Orari: E hënë – e premte, nga ora 11.00-17.00, deri më 23.07.2023. Vendi: HUB & Studio 2.0.
“Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’? Rikrijimi i mureve dhe gardheve që formojnë shtëpinë tonë”
Pjesëmarrës/e: Laureta Hajrullahu, Majlinda Hoxha, Jakup Ferri, Rina Krasniqi, Atdhe Mulla, Brilant Pireva.
Kuratore: Donjetë Murati.
A ju ka rënë ta shihni një meme/fotografi me makina fluturuese, ndërtesa të mëdha futuristike dhe një mjedis krejt paqësor, me një tekst, që thotë diçka si: “bota, nëse bateritë e telefonit do të qëndronin më gjatë”? Përmbajtja është qesharake sepse shpërfaq se çfarë rëndësie të pamatshme civilizuese i jepet një bezdisjeje të përditshme, por pesha e saj vjen prej faktit që të gjithëve na përbashkon një dëshirë për një botë më të mirë. Prandaj, ju ftojmë të na bashkoheni në një mjedis shtëpiak, të mendojmë për kushtet tona të tanishme dhe rreth asaj se çfarë po na ndalon nga të përjetuarit e atij mjedisi krejt paqësor.
Përmes kësaj ekspozite, do donim që ju ta mendoni sferën “Dyson”. Një mega strukturë hipotetike që e rrethon diellin, sfera “Dyson” është aty për ta shfrytëzuar fuqinë e yjeve. Propozuar nga Freeman Dyson në të ‘60-tat, ideja është që të kapë e shfrytëzojë sasitë e panumërta të energjisë që të mbështesë civilizimet e përparuara, të cilat do vareshin prej këtij niveli të energjisë. Ndërtimi i një sfere “Dyson” do të ishte një ndërmarrje gjigante që do kërkonte sasi të madhe burimesh dhe një teknologji të përparuar, që mendohet se do ta mundësonte lulëzimin e njerëzimit në një masë të madhe. Tash për tash, ndërtimi i një strukture të tillë është jashtë kapaciteteve tona teknologjike.
Ky eksperiment i të të menduarit astrofizik është në qendër të ekspozitës tonë sepse na nxit të mendojmë për shtëpinë jashtë gardhit që rrethon shtëpinë tonë, si dhe na nxit të mendojmë se si emocionet e shtëpisë si dashuria mund të shkojnë përtej katër mureve të shtëpisë.
Kur është fjala për eksplorimin e hapësirës, njerëzit shpesh flasin rreth “kolonizimit” të planeteve tjera apo rreth “eksploatimit” të burimeve jashtëtokësore nëpër univers. Edhe idetë tona më utopike janë të mbyllura përbrenda një gjuhe të dhunës e eksploatimit, kanë ngecur në realitetin tonë bashkëkohor. Shkencat nuk ndodhen jashtë këtyre raporteve shoqërore, të cilat ne i riprodhojmë në çdo ndërveprim. Mbase është e nevojshme t’i heqim këto raporte shoqërore që rrezikojnë e diskriminojnë plot — veç atëherë, ndoshta një sferë “Dyson” do të jetë e mundur. Çka po na ndalon? Mos është diskriminimi gjinor, mënyrat e prodhimit apo pabarazia ekonomike? Sa e sa zbulime të reja dhe përparim shoqëror na ikë për shkak të varfërisë së rëndë? Çfarë potenciali prej imagjinatës tonë kolektive mbetet i papërmbushur?
Së fundmi, në Prishtinë pati një eksplorim të pasur të konceptit të “Shtëpisë”. Vetëm vitin e fundit, pamë interpretime të ndryshme. Gjatë “Manifesta 14 Prishtina”, me ndërmjetësuesen kreative Catherine Nichols, u bënë dy ndërhyrje të rëndësishme rreth temës.
“Banesa” nga Alicja Rogalska, një instalim performativ i zhvilluar në bashkëpunim me aktivistet feministe kosovare, krijoi një hapësirë ku ofrohej ndihmë ligjore pa pagesë per gratë, teksa “Mbi të gjithë” e Alban Mujës, paraqiti një shtëpi të vendosur mbi shtëpinë e mallrave “Gërmia”, vepër që solli vëmendjen te peizazhi arkitekturor i qytetit dhe te e ardhmja e ndërtesave publike. Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ishte ekspozita “Dhomë për kujtimet e pabëra”, nga artisti Luan Bajraktari, kuruar nga Hana Halilaj — diçka që e shndërroi galerinë në një dhomë të ndejës, të krijuar me mbetje nga mobiliet që përdoreshin dikur dhe zina letrare “Lirindja” qysh prej vitit të kaluar mbledh rrëfime për botimin e tyre të radhës rreth shtëpisë.
Emocionet, siç është dashuria, lidhen me shtëpinë, por shpesh janë të kufizuar brenda pak njerëzve në familje. Shtëpitë tona rrallëherë konsiderohen si qendër e jetëve tona politike e prapëseprapë janë vendet e para ku ne ndërveprojmë me botën. A janë këto lidhje e ndërveprime shoqërore traumatike a të këndshme, është diçka që mund të përcaktojë drejtimin e ndërveprimeve të ardhshme, jashtë familjes dhe drejtimit e ndërveprimeve shoqërore, në rrafsh më të gjerë. Shtëpia është pikënisja për reflektim e ndryshim.
“Pse s’e kemi ndërtuar një sferë ‘Dyson’?” ju fton të na bashkoheni në të menduarit rreth kushteve tona të tanishme, rreth mundësisë për transformim dhe eksplorim dhe rreth asaj se si e gjithë kjo mund të nisë prej këtu, prej shtëpisë. Mbase një mjedis krejt paqësor dhe një jetë e sigurt për të gjithë është parakusht për krijimin e projekteve utopike siç është sfera “Dyson” e jo anasjelltas.
Ju ftojmë të vini dhe t’i përjetoni veprat artistike, mobilet e ligjëratat që e përbëjnë këtë ndërhyrje. Duke buruar prej lidhjes sonë me qeniet e speciet tjera, te mënyra se si ne e blejmë një copë dashuri, te kuptimi i shtëpive edhe kur çfarë na rrethon ndryshon, te imazhet spekulative, instalacioni ynë është shtëpi, ku të gjithë ne kalojmë kohë bashkë.
Për t’u informuar më shumë për sferën Dyson, si dhe për teori dhe zbulime që ndodhin çdo ditë, vizitoni kanalet e mëposhtme në YouTube dhe krijuesit në TikTok:
Krijuesit/et në TikTok:
Kanalet në YouTube:
Çka nëse e ndërtojmë një sferë Dyson?
Si ta ndërtojmë një sferë Dyson – Megastruktura përfundimtare
Jakup Ferri (lindur në vitin 1981 në Prishtinë, Kosovë) është artist bashkëkohor me vendbanim në Prishtinë dhe Den Haag dhe është profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës.
Veprat e Ferrit janë frymëzuar nga vizatimet e fëmijëve, arti folk dhe i ashtuquajturi Outsider Art [në shqip: Arti i të jashtmit]. Pikturat dhe qëndisjet bazohen në vizatimet (pak) surreale të artistit, që përshkruajnë skena të përditshme që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë dhe arkitekturë utopike. Tapetet e thurrura me dorë me modele gjeometrike, nga ana tjetër, bazohen në dizajnet e avatarit të djalit të artistit nga loja kompjuterike “Animal Crossing”. Ferri, i cili bashkëpunon me gra nga Shqipëria, Kosova, Burkina Faso dhe Surinami për punimet e tij të tekstilit, e konsideron bërjen e qilimave dhe qëndisjen si një teknikë koherence dhe ndërtimi të komunitetit.
“Tintirinti” (2022), tapeti i punuar me dorë i paraqitur në këtë ekspozitë, është porositur për “The Monumentality of the Everyday” [në shqip: Monumentaliteti i së përditshmes], ekspozitë e kuruar nga Inke Arns, që përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Artit të Venecias në vitin 2022.
Laureta Hajrullahu (lindur në vitin 1997, në Preshevë, Serbi) është një artiste multimediale, e vendosur në Prishtinë. Puna e saj artistike eksploron privatësinë, gjininë, intimitetin, ekosistemet digjitale, video-lojërat dhe të ardhmet e pamundura. Nëpërmjet punës së saj në mediet digjitale, ajo paraqet pikëpamje të ndryshme, të informuara në mënyrë kritike mbi “realitetin”. Këtë e bën duke dekonstruktuar dhe rivlerësuar kufijtë midis botës virtuale dhe asaj fizike.
“Flowers of Monoxide, Expired Fairies” (2022) [në shqip: “Lulet e monoksidit, zanat e skaduara”] është një vepër spekulative që imagjinon qenie dhe specie të ndryshme. Këto specie, të imagjinuara nga Laureta, janë duke festuar në një dimension alternativ, që është i pushtuar nga jo-njerëzit. Kur sheh këto dy skulptura tekstili, të ftojnë të mendosh për dimensione të ndryshme dhe krijesat që mund të ekzistojnë pranë nesh, por që ne nuk mund t’i shohim. Një pjesë e kësaj feste — e shfaqur në një Mp4 player që Laureta e ka në pronësi që kur ishte adoleshente, sa jetonte në Preshevë — përfshin një regjistrim të video-lojës “Planet Laika”, në të cilën qëllimi i lojtarit është ta kolonizojë Marsin.
Nëpërmjet kësaj, Laureta e përgatit skenën për shqyrtimin e formave dhe specieve të tjera të jetës dhe marrëdhëniet tona me to. Kur mësohet për racën njerëzore, shumica e literaturës shkollore thekson se për shkak se njerëzit e kanë zhvilluar vetëdijen, ata janë disi superiorë ndaj formave të tjera të jetës.
Një artikull i Stephen Jay Gould i vitit 1999 “The Human Difference” [në shqip: Dallimi njerëzor] në New York Times shpjegon në mënyrë të shkëlqyer që edhepse pretendimi se vetëm njerëzit kanë vetëdije është hedhur poshtë plotësisht, marrëdhënia jonë e gjerë me kafshët mbetet ajo e dominimit dhe shfrytëzimit. “Flowers of Monoxide, Expired Fairies” na fton ta rishqyrtojmë marrëdhënien tonë me speciet e tjera, si ato të dukshme ashtu edhe ato që ende mund të mos i shohim fare, dhe që ndoshta janë mes nesh në dimensionin e njëmbëdhjetë.
Majlinda Hoxha (lindur në vitin 1984, Kosovë) — është fotografe nga Prishtina. U diplomua në nivelin Master në Artet e Bukura nga Shkolla e Arteve të Bukura Elam në Universitetin e Auckland, në Zelandë të Re në vitin 2008. Fotografia e Hoxhës bazohet në një gjuhë të fragmentimit dhe zhvendosjes dhe është e ndjeshme ndaj trazirave të fundit politike dhe sociale në Kosovë. Aktualisht ajo jeton në Prishtinë, vendi që është burim dhe themel i pjesës më të madhe të punës së saj artistike.
“Dive Pool” (2008) [në shqip: Pishina e zhytjes] është një fotografi nga seria e Hoxhës “In the realm of uncanny” [në shqip: Në sferën e të pazakonshmes]. Fotografia, e realizuar në Aotearoa, Zelandë të Re, paraqet një mjedis të qetë të një strukture të krijuar nga njeriu, një pishinë që imiton natyrën, përgjatë një sfondi të pemëve magjepsëse me rrënjë të thella në Aotearoa. Zelanda e Re u bë pjesë e identitetit të Hoxhës kur ajo u detyrua të largohej nga Kosova gjatë luftës, në vitin 1999 me aeroplanin e parë të refugjatëve nga Kosova për në Zelandën e Re. Mjedisi i qetë i Zelandës së Re, i cili u bë një shtëpi e dytë për Hoxhën, është hapësirë e mirëmbajtur dhe shumë e mbrojtur për shkak të kulturës së pasur të Maorëve, të cilët janë autoktonë të tokës. Rāhui është një zonë e kufizuar ku ndalohet korrja e burimeve.
Në fotografi, një shenjë thotë: “Bombing Allowed” [në shqip: Lejohet bombardimi], gjë që merr kuptime të kundërta nga këndvështrimet e dy shtëpive të ndryshme, veçanërisht në kontekstin e vitit 2008 kur u shkrep fotografia. Teksa notarët gatiten si krijesa armadillo për ta “bombarduar” pishinën e Zelandës së Re, në vitin 2008, në shtëpinë tjetër të Hoxhës, njerëzit po reflektonin mbi atë se si ishin mirëpritur bombat e ndërhyrjes për t’i dhënë fund luftës në vitin 1999.
Rina Krasniqi (lindur në vitin 1988) është shkrimtare dhe ilustruese. Bashkëautore e “BOOM 1982-1987” (2020) dhe “Pini Maca Ujë” (2023), dhe autore e “Coloring Lumbardhi” (2022), si dhe është bashkëthemeluese e “Lirindja”, një shtëpi botuese, që filloi si revistë e pavarur letrare në Prishtinë.
Rina Krasniqi prezanton dy vepra në këtë ekspozitë: vizatimin dhe zinën “The Bush” [në shqip: “Shkurrja”] dhe një tapiceri muri. Vepra e sapo-konceptuar e Krasniqit “30 bimë të pafajshme, të ndodhura midis marrëdhënies së trazuar mes meje dhe kapitalizmit” është tapiceri muri e përbërë nga 30 bimë të ndryshme, përzgjedhja e të cilave është rezultat i hulumtimit të kuptimeve të zakonshme, që lidhen me bimë të ndryshme.
Vepra e hulumton mënyrën se si kapitalizmi përcakton marrëdhënien tonë me biodiversitetin dhe jetën e bimore. E gjithë jeta bimore, veçanërisht bimët e vendosura në tapiceri, duket se kuptimin e marrin nga njerëzit, ndërsa përvetësimi dhe prania e tyre në jetën e njerëzve përcaktohet nga marrëdhëniet tona ekonomike. Bimët e përzgjedhura janë bimë të zakonshme shtëpie dhe përfaqësojnë paqen, lumturinë, fatin dhe paratë. Duke filluar nga zambakët e paqes deri te bimët Crassula Ovata, shpesh të njohura si “lulet e fatit e parasë” — të gjitha janë marrë nga mjediset e tyre origjinale për t’i hijeshuar shtëpitë e njerëzve.
Vizatimi “The Bush”, krahas zinës që tregon historinë e shkurres, paraqet një bimë për të cilën është kujdesur babai i Rinës, Mazllom Krasniqi dhe për të cilën tani kujdeset e gjithë familja, përfshirë nënën e saj Ediben, motrën Edonën dhe vëllain Ronin. Shkurrja, siç i referohet Rina, ka vlerë të madhe sentimentale dhe është burim gëzimi për të gjithë familjen. Por nevoja për t’u siguruar që bima po merr kujdesin e duhur, është bërë edhe burim brengosjeje — siç janë gjithmonë kujdesi dhe dashuria. E ndodhur përballë ndërtesës së banesës ku Krasniqi u rrit, shkurrja është pjesë e marrëdhënies së dashur me ekosistemin përreth, që babai i Rinës e ndërtoi.
Rina tregon se si krijohen këto kuptime përmes marrëdhënies sonë me komodifikimin e çdo gjëje.
Nëpër univers, gurë të çmuar dhe xhevahire thuhet se gjenden brenda disa asteroidëve dhe trupave të tjerë jashtëtokësorë.Por, puna e Rinës pyet, çka e bën një gjë të çmuar jashtë raporteve kapitaliste? Në video-krijimin në TikTok, “Pemët vlejnë më shumë se diamantet!” krijuesja e përmbajtjes Astro Alexandra thekson veçantinë e ekosistemit tonë. Çka s’është gjetur ende jashtë Tokës është jeta bimore. Me gjithë teknologjinë e përparuar që mund të identifikojë rrezatimin mikrovalor miliarda vite dritë larg, ende nuk kemi hasur në diçka që i ngjan pemëve. Nëse shkojmë përtej konsideratave ekonomike tokësore, drunjtë nuk vlerësohen aq sa duhet, ndonëse kanë veçantinë e tyre kozmike. Megjithëse njerëzit, si aktivistët/et e klimës dhe disa popuj indigjenë ruajnë marrëdhënie me biodiversitetin, që shkojnë përtej marrëdhënieve kapitaliste, në pjesën më të madhe, pyjet dhe jeta bimore merren si të mirëqena dhe shihen përmes prizmit të përfitimit.
Herën tjetër kur të jeni duke ecur nëpër qytet, shikoni përreth, veçanërisht tokën ku ecni. Mund t’i vëreni kërcejtë dhe gjethet, duke dalë tejpërtej betonit apo lart nëpër kapakët e kanalizimeve, thesare të rralla kozmike, që kërkojnë dritën e diellit.
Atdhe Mulla (lindur në vitin 1984) është fotograf dhe redaktor i fotografisë në K2.0. Atdheu ka kryer studimet Bachelor në degën e fotografisë në Shkollën e Filmit dhe Televizionit të Akademisë së Arteve Performuese në Pragë, Republika e Çekisë.
Fotografia e Atdhe Mullës, e titulluar “Shtëpia e Nexhit nga Gjermania”, është një shtëpi e vogël në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Shtëpia ndodhet në mes të shtëpive të tjera familjare. Në këtë fotografi të inskenuar, pas gjashtë orësh që kanë kaluar kohë së bashku, Mulla ka kapur frymën e diasporës dhe ndjenjën e kthimit në shtëpi për të ndërtuar një shtëpi. Mund t’i dalloni edhe të afërmit e tjerë të Nexhit në fotografi teksa bëhen bashkë. Dëshira për t’u kthyer në shtëpi dhe për të ndërtuar një strukturë moderne është një tipar i shpeshtë në peizazhin e arkitekturës në Kosovë. Po ashtu, fotografia shpërfaq bukur një moment të shkurtër bashkimi.
Brilant Pireva (lindur në vitin 1993) është artist që jeton dhe punon në Prishtinë. Puna e tij lidhet me poezinë, videon, muzikën dhe pikturën digjitale. Veprat e tij gjithashtu eksplorojnë mitologjinë, fenë dhe dështimin. Praktika e tij përfshin jetën e përditshme publike, vepra arti videosh improvizuese për hapësirën publike, studime të vazhdueshme të natyrës së qetë të “objekteve në prapavijë” si ushqimi, mbeturinat, shënimet publike, etj.
“Splinter” është një seri vizatimesh digjitale të zhvilluara në film analog. Kjo teknikë e karakterizon Pirevën, ku vizatimet digjitale të punuara me dorë transferohen me dritë në një format analog, në këtë rast një film celuloid dhe më pas zhvillohen. Ky proces “analogizimi” bie ndesh me paradigmën dominuese të digjitalizimit, që përcakton mënyrat bashkëkohore të komunikimit dhe arteve. Veprat spekulative përpiqen të japin dhe të shfaqin format ideale të emocioneve dhe mendimeve me të cilat përballemi sot, duke i fosilizuar ato në film. Teksa kultura pamore është shpesh mashtruese, duke krijuar botë dhe flluska të ndryshme përmes algoritmeve dhe portretizimit të ideologjive të ndryshme, Pireva përpiqet t’i ndikojë me forma intuitive dhe spekulative që synojnë një plan ndikimi që është i varrosur më thellë se ku vepron ideologjia.
Seria shoqërohet me tregimin e shkurtër “The Bridge and The Cage”, [në shqip “Ura dhe kafazi”], e cila shqyrton lidhjen e pandalshme midis fatit të njerëzimit dhe ekologjisë së tij, shtëpisë së tij. Ju ftoheni ta merrni një kopje e madje edhe të spekuloni për vazhdimin e saj.
Shumica e orendive në ekspozitë janë objekte që janë huazuar nga shtëpitë e tyre origjinale, institucione që ende funksionojnë me histori të ndryshme.
Divani kadife me ngjyrë të gjelbër i takon Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo ulëse ka zbukuruar skenën në një shumëllojshmëri të gjerë prodhimesh teatrale. Karriget prej kadifes, me ngjyrë të kaltërta që vijnë nga Hoteli “Grand”, përfaqësojnë një kohë të dizajneve unike të produkteve të realizuara për një xhevahir të qendrës së qytetit. Ato na janë huazuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Raftet i përkasin Qendrës për Praktikë Rrëfyese, një institucion i ri i formuar gjatë “Manifesta 14”, në Prishtinë. Këto orendi i përkasin Bibliotekës së vjetër “Hivzi Sylejmani” dhe do të zgjojnë kujtime për brezat e Prishtinës, që si fëmijë janë endur nëpër korridoret me libra. Raftet janë rezultat i një projekti të riciklimit që studentë/e dhe arkitektë/et të/e rinj/reja e mbajtën gjatë “Manifesta”, nën organizimin e Cultural Heritage without Borders në Kosovë. Divani i gjelbër në hapësirën e shfaqjes është marrë nga zyra e K2.0.
Këto objekte, që na janë huazuar me zemërgjerësi për ekspozitën, na ofrojnë më shumë sesa thjesht orendi dekorative, ato na lejojnë të qasemi në frymën se si këto orendi vijnë nga momente të ndryshme shoqërore dhe historike, ndërkohë që ekzistojnë në afërsi gjeografike.
Pamjet e diellit tonë, nebulat dhe pamjet tjera të universit, nën shoqërinë e tingujve të mjedisit, krijojnë një hapësirë, e cila na mundëson të reflektojmë për rolin tonë në univers. Nëse kozmosi do të kishte veshë për ta dëgjuar, kështu do të tingëllonte Toka. Shtrihuni dhe shijoni tingujt kozmikë të planetit tonë.
Videon është montuar Alban Nuhiu.
“Kaosi i banimit në Prishtinë” është artikull i gjatë i shkruar nga Uran Haxha dhe Halim Kafexholli, si pjesë e karnivalit të K2.0 “SHTËPI”, viti 2023. Nëpërmjet tregimeve personale dhe rrëfimtarisë, lexuesit/et njoftohen me pamjen e situatës kaotike të banimit dhe ndërtimit në Prishtinë. Duke filluar me historinë e Arsim Gllogut, shtëpia e familjes së të cilit është shkatërruar prej ndërtesave të reja të larta, artikulli zgjerohet dhe përshkon lagjet e Prishtinës, që po transformohen me shpejtësi nga ndërtimet e reja.
Merrni një kartolinë me citate nga artikulli me vete në shtëpi.
Një cep i kësaj ndërhyrjeje është i mbushur me fotokopje të artikujve dhe librave të zgjedhur. Kjo ta kujton përvojën e studentëve/eve, ku blerja e librave origjinalë është shumë e shtrenjtë për shumicën dhe universitetet ofrojnë kapituj dhe artikuj të zgjedhur për t’u shtypur jozyrtarisht (me të gjitha shkeljet e mundshme të të drejtave autoriale). Kjo bibliotekë gjithashtu tregon printime të kapitujve dhe artikujve të ndryshëm në formatin A4, të cilët jeni të ftuar t’i merrni dhe lexoni. Mund ta gjeni një listë të plotë të artikujve pranë bibliotekës.
Duam ta shprehim mirënjohjen tonë për Fondacionin 17, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendrën për Praktikë Rrëfyese, Agjencinë e Privatizimit të Kosovës dhe Hotelin “Grand” për mbështetjen bujare ndaj kësaj ekspozite.
Meritat:
Realizuar për KOSOVO 2.0, në kuadër të karnivalit “SHTËPI”.
Udhëheqëse e produksionit: Lendita Idrizi (Leni Productions)
Teknik i ekspozitës/Këshillues i produksionit: Skender Xhukolli
Producent: Fatlum Idrizi (Leni Productions)
Dizajni i setit: Dardan Zhegrova
- Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.