Sipas disa vlerësimeve, pjesëmarrja për zgjedhjet serbe të 3 prillit mund të jetë rreth 55% e 6.6 milionë serbëve me të drejtë vote. Sipas hulumtimit të kryer nga Shoqata Qytetare e Koalicionit Kombëtar për Decentralizim, qereku i qytetarëve të Serbisë janë të painteresuar se kush e udhëheqë vendin, ndërsa 14% e të anketuarve thanë se kishin frikë të votojnë për shkak se mos e humbin vendin e punës apo pagën e tyre dhe si rrjedhojë çdo vit vendosin të bëhen me partinë në pushtet.
Megjithatë, kjo javë përbën një mundësi që të gjithë të dalin dhe të votojnë për parlamentin e ri, për asambletë komunale në 12 komuna dhe dy qytete, përfshirë edhe Beogradin, si dhe për një president të ri, apo ndoshta, për një president të vjetër.
Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë njerëz në diasporë dhe edhe pse vetëm 40,000 janë regjistruar për të votuar, kjo ende përbën një të tretën më shumë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Vendimi i Kosovës, që të mos lejojë procesin e votimit në territorin e saj është në dobi të partisë në pushtet dhe presidentit Aleksandar Vučić, sepse ndonëse ky është numër simbolik i votuesve, numër që nuk mund t’u ndihmojë edhe aq shumë, vendimi i marrë nga Prishtina po përdoret për fushatë zgjedhore. Kosova mbetet një nga temat kryesore në zgjedhjet e Serbisë, edhe për qeverinë e edhe për opozitën.
Përveç Kosovës, Rusia dhe lufta në Ukrainë janë tema që po luajnë një rol të rëndësishëm në fushatën e tanishme zgjedhore.
Bojan Klačar, drejtor ekzekutiv në CESID, shoqatë qytetare që monitoron zgjedhjet serbe, thotë se publiku ka “një ndjenjë tradicionalisht pro-ruse dhe një pikëpamje racionale për BE-në”.
“Çdo parti që dëshiron të dalë mirë duhet ta ketë parasysh faktin se nuk është e lehtë të bësh fushatë në Serbi. Publiku serb është kompleks, edhe partitë liberale apo të orientuara nga e majta nuk janë në favor të vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë apo njohjes së Kosovës”, tha Klačar.
Duke i gjykuar gjërat nga fushatat që po i shohim, 19 listat zgjedhore dhe tetë kandidatët për president janë të vetëdijshëm për këtë.
Tetë kandidatët
Zgjedhjet presidenciale kanë marrë vëmendjen më të madhe në fushatën e këtij viti. Renditja e kandidatëve në fletëvotim u përcaktua me short të rastësishëm të realizuar nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve. Numri një në listë, Miša Vacić, me moton zgjedhore “Patriot serb”, vjen nga partia e quajtur “Srpska desnica” (në shq. “E djathta serbe”), të cilën ai e themeloi dhe e drejton. Çështja e statusit të Kosovës dhe marrëdhëniet me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë përbëjnë pikat kyçe në programin e këtij kandidati.
Në paraqitjet e tij publike, Vacić ka treguar se është kundër çdo gjëje evropiane, se e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe është përkrahës i Rusisë. Një tog-fjalësh i shpeshtë i tij është: “Ta bëjmë Serbinë të mrekullueshme përsëri”.
Vacić ishte anëtar i grupit ultra-nacionalist “Pokret 1389” dhe më vonë themeloi një grup të quajtur “SNP 1389” (të dyja i referohen vitit 1389, kur u zhvillua Beteja e Kosovës). Qëllimi i të dy grupeve është kundërshtimi i pavarësisë së Kosovës. Për një periudhë të caktuar, ai ka punuar në atë që quhet Zyra për Kosovë dhe Metohi, një zyrë e qeverisë serbe, prej së cilës u pushua nga puna pas presionit publik.
Në vitin 2019, “Srpska desnica” arriti ta fitojë një ulëse në kuvendin komunal të Medvegjës.
Stojković beson se vendimin përfundimtar për Kosovën dhe anëtarësimin e mundshëm në NATO duhet ta marrin qytetarët me referendum.
Numri dy në listën zgjedhore është Biljana Stojković, kandidate nga koalicioni i majtë i gjelbër “Moramo” (në shq. Ne duhet). Koalicioni u formua gjatë protestave mjedisore të vitit 2021 dhe përbëhet nga grupet “Ne davimo Beograd” (në shq. Mos e lini Beogradin të fundoset), Kryengritja Mjedisore dhe iniciativa qytetare Akcija (në shq. Aksion).
Stojković është profesore në Fakultetin e Biologjisë të Beogradit dhe ishte aktive në protestat mjedisore si pjesë e Parlamentit të Serbisë së Lirë, i cili u formua në vitin 2020 nga një grup intelektualësh në Beograd.
Qëndrimi i saj ndaj Kosovës është më liberali në krahasim me të tjerët. Megjithatë, korniza e saj bazohet, sipas saj, në Kushtetutën e Serbisë, ku në një preambulë thuhet se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Sidoqoftë, Stojković beson se vendimin përfundimtar për Kosovën dhe anëtarësimin e mundshëm në NATO duhet ta marrin qytetarët me referendum.
Numri tre në listën zgjedhore është Branka Stamenković, përfaqësuese e koalicionit të Sovrenistëve, të udhëhequr nga partia “Dosta je bilo” (në shq. Mjaft është mjaft) që ajo e udhëheq. Ata e përshkruajnë veten si “një lëvizje e njerëzve të ndershëm”.
Qëndrimi i saj për Kosovën dhe BE-në është mu si ai i Miša Vacić. Ajo kundërshton njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në NATO, kurse mbështet Rusinë dhe është në favor të pavarësisë së Republikës Srpska nga Bosnjë e Hercegovina.
Stamenković ka qenë deputete e kuvendit kombëtar prej vitit 2016 deri në vitin 2020. Ndër të tjera, ajo ka nisur iniciativën qytetare “Majka Hrabrost” (në shq. Nënat e guximshme), e cila avokon për përmirësimin e kushteve në maternitete.
Vendi i katërt në listën për zgjedhjet presidenciale është ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, një gjeneral i pensionuar, me origjinë nga Kroacia, Zdravko Ponoš. Ai është kandidat nga koalicioni opozitar “Serbia e Bashkuar”, e përbërë nga Partia për Liri dhe Drejtësi, Partia Demokratike, Partia Popullore dhe Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Në të kaluarën, kandidati presidencial Zdravko Ponoš ka mbështetur publikisht kriminelin e luftës Ratko Mladić.
Agjenda e tij politike kryesisht përputhet me atë të presidentit Vučić, që do të thotë se mbështet hyrjen e Serbisë në BE, por gjithashtu kundërshton një Kosovë të pavarur, ku ishte i vendosur gjatë një pjese të karrierës së tij ushtarake. Në vitin 2000 pranoi medalje nga Slobodan Milošević. Më vonë gjatë karrierës së tij, ishte i afërt me ish-presidentin Boris Tadić.
Në të kaluarën, Ponoš ka mbështetur publikisht kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mladić dhe tani po i kundërshton sanksionet ruse, ndonëse e dënoi pushtimin e Ukrainës.
Më poshtë në listë pas Ponoš është Milica Đurđević Stamenkovski, të cilën njerëzit në Serbi shpesh e quajnë “Milica Zavetnica” sepse është përfaqësuese e partisë së ekstremit të djathtë Zavetnici (që nënkupton “Shenjtorët mbrojtës” apo “ata që mbajnë zotimet e tyre”), e cila u themelua në vitin 2012. Fokusi i tyre është kryesisht Kosova.
Anëtarët dhe simpatizantët janë të njohur për pjesëmarrjen e tyre në protestat kundër festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd. Emri i festivalit vjen nga shprehja “Mirëdita” në shqip dhe serbisht. Në një protestë kundër festivalit, Đurđević Stamenkovski deklaroi: “Mirëditës mund t’i themi veç ‘natën e mirë’”.
Zavetnici deri më tani ka marrë pjesë në tri raunde zgjedhore por asnjëherë nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor dhe të bëhet pjesë e parlamentit.
Vendin e gjashtë në fletëvotim e zë presidenti i tanishëm Aleksandar Vučić. Para se t’i fitonte zgjedhjet e fundit presidenciale, kur e zëvendësoi kolegun e tij partiak Tomislav Nikolić, shërbeu si kryeministër. Ka udhëhequr Partinë Progresive Serbe (SNS) që nga viti 2012, kur filluan të marrin pjesë në qeverinë serbe.
Numri shtatë në listë është Miloš Jovanović, përfaqësues i Partisë Demokratike të Serbisë dhe koalicionit “Nada” (në shq. Shpresa), i cili përbëhet nga Lëvizja për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, Partia Demokratike e Serbisë dhe 25 shoqata qytetare. Jovanović dhe lista që ai përfaqëson, avokojnë për ringjalljen e Mbretërisë së Serbisë dhe thonë se fitorja e tyre e mundshme zgjedhore nënkupton hapin e parë në rivendosjen e një monarkie parlamentare. Ai kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe thotë se status quo-ja është zgjidhja më e mirë.
Në vitin 2012, mori mjaftueshëm vota për të hyrë në parlament, ku e vazhdoi mandatin e tij në vitin 2013.
I fundit në fletëvotim është Boško Obradović, i cili drejton lëvizjen ultra të djathtë Dveri (që do të thotë “Dyert e Shenjta”, duke iu referuar dyerve të një kishe). Gjithashtu e udhëheq “Frontin e Patriotëve“, të formuar në dhjetor të vitit 2021 përkrah grupeve si Partia Monarkiste Serbe e Unitetit Serb dhe Lëvizja Kombëtare për Serbi të Drejtë. Ata po ashtu duan ta rivendosin monarkinë, e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe e favorizojnë pavarësinë e Republikës Srpska nga Bosnjë e Hercegovina.
Obradović është njëri nga themeluesit e Dveri, një lëvizje aktive që nga viti 1999. Në zgjedhjet e vitit 2014, nuk morën mjaftueshëm vota për t’u bërë pjesë e parlamentit, por ia dolën ta bëjnë këtë në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016.
Pa alternativë në horizont
Zoran Vuletić, kryetar i organizatës politike Forumi Demokratik Qytetar, thotë se nuk është i sigurt nëse zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin ndonjë ndryshim në Serbi. “Mangësia më e madhe e zgjedhjeve të ardhshme është se nuk ka asnjë parti apo koalicion të vetëm që merr pjesë me një politikë alternative ndaj asaj të qeverisë së tanishme”, tha Vuletić, duke shtuar se arsyeja themelore për këtë është fakti se informacionet e viteve të ‘90-ta nuk janë shpërndarë siç duhet në Serbi. “Ky është problemi më i madh me të cilin përballet Serbia”.
Projeksionet e rezultateve zgjedhore duket se favorizojnë parashikimin e Vuletić se nuk do të ketë asnjë ndryshim.
Vuletić thotë se për më shumë se 20 vite, e kaluara është manipuluar dhe se lufta në Ukrainë dhe tërheqja e “paraleleve të rreme me bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë” kanë kontribuuar edhe më shumë në këtë besim. “Meqenëse nuk kemi bërë një analizë apo nuk kemi arritur në një përfundim të asaj që ndodhi me Serbinë dhe fqinjët e saj gjatë atyre viteve, sot të gjithë politikanët po pretendojnë në mënyrë uniforme se ukrainasit dhe rusët nuk janë ata që luftojnë në Ukrainë, por NATO dhe rusët”, tha Vuletić. “E turpshme”.
Ai përmendi rëndësinë e çështjes së Kosovës, duke theksuar se opinioni është “lobotomizuar” me vite me deklarata se Kosova është pjesë e Serbisë, “po mbërrijmë me një pikë ku kemi një popull që nuk e di se çfarë ka ngjarë qe 20 apo 30 vite”.
Projeksionet e rezultateve zgjedhore duket se favorizojnë parashikimin e Vuletić se nuk do të ketë asnjë ndryshim.
Organizata Rruga e Tretë e Re, e përbërë nga të rinj që bëjnë analiza politike, vlerëson se Vučić mund t’i fitojë 52% të votave. Menjëherë pas Vučić mund të jetë Zdravko Ponoš me 28%. Kur bëhet fjalë për parlamentin, ata parashohin fitoren e SNS me 45% të votave, duke vlerësuar se Serbia e Bashkuar mund t’i fitojë 20% dhe koalicioni Moramo 6%.
Fushatat më të paparashikueshme do të jetë në Beograd. Edhe pse pritet që SNS ta fitojë shumicën e votave me partnerët e saj, disa mendojnë se nuk do t’i kenë numrat e mjaftueshëm për ta formuar qeverinë të vetëm. Megjithatë, vlerësohet se koalicioni Moramo mund t’i fitojë rreth 10% të votave në Beograd.
Pak më shumë se shtatë ditë para zgjedhjeve, më 25 mars, 38 organizata jo-qeveritare dhe 36 profesorë iu drejtuan me letër të hapur presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shprehur shqetësimet e tyre rreth mashtrimit të planifikuar paraprakisht të votuesve. Në letër ata kërkojnë nga komisioni që t’i rrisë kapacitetet e tanishme të misionit të OSBE-së në Serbi për t’i parandaluar mashtrimet. “Mashtrimi me vota është një praktikë e zakonshme në Serbi”, thuhet në letër. “Edhe pse qeveria pranoi që të ketë vëzhgues të pranishëm, mandati dhe fushëveprimi i OSBE-së janë të pamjaftueshëm për ta luftuar këtë sfidë”, pohojnë nënshkruesit.
Për momentin, misioni i OSBE-së ka 250 vëzhgues për t’i mbuluar 8255 vendvotime.
Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, të mbajtura në vitin 2020, SNS fitoi 60% të votave së bashku me partnerët e koalicionit. Parlamenti mbeti pothuajse pa ndonjë opozitë, me përjashtim të deputetëve të pakicës, përfshirë shqiptarët dhe boshnjakët.
Imazhi i ballinës: Dejan Kožul.