Blogbox | BlogCall

Puna e parë. Tregona, qysh ka qenë?

Nga - 31.03.2022

Po dëshirojmë me dëgju prej teje.

Dërgona storien tënde — në më pak se 800 fjalë,  në gjuhën shqipe, angleze apo serbe — deri më 17 prill, në info@ktwopointzero.com dhe pastaj ne do t’ju informojmë për hapat e mëtutjeshëm.

Çka me shkrujtë?

Mendoje. Kujtoje. Kthehu n’kohë. Është dita e parë e punës. Një ditë që mezi e ke pritur, apo  ditë që kishe dashtë me u shty edhe pak, për shkak të mbingarkesës në shkollë apo në universitet. Njerëz të ri, përgjegjësi të reja, pagë mujore e tregime të reja. 

Tash rutina e mëngjesit dhe e mbëmjes zhvillohet sipas orarit. E bashkë me këtë orar edhe paren e sheh ndryshe, se e fiton me djersë. Ja nisë me planifiku, me mendu se ku të shkun gjithë ato pare, a ki boll sa për me e kalu muajin, ku ka me të ra me shpenzu më shumë këtë muaj e një sërë dilemash e pyetjesh që më herët s’i ke pasë. Tash, ia nisë me e shfletu pak edhe Ligjin e Punës. A po respektohen të drejtat tua? A po paguhesh mjaftueshëm? A po të japin pushim?

Përvoja e parë e punës ndryshon shumëçka; e përcakton mënyrën se qysh e sheh punën, kohën, pagën, pushtetin dhe jetën.

E bash për këto po dojmë me ju pyet

Qysh ka qenë për ju puna e parë? A t’kanë dhanë kontratë menjëherë apo iu kanë shmang atij muhabeti. A të janë pagu taksat? Rrogën a e ke pasë të mirë? A ke marrë pushim najherë?

Pasi ja ke nisë me punu, a ke ndërru si njeri? A të ka ndodhë ndonjë ngjarje qesharake? Apo ndonjë përvojë e keqe ose rast diskriminimi? A të ka pytë ndokush pyetje të çuditshme gjatë intervistës së punës?

Çdokush ka përjetu situata të ngjashme, të cilat ia vlen t’i rikujtosh apo s’mundesh me i harru. Këto përvoja na bëjnë njerëzit që jemi sot dhe për atë arsye po dëshirojmë me i dëgju ato. Ndaje përvojën e punës tënde të parë me lexuesit dhe lexueset e K2.0

 

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0