Afërdita, u njoh me dyqanin e parë të rrobave të dorës së dytë 22 vjet më parë, në lagjen ku ishte rritur në Prishtinë. Një shoqe e saj ia kishte rekomanduar të shkonin, sepse aty kishte rroba ashtu siç i kërkonte ajo, “secila ndryshe nga tjetra”.
“Veç t’i kisha pasë dy kukulla, gjithçka kisha bo”, e kishte menduar kaherë me vete, duke manifestuar pasionin e saj për të punuar me rroba. Dhe kështu para tetë vitesh, kur ishte e papunë, nisi të mendonte se çka saktësisht mund të bënte. Hapja e ndonjë dyqani me rroba të reja –– që ishte gjëja e parë që i shkoi në mendje –– ishte e kushtueshme. Kështu, e hulumtoi tregun dhe vendosi ta hapte një dyqan me rroba të përdorura, pasi aq ia lejonin mundësitë.
“Me ba diçka vetë, me forca të mia, pa ndihmën e kërkujt”, tregon Afërdita. “Jo që s’kish njerëz që s’dojshin me më ndihmu, po unë kisha qejf vetë”.
Kështu, ajo kishte filluar të hulumtonte edhe si të furnizohej. Së pari u furnizua prej një tregtari që sillte rroba të përdorura nga vendet tjera në një depo të veten, nga ku furnizoheshin edhe njerëz të tjerë. Sidoqoftë, Afërdita e kishte lutur dhe e kishte paguar shtesë që ai t’ia mundësonte t’i përzgjidhte rrobat vetë, një nga një.
Në vitin 2018, ajo mori një lokal me një qira modeste në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë veç për të parë se a do të kishte interesim për këtë “fazë eksperimentale” të saj.
Ndonëse fillimisht propozimi i saj nuk ishte përkrahur shumë nga njerëzit, të cilëve u kishte treguar — edhe për shkak të stigmës për rrobat e përdorura — gjërat filluan të ndryshojnë kur filloi të kishte shitje. Për Afërditën, hapja e dyqanit të saj ishte një mënyrë për ta dëshmuar veten para njerëzve që e kishin vënë idenë e saj në dyshim.
“Duhet këmbëngulje e madhe në qëllimet e tua, për t’i arritur ato, sidomos në një vend si ky ku po jetojmë”, tregon Afërdita, duke shtuar se të qenit grua i vështirëson gjërat.
Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se deri në vitin 2021 vetëm 22.7% e grave në Kosovë janë të punësuara, ndërkaq nga rreth 2500 biznese të hapura gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, vetëm 23.2% kanë pronare gra. Hendeku i pronësisë është shumë i madh pasi pjesa tjetër e bizneseve është nën pronësi të burrave.
Të gjendura në këtë sistem të pabarabartë gjinor, gratë po shfrytëzojnë mundësi të ndryshme për të hapur ndërmarrjet e tyre. Një nga to është shitja e gjërave të përdorura duke u mbështetur në platformat online, gjë që po e ulë koston e të pasurit një biznes.
Me të vjetrën drejt të resë
Ajo që në gjuhën angleze njihet si thrifting, është blerja e veshmbathjeve, orendive, librave, aksesorëve, e çkamos tjetër, nga dyqanet ku shiten produkte të dorës së dytë –– diçka që është përdorur më parë, që ka pasur një tjetër pronar/e dhe tani e gjen përdorimin nga një tjetër.
Njerëzit që blejnë nëpër dyqanet që shesin produkte të dorës së dytë, e dinë se të gjesh një artikull të mirë kërkon kohë dhe përkushtim, prandaj dhe quhet nganjëherë “thrifting hunt” apo “gjueti për gjëra të përdorura”.
Kjo ishte edhe njëra ndër arsyet pse Vita Beqiri, ndërmarrësja 29-vjeçare nga Peja, ka vendosur që dyqani i saj i veshmbathjeve të përdorura “HipVintage” të funksionojë vetëm online, përmes faqeve në Instagram e në Facebook dhe së voni edhe përmes uebfaqes.
“Ka qenë uebfaqja që e ka lehtësu shumë punën për njerëzit” tregon Vita. “Se i ki edhe kategoritë ku munesh me cekë për shembull, nëse je tu e lyp veç ni gjamper, mos me hi në krejt postimet, po i klasifikon”.
Në vitin 2018, Vita vendosi t’i rifunksionalizonte llogaritë në rrjetet sociale të dyqanit, të nisur kohë më parë nga motra e saj, por që ishte mbyllur ndërkohë. E pakënaqur nëpër punët e mëparshme, Vita e diplomuar në pikturë, ia kushtoi tërë kohën këtij biznesi dhe tash, pas katër vitesh nga ky vendim, llogarinë e biznesit të saj në Instagram, e ndjekin rreth 7,000 persona.
Vita Beqiri, 29-vjeçare nga Peja, qe katër vite operon me biznesin e saj online të rrobave të përdorura “HipVintage”. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Në Kosovë, dyqanet e gjërave të përdorura kanë histori edhe para epokës së digjitalizimit, por me ardhjen e kësaj të fundit, këto lloj biznesesh, që nga viti 2008, e kanë kapitalizuar mundësinë për të arritur një audiencë më të madhe dhe për t’ua lehtësuar përdoruesve lundrimin në llojllojshmërinë e këtij lloj biznesi.
Një prej platformave më të mëdha të shitblerjes dhe shkëmbimit online, e njohur gjerësisht në Kosovë — merrjep — ua mundëson përdoruesve të vendosin në shitje çkado që posedojnë, por që nuk e përdorin më. Me vetëm një shfletim aty në shitje mund të gjenden prej dhjetra karrigeve të përdorura e deri te veturat dhe shpalljet për punë. Platforma lejon që blerësi potencial të kontaktojë me shitësin përmes numrit të telefonit. E hapur në vitin 2008, sot në përshkrimin e kësaj platforme thuhet se rreth 70,000 njerëz e përdorin atë dhe se në të publikohen deri në 2,000 shpallje në ditë.
Shitje-blerje e shkëmbime të tilla janë prezente edhe në grupe më të vogla në rrjetin social, Facebook, ku aplikohet i njëjti proces. E përveç këtyre platformave online dhe grupeve nëpër Facebook, në Kosovë gjenden dhjetra dyqane që shesin mallra antike nga vendet e jashtme si mobilie, llampa, e çmos.
Kalimi i mënyrës së blerjes apo kërkimit nëpër këto dyqane, prej dyqaneve fizike në blerjen online, ua ka mundësuar blerësve rehatinë e përzgjedhjes dhe blerjes si kurrë më parë. E në anën tjetër, pronarëve të këtyre bizneseve, u ka lejuar që të operojnë me kosto më të ulët.
Në Kosovë, ky lloj biznesi u ka ofruar hapësirë veçanërisht grave dhe vajzave. Të gjendura në mes të një sistemi pune që nuk u ofron mundësi të barabarta dhe mes vështirësive në ndërmarrësi, trendi i bizneseve online duket të ketë qenë intervenimi i nevojshëm për ta rritur përfaqësimin e grave në tregun e punës.
Ndonëse Afërdita kishte filluar të operojë përmes dyqanit të saj fizik, me insistimin e vajzës së saj, e kishte hapur llogarinë në Instagram. Për të, funksionimi i dyqanit online ishte diçka krejt e re.
“Sa kam qenë në atë lokalin tjetër, kur u çelë [llogaria e] Instagrami fillun porositë, nuk disha qysh bahet një porosi online, s’ja kisha idenë”, tregon Afërdita. “[Por] kur njeriu don me ba diçka i mëson krejt punët, edhe e pash që duhet me bashkëpunu me një postë. Ani njëherë fillova vetë mi qu, kerrin e kisha, po dikur u ba e pamundur se fillun ma larg”. Pas kësaj, ajo kontraktoi postë të shpejtë për dërgimin e porosive.
Puna online ia lehtësoi punën edhe asaj e edhe konsumatorëve.
“Më pëlqejke ideja, që kur ju pëlqejke diçka [konsumatorëve në Instagram], veç vike e merrke”, thotë Afërdita. “Se procesi kur vjen e kqyr, e provon e deri ta blen e deri ta merr, është pak irrituese. E ideja që veç e ka pa [konsumatori/ja produktin], e din me masë, me çmim, e krejt e veç vjen”.
Për Afërdita Salihun, nisja e biznesit të saj “BeYounique” ishte dëshmi se mund të bënte diçka veç me forcat e saj. Fotografia: Ferdi Limani / K2.0
Pas një kohe, Afërdita e mbylli dyqanin fizik dhe kaloi krejtësisht online, duke dashur ta hapte një tjetër më afër shtëpisë së saj. Por, pandemia ia ndryshoi planet. Ajo nuk punoi për një kohë duke qenë se tërë Kosova ishte në izolim të plotë.
Kur pandemia COVID-19 solli mbylljen totale të Kosovës në mars 2020, u mbyllën shumë biznese, duke e rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK), vetëm gjatë një viti mars 2020 – mars 2021 u mbyllën rreth 1,500 biznese, por numri mendohet të jetë shumë më i lartë.
Gjatë kësaj kohe shumë prej banorëve të Kosovës mbetën të papunë. Situata u përkeqësua edhe më shumë për gratë, si në shtëpi ashtu edhe në punë. Një raport nga Demokracia për Zhvillimt (D4D), organizatë e përqendruar në hulumtime dhe analizë te politikave, gjeti se në Kosovë, 5.3% të grave dhe 2.6% të burrave iu ndërprenë kontratat e punës si rezultat i pandemisë dhe 26% të grave u dërguan në pushim pa pagesë.
Por, midis gjithë këtyre vështirësive, u lindën biznese të reja që nuk kërkonin kontakt fizik me klientët e që punën e tyre e filluan me vetëm një llogari nëpër rrjetet sociale. Në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK), gjatë periudhës mars 2020 deri në mars 2021 janë regjistruar më shumë se 11,500 biznese të reja. Disa nga bizneset ekzistuese, u përqendruan në shitjen online, si forma e vetme me të cilën funksionojnë. Sipas të dhënave të fundit, vetëm në vitin 2020, gjatë pandemisë, shitjet online kanë shënuar rritje në 35.4%, me një rritje prej 12% në krahasim me vitin 2019.
Për Vitën, periudha e izolimit të plotë gjatë muajve të parë të pandemisë ia pamundësoi tërësisht të funksiononte për shkak se të gjitha gjërat i kishte në Prishtinë dhe vetë ndodhej në Pejë. Por, për Afërditën, përvoja me pandeminë, ia riktheu nevojën për një ndarje të qartë mes punës dhe shtëpisë.
Operimi i bizneseve online gjatë pandemisë solli edhe një vështirësi shtesë për gratë që punonin nga shtëpia. Përpos që u duhej të punonin për biznesin e tyre, atyre iu binte barra e punëve të shtëpisë, e edhe kujdesi ndaj fëmijëve. Me këto vështirësi u përball edhe Afërdita.
“Nuk mujsha me nda kohën kur kam me qenë nanë, edhe kur kam me qenë ajo që e menaxhoj këtë punë”, tha Afërdita.
Ndarja e punëve për dyqanin e saj me punët e shtëpisë ka qenë e vështirë, meqë nuk ka ekzistuar një ndarje e tillë për të, sidomos me mungesën e një hapësire të caktuar për të zhvilluar veprimarinë përkatëse.
“Nuk mujsha me nda kohën kur kam me qenë nanë, edhe kur kam me qenë ajo që e menaxhoj këtë punë”, tha Afërdita.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo vendosi ta hapte sërish një dyqan fizik në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku pret blerës të shumtë, shumica vajza dhe gra.
Biznesi online si burim financiar
Rritja e shitjeve online gjatë pandemisë në Kosovë u ka shërbyer bizneseve online, shpesh duke u bërë burimi kyç i financimit për gratë dhe vajzat që udhëheqin këto biznese. Në dyqanet online të Vitës dhe Afërditës çmimet e produkteve sillen nga 10 deri në 40 euro. Çmimit të produktit i shtohet edhe pagesa për transport nga klienti dhe përgjithësisht përfitimi financiar është i arritshëm.
Për Afërditën, fitimet nga dyqani janë të mjaftueshme, andaj ajo nuk mendon të ketë ndonjë punë tjetër.
“Nuk mendoj me pasë punë tjetër, përderisa shkon mirë, me i mbulu shpenzimet, me nxjerrë qiranë edhe për do shpenzime të vogla të mia, do qefe t’mia, derisa të është kështu s’kam me hekë dorë prej kësaj pune”, thotë ajo.
Vita, ndërkohë, tregon se e ka të pamundur të merret me diçka tjetër pos dyqanit HipVintage, bile edhe pikturën e ka lënë pasdore. Përkushtimi për t’i përzgjedhur e përgatitur rrobat, për t’i postuar në rrjete sociale e për të komunikuar me klientë, për të, është shndërruar në punë të plotë.
“Tash po e lidhi me një meme në internet, po ka qenë shumë funny: ‘S’kom dashtë punë që punon prej orës 8 deri 4, tash punoj 24 orë’”, thotë Vita.
Përveç anës fitimprurëse, për Vitën, është i rëndësishëm procesi i mësimit të vazhdueshëm në menaxhimin e biznesit dhe pavarësia që e ka prej të mos qenit nën kontratë.
“Gjithë kam marrë mendime prej kryesisht njerëzve të afërt po edhe njerëz që merren me biznes për ide dhe qysh me zhvillu, po mas mirti kam mujtë me ditë vetë”, tregon Vita. “[Se] po jam duke komuniku me ata klienta çdo ditë. Ajo shprehja që është “Tu pa, tu bo”. Kështu që gradual po shkojnë senet edhe po shkojnë duke u rritë, për fat të mirë”.
Derisa përfaqësimi i ulët i grave dhe vajzave në tregun e punës vazhdon të mbetet një prej faktorëve që mirëmban pabarazitë gjinore në Kosovë, digjitalizimi duket se ka hapur një dritare për gratë ndërmarrëse në Kosovë.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
I pergezoj per punen qe bene Vita dhe Aferdita dhe ju deshiroj sukses ne pune