Pikëpamje | Krime Lufte

Serbia dhe Kosova — po e refuzojnë apo pranojnë fajin?

Nga - 17.01.2023

A kanë filluar ta humbin kuptimin e tyre gjykimet për krimet e kryera pothuajse 25 vjet më parë?

Ku qëndrojnë Serbia dhe Kosova kur është fjala për njohjen e krimeve të luftës? Kjo pyetje ngritet sa herë që dikush përmend “ballafaqimin me të kaluarën”, që për disa është thjesht e panevojshme të mbetesh peng i tmerreve të luftës dhe për disa të tjerë është parakusht për t’i zgjidhur çështjet në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gjykimet në Serbi

Në Gjykatën e Lartë në Beograd, Nezir Mehmetaj është aktualisht në gjykim, ku akuzohet për përfshirje në vrasje, rrëmbim dhe dëbim të civilëve joshqiptarë dhe zjarrvënie të shtëpive të tyre pranë fshatit Rudnicë në Kosovë në vitin 1999.

Procesi gjyqësor filloi në prill të vitit 2021, disa muaj pasi u konfirmua aktakuza kundër Mehmetajt, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Luftës (WCPO) në Serbi pretendon se është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Mehmetaj pretendon se nuk ka qenë në Kosovë gjatë luftës dhe as kur kanë ndodhur krimet e supozuara. Ai po mbahet në paraburgim në Beograd që nga janari i vitit 2020.

Aktakuza ndaj Mehmetajt është një nga afro 20 aktakuzat e lëshuara nga WCPO që nga fillimi i vitit 2020, prej të cilave diku 10 janë çështje të transferuara, kryesisht nga Bosnjë e Hercegovina.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) që datojnë nga maji i vitit 2022, që nga fillimi i punës së WCPO në vitin 2003 deri në fund të vitit 2021, ata kanë ngritur aktakuza në 88 raste të krimeve të luftës dhe vendimi përfundimtar është marrë për 58 raste. Ndër to, të paktën 10 lidhen me krime të kryera në Kosovë.

Në Beograd, ekzistojnë rreth 30 gjykime që po vazhdojnë për krimet e luftës, një numër i të cilave lidhen me krimet në Kosovë. Për disa tashmë është marrë vendimi i shkallës së parë, si për shembull në rastin e Petrit Dulës, i cili pas disa muajsh proces, u dënua me dy vjet burg, pasi u gjet se kishte qenë përfshirë në rrahjen e civilit Gazmend Kryeziu në vitin 1999 në Kosovë.

Një gjykim tjetër lidhur me krimet në Kosovë në vitin 1999 është ende në pritje qe më shumë se një dekadë pasi u ngrit aktakuza për herë të parë. Një rigjykim filloi shtatë vjet më parë në rastin e 11 anëtarëve të Detashmentit Territorial Ushtarak Jugosllav të Pejës, të cilët akuzohen për vrasjen e mbi 140 civilëve shqiptarë në fshatrat Qyshk, Lybeniq, Pavlan dhe Zahaq.

Ndërkohë njëri nga të akuzuarit ka vdekur dhe rrjedha e gjykimeve jep pak shpresë se procesi do të përfundojë së shpejti. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Serbi, katër seanca kryesore u caktuan për vitin 2022, por vetëm dy janë mbajtur, ndërsa në vitin 2021, nga shtatë seancat kryesore që janë planifikuar, nuk është mbajtur as edhe një.

Anëtarët e nivelit të ulët dhe të mesëm të Ushtrisë Jugosllave akuzohen rregullisht për krime lufte, por jo edhe ata të nivelit më të lartë.

Nocioni se Serbia nuk shfaq gatishmëri për ta pranuar llogaridhënien apo fajësinë për krimet e kryera në Kosovë, mbështetet nga fakti që FDH e ka theksuar prej vitesh: anëtarët e nivelit të ulët dhe të mesëm të Ushtrisë Jugosllave akuzohen rregullisht për krime lufte, por jo edhe ata të nivelit më të lartë.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor foli për këtë kur u mor aktvendimi i parë për rastin e Qyshkut në vitin 2014. “Në bazë të rregullave të hierarkisë ushtarake”, tha ajo, “duhet të konstatohet se aty ka qenë edhe një person tjetër përveç Toplica Miladinović (i akuzuari i parë), por ne e trajtuam vetëm atë për të cilën akuzohen të pandehurit që kemi këtu”.

Për më shumë, përgjegjësia e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për vrasjet nuk është përcaktuar asnjëherë edhe pse një numër i dëshmitarëve konfirmojnë se forcat e Ministrisë së Brendshme serbe kanë qenë gjithashtu të pranishme në fshatrat e përmendura në kohën kur u vranë civilët.

“Pavarësisht këtyre provave, WCPO ka dështuar t’i hetojë pretendimet për rolin e Ministrisë së Brendshme në këto krime; me të cilin ajo ka shkelur detyrimin e saj ligjor për të kryer një hetim efikas dhe efektiv ku do të shqyrtonte në mënyrë adekuate të gjitha akuzat për krime”, thekson FDH në raportin e vitit 2021 për krimet e luftës.

Këmbëngulja për viktimat “tona” dhe krimet “e tyre”

Procesi tepër i gjatë i ndjekjes penale të rasteve në Beograd — në mesin e të cilëve është një rast, që vazhdon prej gjashtë vitesh, për vrasjen e 1,313 boshnjakëve në fshatin boshnjak Kravica në vitin 1995 — ka bërë që interesi i gjerë publik praktikisht të mos ekzistojë më.

Rrallëherë ka ndonjë bujë dhe rritje të interesit publik, zakonisht vetëm kur ngritet ndonjë aktakuzë lidhur me viktimat në “anën tonë”. Pra, ndonëse mediet serbe të afërta me qeverinë përgjithësisht nuk shfaqin interes për të kaluarën e kohës së luftës të ish-Jugosllavisë, disa muaj më parë pothuajse të gjitha raportuan për katër pilotë kroatë, të cilët u akuzuan për krime lufte kundër civilëve serbë në Operacionin “Stuhia”.

Këto grupe mediale priren t’i mbulojnë krimet e luftës të viteve të ’90-ta në mënyrë selektive, duke u kushtuar vëmendje vetëm viktimave të njërës palë dhe duke heshtur për viktimat e palës tjetër. Kjo u ilustrua në një raport lajmesh nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS) në mars 2021, ku thuhej se Veljko Radenovićit, komandantit ushtarak serb në Rahovec në vitin 1998, do t’i dhurohej post-mortum “Urdhri serb i Meritës për Mbrojtjen dhe Sigurinë”, si dhe një monument kushtuar atij do të zbulohej nga presidenti Aleksandar Vučić në 23-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

Sipas RTS, nënkoloneli Radenović ishte i rëndësishëm në shpëtimin e “dhjetëra civilëve nga terroristët e UÇK-së”. Megjithatë, ata nuk e përmendën se në Rahovec dhe fshatrat përreth policia serbe rrëmbeu, torturoi dhe vrau edhe civilë.

RTS dështoi ta theksonte se, siç përcaktohet nga FDH, derisa pesë serbë u vranë në Rahovec në vitin 1998 dhe se fati i 36 civilëve serbë të rrëmbyer nga UÇK ende nuk dihet, policia serbe vrau të paktën 91 shqiptarë gjatë përplasjeve me UÇK-në.

Gjykimet në Kosovë

Nga janari deri në qershor të vitit 2022, gjithsej 14 raste të krimeve të luftës janë shqyrtuar nga gjykatat e Kosovës, shumica e të cilave kanë zgjatur me vite. Kjo vjen nga të dhënat e FDH Kosovë, ku thuhet se për disa nga lëndët që janë kthyer në rigjykim, nuk janë mbajtur seanca kryesore dëgjimore në gjysmën e parë të vitit 2022. Njësoj si në Serbi, duket se ka mungesë të interesimit të publikut për këto gjykime, si dhe vonesat e stërzgjatura e bëjnë qëllimin e tyre të diskutueshëm.

Po ashtu, mungon bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në ndjekjen penale të krimeve të luftës, siç sugjeron FDH Kosovë, që thekson se “mungesa e bashkëpunimit ligjor dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sjell mos efikasitet sa i përket aktakuzave që lidhen me krimet e luftës”. Një fakt tipik është se Kosova ka ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte në vitin 2021 dhe vetëm një person është akuzuar, një serb.

(Mos)interesimi për Dhomat e Specializuara të Kosovës

Proceset gjyqësore për krimet e luftës vëmendjen më të madhe publike e morën në vitet pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) ngritën aktakuzat e tyre të para. Nga katër proceset që janë duke u zhvilluar aktualisht në këtë gjykatë me seli në Hagë, në qendër të vëmendjes është ai kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-pjesëtarëve të UÇK: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Me procedurat përkatëse paraprake që janë duke u zhvilluar, të pandehurit akuzohen për vrasje ose përfshirje në persekutimin e qindra romëve, shqiptarëve, serbëve dhe ashkalive, të cilët besohej se ishin kundër UÇK-së.

Një anketë gjeti se rreth 40% e të anketuarve thanë se "nuk janë të informuar aspak" rreth DSK-së.

Një raport nga OJQ kosovare “Integra” shprehu kritikë të përbashkët ndaj DSK-së. “Krimet e supozuara meritojnë të hetohen penalisht dhe të ndiqen penalisht në mënyrë që të sillet drejtësi për viktimat”, thuhet në raport. “Megjithatë, formati i DSK-së është i pasuksesshëm në një aspekt të rëndësishëm — DSK trajton vetëm krimet që pretendohet se janë kryer nga njëra palë në konflikt. Mandati i saj i kufizuar për ndjekjen penale ekskluzive të krimeve që ndërlidhen me UÇK-në dëshmon të jetë pengesa kryesore që DSK të pranohet gjerësisht nga shoqëria kosovare”.

Në vitin 2020, “Integra” bëri një anketë ku rreth 40% e të anketuarve thanë se nuk janë “të informuar aspak” për DSK-në. Organizata identifikoi një “kuptim të kufizuar” të qëndrueshëm të mandatit të DSK-së, duke shtuar se tani shqiptarët e Kosovës janë më pak të bindur se më parë se kjo gjykatë mund të sjellë drejtësi, ndërsa serbët e Kosovës kanë rritur besimin në të.

“Kjo mund të lidhet me ndikimin e diskursit etno-nacionalist rreth formimit të DSK-së në vitin 2019 dhe 2020, me shumicën e shqiptarëve të Kosovës që besojnë se mandati i DSK-së është i padrejtë, ndërsa shumë serbë të Kosovës dhe anëtarë të tjerë të komuniteteve joshumicë e konsiderojnë atë si të drejtë”, thuhet në raportin e “Integra”.

Megjithatë, aktgjykimi i parë i DSK-së tërhoqi vëmendje mbarëkombëtare në Kosovë dhe Serbi. Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, DSK-ja dënoi me 26 vjet burgim, Salih Mustafën, ish-komandant i njësisë së Agjencisë për Siguri dhe Informacion të UÇK-së, për pjesëmarrje në torturimin, ndalimi arbitrar dhe vrasje të civilëve në vitin 1999.

Sigurisht që mediet do të përqendrohen më shumë në punën e DSK-së kur të fillojë gjykimi ndaj Thaçit. Deri atëherë, mediet do të vazhdojnë të publikojnë deklarata sporadike të politikanëve, të cilat i sjellin indinjatë njërës anë dhe kënaqësi anës tjetër.

Kryeministri shqiptar Edi Rama e kujtoi së fundmi punën e gjykatës para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku kërkoi që të tërhiqeshin aktakuzat e DSK-së, si dhe parashtroi një rezolutë kundër raportit të Dick Marty për trafikimin e organeve. Rama deklaroi se ish-pjesëtarët e UÇK-së udhëhoqën një “luftë të pastër dhe të respektueshme” dhe shtoi se akuzat ndaj udhëheqësve të UÇK-së janë “trillime të imagjinatës njerëzore”.

Sot, gati 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Kosovës, kjo tendencë e mospranimit të fajit të “anës sonë” të sjell ndërmend fenomenin që e ka theksuar historiania Aleida Assmann: “Me kujtesë gjithmonë ballafaqohen vetëm ata individë dhe ato grupe që u përkasin brezave dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë”, shkruan ajo në librin e saj me titull “Hija e gjatë e së kaluarës”.

Ky besim se ekzistojnë vetëm viktimat “tona” ta kujton atë, që Assmann i quan “konstrukte të kujtesës”, të cilave historiania thotë se duhet t’ua shtrojmë pyetjen: A mund të përballesh me të vërtetën historike apo je duke e mbyllur veten ndaj saj? A qëndron ekskluzivisht ndershëm apo vetëm i sillesh rreth e rrotull rolit të viktimës?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të shërbejnë po ashtu si përgjigje për pyetjen time fillestare: Ku qëndrojnë Serbia dhe Kosova kur është fjala për njohjen reciproke të krimeve të luftës?

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.