Shkrimtaret ndajnë mirënjohjen e tyre për Dubravka Ugrešić pas vdekjes së saj.
Ishte pasditja e së premtes së 17 marsit kur erdhi fundi. Dubravka Ugrešić kishte vdekur.
Lajmi u përhap shumë shpejt. Mediet dhe rrjetet sociale u vërshuan me komente e kujtime, njerëzit tregonin për takimet dhe bisedat personale dhe tregonin se si veprat e shkrimtares ndikuan te lexuesit/et në mbarë rajonin dhe përtej.
Dubravka Ugrešić (e lindur në Kutina, Kroaci, 1949) ishte autore e veprave të shumta letrare, në të cilat ajo mjeshtërisht luajti me zhanre të ndryshme dhe kufizimet e tyre, për të cilat ajo mori çmime të panumërta rajonale dhe ndërkombëtare. Për romanin e saj të vitit 1988 “Fording the Stream of Consciousness” (në shq. Kapërcimi i rrjedhës së ndërgjegjes), ajo fitoi çmimin “NIN”, çmimin më prestigjioz letrar të Jugosllavisë (dhe tani të Serbisë). Çmimi u krijua në vitin 1954 dhe Ugrešić ishte gruaja e parë që mori atë.
Librat e saj më të njohur përfshijnë “In the Jaws of Life” (shq. Në nofullat e jetës), “The Culture of Lies” (shq. Kultura e rrenave), “Baba Yaga Laid an Egg” (shq. Baba Yaga bëri një vezë), “Fox” (shq. Dhelpra), “The Ministry of Pain” (shq. Ministria e dhimbjes) e shumë të tjerë që janë përkthyer nga kroatishtja në shumë gjuhë.
Në fillim të viteve të ’90-ta, ajo ishte kundërshtare e guximshme e nacionalizmit në rritje dhe u bë cak i sulmeve për shkak të cilave u detyrua të largohej nga Kroacia. Për rreth 20 vitet e fundit, ajo jetoi në Holandë, prej ku edhe morëm lajmin për vdekjen e saj.
K2.0 ftoi disa nga shkrimtaret e rajonit që t’i ndajnë kujtimet e tyre për Dubravka Ugrešić, t’i rekomandojnë veprat e tyre të preferuara letrare të saj, të tregojnë pse i janë mirënjohëse asaj dhe ta nderojnë trashëgiminë e saj.
Rumena Bužarovska, shkrimtare dhe përkthyese
E takova Dubravkan në nëntor të vitit 2022. Më ftoi për vizitë në shtëpinë e saj në Amsterdam. Kisha realizuar një intervistë online me të për festivalin “Druga Prikazna” në Shkup në gusht dhe e pyeta nëse mund ta takoja kur të shkoja në Amsterdam — dhe më ftoi.
Nuk mendoj se mund ta imagjinonte se çka do të thoshte kjo për mua dhe u mundova të mos sillesha si admiruese e zjarrtë kur arrita.
Dubravka Ugrešić ishte mbretëresha jonë dhe biseda që zhvillova me të për librat dhe ushqimin ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës sime letrare. Ishte si të isha ulur me legjendën që na frymëzoi të gjithave, shkrimtareve të hapësirës Jugosllave, të tregoheshim trime të panënshtruara, t’i mbanim mendjet tona hapur dhe të flisnim po aq hapur, por gjithashtu ajo na dha shembullin e të shkruarit mjeshtëror, të guximshëm dhe të spikatur që i takon nivelit botëror.
Nuk jam e sigurt nëse ajo e ka ditur se, si një shtrigë mbi shtriga, la pas vetes gjithë këto shtriga të vogla, që do të përpiqen ta vazhdojnë trashëgiminë e saj.
Olja Savičević Ivančević, shkrimtare
Këtyre ditëve që lamë pas, për shkak se m’u duk si mënyra më e mirë për t’i thënë lamtumirë shkrimtares sonë, lexova sërish romanin e saj të fundit “Dhelpra” dhe ky libër ishte një lloj lamtumire për këtë botë tonën. Letra e fundit nga një grua e urtë, e ditur e me përvojë, që i drejtohet korbave të pangopur e të paditur, por edhe autoreve tjera “djallëzore”, sidomos atyre vajzave, që sapo kanë filluar karrierën.
Ditëve të fundit, që prej vdekjes së saj, kur njerëzit flasin për Dubravka Ugrešić, më së shumti flitet për nacionalistët, që e detyruan të ikte nga Kroacia. Kjo është një histori e rëndësishme që nuk duhet ta harrojmë, në mënyrë që të mos harrojmë se kjo mund të ndodhë gjithmonë lehtësisht, por nuk më pëlqen se si jeta dhe arritjet e jashtëzakonshme të një gruaje të jashtëzakonshme po reduktohen në një viktimë idiotësh, sepse ajo kurrë nuk u dha atyre kënaqësinë për t’u bërë viktimë e tyre — nuk e lejoi këtë.
Ndonëse dukej sikur ishte në mesin e të mposhturve, Dubravka fitoi në fushën njerëzore dhe atë letrare, sepse ishte kampione si shkrimtare dhe si njeri i drejtë. Kjo është edhe arsyeja pse u bën përshtypje autoreve tjera, që gjejnë tek ajo një model që duhet ndjekur dhe paraardhësen e tyre të preferuar letrare.
Në një vend ku autoret e guximshme gra s’janë gjë tjetër veç disa shtriga të hidhëruara dhe personazhe letrare kryesisht të përvuajtura, ajo krijoi personazhe të paharrueshme: të mprehta, mendjemprehta, të shkujdesura, të urta, zbavitëse, personazhe të vetat dhe, natyrisht, tonat. Dubravka trasoi rrugën, duke na treguar se një person mund të shkruajë dhe të jetojë pa pasur nevojë të bëjë kompromis në asgjë. Por është detyrë e jona të përpiqemi të ecim në atë rrugë tashmë të çelur dhe të vazhdojmë ta çelim atë. Pas krejt këtij mundit që ajo e dha, kjo duhet të jetë më e lehtë.
Ivica Buljan tha se dita e vdekjes së Dubravka duhet të shpallet ditë zie kombëtare, njësoj sikur kur vdiq shkrimtari kroat Miroslav Krleža. Por Dubravka po ripërjeton krejt çka përjetoi sa ishte gjallë — mënyra se si reagoi publiku, veçanërisht zyrtarët, nuk e nderon rëndësinë e saj të vërtetë. Megjithatë, pavarësisht kësaj mungese të njohjes publike, ajo la pas një trashëgimi të madhe: librat dhe ndikimi i saj i madh te shkrimtarët/et do të jetojnë përtej kohës sonë, teksa prej kohësh kanë kaluar përtej rajonit.
Dëshiroj të besoj se në një botë tjetër, ajo po mbledh gjithfarë deklaratash dhe titujsh medial, që dolën pas vdekjes së saj dhe po argëtohet fort me këtë.
Lana Bastašić, shkrimtare
Nuk ka pasur tjetër si ajo.
Këtë ia thashë në kuzhinën e saj vite më parë. Po ma përgatiste një filxhan çaj mente sepse kisha dhimbje të tmerrshme barku. Njerëzit më patën thënë se ishte e ashpër, të tjerët e quanin të vështirë, por Dubravka s’ishte asnjëra nga këto. Ishte thjesht një lloj gruaje që s’pranonte asnjë marrëzi e vinte nga një vend ku gratë pritej t’i pranonin të gjitha marrëzitë në heshtje. Dhe ja ku ishte ajo: shtriga, rebelja, gruaja e vështirë, duke u kujdesur për mua me duart e saj të brishta dhe sy të shqetësuar.
“Nuk ka tjetër,” thashë. “Nuk ka shembuj tjerë për t’i ndjekur, dua të them. Para se ti të ishe, nuk e kam ditur që gratë mund të ishin shkrimtare. Dhe këtë s’po e them thjesht sepse ti po ma bën atë çaj”.
Buzëqeshi. Asnjëherë nuk i interesoi për ndjekësit dhe kultet e kotësisë, që zakonisht krijohen për kolegët e saj burra më pak të talentuar. Ata ishin gjenitë, mrekullitë, zërat e një brezi. Ajo ishte një shkrimtare. As talenti nuk i interesoi kurrë.
Për të letërsia ishte punë, punë e palodhshme dhe kjo vetëm i jepte më shumë vlerë, më shumë bukuri. Nuk kishte muza që i pëshpërisnin në vesh, i gatuanin ushqimet dhe i hekurosnin këmishat. Ishte vetëm. “Ka të bëjë me komunikimin”, më tha. “Duhet t’i arrish vetëm disa lexues, ndoshta vetëm dy a tre, nuk ka rëndësi. Dëshiron që ata/ato të të duan. Kjo është e gjitha. Komunikimi. Dashuria”. Edhe këtë e tha në mënyrën e vet, si grua që s’i duron marrëzirat.
Këtë fjalë, që të tjerët do ta përçmonin si sentimentale, ajo e ofroi si ilaçin e vetëm të mundshëm për cinizmin. Ishte fakt për t’u pranuar, dashuria si kundërhelm për atë lloj tjetër të shkrimit: egoistin, konkurruesin, patriarkalin. I bëri jehonë fjalisë së çmendur të zonjës Dalloway: Komunikimi është çelësi. Letërsia e saj ishte si ajo gota e thjeshtë e bardhë, përplot ilaçe të ngrohta: modeste, e zgjuar dhe efektive. Diçka që ajo e bënte dhe ua ofronte atyre në nevojë.
Ndodhesha në një librari në Berlin kur dëgjova se Dubravka kishte vdekur. Reagimi im i parë ishte zemërim: gati se e thirra në telefon për t’i bërtitur. Qysh guxove? Nuk mundesh! Nuk ka tjetër.
Pastaj pikëllimi më kaploi dhe e vetmja gjë që kishte kuptim ishte t’i kërkoja librat e saj në rafte. I mora një nga një — pesë, gjashtë, shtatë libra, duke u ngushëlluar nga pesha e tyre në krahë.
Shumë shpejt m’u desh ta ndaja me njerëz të tjerë në librari, sepse ngarkesa po bëhej shumë e rëndë. “Lexojeni”, u thashë. “Lexojeni. Lexojeni atë. Nuk ka pasur tjetër si ajo!”
Por falë Dubravka Ugrešić, tani mund të ketë më shumë prej nesh. Më shumë prej nesh ta rimendojmë dhe rishkruajmë Ballkanin. Më shumë prej nesh për t’ia dalë kundër narratorir(ëve) burrë/burra që na shesin mend për luftën. Më shumë prej nesh për t’i dekonstruktuar mitet e vjetra. Më shumë prej nesh për të komunikuar. Për të dashur. Për t’ia bërë një filxhan çaj njëra-tjetrës.
Lexojeni atë.
Ana Vučković Denčić, gazetare dhe shkrimtare
Ndonëse, fatkeqësisht, nuk e kam takuar kurrë personalisht Dubravka Ugrešić, edhe pse i kam pasur disa mundësi, gjithmonë ndieja ngrohtësinë dhe mirësinë që e rrethonte, sikur mund ta pinim një kafe dhe ta shijonim një bisedë. Kjo mirësi buronte nga fytyra e saj — e qeshur por misterioze, si Mona Lisa, sikur një enigmë të fshihej pas saj. Dhe besoj se kështu ka qenë.
E di se është kështu sepse, teksa po lexoja veprën e saj, kisha përshtypjen se mund ta dëgjoja për një kohë shumë, shumë të gjatë. Në veprat dhe shprehjet e saj letrare, ajo arriti t’i bashkojë kaq shumë komponentë të ndryshëm, origjinalë dhe organikë, prandaj e njohën, e pranuan dhe e deshën kaq shumë — diçka që po e shohim tani, teksa ia themi lamtumirën tonë. Por ne i dinim të gjitha këto përpara këtij momenti, ishim të lumtura se si ajo ia doli të ishte kaq shumë gjëra në të njëjtën kohë: rebele, e gjallë, e butë, inteligjente, e mprehtë, këmbëngulëse, energjike, lozonjar
Vepra e fundit e saj që lexova ishte “Dhelpra” dhe aty, në ato nuancat portokalli, me atë fytyrë të urtë, mund ta krahasoja me atë dhelpër, një kafshë misterioze dhe e mrekullueshme me një mision për ta zbuluar vorbullën e historisë dhe rrjedhat e saj. Deri në fund, ajo ishte e interesuar shumë pas atij çelësit të rrëfimtarisë, donte ta zbulonte pse njerëzit e ndiejnë nevojën të tregojnë rrëfime edhe kur teksti është i rrëmujshëm, duke u përpjekur të largohet nga autori/ja. Pjesa më emocionuese e artit të saj janë ato meta-vorbulla dhe referenca që na hapin pikëpamje të papritura, të cilat në momentin tjetër duken emocionuese dhe plotësisht logjike në të njëjtën kohë.
E prekur thellësisht nga librat e saj, pata ndjenjën se ajo kishte mënyrën e vet se si më ofronte mençuri dhe lumturi, pa tingëlluar patronizuese. Ajo punoi për të na ndihmuar t’i zgjidhim të gjitha dhimbjet dhe problemet tona, përmes të cilave ajo ishte në gjendje t’i kuptonte të sajat. Në gjithë këtë, ajo nuk bënte kronika të thjeshta, por një art të nivelit më të lartë.
Me siguri do të pi dhjetëra gota kafe me Dubravkan dhe buzëqeshjen e saj misterioze, duke menduar për fjalët e saj, aktivizmin, mprehtësinë, duke shijuar vorbullat dhe lojën e pafund.
Lexues rebelë, një kolektiv feminist kritikësh
Ndikimi i Dubravka Ugrešić në zhvillimin e artit feminist është shumë-dimensional dhe praktikisht historik. Përveç që ishte gruaja e parë që fitoi Çmimin Letrar “NIN” për romanin “Kapërcimi i rrjedhës së ndërgjegjes”, ajo ishte njëra nga shkrimtaret e para gra në rajon që përdori forma letrare post-moderne, teknika kolazhi dhe kufij të paqartë midis zhanreve letrare. Ajo e bëri këtë jo për qëllime revizioniste apo relativizuese, por për ta treguar spektrin e plotë të përvojave të ndryshme femërore.
Pra, romani i saj “Dhelpra” e gjen veten njëkohësisht në zhanret e esesë, studimit letrar, kujtimeve, letërsisë biografike dhe romanit — por asnjëherë vetëm në një zhanër. Vepra e saj letrare ilustron mjegullimin e kufijve midis zhanreve dhe demokratizimin radikal të formës letrare.
Në romanin e saj “Në nofullat e jetës”, Dubravka Ugrešić luan me zhanrin e romanit romantik dhe tregon rëndësinë dhe potencialin e tij subversiv. Duke vendosur një lidhje mes romanit romantik dhe letërsisë së sofistikuar, ajo zbehu hierarkitë e zhanreve, hierarkitë e vendosura letrare dhe jo-letrare mes temave “mashkullore” dhe “femërore” dhe mes këndvështrimeve mashkullore dhe femërore.
Romani tregon gjithashtu lidhjet midis romaneve romantike dhe të ashtuquajturës prozë e grave, midis postmodernizmit dhe prozës së grave, midis krijimit të tekstit dhe kontekstit, midis shkrimit romantik dhe traditës gojore shekullore të formuar në mënyrë krijuese nga komunitetet e grave.
Ne zgjodhëm “Štefica Cvek” si titull për çmimin tonë rajonal të letërsisë feministe. Kësisoj, ne duam ta nderojmë romanin e saj “Në nofullat e jetës” [titulli origjinal: “Štefica Cvek u raljama života”] që është një klasik feminist post-jugosllav dhe gjithashtu ta ironizojmë konceptin e çmimeve, pasi çmimi ynë është jo i zakontë dhe përpiqet ta mbështes mos-konkurrencën dhe demokratizimin e letërsisë.
Dubravka e vlerësoi veçanërisht idenë e emërtimit të një çmimi sipas një figure letrare, pasi ajo e konsideroi atë si një shenjë se çmimi ka të bëjë njëmend me letërsinë dhe botët letrare dhe jo me kultin e autorit.
Imazhi i ballinës: Mladen Savković / K2.0.
* Përkthimet në shqip të titujve të librave janë përkthime jo-zyrtare dhe shërbejnë që ta orientojnë lexuesin/en.
- Ky artikull fillimisht është shkruar në serbisht/kroatisht/boshnjakisht.