Pikëpamje

Hapësira të sigurta online, jo veç mendim ndryshe

Nga - 25.02.2022

Hapësira digjitale ndjek avazin e hapësirës fizike duke përjashtuar grupet e cenueshme.

Para tri ditëve, përmes një postimi në Twitter, mora mundin t’i kundërpërgjigjem sjelljes tipike të burrave në sferën debatuese mediale. Në atë postim them që nëse burrat duan t’i kontribuojnë debatit për drejtësi shoqërore, ata duhet të dëgjojnë më shumë dhe të flasin më pak dhe se privilegjet po i bëjnë ata injorantë dhe të pacipë. 

Kjo cicërrimë i referohej një diskutimi në Twitter-Space, të mbajtur me 22 shkurt, ku u fol për draft-Kodin Civil, vendosja në rend dite për votim në Kuvend e të cilit, nxiti diskutim rreth martesave midis personave të të njëjtit seks. 

Reagimet e burrave dhe të disa grave ndaj postimit tim ishin kryesisht paranojake, me ton përqeshës, me mbishkrime si “burrat në burg”, “vdekje burrave”, “feminizëm toksik”. Disa komente detyrohem t’i bllokoj për shkak të përmbajtjes eksplicite seksuale.

Si në televizione, ashtu edhe në hapësirat digjitale burrat zaptojnë hapësirat debatuese dhe në cilësinë e ekspertit, shprehen për të gjitha çështjet e mundshme: politikën ditore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, çështjet gjinore dhe të drejtat e personave LGBT. 

Jo vetëm që e konsiderojnë veten kompententë për të shtjelluar tema të shumta e komplekse, por burrat ftojnë edhe burra të tjerë me ndikim, si për shembull predikues fetarë, kinse për të përfshirë mendime ndryshe. Ajo që pritet të kuptohet edhe nëse nuk theksohet, është që thirrja për t’iu bashkangjitur diskutimeve të tilla është e hapur për gratë dhe këdo tjetër.

Thashë “e mora mundin” sepse hapësirat digjitale –– jo vetëm ato shqip-folëse –– më shumë janë të frikshme sesa ftuese. Mundësitë për sulme verbale nga profile qoftë me identitet apo pa të, janë aq të zakonshme sa merren si të mirëqena. 

Debatet e ngushta

Përvojat e mia me gjuhën e urrejtjes online janë tejet modeste në krahasim me atë që e hasin personat LGTB. Reagimet ndaj debatit për njohen ligjore të martesës në mes të personave të seksit të njëjtë, të cilat qëllimisht nuk do t’i citoj, përfshijnë prej shprehjeve të mllefit për vëmendjen që po jepet një çështjeje të ‘parëndësishme’ deri tek komentet që kërcënojnë me përdhunim komunitetin dhe aleatët. 

Që shoqëria jonë është e aftë të reagojë kundër shtypjes së tjetrit dhe t’i ofrojë hapësirë të parezervë mediale online çështjes së bullizimit (përçmimit), u dëshmua me përkrahjen ndaj arsimtarit nga Vushtrria, Lulëzim Paci, i cili u kritikua nga deputetja e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani për publikimin e videove të tij duke vallëzuar në TikTok. 

Kritika e deputetes u cilësia si linçim dhe përkrahja për arsimtarin u materializua me një fushatë në rrjete sociale ku jo vetëm qytetarët dhe qytetaret, por edhe redaksitë e shumë medieve në Kosovë u kapën në valle për t’ia dëshmuar arsimtarit, deputetes që u kritikua për bullizëm dhe të gjithë shoqërisë që vallëzimi dhe të qenit ndryshe është asgjë tjetër, pos diçka e bukur.

Por bullizimi i personave LGBT që janë të zëshëm në hapësira të ndryshme mediale përjetohet si pjesë e kulturës, si në jetën e përditshme fizike, ashtu edhe në atë virtuale. Përtej grupeve avokuese të vetë personave LGBT, mobilizim qytetar për të adresuar këtë urrejtje me bazë gjinore dhe seksualiteti deri më tani nuk është se kemi parë. 

Kjo nuk ndodh sepse të drejtat njerëzore, ekonomike dhe shoqërore të këtyre personave janë ende ‘të diskutueshme’. Diskutimet ende fillohen me pyetjen “a je pro apo kundër të drejtave LGBT?” dhe kjo pyetje u bëhet edhe personave më konservatorë siç janë hoxhallarët dhe predikuesit tjerë fetarë. 

Këta të fundit, nëpër televizione ftohen edhe thjesht për qëllime senzacionale, por ka edhe të tillë që me të vërtetë besojnë që përmes bisedave dhe debatit mund t’i ndryshojnë mendjet thellësisht konservatore, madje edhe ato fashiste. Ky besim është deri diku i njëjtë me besimin ende këmbëngulës që gruaja, përmes kujdesit dhe fjalëve të ëmbëla, mund ta ndryshojë burrin e dhunshëm, i cili e lëndon vazhdimisht. 

Se sa të gatshëm janë predikuesit fetarë ta ndërrojnë mendjen për personat LGBT, u dëshmua me këtë deklaratë, për të cilën udhëheqësit fetarë në Kosovë u përbashkuan kundër planeve për t’i njohur ligjërisht martesat e personave të të njëjtit seks. Toleranca ndërfetare në Kosovë, për të cilën klasa politike mburret, mirëmbahet përmes homofobisë dhe përpjekjeve kolektive për të pamundësuar çfarëdo përpjekje ligjore që do t’u mundësonte personave LGBT statusin e mirëfilltë të qytetarit/es/ëve/eve të barabartë/a. 

Është dëshmuar qartë deri më tani që zërat konservatorë (qofshin burra apo gra) e dëshirojnë dhe e pranojnë ‘çikën e mirë’ që shprehet me mirësjellje dhe korrektësi politike. Të njëjtit zëra i duan personat LGBT të fshhur në dollape, pa zë dhe pa kërkesa ‘të tepërta’. Dhe kjo vështirë se do të ndryshohet përmes debatit dhe diskutimeve të hapura, të organizuara pa e pasur parasysh këtë kontekst të dhunshëm në të cilin jetojnë grupet e cenueshme shoqërore.

Me disa përjashtime të rralla, personat LGBT ende ofendohen, nënçmohen dhe përjashtohen nga familjet e tyre, institucionet dhe nga e mbarë shoqëria. Ndaj tyre ushtrohet dhunë fizike dhe emocionale; nuk kanë qasje të denjë në shërbime shëndetësore dhe as që flitet për ta në cilësinë e votuesëve/eve dhe taksapaguesëve/eve.

Dhuna online është shndërruar në kulturë të zakonshme komunikimi dhe më së vrazhdi ushtrohet ndaj grave të zëshme dhe personave LGBT.

Pradaj, një shoqëri jotolerante nuk duhet pyetur nëse është për apo kundër të drejtave themelore njerëzore dhe qytetare të një komuniteti. Një shoqëri jotolerante duhet sfiduar me biseda ku martesa si institucion dekonstruktohet, ku flitet për rolet gjinore në martesë, për cilësinë e raportit në çift, për përdhunimin martesor, për dhunën ekonomike ndaj grave, për mosangazhimin e burrave në përkujdesje të fëmijëve, për punë të shtëpisë, për arsyet prapa divorceve e të tjera. 

Tema të tilla i vënë në pikëpyetje vlerat tradicionale familjare (lexo: familjes nukleare) dhe e ekspozojnë martesën heteroseksuale për atë që është –– institucion i ndërtuar mbi një bazë të pabarabartë pushteti, ku më së shumti e pësojnë gratë. Martesa heteroseksuale, apo ‘natyralja’ siç po cilësohet nëpër rrjete sociale, kryesisht karakterizohet me shtypje të grave dhe privilegje të tepruara të burrave. 

Biseda të tilla, të planifikuara në mënyrë të matur dhe jo ad-hoc, jo vetëm që e demistifikojnë çështjen e martesës së personave të të njëjtit seks dhe vetë komunitetin LGBT, por edhe mundësojnë mbrojtje më të theksuar të komunitetit. Kjo është tejet e nevojshme pasi që dhuna online, e manifestuar mes tjerash përmes gjuhës së urrejtjes, është shndërruar në kulturë të zakonshme komunikimi dhe më së vrazhdi ushtrohet ndaj grave të zëshme dhe personave LGBT. 

Këto dy kategori sulmohen më së shumti online sepse sipas normave patriarkale, ato kërcënojnë ‘burrërinë’ dhe ‘vlerat familjare’. Prandaj edhe postimet që posaçërisht i mbajnë burrat, si agjentë të mirëmbajtjes së rendit patriarkal, zgjojnë mllef tek audienca mendje-ngushtë.

Për më shumë, është edhe çështje etike që debatues/e të denjë/a të jenë ata/ato, të cilët jo vetëm që ia njohin mirë sfidat dhe të mirat komunitetit për të cilin debatohet, por edhe e njohin fjalorthin bazë që e karakterizon shtypjen e atij komuniteti. 

Drejt ndryshimit të njëmendtë

Nëse nuk kërkojnë të destabilizojnë burrërinë si konstrukt patriarkal, nëse nuk adresojnë cis-seksizmin dhe nuk sfidojnë heteronormativitetin, debatet rreth emancipimit gjinor në përgjithësi dhe minoriteteve gjinore dhe seksuale në veçanti, nuk mund të jenë as të denja dhe as të dobishme. 

Dhe njerëzit që ndërmarrin iniciativa për mendim kritik dhe demokratik në hapësira publike, qofshin ato fizike apo digjitale, janë mjaft inteligjentë që ta kuptojnë këtë. 

Për të nxitur pjesëmarrje pro-aktive nga personat më të ndjeshëm, më të pafavorizuar dhe të nënpërfaqësuar nuk mjafton një thirrje e nënkuptuar e madje as një thirrje e hapur për pjesëmarrje. Duhet gjetur mënyra dhe mjete konkrete se si të krijohen dhe ofrohen ambiente ku personat e ndjeshëm nuk ritraumatizohen, ku nuk kanë nevojë ‘të shfajsohen’ dhe të arsyetojnë ekzistencën e tyre deri në rraskapitje fizike dhe emocionale. 

Nëse duam hapësira të mirëfillta publike demokratike në sferën digjitale, është detyrë dhe përgjegjësi të kultivojmë siguri në ato hapësira.

Sa më shumë që çlirohen hapësirat publike prej mendjeve të ngushta që ushqehen me shtypjen e një komuniteti të cenueshëm, aq më shumë do të ketë hapësirë për mendje të ndritura nga vetë komuniteti. Shkrimtari 23-vjeçar jo-binar Ern është një shembull i tillë. Përmes një shkrimi të shkurtër, aje ofron sugjerime gjuhësore se si mund të përfshihen mbiemrat e gjinorizuar në gjuhën shqipe. Kontribute të tilla jo vetëm që u ndihmojnë personave brenda komunitetit të kenë fjalorthin e nevojshëm për ta shprehur veten, por i kontribuojnë edhe vetë gjuhës shqipe, si gjuhë e papërpunuar dhe e painvestuar nga politikat e domosdoshme qeveritare.

Teknologjia nuk është në vetvete përparimtare. Prandaj, nëse duam hapësira të mirëfillta publike demokratike në sferën digjitale, është detyrë dhe përgjegjësi të kultivojmë siguri në ato hapësira. Duke lejuar gjuhë të urrejtjes dhe pikëpamje shtypëse për një grup shoqëror në emër të debatit demokratik dhe zërave pluralë, është po aq e pamend dhe intimiduese sikurse ta ekspozosh fizikisht një individ të ndjeshëm ndaj një komuniteti të dhunshëm dhe jotolerant për hirë të debatit të balancuar (dhe aq të mbivlerësuar). 

Po aq e rëndësishme të theksohet është që mirëmbajtja e këyre hapësirave të sigurta kërkon një dozë të konsiderueshme të llogaridhënies, ekzaminimit të pushtetit dhe abuzimit me të që bëhet nga burrat e pushtetshëm, qoftë udhëheqës fetarë apo të tjerë që gëzojnë autoritet në çfarëdo konteksti. 

Pavarësisht se si do të votohet për mundësinë e lejimit të martesës në mes të personave të seksit të njejtë dhe si do të komentohet tutje në rrjete sociale, personat LGBT jo vetëm që do të jenë pjesë e pamohueshme e kësaj shoqërie, por do të lulëzojnë si individë dhe si komunitet. Siç e tha aktivisti Lend Mustafa para disa ditëve në Twitter: “Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë.” 

Por që mesazhe të tilla politike të dalin në pah më shumë, hapësirat e sigurta online dhe qëllimisht të kultivuara për të qenë të tilla, duhet të trajtohen me prioritet dhe si më të rëndësishme se sa thjesht mendimi ndryshe.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave, të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.