Mall dhe kërkim | Personat e pagjetur

Le t’më mysin, dëshmore du me metë

Nga - 05.05.2023

Rrëfimi i Mursel dhe Bahrie Gashi.

Bahria: Emnin e kom Bahrie Gashi, jom e lindun në Suharekë, përveç babës e nanës, katër vëllazën e katër motra jemi. Jam shkollu deri në klasën e tretë, e më kanë nalë. Babën bujk e kom pasë. Do prej nesh janë shkollu, do nëpër puna, do jashtë kanë dalë, si jeta gjithë që asht. Unë jom martu këtu në Reshtan me Mursel Gashin. Edhe këtu mirë, familje e madhe, mirëpo lufta na i la krejt të djegme, krejt të prishme. 

Murseli: Unë jam Mursel Gashi, nga fshati Reshtan, i lindur me 8 shtator 1956, në familje me babë, nonë dhe tetë vëllazën. Motra s’kemi. Kemi qenë nji familje e vorfën në atë kohë. Shkollën fillore e kom kry në Suharekë, shkollën e mesme elektroteknike në Prizren. Në vitin ‘74 si 18-vjeçar jom punësu në fabrikën “Ballkan” të Suharekës. Ka pasë rroga të mira. Kom punu deri në vitin ’90, kur pushtuesi na përzuni krejtve në Kosovë prej punës. Deri në vitin ‘99 kam qenë i papunë në shpi. Edhe mbas lufte, gjashtë vjet kom punu aty. Kemi qenë familje e madhe. Tetë kunata e sa fëmijë, krejt 50 anëtarë të familjes.

Fillum me rroga m’i nimu babës, se veç ni pension e ka pasë, ka qenë i vjetër. Ni vëlla shkoi në Gjermani në vitet ’70, po u kthy në vitin ‘74-tën e në vitin ’80 shkoi në Zvicër. Tani i kemi bo punët shumë mirë. Kemi jetu poshtë në fshat, me nji shpi. Mandej e kemi ble këtë truell, i kemi maru tetë shpia për tetë vëllazën. Kemi pasë gjithmonë raporte të mira. Vëllavi i madh, që ka qenë në Zvicër, tash më ka vdekë, i dyti asht vra në luftë nji ditë para çikës, i treti jom unë, i katërti po ashtu më ka vdekë, ka pasë infrakt, i pesti e i gjashti janë në Zvicër, i shtati osht këtu, i teti osht polic në Suharekë.

Sa për shkollën, filloren kur e kom kry këtu në vitet ’70. Në vitin ‘71 kom shku në Prizren, vëllau veç pat shku në Gjermani, po atëherë kanë qenë rrogat të vogla edhe në Gjermani, kështu që shpesh ka ndodhë që mu e nji vëlla kondukteri me na zbritë prej autobusit, se ishim pa biletë, e jemi kthy në komë prej shkolle. 

Mbasi e kom përfundu shkollën e mesme, jom regjistru në fakultet, edhe më ka thirrë “Ballkani”, e menjiherë kom hi në punë. Ka qenë rroga shumë e madhe, edhe kom mujtë m’i nimu familjes.

Me gruen, na jemi shumë afër edhe me shpia, diku nji kilometër veç. Arat i kanë afër te vorret e Suharekës. Ka udhëtu për çdo ditë me babën e vet e i kanë ra këndejpari. Ai vëllau i madh nji herë më thotë: “P’e çojmë bre nji msit për ty. Nji çikë p’e shoh të mirë, p’i nimon babës”. Atëherë kanë punu si bujq ma shumë.

Dasmën e kom bo në ‘79-tën. Ka qenë dasëm shumë e madhe. Prej shpisë atje poshtë ku e kemi pasë, e deri te shpia e grues, kanë shku në komë krushqit. Ka qenë kerri me kuaj.

Krejt katuni në dasëm atëherë, po o konë ma i vogël katuni. Mirë o konë shumë atëherë, m’doket ma mirë se tash.

Tash i kom edhe katër fëmijë. I kom të shkëlqyeshëm, fëmijë të mirë. Djalin e kom tu punu menaxher me ni firmë, vajza në Gjermani, kjo tjetra tu punu në Kuvend të Komunës, e ka fakultetin juridik të kryem. Djali e ka fakultetin ekonomik. Edhe nusja osht e shkollume. Djali si student pat shku nja tre vjet në Gjermani, e i tha shefi, “Kur ta kryjsh ti fakultetin, a vjen?”. I ka thonë, “Paj p’e provoj, po vi”. Tash ka metë krejt, edhe gruen e ka pru këtu, e ka gjermane, iu ka lindë tash nji vajzë. 

Fëmija i parë kur na ka lindë, më ka jetu veç dy javë edhe ka vdekë. Vajzë ka qenë. Mbas nji viti, në 1981-shin, ka lindë Leonora që osht në Gjermani. Asht rritë si princeshë, jo veç prej neve, po pi krejtve. Kah kom shku, e kom bajtë nëpër duer. Krejt fshati e kanë njoftë. Hala vesin për to me konë të rrish.

Atëhere nuk ka pasë kësi sene të modernizume, po jonë konë do farë temlika të fëmijëve, që i ka ndreqë stollari [zdrukthtari]. Në Samadrexhë e kom ndreqë, nëpër fshat pa asfaltu rrugët, ka hecë me atë temlik ajo, s’o nalë tanë ditën.

Mandej fëmija i dytë osht Liridoni, ka lindë në vitin ‘84. Fëmija i tretë po i bjen Liridoni, e beba që na ka vdekë, e para. 

Mbas saj ka lindë Vlora. Vlora kur ka lindë, minatorët e na te “Ballkani” kemi qenë në grevë, në vitin ’89. Nuk kom ardhë shtatë ditë në shpi hiç. Kur e ka çu vëllau i madh gruen për Prizren me lindë, më thirri prej spitalit, i thashë, “Ishalla lind mirë e shnosh, se unë shteg që dal prej këtu s’kom”.

Në grevë ka pasë mbetë. Ky asht fati i Kosovës. Këtë fat e kemi pasë na gjithë. 

Vlora o konë fëmijë i zgjut, e kur e kom regjistru në vitin e parë…gjashtë vjet i kish… shkova në shkollë, e mësues Sadiku po më thotë, “Vlora osht shumë inteligjente, po habitem me do pytje të saj”. E kish pyetë, “Çka do të bohesh kur të rritesh?”. Ajo i kish thanë, “Mjeke, se babi e mami kur t’më plaken, unë si mjeke i shëroj”. Dy-tri ditë masi ka nisë shkollën.

Çka osht ma interesante, lufta kur kërsiti, prej marsit e tutje, unë pata dalë nëpër Drenicë anena, me pa senet qysh do të shkojnë. Me 8 qershor erdhëm këtu në fshat, bash në odë, ku osht shpija e kallne. Unë e çova Vlorën te dajtë e vet, ajo nisi p’e mëson serbishtën, prej televizionit. Kur kom ardhë mas nja tre mujve, po më thotë, “E kom mësu serbishtën me televizor”. “Babi” tha, “noshta në shkollë policia më pysin, ‘E kujna je?’ i thom jom e Xhevdet Kuçit – e dajës – jo e Mursel Gashit, se me thonë e Mursel Gashit mu më vrajnë”. Dajën në Gjermani e ka pasë, e ka kujtu s’e ngucin. Se vike prej Suharekës në shkollë. Për çdo ditë ajo e ka lexu gazetën, masanej ka shku në shkollë. Televizor valla deri në dy të natës rrike tu kqyrë. E çka s’dike, i shkrujke.

Bahria: Fëmijët edhe sot e çojnë mirë, nër veti. Pa çika, djemtë hiç s’un rrijnë. I thirrin non-stop. Vlorën krejt e dojshin.

Vjehrra e ka marrë Vlorën, e fati i tyne m’u vra bashkë, se ka mujtë me marrë vajzën e madhe, me marrë vajzën e djemve të vet, jo bash çikën teme. Po ajo pa Vlorën komën s’e ka lujtë. “Veç Vlorën du me marrë”, më tha. Thashë, “Pse Vlorën” e nisa me kajtë. I thashë çikës, “Hajt me nonën, se po më dhimet”. Nona 60-vjeç, po o konë tepër zojë. E vesha, i thashë ditën e mirë, e përqafa. Edhe mësuesin e vet e kish zatekë, ai i ka thonë, “Rri Vlorë, mos shko!” e ajo kish nisë me kajtë, se shumë e ka dashtë mësuesi. Ajo s’ka lonë vjershë, s’ka lonë send pa shkru, vetë i qitke. 

Ni kunatë e Pejës e jemja më tha, “Qekjo nuk ka ymër, se shumë e zgjuet osht”. Edhe djali i vet shembullor o konë, po thojke ajo, “Djali jem kërrkun s’o ngat sajna”. Fjalët e të mëdhajve i ka pasë. Po çka ki me bo.

Veç ka vizatue, ka mësu, non-stop ka nejtë në dhomë, me fëmijë s’ka lujtë.

Murseli: Në shkollë skeçin… E kemi të inçizuem skeçin në shkollë, që o bo si plakë, po s’e kqyrum kurrë. Shumë rrallë e kqyrim. Se krejt i kemi. Bile në Gjermani ni kasetë e kemi marrë. Mo s’kemi mujtë me pa, skeçin e parë që e ka bo në shkollë. Mësuesi i vet përvjet i çon lule te vorri. Tani, në luftë që kom nejtë te të mitë, burri në mal, ajo “Mami dojna me shku në shkollë”. I thashë, “Jo, babi në luftë, shkolla ka vakt, n’u boftë mirë”. Kanë shku dy çikat, ajo me Albulenën, janë regjistru vetë në shkollë. Kur kanë ardhë me i ngu notat, jonë çuditë çfarë nxanëse të zgjuta janë këto. 

Njifarë mësusi i vjetër e vet “Kon e ke pasë mësues?”. Ajo i thotë, “Mësus Sadikun e Suharekës”. Kur e takon ai mësues Sadikun, i thotë, “Boll mësues i vjetër jom edhe kom nxanës plot, po kësi nxanëse kurrë s’kom pa”. I thotë ky, “Aaa, Vlorën deputete e kom”. Tani vike kanihere me kqyrë fëmijën, thojke, “Mos ma le çikën në Reshtan me shku. Policia te ura janë, qysh p’e len ti. Me ty kom punë me ma gjetë diçka”. 

Bahria: Edhe të nesrit u çova, kishim maqinë aty te na, në dorë teshat e fëmijëve, e ia nisa me kajtë. Ajo po bohet gati me shku në shkollë, tha, “Oj mami, e lexova gazetën, po ja çoj tezës Vale edhe po shkoj në Reshtan”. Thashë, “Babi promë më ka thonë, ‘mos e le çikën me shku në shkollë’”. Tha, “Oj mami po le t’më mysin, dëshmore du me metë”. Atëhere kom kajtë edhe ma shumë. U bo gati, për ditë e kom përcjellë, vijke-shkojke, thojke, “Mu s’ma nin edhe me dekë, babi në luftë e unë nuk e lo mësusin, nuk i lo shoqet kurrë, kur t’më mysin le t’më mysin”. Mbet me nonën teme e i mytën dyjat.

Nana u kthy me gjithë çikën. “Të kthehemi te shpia” tha, mbasi ngat, po mo s’un kanë dalë prej policisë edhe ka metë me gjithë çikë mrena. Kur u kall nji shpi e Gafurrit, aty në Suharekë, jonë tutë shumë, kanë bo m’u kthy. Vëllaun e kanë gjetë, e kanë kujtu që e kanë mytë. E kanë dhezë traktorin, qysh o konë plot tesha, kanë hypë, në Peqan i kanë mytë, te dyert e dajëve të mi. Si të hish përpjetë me u ngjitë, policia ishin konë, speciala a çka janë konë ata, e kanë mytë në traktor nanën me gjithë çikë. E vëllavi ka ikë, ka kcy, natë o konë. Ka shku te UÇK-ja. 

Kemi dalë tani, e jemi kthye se s’kom dashtë as në Shqipni me shkue, djalin e vogël e kom pasë gjashtë vjeç. Po me të mitë dola, tani tre muej mo nuk kemi ditë a o gjallë, a ku jemi. Tre muj sen s’disha, në gjini rrisha, krejt jemi konë në gjini. Amo për burrin kemi mendu që s’pshton. E kemi ditë që osht në Pagarushë, ama a o gjallë s’e kemi ditë. Mas tre muejsh, burri u kthye, na mur, erdhëm këtu. Krejt të djegme, të thyme shpinë e kemi pasë. Po na ra puna e çikës e s’na bike në men bile për këto tjerat sene. Në shpi nji sungjer qitu, fëmija të ndishëm, s’ishin mësu, as ndihmat s’i dojshin, as s’iu vishin qato teshat e ndihmës. 

Liridonin e kish zonë policia me nji fshat, tu i grahë traktorit. I kanë lypë pare, ai ka thonë “S’kom pare”. O çu ajo gruja e shpisë që ia kanë dhonë traktorin, i ka nxjerrë 100 marka me ia dhonë. Ai tu e shajtë djalin, tu bërtitë, “A 100 marka? Ma shumë pare!” Ky thotë, “S’kom” edhe kallxon “Më shajti edhe ma mëshoi shkelm, e nxjerri automatin me më mytë”. Mandej tha, “E thirrën diku me shkue, e mu më gjujti në lloç, s’i mur ato pare hiç”. 

Tani kom dalë me të mitë, djalin e burrin këtu e lashë. Ky ni unazë të vetën që e ka pasë, ia kish dhonë djalit le t’i gjindet, se pare ku me gjetë në luftë. Ishim tu e ndreqë shpinë. Ky edhe nguli komë, “Du me nejtë në luftë, me luftu”. 

E, kur shkuem në Kukës, desh u tranu djali kur i pa shokët e babit të vet, do të Prizrenit, Bexheti, Miftari, që ka punu në komunë. Djali atyne, “Babin ku e kom?!”. “O nuk e dimë babin”. Tani në xhami kemi bujtë atë natë, djali u tremke, “Vlora ku osht, Vlora ku osht?”. I thojsha,“Tash oj nonë e gjojmë”. 

Tani kemi shku në Vlorë, tre muj kemi nejtë me fëmijët. Tani shkuen ata të kunatit në Gjermani, më thirrke ai, “Hajde në Gjermani”. Në Zvicër jonë konë këta të mitë. Thashë, “Burrin s’e lo këtu, çika jeme ka vdekë atje, du m’u kthy në Kosovë, le t’më mysin, nuk vi jashtë pa burrë e pa çikë”. Menojsha që e gjej çikën kur të kthehemi. 

Edhe çika e madhe shumë e ndishme osht. E ka kry të mesmen, ma shumë s’kena pasë mundësi me shkollu. Thojke ajo, “Mami, ishalla e kanë mytë se n’koftë gjallë, ka me t’u bo budallicë, s’të vyn mo me jetu se shumë e ndishme osht”. Thojsha, “Jo, veç ta shoh”, po çfarë të pami mo. E di veç nji tepih që kish metë, maqinat e lamjes, senet krejt i kishin bajtë. 

E u çojsha natën. Burrin e kom pasë, jo shok, po përmi shok. Natën më dilke gjumi, e lypsha çikën, ishna mësu me pasë afër vetit. 

E m’u çu djali Iliri me na ikë, me shku me lypë Vlorën ku osht. Atëherë 16 vjet i ka pasë. Kur u çuem në sabah, djali s’osht. Lyp e lyp nëpër shpia, krejt të djegme jonë konë. Kqyr te vorret, s’osht, u bo ora njimdhetë. U mërzita që s’e gjejshim djalin, thashë meta edhe pa djalë tash. Kur u bo ora dymdhetë, a nja, veç kur erdh. Tu kajtë, po thotë, “Jom konë te dajtë e tu në Peqan, ku i kanë mytë nanën Ije edhe Vlorën”. 

Çikën tani e kanë gjetë nja nji muej masi jemi kthy prej atjehit. Masi u kry e pamja e vëllaut Murselit, se vijshin mas luftës plot. E kanë gjetë te vorret e Suharekës. Në Peqan i kanë mytë, atje i kishin vorrosë. Bashkë me trupin e nanës e kanë gjetë. 

Murseli: Vëllau jem që u vra me datë 25, edhe çika që u vra me datë 26, kanë qenë bashkë. Unë i pashë vorret, edhe si kom hi, me 12 qershor, të nesërmen kom shku te vorret. Po këtyne s’ju tregojsha.

Bahria: Ky s’kallxojke. Shkojshim në Suharekë, nuk më çojke anena, po knej. I thojsha, “Pse s’po shkojna ka podrumi?” Se unë s’dojsha as me kqyrë në atë anë. Thojke, “Jo, ma mirë trup po i bina”. Masanej i thashë, “E paske ditë”, “Po” tha, “unë e kom ditë”. 

Murseli: Me 8 qershor ushtria pati hy në fshatin tonë, unë isha kryetar i Lidhjes Demokratike, dega në Suharekë edhe Reshtan. Thashë me vete, partia ra në ujë. Iu kapëm malit, deri me 23 gusht kemi qenë këtu, kur nisi ofenziva e parë në Reshtan. 

Për vajzën e kom kuptu qatë natë menjiherë. Me 26 gusht, në ora dy, na jemi konë në Semeti, se me 24 iu ra NATO, me 25 ma vrajtën vëllavin, me 26 erdh miku, vëllavi i grues. E po ndiej, “O jam Muhameti Suharekës!” po thirr ai që na mos me gjujtë me vra. Ai i thotë, “Ma kanë mytë nonën edhe Vlorën”. Kur erdh, tha, “Me traktor kesh tuj ardhë, me nonën e me Vlorën. Ishalla na jemi shnosh, i vranë, u kry ajo punë”. 

Tani une me 27 kom tentu me ardhë. Ishin policia andej, po thashë unë nja tre-katër ushtarë të shkojmë të kqyrim, ama shokët s’më lanë. Me 28-29 jemi largu për Drenicë, se ra pika jonë. Pika e Malishevës ra, se pika e Semetishtit nuk ka pasë ra ballë për ballë, po mas shpine erdhën edhe u detyruem m’u largu krejt. Shkuem për Drenicë, nejtëm nja pesë-gjashtë ditë, prapë u kthyem në Semetisht. Tani shkova une me vizitu atë vendin aty. Pashë tollovi. Çka me pa? Gjak traktori, krejt teshat i kanë marrë kush o kthy. 

Na jemi konë në Semetisht, miku më kallxoi atë natë, “Kanë gjuejtë në traktor, s’kanë ditë kush osht aty”. Ai ka kcye prej traktorit, o konë traktori i shpum. Krejt traktori, kolica e shpume ka qenë. Krejt, sa kanë mujtë kanë qitë. Djali ka shku, e ka kqyrë traktorin, edhe shumë o mërzitë. Ai mbas lufte, e unë e kom pa gjatë luftës traktorin. Krejt pluma ish. Do tesha nëpër tokë, do fotografi. E trupat i kanë marrë menjiherë, kur i kanë mytë, kanë dashtë m’i vorrosë në Peqan, po dikush iu ka thonë, “Jo këtu, se p’i njoh këta”. Nonën teme e kanë ngjoftë. Edhe i kanë vorrosë në Suharekë. Vorret, si kom ardhë, menjiherë më tregoi… Me numra i ka thonë. Unë shkova, i pashë vorret. Kur i kemi hekë, KFOR-i i ka nxjerrë, unë kom qenë prezent, më kanë ftu me shku. Vëllavin e kanë nxjerrë, trupi i tij o konë shumë pak i prishtë, gati thueja po flen. Për dy-tre muej sa ka zgjatë kjo. Vajzën e kanë nxjerrë qashtu me tesha krejt. 

Bahria: Ky hiç s’më ka kallxu, po mu në ondërr m’u shti. Thashë, “E pashë Vlorën, nejta me Vlorën”. Qatë ditë që i nxirrshin pi vorrit, m’u shti në ondërr, tu nxjerrë si ujë në bunar në kohë të luftës me kovë, jo me hidrofor. Më thojke, “Oj mami, kapma kovën se policia, kapma se p’e lëshoj”. M’duel gjumi. Tani kajta gjithë ditën. 

E ky kish shku, e kishin thirrë, po s’më ka kallxu, e kom dashtë me e pa, të drejtën me folë. Mbasdite erdh ni kojshi i katunit. Pi kallxon burrit, edhe ky shkoi, i pa. Kur nijta masanena, “Pse s’më kallxove, pse s’e pashë çikën edhe nji herë?”. S’më ka kallxu, kurrë s’kallxon çka sheh, çka nin, kurrgjo.

Unë e pashë po ma mirë mos ta kisha pas pa hiç. Më dridhet trupi, kur e mendoj. 

Une kaniherë kur ta shoh Vlorën në ondërr knaqna, më duket si me pa përnime. Po nuk p’e shoh shpesh. Qatëhere e pashë si në Prishtinë, me ni market e shtina, tha “Du bukë mam”. Unë lyp, s’un gjejsha bukë m’i dhonë çikës. Kur u çova në mëngjes, thashë, kuku çikën e lashë pa bukë, kaj, e kaj. Gjthë ditën ratë, u smuna. U çu djali të nesrit, “Çu shkojna në Prizren, a në Prishtinë m’u shëtitë, se pa ty s’po m’shkohet”. Unë s’mujsha as me hongër, as me pi, se mentë te ajo më rrishin. E ti mërzita krejt, i bona krejt me vaj. “Deri kur” tha djali, “na kështu gjithmonë?”. Thashë, “Shka me bo, mu shti në ondërr, oj none. Zaherë u knaqa me ju, e ajo më ka metë keq”. 

Mo nuk e kom pa, e boll kom qef m’e pa. Dimnin që shkoi e kom pasë pa, mas vitit të ri. Ka bo vaki edhe sivjet me pa, po po harroj. Dikun kemi nejtë, po u zhduk, hupi. Po shumë rrallë e shoh, edhe mërzitna, noshta për qatò nuk e shoh. E me pa, knaqna gjithë ditën. 

Murseli: Une e shoh kaniherë ondërr po… 

Bahria: Çka sheh? Kallxo najsen. Mu s’më kallxon kurrë… 

Murseli: Në vitin ‘90, i kemi pasë dy paralele në shkollë, e me iniciativën e vëllavit tem të madh, vendosëm m’i bo edhe dy paralele, edhe e majtëm ni takim, me zgjanu pak shkollën, se shumë nxanës, s’kish ven. Po pare nuk jepshin në fillim, e vëllavi më tha, “Ti nisja! Dikush jep, dikush s’jep, po na dojna me kry shkollën”. Dy klasë i bomë, po katuni ndihmoi, kur e panë që përnime e kemi. Në vitin ‘94 i çuem në qat shkollë dy kate, e në ‘95-tën pat hi çika në klasë të parë. Une kaniherë e shoh n’ondërr, tu iu thonë fëmijëve, ‘Babi jem e ka maru shkollën’. Më shtihet kjo ondërr, se e kom pasë ndie me veshë të mi kur iu ka thonë fëmijëve. 

Bahria: Shyqyr i ka lonë Zoti vorret edhe në katun, se m’u pas konë ngat, prej mërzisë, gjithë dimnit, m’doket edhe e kisha shplu e kisha mlu, po pa e pa s’e kishna lonë. Po atje na qysh me shku?

 

Imazhi i ballinës: ForumZFD