Familja ime erdhi në Britani të Madhe në vitin 1999 dhe, si shumë të tjerë, qëndruam. Që atëherë kam jetuar aty. Për një kohë të gjatë e kemi pasur synim të kthehemi në Kosovë. Në fillim ishte “pasi të përfundojë lufta” dhe më vonë “pasi ta marrim nënshtetësinë britanike”. Por pastaj unë dhe vëllezërit e mi nisëm shkollën dhe më pas universitetin dhe pastaj u bë vonë dhe nuk ndodhi kurrë.
E pranoj: ishte lehtësim për mua. Isha e lumtur aty ku isha. Shqipen e kisha të dobët dhe teksa po rritesha, Kosova u bë sinonim i takimeve të sikletshme të adoleshencës gjatë verës dhe i detyrimit nga prindërit të merrja pjesë në ngjarje familjare. Ndihesha e pavend.
Sot e kuptoj që problemi ishte se nuk kisha asnjë marrëdhënie personale me Kosovën, përveç asaj që familja ime ma tregonte dhe as nuk përpiqesha ta kultivoja një të tillë. Koncepti i prindërve të mi për Kosovën ishte i lidhur me përvojat e tyre rinore, para luftës, dhe kjo për mua ishte diçka e panjohur.
Gjersa po e zhvilloja identitetin tim të rrënjosur në feminizëm dhe queerness, ndieva se isha disi e papranueshme në Kosovë dhe se kjo ndërlidhej me faktin që isha rritur në Britani të Madhe. Kjo nënkupton se Kosovën e ndërlidhja me kufizimet dhe idetë e moçme se si duhet ta jetoja jetën. S’isha e interesuar për diçka të tillë. Nuk doja t’i thelloja lidhjet me një vend që zbatonte norma regresive gjinore ose do të më bënte të ndihesha fajtore nëse doja ta jetoja jetën ndryshe nga ajo që dëshironin prindërit e mi.
Pastaj, një ditë vere, disa vite më parë, ia bashkova kushëririt tim në një ngjitje malore dhe pikëpamja ime për Kosovën ndryshoi plotësisht. I ngjitëm majat e maleve dhe u shtrimë në livadhe dhe mblodhëm dredhëza të egra sa thoni i gishtit tim të vogël. Këtë e kam bërë çdo verë që atëherë. Tash, krejt çka më vjen në mendje sa herë që mendoj për Kosovën është ajri në majat e maleve dhe shkëlqimi i borës edhe në korrik, mbulesa ngjyrë kadifeje e pemëve dhe kujtimet e ngjitjes nëpër shkëmbinj.
Të qenit jashtë në natyrë e ka thelluar lidhjen time me tërë Kosovën. Ajo tokë më fton të kthehem dhe çdo fundjavë dua ta kaloj në ato male, duke e ushqyer atë marrëdhënie dhe duke mësuar për vendin prej nga vjen familja ime. Dhe këtë dua ta shoqëroj me një birrë.
Pa dyshim, ky është një përshkrim i romantizuar, sepse të qenit me pushime gjatë verës s’është e njëjta gjë si me jetën e përditshme, me detajet dhe ankesat e saj të zakonshme. E di se ngjitja në male nuk është mënyra se si njerëzit e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në Kosovë. Në fakt, nuk është diçka që edhe unë do ta bëja tërë kohës. Ndonëse ngjitja malore ishte ajo që nisi të ma ndryshonte pikëpamjen për Kosovën, unë po ashtu jam mahnitur nga një numër njerëzish që kam takuar nëpërmjet kushërinjve të mi që bëjnë muzikë. Persona që e duan fotografinë, ose artin e rrugës ose rrëfimtarinë, ose që merren me animacion, apo të tillë që janë regjisorë/e ose krijues/e filmash. Ose personat në klubet alternative të natës ose ata/o që merren me dizajn. Ose ata/o me llogari në Instagram që ndërlidhen me tema astrologjie.
Vëllai im i vogël punoi në bienalen e artit Manifesta verën e kaluar. Teksa e shoqëroja nëpër aktivitete, u përballa me një anë të skenës alternative kosovare për të cilën s’kisha dëgjuar më parë. Tek këta njerëz pashë të njëjtën llojllojshmëri mendimesh dhe përvojash jetësore me të cilat kam dashur gjithmonë të rrethohem. Koncepti im rreth asaj se “si janë njerëzit në Kosovë” u zgjerua dhe bashkë me të edhe dëshira për të pasur lidhje dhe komunitet timin atje.