri ishin gra.
Mungesa e një statusi për minatorët që prej shembjes së regjimit komunist i ka privuar ata nga shumë të drejta, qoftë gjatë kohës që janë në punë, por edhe pasi dalin në pension. Sipas Debreshit miratimi i statusit të minatorit është përgjigja më e mirë për banorët e Bulqizës.
“Për fëmijët e minatorëve në qoftë se prindërit e tyre humbin jetën në galeri, s’duhet të rropaten stogjeve të kromit bashkë me bashkëshortet e tyre për të mbajtur familjet me bukë”, thotë Debreshi. “Shteti duhet të jetë garant që familja e tij të mbahet me rrogën dinjitoze që i takon minatorit”.
Debreshi vë në dukje se fatkeqësisht minatorët nuk e kanë jetën e gjatë, andaj e duan statusin para se të vdesin.
Një taksist naftëtar për në Ballsh….
Pas dy orë e pak rrugë nga Tirana qyteza e Ballshit, në qarkun e Fierit, është relativisht i ri. Ballshi u ndërtua rreth 35 vite më parë si nevojë e zhvillimit industrial të kësaj zonës, që pasoi me vënien në punë të Uzinës së Përpunimit të Naftës më 1978. Kjo uzinë ka mbledhur punonjës jo vetëm nga Ballshi, por edhe qyteti i Patosit , Mallakastrës, Kuçovës si dhe vetë Fierit me rrethinat e tij.
Eri, njëri nga taksistët që viheshin në rend në stacionin që të çonte në Ballsh, si për ironi qëlloi ta njihte mirë situatën me rafinerinë për aq kohë sa kishte punuar vetë si naftëtar atje. Në qytetet e vogla, e aq me tepër në Shqipëri është e pamundur të shmangësh komunikimin në makinë, sidomos kur të gjithë njohin gjithë secilin.
Pak më shumë se në të 30-tat, me profesion naftëtar, Eri prej disa kohësh tanimë punon si taksist, për shkak të ndërprerjes së punës në rafineri. Ai është diplomuar në një nga degët e inxhinierisë, ndërsa menjëherë pas përfundimit të studimeve në Tiranë u kthye në vendlindje për të punuar në uzinën e Ballshit.
Gjithë procesi që çoi në ndalimin e punës në rafinerinë e Ballshit rrjedh nga zhvendosja e vazhdueshme e menaxhimit të rafinerisë nëpër kompani të shumta pronare e qiramarrëse.
Në shtator të vitit 2019, puna në këtë uzinë u ndërpre duke lënë pa punë 800 naftëtarë. Eri, njëkohësisht edhe anëtar i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar rrëfen se nëse nuk vihet në punë rafineria, e gjithë zona mbetet pa jetë.
“Këtu nuk rrihet, sapo të hapen kufijtë do të iki direkt”, shprehet ai teksa vozit me nxitim rrugët gjarpërushe në një peizazh të gjelbëruar që të shpie në Ballsh ndërsa kufijt e Shqipërisë gjatë majit ishin ende jo plotësisht të hapur për shkak të pandemisë COVID-19.
Rafineria është ndër mundësitë e vetme të punësimit në këtë zonë dhe nëse do të vihej në punë ai do të rikthehej sërish aty, por kjo gjë duket e pashpresë për të, duke pasur parasysh si kanë rrjedhur ngjarjet deri më tani.
Më herët, teksa rafineria ishte në punë rrugët dhe qyteza kishte më shumë gjallëri nga punëtorët që vinin dhe linin qytetit, rrëfen Eri.
Gjithë procesi që çoi në ndalimin e punës në rafinerinë e Ballshit rrjedh nga zhvendosja e vazhdueshme e menaxhimit të rafinerisë nëpër kompani të shumta pronare e qiramarrëse, çka rezultoi në borxh pagash ndaj naftëtarëve që nga periudha kur kompania Taçi Oil, e cila kishte privatizuar rafinerinë në vitin 2008, filloi të hynte në borxhe.
“Me falimentin që shpalli kompania Taçi Oil, u risollën në kombinatin tonë shumë pronarë qiramarrës duke akumuluar borxhe të mëdha”, thotë Sokol Dautaj, punonjës në rafinerinë e Ballshit prej 20 vitesh, por njëkohësisht edhe drejtues i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar (SNB). Kjo e fundit u krijua gjatë vitit 2020 si rrjedhojë e mos adresimit të shqetësimeve të naftëtarëve nga sindikatat e vjetra.
“Por fatkeqësia jonë më e madhe ndodhi pasi këto borxhe filluan të akumuloheshin edhe te punëtorët sepse nuk paguheshin pagat”, tha Dautaj duke shtuar se privatizimi i rafinerisë u pa si një zgjidhje serioze, por u kthye në borxhe ndaj naftëtarëve.
Procesi i pagave u ndoq edhe në mënyrë ligjore, mirëpo edhe pse vendimi i shtatorit 2017 i formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë njohu të drejtën e 505 punëtorëve për 13 pagat e prapambetura, ky vendim nuk është vënë ende në zbatim.
Që nga viti 2019, puna në rafinerinë e Ballshit ka ndaluar dhe askush nuk e di kur do të rinisë. Foto: Erisa Kryeziu.
Ndryshe nga situata e minatorëve, naftëtarët janë të mbrojtur me “Statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, të miratuar më shkurt 2017 në Kuvendin e Shqipërisë. Ky ligj, prej të cilit përfitojnë pesë mijë naftëtarë, ua njeh atyre të drejtën për pension para kohe si dhe naftëtarëve të papunë u krijohet përparësi për punësim dhe një pagesë jo më të vogël se 80% e pagës minimale në shkallë vendi. Baza e kompensimit e përdorur nga ky status ― 80% i pagës minimale ― është problematik në vetëvete pasi Kodi i Punës qartë thotë se paga s’mund të jetë më e ulët se paga minimale në shkallë vendi.
Kreu i Sindikatës, Dautaj shprehet se këto borxhe ndaj punëtorëve janë edhe ndaj shtetit shqiptar.
“Çudia më e madhe vetëm në Shqipëri ndodh sepse të kesh një proces gjyqësor, të kesh palën humbëse, që do të thotë njeh detyrimin mbas gjithë bordorove, sepse gjatë gjithë kësaj periudhe është punuar në rafineri”, thotë Dautaj. “Mbi rafinerinë është zhvilluar remontë, kapital, derisa u paraqit qiramarrësi i rradhës”.
Privatizimi i rafinerisë së Ballshit nuk ka qenë i qëndrueshëm ndër vite, duke kaluar nga një kompani në tjetrën e duke sjellë mbartjen e këtyre problematikave te naftëtarët më pas, të cilët eventualisht mbetën pa vend pune.
Asistenca e qeverisë drejt fundit, naftarët pezull
Zyrako Matohitaj ka punuar për 34 vjet si laborante në uzinën e Ballshit. Kjo uzinë ishte një strehëz profesionale për punëtorët dhe specialistët e të gjithë qarkut të Fierit dhe zonave përreth.
Çdo ditë, nga qyteti i saj Patosi, i ndodhur në juglindje të Qarkut Fier, ajo përshkonte rrugën për në Ballsh, jo më shumë se 20 minuta me makinë. Prej nëntorit të vitit 2019 puna në rafineri u ndërpre, duke e lënë Zyrakon të papunë bashkë me koleget e saj.
Naftarët hynë në grevë urie për t'i kërkuar të drejtat e tyre. Pas 26 ditësh grevë, u arrit marrëveshja me kryeministrin Rama për asistencë një vjeçare.
“Ne e mbajtëm punën mes plumbave, mes bandave që vinin vidhnin e iknin [gjatë luftës civile në vitin 1997]”, thotë Matohitaj. “Ne se braktisëm punën dhe të ruash një pasuri kombëtare të tillë ku ne u ushqyem, po njëkohësisht është një pasuri kombëtare për të gjithë vendin dhe te lësh këta punëtorë mes katër rrugëve pa asnjë lloj mbështetjeje, nuk besoj se do ketë vend të botës ku mund të ndodhi kjo”.
Prej muajit janar 2020, naftëtarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mos marrjen e pagesës duke u mbledhur në protesta e marshime në qytetin e Ballshit, por edhe në Tiranë. Kërkimi i të drejtave të tyre arriti deri në grevë urie. Për shkak të kushteve të vështira shëndetësore të naftëtarëve të përfshirë në greve për 17 ditë, vendosën që vendin e tyre ta zënë gratë naftëtare.
“Dolën burrat, atëherë gratë nuk kishin çfarë të humbisnin më”, rrëfen Matohitaj për ndjesitë e para kur hynë në grevë urie. “Fëmijët i kishin nëpër shkolla vetë të sëmura, djersa dhe mundi i tyre atje të shkelura tërë kohën ku ne ‘97 ishin ato gra që e mbajtën atë uzinë jo burrat…”
Naftarja, Zyrako Matohitaj, hyri në grevë bashkë me gratë e tjera naftare pasi burrave iu përkeqësua gjendja pas 17 ditësh grevë urie. Foto: Erisa Kryeziu.
Duke qëndruar të papunë prej një viti, në mungesë edhe të marrjes së 13 pagave, situata ekonomike e naftëtarëve ishte rënduar. Në ditën e 26 të grevës, gratë naftëtare e lanë dhomën e vogël në të cilën qëndronin në qendrën shëndetësore të Ballshit, pas marrëveshjes së arritur me Kryeministrin Rama për marrjen e një asistence prej 40,000 lekësh [330 euro] në muaj për një vit. Kjo asistencë është gati gjysma e pagës mujore të minatorëve, e cila shkonte deri në 70.000 – 80.000 lekë [rreth 600 – 700 euro].
“Ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë”, tha kryeministri Rama një natë para se të arrihej marrëveshja, më 9 nëntor 2020. “Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse faktikisht rafineria është e fikur, por natyrisht nuk flasim për pagën e asistencës”.
Në tetor të këtij viti përfundon kohëzgjatja një vjeçare e asistencës qeveritare për naftarët, ndërsa në rafineri nuk ka asnjë shenjë për rifillim të punës.
Që pas përfundimit të grevës së urisë nuk ka asnjë komunikim publik nga ana e Qeverisë shqiptare se si do të vijohet me rafinerinë e Ballshit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një përgjigje të dhënë për emisionin “Vetting” në televizionin ABC Neës Albania u shpreh se mbasi që shteti nuk ka aksione në rafinerinë e Ballshit, si rrjedhojë nuk ka propozim konkret për kthimin në punë të rafinerisë.
Sindikatat e reja, shpresë për të drejta të punëtorëve
Mos përfaqësimi i punëtorëve nga sindikatat e tyre si dhe braktisja në momente kyçe teksa luftohej për të drejta në sektorë të ndryshëm, ka nxitur së fundmi në Shqipëri një klimë pozitive në krijimin e sindikatave të reja.
“Kishte vite që naftëtarët ndiheshin të papërfaqësuar”, thotë Dautaj, kryesindikalisti i sindikatës së re SNB. “Edhe disa vjet më përpara, naftëtarët u braktisën nga sindikatat [e vjetra] gjatë një tubimi që ne kemi bërë drejt Ministrisë së Energjitikës në Tiranë, marshim prej orësh të tëra në këmbë”.
Ai thotë se të qënit përfaqësues ligjor i naftëtarëve dhe t’i braktisësh ata përgjatë protestave që u mbajtën teksa kërkohej e drejta e pagës, nuk të jep më këtë titull.
Krijimi i sindikatës së re, 4 minatorëve të Bulqizës u kushtoi me vend pune, por për minatorët solli shpresë. Foto: David Hardy.
Dy grupimet sindikaliste në Shqipëri si Bashkimi i Sindikatave të Pavaruara të Shqipërisë (BSPSH) dhe Konfederata e Sindikatave të Shqiperise (KSSH) kanë qenë mbrojtëse shumë të dobëta të punëtorëve sipas studiueses Edlira Xhafa, njëkohësisht drejtoreshë e Akademisë Online “Global Labour University” që ofron programe masteri për sindikalistët.
“Ndërsa fillimet e viteve ‘90 u duk sikur dhanë disa shenja për lindjen e një lëvizjeje punëtore të pavarur, materializimi i këtij potenciali u mpak që herët”, thotë Xhafa. “Këtu një rol të veçantë luajti dekreti famëkeq i Presidentit [Sali] Berisha në fillim të viteve ’90, i cili ia kaloi pronat e Bashkimeve Profesionale, dy sindikatave të asaj kohe”.
Sipas Xhafës, KSSH dhe BSPSH u kthyen thjesht në menaxhuese të pronave private të cilat për pjesën më të madhe të kohës u kanë siguruar vetë atyre të ardhura të majme.
"Formimi i sindikatave të reja demokratike direkt nga punëtorët është përgjigja më e mirë".
Edlira Xhafa
Nevoja për organizim dhe sindikalizëm i kushtoi vendin e punës katër minatorëve të punësuar në kompaninë AlbChrome në Bulqizë.
“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë që ti të krijosh një sindikatë”, thotë Debreshi. “Duke parë që pronarët që janë sot, mbizotërojnë galeritë e Bulqizës dhe janë goxha të fuqishëm, të lidhur me shtetin, me pushtetin, mbi të gjitha edhe të pasurit më të mëdhenj sa i përket Republikës së Shqipërisë, siç është për shembull Samir Mane [pronar i Balfin Group]”.
Sipas Xhafës, në rastin e Bulqizës sindikatat e vjetra bashkëpunuan me pronarët për t’i shtypur ato të rejat. Andaj, ajo mendon që formimi i sindikatave të reja demokratike direkt nga punëtorët është përgjigja më e mirë.
“Ato janë vetëm se përgjigje e drejtpërdrejtë e dështimit të pakthyeshëm të sindikatave të vjetra, por edhe nevojës historike të punëtorëve për të patur zë në vendin e punës” thotë ajo.
"Organizimi sindikal ka filluar të shihet në Bulqizë si shpresë dhe diçka alternative e drejtë".
Elton Debreshi
Për Debreshin megjithëse sindikata e re e krijuar erdhi me kosto personale duke sjellë edhe largimin nga puna të minatorëve të angazhuar, sërish misioni i saj duhet të vijojë.
“Nuk është e thënë se të hiqet një kryetar sindikate edhe të hiqen 3-4 të tjerë edhe të vdesi sindikata komplet”, thotë Debreshi. “Sindikata vazhdoi të zhvillohej dhe të marri më shumë forcë duke u anëtarësuar nëpër sindikatat e jashtme globale ose europiane”.
Sipas tij organizimi sindikal ka filluar të shihet në Bulqizë si shpresë dhe diçka alternative e drejtë. Por, se a do të ndikojë përvoja në Bulqizë e në Ballsh te organizimi më i madh i punëtorëve në të gjithë sektorët, i mbetet kohës të tregojë.
Imazhi i ballinës: David Hardy.