Më 14 qershor, situata e tensionuar në veri të Kosovës mori një kthesë të papritur, kur tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, sipas qeverisë së Kosovës, u kidnapuan brenda territorit të Kosovës.
Policia e Kosovës (PK) tha se dyshohet se ata janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në Leposaviq, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Qeveria e Serbisë po pretendon se janë arrestuar brenda territorit te tyre.
Kidnapimi i tre policëve nga Serbia ndodhi në një kontekst tashmë të ndërlikuar që nga 26 maji kur nisën protestat e serbëve lokalë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilat po hyjnë në javën e tyre të katërt. Ndonëse protestat u qetësuan që nga fillimi i muajit qershor — incidentet janë sporadike — tensioni politik po vazhdon.
Komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjedhje të reja dhe krijimin e Asociacionit; qeveria e Kosovës ka pranuar në parim zgjedhjet e reja me disa kushte; teksa Lista Serbe ka kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje me krijimin e Asociacionit. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka propozuar një draft-statut për Asociacionin.
Mes të gjitha këtyre zhvillimeve, K2.0 filtron ngjarjet kryesore.
Çka po kërkon komuniteti ndërkombëtar?
Gjatë kësaj kohë, retorika e komunitetit ndërkombëtar karshi Kosovës, sidomos ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), u ashpërsua. Ata po e fajësojnë qeverinë e Kosovës për tensionimin e situatës në veri kur kryetarët që fituan zgjedhjet e 23 prillit, hynë në ndërtesa të komunave përkatëse të shoqëruar nga Policia. Sipas tyre, qeveria nuk ishte koordinuar me ta për këtë veprim dhe për ta shmangur përshkallëzimin e situatës, kryetarët duhet ta vazhdojnë punën nga objekte alternative. Zgjedhjet lokale të 23 prillit, të mbajtura në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë, u bojkotuan gjerësisht nga serbët. Votuan vetëm pak mbi 3% apo 1,532 nga 45,095 qytetarët me të drejtë vote.
Tensionimi i situatës, sipas komunitetit ndërkombëtar, mund të evitohej. Më 26 maj, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se veprimet e qeverisë së Kosovës i kishin “minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”. Gjerësisht, kjo u pa si paralajmërim për sanksione ndaj Kosovës.
Ndërkohë, më 30 maj, kur u anulua pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjet ushtarake të ShBA në Evropë, “Defender Europe 2023”, ambasadori i ShBA, Jeff Hovenier, duke e përsëritur Blinken, tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës është pasoja e parë për qeverinë e Kosovës në këtë drejtim. Hovenier e përsëriti kërkesën që qeveria e Kosovës “të ecë urgjentisht përpara me procesin e [formimit të] Asociacionit”.
Më 3 qershor, Bashkimi Evropian (BE) kërkoi nga Kosova t’i tërheqë njësitë policore nga objektet komunale dhe, siç kërkuan edhe ShBA, që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative. Ata kërkuan që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog për të gjetur zgjidhje për situatën në veri çka do ta hapte rrugën për zbatimin e Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit dhe shtojcën e implementimit. Kjo përfshin “edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Po ashtu, BE shprehu shqetësim rreth rritjes së nivelit të gatishmërisë të ushtrisë serbe.
Plani Evropian dhe plani për implementimin e tij, për të cilat Kosova dhe Serbia ranë dakord më 18 mars në Ohër, shtoi optimizmin e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e tensioneve të njëpasnjëshme në veri përgjatë vitit 2022. Megjithatë, Marrëveshja e Ohrit nuk e adresoi as zgjidhi çështjen e tërheqjes se serbëve lokalë nga institucionet publike në nëntor të vitit të kaluar dhe pastaj, bojkotimin e zgjedhjeve nga Lista Serbe.
Me 5 qershor, Miroslav Lajčak, ndërmjetësuesi i BE në dialogun Kosovë – Serbi dhe Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor, u takuan me kryeministrin Albin Kurti në Kosovë. Ata i parashtruan tri kërkesa: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Këto, sipas Lajčak e Escobar, ishin kërkesa të përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar.
Brenda ditësh, u bënë publike dy dokumente të pakonfirmuara që përmbanin një listë sanksionesh ndaj Kosovës në rast se këto kërkesa nuk do të plotësoheshin. Njëri, i publikuar nga Euronews Albania më 7 qershor, pretendohej se vinte nga ShBA, dhe përmbante masa sanksionuese që ndër tjera përfshinin ngrirje të fondeve e qasje pasive nga komuniteti ndërkombëtar ndaj integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare e karshi fushatës së Serbisë për çnjohje të Kosovës.
Ndërkohë, i dyti, i publikuar nga Radio Evropa e Lirë më 13 qershor, pretendohej se vinte nga BE dhe përfshinte pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE dhe vendet anëtare; pezullimin e punës së përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e pezullim fondesh.
Peter Stano, zëdhënës i BE, më 14 qershor tha se po diskutohen një sërë masash ndaj Kosovës, por se ato nuk janë sanksione, por masa të përkohshme politike e financiare me efekt të menjëhershëm dhe përgjigje ndaj “dështimit” të Kurtit për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
Retorika e komunitetit ndërkombëtar ndau debatin e përgjithshëm publik në Kosovë në dy tabore: njëri po kritikon qeverinë Kurti për veprime të pakoordinuara më komunitetin ndërkombëtar dhe kryeneçësi në mosrealizimin e kërkesave të tyre, që do të çojë në prishje të raporteve sidomos me ShBA. Tjetri tabor po e kritikon komunitetin ndërkombëtar për kritikë të njëanshme ndaj qeverisë së Kosovës përderisa nuk përdornin të njëjtën gjuhë të ashpër apo paralajmërime për sanksione ndaj Serbisë.
Çka thotë qeveria?
Qeveria e Kosovës përgjithësisht e pa trysninë e komunitetit ndërkombëtar të padrejtë dhe kërkesave të tyre iu përgjigj me kushte të veta.
Në një konferencë për medie, më 7 qershor, Kurti e pranoi që ka sfida me të dërguarit e komunitetit ndërkombëtar dhe se nuk mendon se “këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor”. Kur u përball me kritika për prishje raportesh me ShBA e BE, Kurti kërkoi të bëhej dallimi mes raporteve bilaterale të Kosovës me këto vende kur këto të fundit i drejtonin kërkesa dhe kur këto kërkesa i drejtoheshin rreth raporteve me Serbinë.
Në një intervistë për Associated Press, më 8 qershor, Kurti, u ankua për njëanshmëri dhe tolerancë nga ShBA e BE ndaj “regjimit autoritativ” të Serbisë. “Përkundrazi…vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha ai.
Kurti ka thënë se në parim e mbështetë depërshkallëzimin e situatës, por se deri në zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të përmbushen disa kushte.
Me 13 qershor, ai i dërgoi një letër përfaqësuesit të lartë të BE, Joseph Borell me një plan pesë-pikësh për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Pika e parë e planit parasheh identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO dhe gazetarët në protestat e 29 majit në Zveçan. Në mesditën e 13 qershorit, PK arrestoi një serb, për të cilin ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla tha se i kishte prirë turmës së dhunshme në atë protestw në Zveçan.
Pika e dytë e planit parasheh që grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të “ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës”. Më pas, plani parasheh që PK, pjesëtarë të NATO dhe EULEX të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, “për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë”.
Pasi të përmbushen këto tri pika, sipas planit, mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri, dhe në fund Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave. Qeveria e Kosovës po ashtu ka kërkuar që në zgjedhjet e reja do të duhej të sigurohet pjesëmarrja e serbëve edhe si votues, edhe si kandidatë.
Borell nga BE, në përgjigjen ndaj këtij plani tha se ai nuk i adreson disa elemente kyçe që kanë nxitur krizën e tanishme. Në përgjigje thuhet edhe se një takim në nivel të lartë mund të organizohet me parakushtin që të shtensionohet situata në veri dhe të hapet rruga për zgjedhje të reja.
Gjatë vitit 2022 e edhe përgjatë 2023, Kurti disa herë doli me propozime disa-pikëshë e me kushte për zgjidhje të tensioneve në veri kur trysnia ndërkombëtare rritej në drejtim të Kosovës. Por, kryesisht ato nuk u adresuan nga komuniteti ndërkombëtar, e më pas nuk u përmendën as nga qeveria e Kosovës.
Ngjashëm kishte ndodhur kur në fillim të shkurtit kur, i gjendur në mes të thirrjeve dhe presioneve nga partnerët ndërkombëtarë për ta nisur implementimin e Asociacionit, Kurti prezantoi gjashtë kushte për pranimin e tij. Njëri kusht ishte që Asociacioni të ishte pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të implementohej pasi të shuheshin strukturat ilegale në veri. Megjithatë, në fund kryeministri pranoi marrëveshjen e Ohrit që përfshinte krijimin e Asociacionit, anipse strukturat ilegale në veri nuk ishin shuar.
E ngjashëm me kushtet e shpeshta të Kurtit kanë qenë edhe paralajmërimet për sanksione nga ShBA e BE sa herë që situata tensionohej në veri të Kosovës kur qeveria e Kosovës ndërmerrte veprime që komuniteti ndërkombëtar i konsideronte si të pakoordinuara me ta. Në fund të janarit të këtij viti, kur po diskutohej Plani Evropian, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, Kurti, kishte thënë se qeveria e Kosovës ka marrë paralajmërime për mundësinë e zvogëlimit të mbështetjes nga Perëndimi, nëse Kosova “nuk cilësohet si konstruktive” në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi.
Çka me Asociacionin?
Një nga pikat më të rëndësishme të Planit Evropian, krijimi i Asociacionit me Shumicë Serbe është kërkesë e vazhdueshme e komunitetin ndërkombëtar, ndërsa tani po konsiderohet nga ta si nyja që do t’i zgjidhte krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës. Kjo është edhe një ndër kushtet e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore.
Deri tash ekzistojnë disa drafte për Statutin e Asociacionit: ai i Ekipit Menaxhues të caktuar nga Kosova, një i Kurtit dhe së fundmi, ai i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Rama u përfshi në krejt këtë situatë duke i kërkuar qeverisë së Kosovës të jetë në linjë me komunitetin ndërkombëtar dhe t’i ulë tensionet në veriun e Kosovës. Më 8 qershor, njoftoi se një ditë më herët i kishte dërguar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, një draft-statut për Asociacionin. Ndërsa drafti i Ramës mbetet konfidencial, BE tha se ky draft përbën një draft serioz.
“Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar”, tha Rama.
Zëdhënësi i BE, Stano, tha se plani ishte që më 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat qysh më parë. Por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, ky takim nuk u zhvillua.
“I dërguari i posaçëm i BE është i gatshëm të organizojë takimin e draftimit shumë shpejt dhe është në kontakt me të dyja palët”, tha Stano.
Dorëzimi i një drafti për Asociacionin nga Rama, pa e njoftuar paraprakisht Kurtin, nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Kurti tha që Rama atë draft do duhej ta niste te presidenti i Serbisë, Vučić, dhe ta shfrytëzonte si model për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Ndërkohë, mbledhja vjetore e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që planifikohej të mbahej me 14 qershor në Gjakovë, u anulua. Në një njoftim, Rama tha se duke marrë parasysh rrethanat e tensionuara kishte propozuar një takim më të reduktuar, por se Kurti nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit.
“E kam informuar Kurtin se duke marrë parasysh kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlanatike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama në një konferencë të jashtëzakonshme duke paralajmëruar për sanksionet që parashiheshin nga BE për Kosovën. Nga Qeveria e Kosovës thanë se kjo është hera e parë që një mbledhje e dy qeverive anulohej njëanshëm.
Prej muajsh raportet mes Kurtit dhe komuniteti ndërkombëtar janë të tensionuara. Prej muajit korrik të vitit të kaluar kur vendimet e qeverisë Kurti për reciprocitet në targa e në dokumente identifikimi me Serbinë nxiti një valë barrikadash në korrik e sërish në dhjetor, të dyja palët shkëmbyen akuza ndaj njëra tjetrës.
Çka me situatën me tre policët?
Më 14 qershor, nëpër mediet serbe qarkulluan disa fotografi dhe video të tre policëve të Kosovoës, të cilët u morën nga forcat serbe. Në fotografi dhe video ata shiheshin të shtrirë në tokë, me duar të lidhura prapa dhe me sy të lidhur me shirit.
Lidhur me këtë ndodhi, PK tha se dyshohet se tre policët janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në Leposaviq, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Tutje, në një konferencë për shtyp, PK tha se ky është “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë në Serbi, drejtori i zyrës për Kosovën, Petar Petković tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe kanë arrestuar tre zyrtarët brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria e Kosovës, fillimisht vendosi që të ndalohet hyrja e çfarëdo malli nga Serbia dhe pastaj, ndaloi hyrjen e automjeteve me targa të Serbisë dhe mallrave serbe. Megjithatë, qarkullimi po vazhdon por me kontrollë të shtuar.
Kurti tha se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria e Kosovës në mëngjesin e 15 qershorit, mblodhi Këshillin e Sigurisë. Pas mbledhjes, qeveria tha se ka vendosur ta shtojë kontrollin në pikat kufitare me Serbinë.
BE tha se është duke e trajtuar si “çështje urgjente” situatën e krijuar dhe se janë në kontakt me palët për të përcaktuar se çka ka ndodhur. KFOR tha se është në kontakt me autoritetet serbe për informacion zyrtar rreth asaj që ka ndodhur.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që mos ta tolerojë këtë veprim të Serbisë.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim” tha Kurti gjatë konferencës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë më 15 qershor.
I dërguari i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka paralajmëruar se do të mbajë një konferencë për situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë të premten, më 16 qershor.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0