Vitet e fundit në Kosovë janë përshkuar me një rritje të ndjeshme të raportimit publik të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe femicidit, sidomos përbrenda familjes. Kjo ka kthyer vëmendjen te përgjegjësia institucionale e edhe te mosveprimi i tyre për t’u dalë në mbrojtje grave e vajzave e edhe grupeve tjera të shtypura.
Një rast që u bë publik vitin e kaluar e që vazhdon të jetë i freskët është përdhunimi i një vajze 11-vjeçare nga pesë burra e djem në një park publik të Prishtinës në gusht. Pos protestave masive qytetare, pati reagime edhe nga qeveria e edhe në parlament. Ato ditë, morëm një tronditje të dytë lidhur me rastin –– ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie njoftoi që 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe më parë –– pra, rasti i bërë publik në gusht 2022, nuk ishte i pari.
Derisa informatat dilnin në pah, u bë e ditur se vajza 11-vjeçare kishte qenë viktimë e trafikimit disa muaj para se të ishte viktimë e përdhunimit sërish në gusht 2022. Pra, muaj përpara se të përdhunohej në park publik në Prishtinë, ajo veç kishte pasur më parë mbikëqyrës nga Qendra për Punë Sociale (QPS).
Kjo i bie se përdhunimi i dytë, praktikisht ka ndodhur nën mbikëqyrjen e institucioneve. Lidhur me rastin e përdhunimit në gusht 2022, doli se viktima ishte raportuar si e zhdukur në stacionin e policisë qysh në qershor 2022. Në çastin që ajo ishte gjetur nga policia, institucioni i parë që ishte lajmëruar për rastin është QPS –– policia, prokuroria apo gjykatat nuk mund të zhvillojnë procedura pa prezencën e punëtorit/es social/e.
Pra, QPS është institucion kyç në mënyrën se si është trajtuar ky rast në herën e parë e të dytën, e rrjedhimisht bashkëpërgjegjëse për dështimet në të.
Pos në dy rastet që përfshijnë trafikimin dhe përdhunimin e vajzës 11-vjeçare, QPS po ashtu do duhej të ishte kryefjalë edhe në rastet si: përdhunimi i vazhdueshëm dhe pastaj vrasja e 11-vjeçarit nga Fushë Kosova, Kujtim Veselit nga komuniteti ashkali; vrasja e Hamide Gashit nga burri i saj në oborrin e gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare; sulmi fizik ndaj një gruaje në një shtëpi për të moshuar në Pejë; ngacmimi seksual ndaj Medinë Dautit nga profesori në Gjilan.
Anipse rëndom jemi mësuar të dëgjojmë për gjykatat, prokurorinë e policinë kur ndodhin raste të këtilla, një institucion kyç e i pa përmendur fort në parandalimin e rasteve të dhunës është pikërisht QPS.
Ku do duhej të ishte QPS?
Për hir të ilustrimit, të kthehemi te rasti i vajzës 11-vjeçare dhe te ajo se si shkuan dhe si do duhej të shkonin gjërat.
Përdhunimi përsdytsh i së miturës për shtatë orë të tëra ishte dështim edhe i QPS. Nëse QPS do të bashkëpunonte me policinë, prindërit dhe me shkollën sipas rregulloreve e udhëzimeve dhe nëse do krijohej një plan i mirëfilltë për riintegrimin e të miturës, 11-vjeçarja do të ishte më e sigurt dhe e mbrojtur dhe gjasat për përdhunimin e dytë do të zvogëloheshin.
Anipse informatat për rastin përgjithësisht janë mbajtur të kufizuara, kryesisht nën arsyetimin se viktima ishte e mitur, në qershor 2022, dy muaj para se të ndodhte përdhunimi i saj në gusht 2022, ishte dërguar në strehimore.
Një viktimë duhet të dërgohet në strehimore nga punëtori/ja social/e dhe pas akomodimit aty, strehimorja në bashkëpunim me një punëtor/e social/e cakton menaxherin e rastit dhe zhvillojnë një plan individual të riintegrimit të viktimës.
Punëtori/ja social/e ka për detyrë ta mbikëqyrë rastin duke e vizituar të miturën në strehimore çdo javë apo siç është përcaktuar me strehimoren. QPS pastaj mundëson kontaktin e së miturës me prindërit, i cili ndodh nën vëzhgim të vazhdueshëm të punëtorit/es social/e. E mitura lirohet nga strehimorja me vendim të strehimores dhe menaxherit të rastit nga QPS.
Në rastin e vajzës 11-vjeçare, nuk ka të dhëna se në bazë të çfarë vlerësimi dhe plani të rehabilitimit ajo është liruar e as se sa kohë ka qëndruar në strehimore. Në cilindo rast, strehimoret mundësojnë strehim për vetëm gjashtë muaj.
Megjithatë, sipas rendit të ngjarjeve, kur një viktimë largohet nga strehimorja, strehimorja dhe QPS duhet ta informojnë familjen, policinë dhe mbrojtësin e viktimës për përcjelljen e mëtejshme të rastit. QPS, gjithashtu ka të drejtën t’i propozojë gjykatës heqjen e lejes prindërore për përkujdesjen e fëmijës, duke u bazuar në vlerësimin e tyre përgjatë gjithë procesit. Rrjedha e rastit tregon që QPS nuk bëri vlerësimin e duhur as herën e parë e as të dytën.
Për këto dështime, asnjëherë nuk u dhanë shpjegime as nga Ministria e Financave, Punës, dhe Transfereve (MFPT), që është përgjegjëse për monitorim të QPS. Ligji për Shërbime Sociale parasheh që ministria duhet të krijojë komision hetues, që “zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij”, ndaj QPS, kur është fjala për “incidente ose rrethana që ngjallin shqetësim serioz të opinionit ose kur paraqiten çështje të rëndësishme me interes publik në fushën e shërbimeve sociale”. Ky rast ishte një prej tyre.
Krijimi i këtij komisioni ishte edhe një nga kërkesat kryesore të protestueseve e protestuesve, që mbushën rrugët e Prishtinës më 31 gusht e 5 shtator 2022, duke kërkuar përgjegjësi për këtë rast.
Brenda Qendrave për Punë Sociale
Para vitit 2009, atëherë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përmes Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare, i menaxhonte dhe ofronte shërbimet sociale nëpërmjet këtyre qendrave.
Në vitin 2009, përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit midis MPMPS, MFPT dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, përgjegjësia për t’i menaxhuar QPS iu kalua drejtorive komunale për shëndetësi dhe mirëqenie sociale. Anipse decentralizimi u bë në emër të rritjes së cilësisë së shërbimeve sociale, situata nuk duket se ka ndryshuar për të mirë. Të dhënat tregojnë që shërbimet sociale të ofruara sot vazhdojnë të jenë të dobëta.
Decentralizimi i gjeti komunat të papërgatitura për t’i menaxhuar shërbimet sociale. Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit për 2019 dhe sipas një publikimi të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në vitin 2020, QPS vuajnë nga një sërë problemesh, që fillojnë prej financimit të dobët, mungesës së personelit e rrjedhimisht stërngarkimit të personelit ekzistent, mungesës së pajisjeve të nevojshme si automjetet, deri te problemet infrastrukturore e hapësirat e papërshtatshme.
Të gjitha këto përkthehen në dështim për t’i mbrojtur ata e ato që kanë nevojë për shërbime sociale.
Nëpër komunat e Kosovës janë gjithsej 40 QPS, si institucione të vetme publike, që në nivel komunal ofrojnë shërbime sociale për gjithsej 47 kategori personash, ku ndër tjera përfshihen, viktima të rritura a të mitura të krimeve seksuale, dhunës në familje, trafikimit, fëmijët pa përkujdesje, fëmijët lypsarë, fëmijët që kryejnë punë të rënda, njerëzit me probleme të shëndetit mendor.
Sot, QPS mbesin ende vende, të cilat fëmijët, të rinjtë, gratë, komunitetet joshumicë i shohin thjesht si hapësira administrativo-teknike për skemat e ndihmës sociale e jo si organe që ofrojnë mbështetje sociale dhe psikologjike dhe ruajnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Për që nuk po investohet që kjo të ndërrojë, tregon ndër tjera edhe fakti që QPS nuk kanë faqe të veçanta interneti, ku së pari qytetarët do të mund të informoheshin për vendndodhjen e tyre e pastaj të marrin informata për shërbimet që ofrojnë këto qendra. Derisa në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës gjenden lokacionet e QPS, shumica e ueb-faqeve të komunave tjera, informatat për qendra sociale i kanë vështirë të qasshme e pa adresa të vendndodhjeve të tyre, derisa ka të tilla që nuk kanë fare informata për QPS.
Tutje, objektet e QPS në shumicën e komunave të Kosovës janë për mjerim. Pa shkuar nëpër komuna tjera, QPS kryesore në kryeqytet është e mbuluar nga terri, ftohtësia, dosjet e mbuluara me pluhur, hapësira të ngushta e dhoma ku mezi depërton drita. Pos që është vështirë e gjindshme e jomiqësore nga brenda, disa qytetarë/e nuk mund të hyjnë fare aty. Hyrja në objektin e QPS, që ndodhet në katin e dytë, mundësohet vetëm përmes shkallëve, duke shkelur një të drejtë themelore të një kategorie që QPS duhet ta mbrojë –– personat me aftësi të kufizuara.
Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen sot QPS është mungesa e punëtorëve në përgjithësi e mungesa e punëtorëve/eve socialë/e profesionistë/e në veçanti.
Rolin e një punëtori/eje social/e si duket mund ta ushtrojë çdokush e më së paku ata/o që kryejnë fakultet në këtë drejtim. E edhe ata/ato që punojnë në QPS, sidomos pas rëndimit të situatës me të drejta të njeriut me pandeminë COVID-19 dhe shtimit të nevojës për këto shërbime, detyrohen t’i ushtrojnë “të gjitha profesionet” –– të shërbejnë si psikologë, këshilltarë e punëtorë socialë.
Puna sociale është një nga drejtimet me më së shumti përgjegjësi, prandaj për ta ushtruar, kërkohet specializim dhe përvojë, sidomos marrë parasysh që ata e ato kanë obligim të adresojnë nevoja specifike të grupeve të ndryshme të ndjeshme e të cenuara.
Përkundër kësaj, ndër vite, as qeveritë e njëpasnjëshme e as puna në seanca e komisione parlamentare nuk kanë prodhuar ndonjë plan afatgjatë për krijimin e politikave që i shërbejnë mirëqenies së secilit e secilës prej nesh.
Për më shumë, së fundmi, në janar 2023 shërbimet që ofrojnë QPS kaluan në Ministri të Drejtësisë (MD). Teksa nuk ka informacion se si saktësisht do të realizohet ky proces, kundërshitë ndaj këtij vendimi veç kanë nisur.
Më 3 prill 2023, Rrjeti i Grupit të Grave përmes një letre drejtuar kryeministrit, ministrit të MFPT, ministres së drejtësisë dhe ministrit të shëndetësisë, shprehën shqetësimin e tyre për këtë transferim, duke e problematizuar “mungesën e konsultimit me palët kryesore të interesit”. Ndër tjera, RrGK shprehu brengën dhe mëdyshjen nëse MD ka kapacitet dhe ekspertizë për të siguruar ofrimin e shërbimeve cilësore pasi, sipas tyre, dhënia e shërbimeve sociale është jashtë mandatit të kësaj ministrie.
Bartjet e shërbimeve sociale sa në një ministri në tjetrën, ngecjet me politika sociale e legjislacion, rastet e përsëritura të dështimit të zingjirit institucional për mbrojtje të viktimave, gjendja e rënduar në QPS, tregojnë që mirëqenia vazhdon të ketë rol periferik në vëmendjen institucionale.
Ku është mirëqenia?
Mirëqenia sociale në Kosovë duket se shpesh kuptohet vetëm si ofrim i ndihmës për ata që janë në nevojë, si ndihma ushqimore ose mbështetja financiare, mirëpo qëllimi përfundimtar është të promovojë zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë përmes mekanizmave, politikave e nismave të vazhdueshme.
Në vend të kësaj, mirëqenia është shndërruar në shifër apo në vendime pagash dhe transferesh dhe si emër ekziston vetëm tek Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, duke e kufizuar mirëqenien vetëm në instancën e shëndetësisë.
Shërbimet sociale synojnë të promovojnë mirëqenien e individëve dhe komuniteteve në vazhdimësi. E bartja e tyre në një ministri që merret kryesisht me zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin si pasojë e moszbatimit të tij rrezikon të përforcojë përshtypjen që politikëbërësit, mirëqenien sociale nuk e shohin si kujdes e parandalim, po si reaksion ndaj krizave e “kontrollim” të tyre.
Qeveria duhet të ndërtojë mekanizma që drejtëpërdrejt thirren në ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Mungesa e këtyre mekanizmave e mungesa mobilizimit ndërinstitucional për t’i shtuar e përmirësuar këto shërbime, i kanë dobësuar për vite me rradhë QPS dhe tani roli i tyre është reduktuar vetëm në intervenimet të jashtëzakonshme në raste të dhunës, në asistencë sociale dhe në shërbime tjera administrative.
Mirëqenia sociale përmes QPS merr kuptim vetëm atëherë kur shërbimet e punëtoret/ët sociale/ë arrijnë kudo që nevojiten e sidomos në hapësirat, që shoqëria ende me të madhe i sheh si private a personale –– nëpër shtëpi afër familjeve, në vende të punës afër punëtorëve, në shtëpi të të moshuarve afër të të moshuarve, në shkolla afër fëmijëve. Derisa kjo të ndodhë, këto hapësira do të mbesin vendet ku abuzimi dhe keqtrajtimi ndodhin lirshëm e larg syve të shtetit.
Imazhi i ballinës: K2.0
Përshëndetje Valbona, faleminderit për komentin. Ju jemi përgjigjur në email. Çdo të mirë, K2.0
Me duhet ma shumë informacion lidhur me jete qeshtje , jam duke punuar tem diplome Master. Ju lutem me kontaktoni ose sipas artikullit duhet ti drejtohem MD