Para se ta niste rrugëtimin e saj në hulumtim dhe shkrim historik, Nathalie Clayer, historiane e njohur franceze e fesë dhe nacionalizmit në hapësirat osmane dhe post-osmane, ishte inxhiniere. Studimi i saj i parë historik ishte rreth sufizmit në Shqipëri. Ishin vitet e ’80-ta, kur Shqipëria ishte vend komunist dhe praktikat fetare ishin të ndaluara. “Në atë kohë, s’mund të shkoja atje për të bërë ndonjë hulumtim”, kujton Clayer. Më vonë, gjatë viteve të ’90-ta, ajo filloi të punonte më shumë në çështjen e nacionalizmit dhe formimit të identitetit kombëtar shqiptar.
Në vitin 2007, studimet e saj rreth nacionalizmit shqiptar morën formën e librit “Aux origines du nationalisme albanais. La naissance d’une nation majoritairement musulmane en Europe”, (Origjinat e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë) botuar në Paris. Në vitin 2009 libri u përkthye në shqip dhe u botua nga shtëpia botuese “Përpjekja”.
Clayer është profesore në Shkollën për Studime të Avancuara në Shkenca Sociale (EHESS) në Paris dhe drejtore e hulumtimit në Qendrën për Studime Turke, Osmane, Ballkanike dhe të Azisë Qendrore (CETOBaC).
Në librin e saj të fundit, “Une histoire en traveling de l’Albanie (1920-1939). Avec, au-delà et en deçà de l’État” (në shq. Një histori përcjellëse e Shqipërisë (1920-1939): Me, përtej dhe poshtë shtetit), kurreshtja akademike e Clayer zhvendoset nga origjina e nacionalizmit shqiptar në proceset e shtetndërtimit në Shqipërinë e viteve 1920 dhe 1930. Në frëngjisht, libri u botua në vitin 2022 dhe pritet të përkthehet në shqip nga shtëpia botuese “Përpjekja”, dikur në pranverën e vitit 2023. “E propozoj një lloj tjetër të narrativës, jo nga lart-poshtë, [jo një që] e shpjegon se si ishte ndërtuar shteti nga pikëpamja e institucioneve dhe ministrive”, tha ajo për librin, i cili kryesisht trajton sovranitetin, modernizimin, nacionalizimin dhe fenë.
Në mes të nëntorit 2022, Clayer ishte në Prishtinë për një ligjëratë si pjesë e Akademisë për Politika Publike dhe Sociale, organizuar nga Instituti “Musine Kokalari” dhe një diskutim publik me botuesin e saj shqiptar, Fatos Lubonja, në Departamentin e Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës.
K2.0 bisedoi me Clayer për librin e saj më të ri, qasjen e saj kinematografike ndaj shkrimit të historisë dhe për atë se si trajektoret individuale të jetës flasin për kontekste më të gjera historike.
K2.0: Libri juaj më i fundit, “Une histoire en traveling de l’Albanie (1920-1939). Avec, au-delà et en deçà de l’État”, u botua këtë vit në frëngjisht. Libri trajton pothuajse 40 vitet e shtetndërtimit të Shqipërisë pas Perandorisë Osmane. Si ishte për ju procesi i shkrimit të librit?
Mendoj që libri ka një formë të veçantë. Kam punuar për vite me radhë në periudhën midis viteve 1920 dhe 1930, për tema të ndryshme të ndërlidhura me njëra-tjetrën, që dolën kryesisht nga arkivat, por edhe nga librat e materialet tjera që kam hulumtuar. Fillimisht, më lindi ideja ta bëja një përmbledhje studimesh të ndryshme që kisha bërë. Por e kuptova se studimet që kisha shkruar, si dhe të tjerat që kisha prezantuar gjatë seminareve të mia, formonin një entitet apo një narrativë që mund të lexohej si histori e formimit të shtetit shqiptar pikërisht në këto vite, 1920 dhe 1930 dhe ndonjëherë duke u kthyer prapa në periudhat e mëparshme. Një nga tezat e mia në libër është se dimensioni post-osman është shumë i rëndësishëm, të paktën në fillim të kësaj periudhe.
Libri është propozim për një lloj të ri të narrativës. Ideja ishte ta shikoja një objekt, në këtë rast, formimin e një shteti, si në një xhirim të përqendruar në të gjitha këndet e një objekti. Ky lloj xhirimi në frëngjisht quhet “travelling” që në anglisht përkthehet pikërisht si udhëtim, kështu që njerëzit mendojnë se ka të bëjë me turizëm ose diçka të ngjashme. Megjithatë, ka të bëjë me përcjelljen e një objekti dhe lëvizjen e tij, duke i shkuar më afër ose më larg, në mënyrë që të shohim aspekte, që zakonisht nuk i vërejmë.
Kështu, i grumbullova studimet e mia të mëparshme për këtë periudhë, i mblodha dhe i transformova pak dhe shtova të tjera. M’u deshën rreth 10 vjet për ta përfunduar librin. Por sigurisht, gjatë rrugës isha duke punuar edhe gjëra të tjera. Disa nga studimet që tani janë kapituj të librit janë konceptuar dhe shkruar ndoshta 15 vjet më parë. Dy të tretat e kapitujve ishin letra ekzistuese që unë i ripunova. Pastaj shkrova pjesën tjetër, plus një hyrje dhe përfundim. Rreth katër vjet më parë vendosa ta bëja librin.
Materialin e organizova në tri sekuenca: një për skenën politike dhe politikat publike; një tjetër për aspekte të ndryshme të hapësirës — si kontrollohet, kufizohet apo shënohet hapësira; dhe e treta, për trajektoret individuale ose familjare. Kësisoj, unë propozoj një lloj tjetër narrative, që nuk është narrativë nga lart-poshtë, e cila do të shpjegonte se si është ndërtuar shteti nga perspektiva e institucioneve dhe ministrive, mënyra e qeverisjes ose vetëm nga poshtë-lart, e cila përqendrohet vetëm te individët. Është disi diçka më ndryshe.
Nathalie Clayer filloi karrierën e saj akademike duke e hulumtuar fenë në Shqipëri dhe Ballkan. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
Një nga aspektet që del nga kjo qasje është fakti se krahas rëndësisë së politikës italiane ndaj Shqipërisë gjatë atyre viteve, ekziston edhe dimensioni pas-osman, i cili s’është vetëm diakronik, por edhe shumë sinkronik me qarkullimet me Turqinë. Gjithashtu mund ta shohim më mirë se si pushtetit qendror i duhej të merrej me pushtetet lokale. Gjithashtu, gjatë perandorisë, si në çdo perandori, ka sovranitet të shtresuar dhe e shohim se si në atë periudhë ka pasur ende elemente të tilla. Për shembull, bashkësitë fetare kishin ende pushtet. Pra, çka nënkupton të përpiqesh ta imponosh një sovranitet të ri dhe si është e mundur apo jo? Dhe më në fund, na lejon të kuptojmë mënyra alternative të të shikuarit të modernizimit të vendit.
Qasja juaj kinematografike ndaj kërkimit historik i referohet narrativave të jetës së personazheve të ndryshme për ta kuptuar kontekstin më të gjerë politik, ekonomik dhe socio-kulturor të periudhës së viteve 1920-1939. Si vendosët se cilat personazhe do t’i përfshini në libër? Çka ju tërhoqi tek ata?
Natyrisht, personazhet nuk janë përfaqësuese. Kur shkruan histori, është pothuajse e pamundur t’i mbash gjërat vërtetë përfaqësuese. Kjo do të thotë se duhet ta analizosh çdo rast si specifik dhe të përpiqesh ta kuptosh se çka na tregon ai rast për marrëdhëniet midis individëve dhe strukturave. Në qoftë se zgjedhjet s’mund të jenë përfaqësuese, të paktën, ato duhet të jenë tejet të ndryshme nga njëra-tjetra. Për secilin rast që kam përfshirë në libër, kam gjetur një burim që ishte shumë interesant, si suvenire, kujtime ose burime të tjera.
Një kapitull e kam për një imam, që u mësonte gjuhën shqipe vajzave të reja, por që nuk dëshironte të ishte pjesë e institucioneve të reja fetare. Në njëfarë mënyre është në konkurrencë me autoritetet shqiptare. Është interesante sepse sfidon edhe ligjin për kodin civil.
Kapitulli i dytë flet për një vajzë, Nexhmije Zaimi, e cila kishte mbajtur shënime për kujtimet e saj. Është shumë interesante sepse përmes tekstit e shohim se ka pasur reforma sociale për kodin civil, martesën etj. Por në fakt edhe në një familje, e cila i përkiste grupit që po ndërtonte dhe mbështeste formimin e shtetit të ri dhe ishte pjesë e burokracisë së re, mund ta shohim se [disa reforma të caktuara nuk ishin të pranueshme]. Atë e dërguan në një shkollë moderne që drejtohej nga amerikanët, por kur ishte 13 ose 15-vjeçare, nuk e lejuan ta vazhdonte shkollimin e mesëm. Më pas e kishte shumë të vështirë të gjente punë, pasi babai i saj nuk pajtohej rreth kësaj. Pra, do të thotë se ka qenë mjaft e vështirë t’i ndryshosh vlerat familjare. Faktikisht, ajo nuk mundi ta sfidonte situatën në Shqipëri, ndaj shkoi në Amerikë dhe qëndroi aty.
Kapitulli i tretë ka të bëjë me Ahmet Zogun, por si individ, i cili ka luajtur një rol. Merrem me ndërveprimin mes interesave private dhe publike, konkretisht me çështjen e pyjeve, si burim që i është shitur Italisë. E studioj rastin e një sipërmarrësi italian dhe Ahmet Zogut, sepse edhe të huajt janë pjesë e rëndësishme e fotografisë së plotë për këtë kohë.
I katërti ka të bëjë me një nënprefekt, Tafil Boletini, i lindur në Kosovë. Si nënprefekt iu desh t’i bënte disa reforma dhe të merrej me probleme në nivel lokal, që lidheshin kryesisht me çështjen e tokës. Historia e tij na lejon ta shohim raportin e këtij nënprefekti dhe pushtetit lokal me pushtetin qendror.
Kapitulli i pestë është një trajektore e një familjeje blegtorësh në fshatin e Tiranës. Blegtoria ishte shumë e rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja pse ishte e rëndësishme që ky rast të përfshihej në libër. Gjithashtu, njëri nga pasardhësit e kësaj familjeje ka shkruar një libër për miqtë e familjes së tyre. Bëhet fjalë për një sistem miqësie, i cili nuk kufizohet vetëm në miqësi siç e nënkuptojmë ne në Evropë, por përfshin edhe një sistem ndihme reciproke. Teksti tregon se si evoluon rrjeti i familjes me formimin e shtetit, se si, në njëfarë mënyre, përmes mekanizmave të ndryshëm, rrjeti i familjes nacionalizohet pak. Jo plotësisht, por paksa. Gjithashtu si kontribuon apo jo rrjeti i familjes në formimin e shtetit.
E përmendët se keni bërë shumë hulumtime arkivore gjatë punës për librin. Cila është mënyra se si i qasesh arkivave si historiane? Cilat arkiva i ke përdorur më shumë për të hulumtuar për librin?
Kam punuar kryesisht në Arkivin Kombëtar në Tiranë, por edhe në Romë, duke hulumtuar konkretisht vitet 1920 dhe 1930. Ka kaluar shumë kohë që nga viti 1993, kur kam filluar të punoj në këto arkiva, kur edhe kam qenë më e përqendruar te feja.
Është mirë të kesh pyetje kur ia fillon punës në arkiva, por më pas bëhet më e rëndësishme të ngresh pyetje si rrjedhojë e punës në arkiva. Duhet të shtrosh pyetje se çfarë lloj temash ishin të rëndësishme për administruesit ose njerëzit e tjerë gjatë një periudhe të caktuar. Nuk duhet ta marrësh, ta zëmë, një dokument të një ministrie dhe të thuash: “Mirë, dokumenti po thotë kështu, atëherë kështu duhet të ketë qenë”. Jo, është e rëndësishme të përpiqesh ta kuptosh se kush e ka shkruar dokumentin, pse, kur dhe nga cili pozicion. Pastaj ta analizosh se çka do të thotë përmbajtja e tij në atë kontekst.
Mendoj se ekziston një tendencë për t’i anashkaluar dimensionet osmane dhe post-osmane kur shkruhet dhe flitet për historinë e Ballkanit. Çka mendon se shpaloset për historitë e rajonit kur trajtohen dimensionet osmane dhe post-osmane?
Si mund ta imagjinojmë se njerëzit që jetonin në Perandorinë Osmane deri në vitin 1912 ose 1913, mund të fillonin papritur një jetë krejtësisht të re? Ata kishin fituar tashmë habitusin e tyre në kuptimin e Pierre Bourdieu [sociologut francez]. Ishin mësuar të punonin dhe të silleshin në mënyra të caktuara. Kishte ndryshime të rëndësishme politike, por kjo nuk ndodhi brenda ditës. Njerëzit jo vetëm që kishin një habitus, por edhe një kapital, që lidhej me jetën e tyre brenda Perandorisë Osmane.
Libri më i ri i Clayer trajton formimin e shtetit në vitet e para të Shqipërisë së pavarur. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
Do ta marr një shembull lidhur me kulturën politike, e cila kishte evoluar në një mënyrë të jashtëzakonshme në fillim të viteve të ’20-ta. Ka pasur mobilizime të reja që përdornin organizata sekrete, komitete, veçanërisht rreth çështjes maqedonase. Pastaj klubet u hapën pas Revolucionit Xhonturk. Shoqëritë u themeluan kudo, në Shtetet e Bashkuara po ashtu, midis komuniteteve të emigrantëve. Rreth viteve 1912 dhe 1913, por më shumë në vitin 1920, kur shteti shqiptar u rikrijua, shumë njerëz nisën të përpiqeshin të përfshihen në skenën politike duke përdorur këtë lloj mobilizimi dhe kulture politike. Kjo u ndikua edhe nga ndikimet më sinkronike të periudhës së pasluftës, për shembull, fillimi i mobilizimit fashist, apo të bërit e gjërave në mënyrën komuniste.
Shumë prej tyre u trajnuan duke përdorur këto mjete të reja të kulturës politike moderne që vinin nga fundi i periudhës osmane. Në kapitullin e librit mbi mobilizimet sekrete, tregoj se faktikisht, Zogu ia doli ta vendoste veten në qendër të skenës politike në fillim të viteve të ’20-ta, sepse ishte kooptuar nga një grup që kishte organizatën sekrete “Krahu Kombëtar”. Pra, ishte pikërisht kjo formë e organizatave sekrete si në Turqi, ku ishte një tjetër organizatë sekrete shumë e rëndësishme. Në Serbi ishte e njëjta gjë me “Dorën e Bardhë” dhe “Dorën e Zezë”. Organizata të ngjashme kishte edhe në Greqi. Për t’i shpjeguar luftërat e para për pushtet në Shqipëri, është e nevojshme të bëhet një gjenealogji e kësaj kulture politike.
Studimet tuaja më të fundit i bashkon një interesim i veçantë për hapësirën. Çfarë roli luan hapësira në hulumtimet tua dhe pse mendon se është e rëndësishme që historianët e historianet ta shikojnë hapësirën?
Kur fillova të punoj në çështjen e hapësirës, lexova tekste të shkruara nga gjeografë që punojnë me hapësirat sociale. Në fakt, hapësira nuk është vetëm fizike. Është më shumë një hapësirë sociale, siç definohet nga ndërveprimet mes njerëzve, qofshin ato ndërveprime ekonomike, sociale apo politike. Kështu e kuptova se duke punuar në hapësira, mund të kuptoja më shumë gjëra se më parë.
Pjesa e dytë e librit që përqendrohet në hapësirë është shumë e rëndësishme. Njëri nga kapitujt trajton mënyrat se si mund të shënohet hapësira. Kur ekziston një proces shtetformimi, shënimi i territoreve është shumë i rëndësishëm. Kam bërë një studim rreth ndërtimit të xhamive gjatë kësaj periudhe. Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon ku xhamitë ndërtoheshin gjatë kësaj periudhe. Edhe në Turqi, Mustafa Kemal e shndërroi Hagia Sophia në një muze. Veç në fillim të viteve të ’40-ta, në Zagreb u ndërtua një xhami e madhe dhe e rëndësishme.
Në Shqipëri u ndërtuan rreth 20 xhami. I trajtoj disa prej tyre, si dhe pse u ndërtuan. Është shumë interesante sepse e sheh që ishte mënyrë për ta shënuar territorin. Për shembull, xhamia në Durrës apo një tjetër në Tiranë, apo edhe në Shkodër, ishin ndërtuar me një arkitekturë moderne, sepse u desh të shënohej territori dhe t’u tregohej të huajve apo njerëzve të tjerë që hynin në vend se Shqipëria ishte vend me shumicë myslimane, por që islami shqiptar ishte modern.
Në atë periudhë, autoritetet islame donin po ashtu, në njëfarë forme, t’u kundërviheshin autoriteteve të krishtera që tashmë kishin ndërtuar kisha të mëdha. Si në Sarandë ashtu edhe në Durrës, xhamitë morën emrin e Zogut. Pra, që nënkupton se vendi nuk kishte fe zyrtare, por në rrethana të caktuara Zogu e ndërlidhte emrin e tij dhe emrin e dinastisë së re me xhamitë. Në Sarandë, ishte po ashtu një mënyrë për të treguar se ky është territor shqiptar dhe jo grek, sepse në jug, ortodoksia ishte simbol i greqizmit.
Sistemin shkollor e trajtoni si mënyrë për të menduar për marrëdhënien midis përpjekjeve për nacionalizim dhe realiteteve fetare ekzistuese gjatë procesit të shtetndërtimit në Shqipërinë e viteve të ’20-ta. A mund ta shtjelloni më shumë këtë?
Për një shtet të ri, është shumë e rëndësishme të kontrollohet hapësira në nivel lokal. E kam trajtuar çështjen e shkollave dhe rrjetit të shkollave, sepse shkolla është mjet shumë i rëndësishëm për ndërtimin e një shteti kombëtar. Kur i sheh përpjekjet për ta ndërtuar dhe zgjeruar një rrjet të shkollave shtetërore, e kupton se problemi ishte se si të integroheshin shkollat që tashmë ekzistonin, por edhe ndërtesat. Kështu që, çështja e ndërtesave përmban shumë elemente zbuluese gjithashtu.
Gjatë periudhës osmane, ekzistonin shkolla për çdo komunitet fetar, plus shkolla të tjera të ngritura veçanërisht në fund të periudhës osmane. Gjatë pushtimit të huaj, shkollat ortodokse greke ishin mbyllur tashmë ose ishin shndërruan në shkolla kombëtare. Gjatë kësaj periudhe të mëparshme, periudhës së pushtimit të huaj, ekzistonte një lloj nacionalizimi tashmë.
Shteti i ri shqiptar në vitet 1920 e vazhdoi këtë, por nuk ishte aq e lehtë. Në disa raste, komunitetet lokale dëshironin t’i ruanin ato ndërtesa. Në disa raste të tjera, shkollat myslimane funksiononin me paratë që siguroheshin nga vakëfi [vakifi], organizatat e devotshme të kontrolluara nga bashkësia islame. Do të thotë se ka pasur disa shkolla shtetërore që në fakt janë financuar nga institucionet islame. Nga ana ortodokse ishin komunitetet lokale që dëshironin t’i ruanin ndërtesat për të ofruar ligjërata fetare.
Por situata ishte më e ndërlikuar në rastet katolike, sepse udhëheqësit politikë katolikë shpesh ishin edhe udhëheqës fetarë. Françeskanët, priftërinjtë dhe të gjithë jezuitët ende dëshironin të luanin rol politik. Disa prej tyre madje dëshironin një sistem qeverisjeje të shtetit për ta mbajtur pushtetin politik, si në periudhën osmane. Madje në fushën pedagogjike propozuan edhe lëndë që të adoptoheshin nga ministria. Ata e konsideronin vetes si njerëzit më të zotë për ta hartuar politikën arsimore. Pra, në njëfarë mënyre dëshironin vazhdimësinë e këtij sovraniteti të shtresuar, të paktën në disa fusha.
Për momentin, jeni duke punuar për një monografi për figurën e shquar të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, Sami Frashërin. A mund të na tregoni më shumë për këtë projekt?
Puna mbi figurën e Sami Frashërit nuk do të jetë biografi, sepse konsideroj, si disa të tjerë, se është e pamundur ta shkruash një biografi. Kështu që vendosa t’i hulumtoj temat që shpresoj se do të ma lejojnë ta kuptoj më mirë sesi një njeri si ai, një intelektual, një intelektual osman me origjinë nga krahinat shqiptare, jetonte, e shihte dhe e konceptonte botën përreth tij dhe si kontribuonte në politikë apo në skenën shkencore. I analizoj temat si: shoqërizimin, hapësirën, tipografinë, që është diçka shumë materiale, si dhe atë të përkthimit.
Libri juaj më i fundit pritet të përkthehet në shqip dikur në pranverën e vitit 2023. Çfarë lloj diskutimesh mendon se do t’i hapë në Shqipëri sa i përket viteve 1920 dhe 1930?
Mendoj se diskutimet për periudhën e viteve 1920 dhe 1930 kanë qenë kryesisht për rolin e Zogut. Kështu që shpresoj që libri të sjellë diçka tjetër, një diskutim më të nuancuar.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/ K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.