Biseda | Film

Mladen Kovačević: Edhe mjekët madje kishin harruar se si dukej

Nga - 02.08.2023

Regjisori serb flet për filmin e tij të fundit rreth shpërthimit të lisë në Kosovë në vitin 1972.

Kur Ibrahim Hoti u kthye në Kosovë pasi kishte shkuar në Haxh në fillim të vitit 1972, ai përjetoi një sëmundje të shkurtër dhe u shërua menjëherë. Nuk ishte në dijeni se e kishte sjellë linë në Jugosllavi, pasi me gjasë e kishte marrë atë në Irak gjatë udhëtimit kthyes me grupin e tij. Sëmundja, e cila nuk ishte parë në Jugosllavi për katër dekada, shpejt u përhap përtej fshatit të tij, në të gjithë Kosovën, pastajnë Serbinë qendrore dhe dikur edhe në Beograd.

Menjëherë pasi mjeku nga Prizreni, Durmish Celina, (njëri nga mjekët e parë shqiptarë në Jugosllavinë socialiste) identifikoi sëmundjen, qeveria filloi të veprojë për ta frenuar epideminë. Në kohën kur u shpall etejkaluar, më pak se dy muaj më vonë, kishte 175 raste të konfirmuara dhe 35 vdekje; shumica ishin në Kosovë.

Ndërgjegjësimi publik për epideminë është zbehur në masë të madhe në Kosovë. Në pjesën tjetër të ish-Jugosllavisë, kujtimi i ngjarjeve u mbajt gjallë nga filmi klasik i vitit 1982 “Variola vera”, i cili, i frymëzuar nga “Murtaja” e Camus, është një trajtim cinik i shoqërisë jugosllave që ndjek punëtorët/et dhe pacientët/et në një spital të karantinuar të Beogradit në kulmin e shpërthimit.

Premiera kosovare e filmit dokumentar të Mladen Kovačević, “Another Spring” [në shqip: “Një tjetër pranverë”], në DokuFest të këtij viti është një shans për audiencën kosovare që t’i rikthehet kësaj historie. I ndërtuar tërësisht nga pamjet arkivore të periudhës dhe i rrëfyer nga Dr. Zoran Radovanović, i cili ishte një mjek i ri në vitin 1972, të cilit ia kishin ngarkuar drejtimin e një vend-karantinimi, filmi gjurmon përparimin e shpërthimit dhe përpjekjet e komunitetit mjekësor jugosllav për ta identifikuar dhe më pas menaxhuar sëmundjen.

Me një qasje rrëfyese që është pjesërisht procedurale policore, pjesërisht triller-mjekësor, audienca mbahet në tension gjatë gjithë kohës nga tingulli drithërues i pulsit dhe efektet fantazmë të pamjeve të ngadalësuara artificialisht. Transmetimet periodike të lajmeve nga shpërthimi janë të ndërthurura gjatë tërë filmit, të cilat i japin një efekt pothuajse antropologjik dhe nganjëherë një shpërthim komedie.

Qeveria jugosllave zbatoi rregulla strikte karantine për ta frenuar shpërthimin e lisë. Fotografia: Pamje nga filmi “Një tjetër pranverë”, arkivi i Produksionit të Filmit “Horopter”.

Si reagim ndaj shpërthimit, qeveria jugosllave mori shpejt mbështetje nga të dyja anët e Perdes së Hekurt. Ekspertët mjekësorë ndërkombëtarë mbërritën dhe ndihmuan në zbatimin e programeve të detyrueshme të karantinës dhe një fushate vaksinimi mbarëkombëtare, që arriti pothuajse tek të gjithë 18 milionë qytetarët, brenda pak javësh. Është e vështirë të mos krahasosh këtë reagim me hezitimin ndaj vaksinës, gjysmë-masat dhe mosbesimin në rritje te ekspertët/et mjekësorë/e, që përcaktuan epokën e Covid.

“Another Spring” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary në maj të vitit 2022 dhe premierën rajonale e pati në Festivalin e Filmit në Sarajevë disa muaj më vonë. Përpara premierës kosovare në DokuFest në Prizren, K2.0 foli me regjisorin e filmit Mladen Kovačević për frymëzimin e tij për dokumentarin, linë dhe hulumtimin nëpër arkivat filmike në Beograd dhe Prishtinë.

K2.0: Shikuesve, ‘Një tjetër pranverë’ do t’ua sjellë automatikisht në mendje pandeminë Covid. Si ndikoi Covid në krijimin e filmit tuaj?

Mladen Kovačević: Po të mos ishte pandemia Covid, “Një tjetër pranverë” nuk do të ishte bërë kurrë. Thjesht, nuk është e dukshme në frymëzimin e filmit. Në fillim të vitit 2020, pas Festivalit të Filmit në Roterdam ku filmi im i mëparshëm pati premierën, fillova t’i planifikoja xhirimet e filmit të ardhshëm, i cili supozohej të xhirohej në Serbi dhe në disa vende të tjera. Por kur u shfaq pandemia, e kuptuam se ai lloj filmimi do të ishte shumë i ndërlikuar — praktikisht i pamundur — marrë parasysh karantinat, kufizimet e udhëtimit dhe masat e tjera epidemiologjike që ishin më të rreptat atëherë në fillim..

Ngaqë atëherë nuk e dinim se sa do të zgjasin masat, fillova të mendoj se cili do të ishte një film më i thjeshtë për t’u punuar në aspektin logjistik. Mbi të gjitha, doja ta prodhoja një film që do të kishte temë relevante për aktualitetin në të cilin u ndodheshim. Jetët tona morën një kthesë të papritur dhe gjithçka u përmbys dhe shumë tema papritmas dukeshin banale. Kështu më lindi ideja për ta bërë një film mbi shpërthimin e lisë në Jugosllavi në vitin 1972.

Në Serbi, shpërthimi i lisë në vitin 1972 mbahet mend si moment i solidaritetit ndërkombëtar dhe i kompetencës qeveritare. A ju dha hulumtimi juaj për vitin 1972 ndonjë mendim a reflektim për pandeminë Covid?

Natyrisht, çdo bisedë për këtë film çon në krahasime me pandeminë Covid, në krahasime mes dy sëmundjeve shumë të ndryshme dhe dy vaksinave, gjë që nuk është plotësisht e merituar. Për shembull, në vitin 1972, vaksina e lisë ishte tashmë në përdorim për më shumë se një shekull. Edhe pse më e rrezikshme, me shumë më shumë efekte anësore sesa vaksinat moderne, u vërtetua se ishte efektive dhe mbronte kundër një sëmundjeje të tmerrshme, prej së cilësnjë në pesë njerëz të infektuar vdisnin në agoni, ndërsa të mbijetuarit mund të mbeteshin me pasoja për gjithë jetën.

Në vetëm disa javë, qeveria jugosllave vaksinoi pothuajse të gjithë popullatën kundër lisë. Fotografia: Pamje nga filmi “Një tjetër pranverë”, arkivi i Produksionit të Filmit “Horopter”.

Në këtë kuptim, është pak e ndërlikuar të tërheqësh paralele të drejtpërdrejta midis dy shpërthimeve, në mënyrë që të fitosh një pasqyrë të pandemisë Covid. Megjithatë, ndoshta mund ta krahasojmë se si reaguan institucionet, shteti dhe shoqëria e gjerë atëherë dhe tani. Njerëzit nuk u besojnë më institucioneve shtetërore si dikur. Sot, çdo aspekt i jetës është mbushur me vendime qeveritare të ndikuara nga vlerësimet, fitimi, korrupsioni, krimi, kështu që njeriu mesatar priret të dyshojë edhe në fakte shkencore. Shumë njerëz e barazojnë shkencën me aparatet e korruptuara shtetërore. Dhe ky problem nuk është vetëm i yni, lokal apo në Ballkan, por global dhe i mbarë qytetërimit. Njerëzit humbën besimin te institucionet, te qeveria dhe të vërtetën e kërkojnë diku tjetër.

Natyrisht, interneti del të jetë terren pjellor, ku këto dyshime në institucione dhe shkencë thjesht mund të dalin jashtë kontrollit. Kjo ka implikime afatgjata për qytetërimin tonë, ku atmosfera e unitetit, solidaritetit dhe kompetencës, siç kishim në Jugosllavi në vitin 1972, është praktikisht e paimagjinueshme.

Filmi është krijuar tërësisht nga materiali arkivor filmik i periudhës kohore. Na trego se si ishte procesi hulumtimit të këtyre pamjeve.

Procesi i gjetjes së materialit arkivor mund të jetë i gjatë dhe i mundimshëm, por në rastin e këtij filmi ishte shumë më i thjeshtë nga sa mund të duket. Pjesa më e madhe e pamjeve që përdorëm janë marrë nga një arkiv filmik i ruajtur nga Radio Televizioni i Serbisë (RTS), kështu që RTS u bë bashkëprodhues i filmit duke na lejuar qasje në arkivat e tyre. Pamjet ndodheshin në kasetë për 50 vjet dhe vetëm kur vendosëm t’i përdorim për filmin tonë, u digjitalizua.

Burime të tjera erdhën nga “Filmske Novosti”, “Zastava Film” dhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK). Duke qenë se shpërthimi i lisë ishte një ngjarje unike, e cila dallonte nga xhirimet rutinë të aktualitetit apo raportimit të lajmeve të përditshme, gjithçka që lidhej me të regjistrohej në katalogët e arkivave televizive me saktësi të madhe. Ishte më e vështirë të gjeje pamje nga periudha që nuk kishte të bënte me epideminë, sepse nuk ishte aq e qartë se si të kërkoje për filmime të tilla, pos të shqyrtoje me kujdes çdo dosje të vetme të katalogut që i përkiste periudhës dhe vendndodhjeve të përmendura në rrëfimin tonë.

Pak nga pak, duke u mbështetur në përmbledhjet e katalogut, si dhe me ndihmën e personelit të televizionit, arritëm të grumbullonim gjithçka që na nevojitej brenda pak muajsh. Në fund, krahas skenave të epidemisë, përfunduam duke përdorur materiale të filmuara për dokumentarë udhëtimi, programe lajmesh dhe gjëra të tjera të ngjashme.

“Një tjetër pranverë” është ndërtuar tërësisht nga pamjet filmike arkivore nga periudha e shpërthimit të vitit 1972. Fotografia: Pamje nga filmi nga “Një tjetër pranverë”, arkivi i Produksionit të Filmit “Horopter”.

E gjithë kjo ishte për ta shfaqur një histori komplekse, një pjesë e së cilës merr formën e një procedurali policor, përpara se lija të identifikohej në histori, ku protagonistët përpiqen ta zbulojnë atë që po ndodh. Pjesa tjetër tregon se si protagonistët hyjnë në luftën kundër epidemisë, e cila është më shumë e ngjashme me një triller mjekësor. Materiali u riinterpretua dhe u përshtat në mënyrë që të përshtatet në këtë format të veçantë filmik.

Filmi tregohet nga Zoran Radovanović, i cili ishte mjek i ri në vitin 1972 dhe i ngarkuar për të ndihmuar në ndaljen e shpërthimit. Disa vite para Covid, ai botoi një libër për shpërthimin. Çfarë roli ka pasur ai në krijimin e filmit?

Libri i profesor Radovanović shërbeu si burimi kryesor i informacionit për filmin. Duke qenë se ai ishte njëri nga protagonistët e ngjarjeve të vitit 1972, ishte e natyrshme që ai ta rrëfente filmin. Kaluam një javë në studio vetëm duke folur dhe e ndërtuam historinë e filmit përmes kujtimeve të tij dhe rrëfenjave të tij intime. Vetë materiali arkivor u trajtua me qëllimin për të sjellë në mendje kujtime, që të përshtatej me ritmin e mendimeve të mjekut. Me këtë dua të them ngadalësimin e pamjeve, të cilat theksojnë tingujt kërcënues të mjedisit dhe që pasqyrojnë kërcënimin që vjen nga sëmundja që përhapej me shpejtësi.

Profesori Radovanović ishte shumë i pranishëm në medie gjatë pandemisë Covid, ai ishte shumë kritik ndaj vendimeve të qeverisë serbe. Me të vërtetë ishte emocionuese ta dëgjoje atë si njëri nga epidemiologët tanë më me përvojë — të cilit njerëzit i drejtohen kur duan ta dëgjojnë të vërtetën — duke folur për shpërthimin e lisë, që ndodhi 50 vjet më parë, në fillim të karrierës së tij. Po të mos ishte ai, filmi nuk do të ishte realizuar.

Ka një sërë skenash grafike në film, përfshirë pamjet e njerëzve duke përjetuar dhimbje të tmerrshme nga lija, me plagë të tmerrshme në të gjithë trupin. Si vendosët t’i përdorni këto pamje?

Dilemat etike ekzistojnë gjithmonë dhe janë të vështira për t’u zgjidhur. Megjithatë, vetëm përmes skenave eksplicite dhe ndërveprimit emocional mes rrëfimit dhe pamjeve, një film si ky mund të ofrojë njohuri për natyrën e frikshme të lisë. Vetëm në këtë mënyrë, rëndësia e kontrollit të epidemisë jugosllave të vitit 1972 dhe çrrënjosjes së sëmundjeve bëhet e dukshme dhe e padiskutueshme.

Kur filloi pandemia Covid, mediet serbe përmendën shpesh shpërthimin e lisë në vitin 1972. Megjithatë, në mediet kosovare pothuajse nuk u përfol aspak për këtë. Përkundër faktit se shpërthimi filloi në Kosovë dhe Kosova përjetoi pjesën më të madhe të rasteve dhe vdekjeve, lija pothuajse nuk ka rol në imagjinatën publike të vendit dhe brezi i ri nuk di për të. Pse mendoni se është kështu?

A është shpërthimi i lisë e vetmja temë që shmanget apo që njerëzit rrallëherë diskutojnë për Jugosllavinë në përgjithësi? Është e vështirë për mua të bëj supozime se pse nuk flitetpër këto ngjarje që goditën më së shumti Kosovën. Epidemia e lisë u identifikua nga mjekët kosovarë, ndërsa punëtorët e shëndetësisë kosovare e mbajtën peshën më të rëndë të luftës kundër kësaj sëmundjeje të tmerrshme.

Pse njerëzit në Serbi vazhdojnë ta diskutojnë këtë çështje edhe jashtë kontekstit të pandemisë më të fundit? E pra, një nga shkaqet e mundshme mund të jetë “Variola Vera” i Goran Marković, njëri nga filmat tanë më domethënës dhe më të njohur që nuk mund ta harrohet aq lehtë; kjo është një vepër që ruan kujtesën tonë kolektive për ngjarjen.

Kovačević përdori arkiva nga Prishtina e Beogradi për ta krijuar dokumentarin e tij. Pamje nga filmi nga “Një tjetër pranverë”, arkivi i Produksionit të Filmit “Horopter”.

Një arsye tjetër janë ndoshta konfliktet e pazgjidhura në politikën serbe, në të cilat qëndrimi ndaj Jugosllavisë në njëfarë mënyre përcakton dy anët e konfliktit. Disa e shohin Jugosllavinë si një shoqëri më të mirë, që është pothuajse e paarritshme në kohën e sotme, ndërsa të tjerë e urrejnë haptazi dhe e konsiderojnë atë si burimin e çdo gjëje që është gabim në këtë pjesë të botës. Historia e epidemisë së lisë së vitit 1972 është historia e shoqërisë jugosllave, kështu që ka kuptim që këndvështrimet kanë ndryshuar. Le të marrim si shembull filmin e Goran Marković — ai kritikon shoqërinë ashtu siç ishte atëherë, duke pasur parasysh se edhe shoqëria jugosllave ishte e papërsosur. Njëri nga rolet kryesore të artistëve/teve është t’i vënë në dyshim dhe t’i sfidojnë shoqëritë ku jetojnë.

“Një tjetër pranverë” do të jetë një kontribut i rëndësishëm në kujtesën vendore, rajonale dhe ndoshta globale rreth shpërthimit të lisë në vitin 1972. A mund ta shpjegoni se si ndryshon rrëfimi juaj nga mënyra se si është treguar historia në Serbi? Po mendoj veçanërisht për raste të kohëpaskohshme kur flitet për shpërthimin dhe fajësohet Ibrahim Hoti (i cili është akuzuar, pa dëshmi të qarta, që ka përdorur një pambuk me alkool për t’ia zvogëluar efikasitetin vaksinës së detyrueshme kundër lisë, që ai e kishte marrë para se të shkonte në Haxh, vetëm që t’i shmangte efektet anësore) ose kosovarët myslimanë më gjerësisht.

“Një tjetër pranverë” është film që tregon versionin zyrtar të ngjarjeve nga një këndvështrim i një rrëfyesi të besueshëm. Nuk është as film polemik dhe as film me agjendë politike. Historia është shumë e gjerë për t’u mbuluar plotësisht nga filmi, por shpresoj që publiku ta vërejë, ashtu siç e vërejta unë nga diskutimi me profesor Radovanović që: versioni zyrtar i ngjarjeve nuk e fajëson Kosovën në ndonjë mënyrë. Edhe faji individual i Ibrahim Hotit është ende i paqartë, profesor Radovanović thotë se është e mundur që vaksina e Hotit thjesht nuk e ka pasur efektin e duhur.

Edhe nëse ai do të kishte vendosur të mos e merrte vaksinën sepse ka pasur frikë nga efektet anësore ose nëse do të kishte vendosur ta “fshinte atë” — pasi administrohej përmes shpuarjes lëkurës — do të ishte hipokrizi ta gjykoje atë nga ky moment, kur një numër i madh njerëzish janë kundër një vaksine që është shumë më e butë se ajo e lisë. Do të ishte edhe më hipokrizi të interpretohej e gjithë kjo si çështje kolektive e Kosovës. Lia mungoi në Jugosllavi për 40 vjet, kështu që askush nuk e priste. Edhe mjekët madje kishin harruar se si dukej.

Një program global vaksinimi ndihmoi në çrrënjosjen e plotë të lisë vetëm disa vjet pas shpërthimit jugosllav të vitit 1972. Fotografia: Pamje nga filmi “Një tjetër pranverë”, arkivi i Horopter Film Production.

Megjithatë, e tërë kjo ndërlidhej edhe me një kthesë fatkeqe të ngjarjeve, shoqëruar me faktin se ndryshimet kushtetuese të vitit 1971 transferuan disa kompetenca shëndetësore në republikat dhe provincat përbërëse të Jugosllavisë. Autoritetet nuk u mësuan me këtë marrëveshje të re në kohën e duhur, kështu që pasoi një tragjedi. Përfundimisht, mjeku kosovar Durmish Celina ishte i pari në Jugosllavi që identifikoi linë. Në atë moment, në Beograd kishte pacientë të cilët tashmë ishin shtruar në spital. Shoqëria jugosllave u përgjigj në atë mënyrë që epidemia u ndal në kohë rekord. Ky është aspekti më i rëndësishëm i kësaj historie — profesori Radovanović gjithashtu e thekson më së shumti këtë fakt.

Cili është projekti juaj i radhës?

Aktualisht jam në fazën e montimit të filmit “Beginnings: Possibility of Paradise”, [në shqip: “Fillimet: Mundësia e Parajsës”], [në boshnjakisht/serbisht/kroatisht: “Počeci: Mogućnost raja”] i cili, përmes disa historive që zhvillohen në një vend që të kujton paraqitjen arketipale të parajsës në tokë, trajton tensionin ekzistencial dhe dilemat etike lidhur me kërkimin e lumturisë. Po përgatitem gjithashtu për xhirimin e “Koryo” [“Korio”], një filmi dokumentar eseistik i frymëzuar nga ditari i një vajze jugosllave 16-vjeçare nga viti 1987 — të cilin ajo e shkroi kur kaloi një verë në Korenë e Veriut me motrën, në vizitë te babai i tyre, i cili punonte atje. Përmes ditarit dhe kthimit të fundit të motrës më të vogël në Korenë e Veriut, “Koryo” është një udhëtim intim në fëmijëri dhe në vendin më të izoluar në botë.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën serbe.

Përkthimet e titujve janë bërë nga K2.0 për ta ndihmuar lexuesin/en dhe si të tilla, nuk janë përkthime zyrtare.

 

Imazhi i ballinës: Pamje nga filmi “Një tjetër pranverë”, arkivi i Horopter Film Production.

KOMENTO