Kur i shikojmë yjet, nuk i shikojmë në gjendjen e tyre aktuale. Në fakt, po i vëzhgojmë bazuar në dritën që vetëm tash arrin foto-receptorët e retinës sonë. Icarusi, ylli më i largët i njohur për ne, është më tepër se nëntë miliardë vite dritë larg.
Çuditërisht, ky yll mund të ishte transformuar në një supernovë miliona vjet më parë, dhe ne ende nuk do ta dinim, sepse drita e asaj supernove do të na arrinte pas shumë miliona vitesh.
Apo ndoshta fare ― sepse ne nuk do të jemi këtu për të qenë dëshmitar. Dëshpërim.
Kthehemi tek planeti Tokë tek përleshjet tona të vogla dhe shkeljet e rëndomta. Qeveritë e Kosovës dhe Serbisë po grinden mbi kontrollin e veriut famëkeq. Në fakt, injorojeni. Është Serbia ajo që i portretizon gjërat në këtë mënyrë në mediat e saj, në dëshpërim për të demonstruar se mbizotëron. Dëshmitë në rritje dhe gjykimi i shëndoshë na tregojnë se kjo nuk është ajo që po ndodh, por kujt i intereson kjo gjë?
Thënë të vërtetën, qeveria serbe ka qenë duke i tërhequr institucionet e saj nga Kosova në vazhdimësi, veçanërisht nga këndi verior. Meqenëse kam jetuar këtu gjatë gjithë jetës sime ― dhe synoj të jetoj edhe në një të ardhme të parashikueshme ― më duket shumë e rëndësishme t’i shpërfaqë mendimet e mia se si jetojnë serbët e Kosovës, veçanërisht ata në veri.
Si ta urresh me efektivitet lirinë dhe demokracinë
Fillimisht, shumica e bashkatdhetarëve të mi, veçanërisht të moshuarit, e kalojnë pjesën më të madhe të kohës të ngjitur pas ekraneve të tyre televizive, duke përvetësuar pasivisht informacione se si i kemi rrëzuar shqiptarët për herën e gjashtë-miliontë ose se si Serbia është një vend i respektuar dhe i dashur nga të gjithë, dhe se situata e re lidhur me targat serbe nuk është një poshtërim kombëtar, por një fitore triumfuese.
Së dyti, shumë serbë ende e jetojnë jetën e tyre në iluzionin e pabazë (edhe nëse të gjitha iluzionet janë të pabaza) se Serbia përfundimisht do të mund ta marrë kontrollin mbi Kosovën. Dhe jo vetëm aq, jemi pothuajse gati!
Së treti, serbët e zakonshëm që nuk mendojnë se të gjithë shqiptarët janë bërë nga e keqja e pastër, detyrohen të justifikohen para bashkatdhetarëve të tyre. Nëse je serb, atëherë ekziston fakti se duhet t’i urreni të gjithë mashtruesit gjakatarë që na e morën tokën tonë të shenjtë të Kosovës dhe Metohisë.
Së katërti, askujt nuk i intereson akuza për manipulim të zgjedhjeve në komunitetet me shumicë serbe. Pjesa më e keqe është se ne pritet të ecim tutje me ngjarjet dhe ta shijojmë udhëtimin gjersa shoqëria jonë kthehet në një rrëmujë gjithnjë e më autokratike pa bazë demokratike ― edhe pse e dimë nga studime të shumta se sundimi absolut i lë të gjithë keq në planin afatgjatë (përfshirë despotët).
Është shqetësuese, sepse më duket se jemi mësuar t’i përçmojmë të gjithë ata që duan të jenë të lirë dhe të etur për demokraci. Jemi bërë kundërshtues të lirisë.
Por, kjo nuk është e gjitha.
Toka e askujt
Me pothuajse zero garancë nga autoritetet e Kosovës për të siguruar një standard të denjë jetese, popullata lokale serbe është lënë ta mbajë vetveten.
Tani, përpara se dikush të mendojë se meritojmë gjithçka që na ndodh “për shkak të politikave të Slobodan Milošević”, ta shpjegojmë edhe këtë për një sekondë.
Unë dhe bashkëmoshatarët e mi nuk ishim mjaftueshëm të rritur për të pasur të drejtën e votës në vitet 1990, kështu që nuk e kuptoj pse dikush duhet të na mbajë përgjegjës për krimet e grupeve të Milošević. Na bëhet diskriminim i shfrenuar nga institucionet e Kosovës, shkelje sistematike e të drejtave gjuhësore, liri të kufizuar të lëvizjes dhe siguri të diskutueshme të përditshme, veçanërisht për familjet e kthyera në jug të Ibrit.
E gjithë kjo përfundon me injorancën e vullnetshme dhe neglizhencën e qëllimshme ndaj rrethanave të serbëve vendas nga zyrtarët dhe shërbyesit publikë të Kosovës. Unë dhe bashkëmoshatarët e mi nuk meritojmë asgjë nga kjo. Njësoj si djali im gati dy-vjeç që nuk e meriton t’i nënshtrohet të gjitha këtyre pasi të rritet, të mësojë të lexojë, të shkruajë dhe të bisedojë me të tjerët.
Asnjëherë nuk jam ndjerë kaq i papërfaqësuar tërë jetën time. Si është e mundur?
Së pari, Beogradi po lëshon pasaporta serbe për qytetarët e tij që banojnë në Kosovë, por këto janë praktikisht të pavlefshme (pasaportat, jo qytetarët), pasi kërkojnë vizë për të udhëtuar jashtë vendit. Megjithatë, pjesa tjetër e qytetarëve të tyre përfiton nga një regjim pa viza me BE-në. Më në fund, kemi diçka të përbashkët me qytetarët e tjerë të Kosovës ― pasaportat e padobishme.
Së dyti, dikush mund të mendoj se, me dy qeveri vendore ― atë të Serbisë dhe Kosovës ― që funksionojnë paralelisht, kemi investime të dyfishta në infrastrukturën rrugore, dyfishin e përfitimeve të një shoqërie demokratike dhe dyfishimin e gjithçkaje që vjen së bashku me të. Mjerisht, kjo nuk ndodhë pasi të dy qeveritë ia lënë vazhdimisht përgjegjësinë tjetrës, duke përfunduar në një cikël të përhershëm fajësimi ku me sa duket asgjë nuk kryhet siç duhet.
Së treti, si dikush që jeton në Mitrovicën e Veriut qe 30 vite (e gjithë jeta ime deri tani), është e qartë se qeveria e Kosovës nuk dëshiron t’i integrojë qytetarët që jetojnë në veri ― duket se janë ekskluzivisht të interesuar ta kontrollojnë territorin ku banojmë. Thënë ndryshe, nuk na duan (shih: inkursionet e forcave speciale dhe ngacmimet e vendasve).
Por shiko se ç’na kanë bërë
Pos kësaj, më pengon tmerrësisht shumë që ende dëgjoj njerëz që thonë se vetëm njëra palë ka vuajtur gjatë konfliktit në Kosovë; se edhe nëse do të kishte viktima civile në palën tjetër, është e justifikueshme për ndonjë arsye të çmendur; dhe se pala jonë nuk ka kryer kurrë asnjë krim.
Është befasuese për mua pse është kaq e vështirë për njerëzit ta kuptojnë se ka gra (dhe burra) të përdhunuar, civilë të vrarë apo të zhdukur, se shtëpitë janë djegur me themel dhe komunitete të tëra janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Unë nuk e kam të vështirë aspak, pasi nuk mbaj barrën e kryerësve të vërtetë.
Vetëm ata duhet t’i kalojnë netët pa gjumë për atë që bënë, vetëm ata duhet të detyrohen të paguajnë për atë që bënë. Pse duhet ta mbaj barrën historike për atë që bëri një pjesëtar i kombit tim kur unë isha shtatë vjeç? Kjo nuk më pasqyron mua, as nga larg. Këto janë përgjegjësi dhe tmerre të atyre, jo të miat.
Gjithsesi, për dy shoqëri të shekullit të XXI, kemi vërtet disa dogma të stilit të shekullit të XII.
Lidhur me këtë, vizitova Francën dhe Gjermaninë disa herë. Më la përshtypje se si kanë arritur ta njohin të kaluarën e tyre të zymtë dhe t’i vazhdojnë jetët e tyre, veçanërisht në rajonet kufitare ku gjermanët e flasin rrjedhshëm frëngjishten dhe francezët e kanë gjermanishten të përsosur.
Me miliona viktima në luftëra të panumërta, si ia arritën ata ta linin mbrapa të kaluarën e tyre, por ne nuk po mundemi? Çka kanë më shumë se ne?
Fati i mirë i tyre, e kanë kuptuar argumentin e mosmbajtjes së peshës së gabimeve dhe krimeve të paraardhësve të tyre.
Jetë e dyfishtë
Në librin e tij “Enlightenment Now”, psikologu dhe psiko-linguisti kognitiv Steven Pinker argumenton se zhvillimi njerëzor ka qenë në një rritje të pjerrët gjatë njëqind e ca viteve të fundit. Në fakt, ai pohon se tash është koha më e mirë për të jetuar që nga fillimi i njerëzimit dhe se shumica e vendeve po e nxjerrin vazhdimisht veten nga gropa e varfërisë, izolimit politik dhe marrëzia njerëzore.
E pyes veten, a vlen kjo për veriun e Kosovës? Vështirë. Edhe pse ende kemi institucione të dyfishta (ndërmarrjet e shërbimeve publike, autoritetet komunale, autoritetet tatimore) të financuara dhe të menaxhuara nga Beogradi dhe Prishtina, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht dyfish ligj dhe rend. Edhe pse nuk e paguajmë energjinë elektrike, ujin dhe tatimin në pronë, kjo ka një kosto: tension jo optimal në dimër, kufizime uji gjatë verës dhe ndërtime të shfrenuara.
Nga mungesa e zhurmshme e përgjegjshmërisë politike tek joefikasiteti i sistemit gjyqësor dhe vrima e hapur që e quajmë kujdes shëndetësor dhe arsimi, ne ― njerëzit ― i vuajmë të gjitha këto. Ne i vuajmë pasojat, dhe fëmijët tanë gjithashtu, nëse nuk ndërmerret diçka menjëherë.
“Mjaft dërdëllite, Stefan”, mund të jeni duke menduar. Por prapë më duhet ta bëj pyetjen e dukshme këtu: nëse jetojmë në lagjen e grupit më të begatë dhe më të zhvilluar të kombeve, BE-së ― dhe e gjithë bota është e vendosur të përparojë gjatë dekadave që pasojnë, siç parashtron Steven Pinker ― a ka rëndësi se çfarë shkruhet në letërnjoftimet tona? Sepse këtu është puna, apo jo? Se stemën, targat dhe dokumentet personale të kujt do t’i përdorim ne veriorët. Nuk ka të bëjë me mirëqenien tonë apo standardet tona të jetesës; por për simbole dhe sisteme.
Pra, le ta shpjegojmë.
Nëse të gjitha të drejtat e mia respektohen, nëse flas lirshëm gjuhën time, nëse nëpunësit publikë nuk bëjnë si të pa ditur kur u kërkoj të ma kthejnë në serbisht, nëse ndjej se ligji është i barabartë për të gjithë dhe shoqëria po më trajton drejt ― a ka vërtet rëndësi a shënon Kosovë apo Serbi në letërnjoftimin tim? Në fakt, shumica e njerëzve që jetojnë në veriun famëkeq kanë marrë ID të Kosovës dhe posedojnë dokumente të lëshuara nga të dyja qeveritë.
E gjitha kjo më sjell tek një mesazh që furishëm dua t’ua përcjell udhëheqësve tanë të dashur (çdo aludim për Kim Jong Il është i paqëllimshëm):
Kryejeni më me njerëzit. Siguroni tanimë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme ose mos e bëni, thjesht na tregoni se çfarë keni për neve. Jemi lodhur duke jetuar në këtë harresë të përhershme. Prandaj, ju lutemi, me urtësinë tuaj të pafundme, lërnani të qetë.
Fundi
Mjaft më me vështirësitë sociale dhe politike.
Mendoj se zgjidhja përfundimtare për shumë nga dhimbjet tona që na mbizotërojnë është:
- Regjimi pa viza për të gjithë banorët e Kosovës.
- Shkëmbim i pakufizuar tregtar dhe financiar ndërmjet të gjithëve që jetojnë në “vilajetet” gjysmë të errëta që i quajmë Serbi dhe Kosovë.
- Jo kufij ose kufizime.
- Jo pikëkalime kufitare në Jarinjë, Bërnjak apo Merdare.
- Jo ngacmim të dyfishtë administrativ prej asnjërës qeveri.
- Jo forca speciale apo barrikada.
Por për t’u kthyer tek pretendimi fillestar:
Përafërsisht 60 deri në 70 milionë vjet më parë, dinosaurët ende bredhin lirshëm në Tokë. Drita e reflektuar nga Toka nga atëherë po arrin ende tani në disa galaktika të largëta, që në mënyrë efektive do të thotë se banorët e disa planetëve të largët, shumë vite drite larg, tani shijojnë pamjen e bimëve dhe kafshëve të Tokës që janë zhdukur prej kohësh.
Sinqerisht, unë e preferoj atë panoramë ndaj Kosovës dhe Serbisë që luftojnë për veriun famëkeq, që harrojnë plotësisht se sa të parëndësishme duken përleshjet e tyre në skemën e madhe të gjërave. Guxoj të them se i preferoj ato qytetërime të përparuara ndaj tonave!
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Ky blog është shkruar për Nismën e Re Sociale në kuadër të serisë së tyre të opinioneve dhe është botuar në K2.0 sipas marrëveshjes.
Seria e opinioneve është pjesë e një projekti nga Balkan Trust for Democracy e German Marshall Fund të ShBA-së dhe USAID-it. Këndvështrimet e shprehura në këtë seri opinionesh nuk përfaqësojnë doemos ato të Balkan Trust for Democracy, të German Marshall Fund të ShBA-së (BTD), të Agjencisë së ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose të Qeverisë së ShBA-së.
Ik hou van je blogif het is niet langer te veel probleem, vervang alles vaak vaak in het licht van de waarheid dat ik echt van je weblog hou. een geweldige deal gewaardeerd!,,Nivito