Një projekt muzikor synon ta ruajë trashëgiminë muzikore të shqiptarëve/eve të Dalmacisë duke e përtërirë atë.
Dina Bušić u rrit në një familje muzikore në Arbanas, një trevë me pamje nga deti, në juglindje të qytetit të vjetër me mure veneciane të Zarës. “Në shtëpinë tonë, këndohej shumë. Këndohej vazhdimisht, të gjithë janë këngëtarë/e”, tha Bušić.
Lagjja është shtëpia e arbëneshëve, pasardhës të shqiptarëve, që kanë emigruar në qytetin dalmat nga zona e Liqenit të Shkodrës para 300 vjetësh.
Ndonëse shumica e të moshuarve në familjen e madhe të Bušić e flasin gjuhën arbëneshe — dialekti shqiptar unik i Zarës i ndikuar shumë nga kroatishtja dhe italishtja — ishte një mjedis ku nuk e dëgjoi kurrë të flitej, teksa po rritej. “Kanë kënduar në kroatisht, në italisht”, kujton ajo, “por kurrë në gjuhën arbëneshe”.
Tek kur mbushi 20 vjeç, në një ligjëratë të muzikologjisë në Universitetin e Zagrebit, ajo filloi t’i gjurmonte pasuritë muzikore të komunitetit të saj. Bušić, e cila është arbëneshe nga ana e nënës, u kthye në shtëpi me një detyrë.
“Më thanë në fakultet, ‘Incizo diçka nga ajo çka të rrethon'”, tha ajo. “Dhe e pyeta gjyshen time, ‘A ka ndonjë këngë arbëneshe?’ Dhe ajo u përgjigj: ‘Oh, po!’”
Pasi incizoi këngët arbëneshe, që gjyshja i kujtoi nga dekadat e kaluara, Bušić takoi të afërmit dhe fqinjët e tjerë për të mbledhur sa më shumë prej këtij materiali, që po zhdukej shpejt.
Përvoja që fitoi ishte çfarë ajo tani e quan si “muzikë sipas kërkesës”.
“Kur ia kërkon një arbëneshi/je”, tha Bušić, “ata/o ta dhurojnë [atë muzikë]”. Asaj thjesht nuk i kishte shkuar ndërmend kurrë të kërkonte.
Pasi përfundoi detyrën universitare, materiali mbeti për më shumë se një dekadë në kasetë, gjersa Bušić ndërtoi një karrierë si këngëtare klasike dhe profesioniste e artit në Zarë.
Pothuajse 15 vjet pasi zbuloi muzikën arbëneshe, asaj iu kërkua t’i interpretonte disa nga këngët, në një ngjarje promovuese për një libër lidhur me arbëneshët, shkruar nga Maksimiljana Barančić, tani profesore e pensionuar e gjuhës angleze në Universitetin e Zarës dhe eksperte e dialektit arbënesh.
Bušić kishte performuar zhnarin new wave me Melita Ivković, një kitariste nga Zara, e trajnuar për muzikë klasike dhe ato tashmë i kishin menduar ndërlidhjet midis traditave muzikore në rajonin e Mesdheut.
Ato vendosën t’i marrin disa prej atyre ideve dhe t’i ndërthurin me materialin e papërpunuar që Bušić kishte mbledhur shumë vite më parë. Ato zbuluan një formulë fituese me akordet e krijuara nga Ivković, kompozime të buta kitare, por me teksturë, që e transformuan materialin nga melodi për kuzhina e oborre arbëneshe, në copëza muzike për salla koncertesh.
Dina e Mel interpretuan këngët e tyre arbëneshe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në fillim të këtij viti. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
“Krijuam tri këngë brenda dy ditësh”, tha Ivković. “Dhe pastaj ishte një moment kyç kur e pamë reagimin e publikut”.
“Kishte shumë arbënesh/e në publik”, shtoi Bušić. “Dhe të gjithë ata/o ndoshta, pas 20 apo 30 vitesh, po i dëgjonin për herë të parë ato këngë.
“Sytë e tyre ishin të mbushur me lot, ishte me të vërtetë prekëse. Dhe pastaj i thashë Melitës: ‘Kam edhe këngë tjera’. Pastaj filluam t’i punonim.”
Rezultati ishte albumi i vitit 2020 “ Bërbili: Këngët e harruara të arbëneshëve të Zarës”, i krijuar nën emrin “Dina e Mel”. Projekti nuk u punua edhe aq shpejt. Në atë kohë, pothuajse të gjithë njerëzit që Bušić kishte incizuar kishin vdekur dhe kontekstet kulturore dhe sociale në të cilat u shpërfaqën këto këngë po zhdukeshin. Sipas Barančić, kanë mbetur vetëmrreth 200 arbëneshfolës.
Në vend të ruajtjes së muzikës, me “Bërbili”, Dina e Mel u zhytën në projektin e ringjalljes të kulturës muzikore arbëneshe, duke e përtërirë atë për kohët moderne, me akordet e Ivković që prezantojnë tinguj bashkëkohorë të frymëzuar nga historitë muzikore personale të dyshes dhe nga historia muzikore e trevës ku banojnë arbëneshët.
Atyre iu bashkuan në album edhe muzikantët/et Edin Karamazov, Miroslav Tadić dhe Yvette Holzworth, secili/a prej të cilëve/ave solli bagazhin e vet, për t’i dhënë frymë “materialit të papërpunuar” të këtyre këngëve pothuajse të harruara.
Tinguj të rinj, publik i ri
“S’ka qenë aq e lehtë të jesh arbëneshe”, tha Bušić.
“Janë një grup njerëzish që erdhën 300 vjet më parë dhe jetuan menjëherë jashtë mureve të qytetit, në diçka të ngjashme me një geto të vogël”, tha ajo. Gjatë gjithë historisë së trazuar të Zarës, sipasBušić, “Arbëneshët qëndruan në atë geto”.
Sot ata mund të jenë banorët më të vjetër të Zarës. Megjithëse janë asimiluar kryesisht në popullatën më të gjerë vendase, “janë shumë krenarë/e që janë arbëneshë/e,” tha Bušić dhe “disi e kanë ruajtur të folurën, traditat dhe muzikën e tyre për vete”.
Megjithatë, dekadave të funditt, shumë është humbur dhe duket se ka pak shpresë për ta ringjallur plotësisht. Sipas Bušić, personi më i ri që flet dialektin arbënesh është 41 vjeç.
Aspektet në zbehje e sipër të kujtesës kulturore dukeshin qartë në materialin që Bušić incizoi si studente. Pjesa më e madhe e materialit burimor, prej të cilit krijuan “Bërbili”, ishin copëza melodish të kujtuara në gjysmë — pak nota, disa rreshta tekst.
“S’kishim diçka ku mund t’i bazonim akordet e kitarës, sepse ato ishin thjesht copëza muzike që njerëzit i këndonin pa instrumente”, shtoi Ivković. Ky faktor potencialisht kufizues u dha atyre hapësirën për t’u bërë më kreative. “E kishim lirinë të punonim çfarëdo që donim”.
Dina e Mel thurin magjinë e tyre rreth një fragmenti të tillë në ninullën “So edua nanën”, për të cilën Bušić spekulon se mund të jetë sjellë në Arbnesh nga Kosova — ishte e vetmja melodi, të cilën publiku i tyre në Kosovë e njohu; në Shqipëri askush nuk e njihte.
Dina Bušić dhe Melita Ivković aplikuan trajnimin e tyre klasik në muzikën popullore arbëneshe që Bušić e kishte mbledhur nga familja dhe fqinjët e saj si studente. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Teksti është një ode kushtuar nënave dhe gjithçkaje që ato bëjnë për fëmijët e tyre: “Sa e dua nanën / Nana sa më do”, fillon kënga. “Ajo bukë më jep / Dhe më vë në gjumë / Më lanë e më qepën…”.
“Shkova te [Melita] dhe i thashë, ‘Shihe këtë. Këto janë tri nota e gjysmë. Çka do të bëjmë me këto?” kujton Bušić. “Dua të them, është kaq e thjeshtë. Është melodi që mund të këndohet njëmend kudo… Është këngë për fëmijë”.
“Por shiko, kjo është e gjitha çka ekzistonte nga arbëneshët, përveç dy-tri këngëve të tjera për Skënderbeun. Dhe e vendosëm patjetër në CD”, tha ajo.
“I thashë Melita: “Krijo diçka prej saj!”
Duke e lënë të paprekur melodinë bazë, Dina e Mel krijoi një akord kompleks, disonant, që nxjerr në pah tensionin në këngë. Në këtë mënyrë, nënat dhe fëmijët e sotëm arbëneshë mund t’i ruajnë dhe përsërisin ende tekstet e këngës (“Nënë e dashur, e dua atë shumë”) teksa hanë ose bien në gjumë. Në të njëjtën kohë, publiku me vesh të sofistikuar për muzikën klasike mund ta vlerësojë mjeshtërinë e saj.
Ky ishte homazh i Ivković ndaj trajtimit të folklorit nga kompozitorët/et klasikë/e. “Edhe kompozimeve më të thjeshta, ato u dhanë shumë shtresa tingujsh”, tha ajo.
Kompozitorët/et gjatë gjithë kohës janë frymëzuar nga ajo që përgjithësisht mendohet si “folklor”; meloditë e incizuara nga muzikantët/et e përditshëm/me janë trajtuar me interpretime muzikore komplekse dhe kreative. Kjo praktikë historike në Poloninë e epokës sovjetike u portretizua gjallërisht në filmin e zhanrit fiksion, “Lufta e Ftohtë”, të Paweł Pawlikowski të vitit 2018, i nominuar për Oscar. Në të shohim etnomuzikologë që incizojnë banorët/et e fshatit dhe përshtatin meloditë e tyre në harmoni korale shumëpjesëshe, të cilat këndohen nga muzikantë/e të nivelit botëror dhe që synojnë ta përfaqësojnë atë që është autentike polake.
Pak më afër Zarës, hulumtimi i artistit boshnjak sevdalinka Damir Imamović nxjerr në pah se folkloristët jugosllavë, që mblodhën këngë për këtë zhanër në periudhën e pasluftës, i përshtatën këngët e tyre të mbledhura, për t’i përmbushur standardet e tingullit të republikës së re socialiste — kompozime që lëshoheshin në radio, e që përmbushnin standardet muzikore perëndimore dhe fshinë ndikimet lindore dhe orientale të zhanrit.
Në duart e artistëve të ndryshëm, këngët arbëneshe të Zarës mund të ishin përdorur për ta treguar një narrativë të ngushtë apo nacionaliste. Në vend të kësaj, Dina e Mel punuan për ta theksuar dhe për t’i festuar lidhjet ndërkufitare në të gjithë Ballkanin dhe Adriatikun, të zbuluara në kasetat e Bušić dhe formësuan akordet e tyre të reja duke përdorur burime muzikore dhe duke u frymëzuar nga i gjithë rajoni.
Kënga kryesore e albumit “Bërbili” është një shembull i ndikimeve befasuese ndërkufitare që ato zbuluan në bagazhin e Bušić. Në fillim kënga iu këndua nga kumbari i gjyshit të saj, më vonë Bušić e kuptoi se ishte një melodi me një të kaluar të pasur. Duke hyrë në Ballkan përmes këngës turke “Üsküdar’a Gider İken”, kënga është përshtatur praktikisht në çdo gjuhë ballkanike.
Filmi i regjisores bullgare Adela Peeva “Whose is this song?, [shqip: E kujt është kjo këngë?], gjurmon historinë dhe transmetimin kulturor të këngës dhe shpërfaq versionet bullgare, maqedonase, shqiptare, greke, serbe dhe boshnjake të këngës. Versioni arbënesh duket se ka qenë i panjohur më parë përtej Zarës.
“Çka është e pabesueshme është se është një melodi kaq e bukur, që i tërheq të gjithë. Çdo vend, çdo gjuhë, çdo person kreativ”, tha Bušić.
Meqenëse incizimi i vjetër i Bušić përfshinte vetëm një fragment të shkurtër të versionit arbënesh, Bušić dhe Ivković vendosën ta ndërthurnin atë bashkë me dy versione të tjera gjuhësore për të bërë këngë të plotë.
Burimet prej nga u frymëzuan për këngën “Bërbili”, si dhe për albumin “Bërbili” ishin të gjera, që lidheshin në mënyrë zanore me origjinën historike të tingujve dhe ritmeve që gjenin në kasetat e Bušić, ndërkohë që ende bazoheshin në përvojat e tyre personale.
“I kthehemi vetes, asaj që unë do ta quaja identitetin tonë, çka jemi ne si njerëz, çfarë kemi dëgjuar në jetën tonë”, tha Bušić. “Si jemi edukuar, kur është fjala për edukimin për muzikë klasike, por sigurisht edhe në kontekstin e Zarës”.
“Jemi krenare që disa këngë të albumit tonë fshijnë kufijtë kombëtarë në këtë hapësirë”.
Por po aq e rëndësishme për to ishte të krijonin diçka artistikisht ambicioze me materialin. Nga reagimet jashtëzakonisht pozitive që pranuan nga publiku, duket se ia kanë dalë.
Ato kanë interpretuar në të gjithë rajonin, përfshirë disa herë në Shqipëri dhe Kosovë dhe janë gjithashtu pjesë e një projekti muzikor pan-ballkanik të quajtur “MOST”, i cili lidh muzikantë/e nga tradita të ndryshme, në të gjithë rajonin. “Jemi kryesisht muzikantë/e klasikë/e të natyrshëm/me, të dyja, por këtu, në këtë skenë muzikore botërore, ndihemi njëmend të mirëseardhura”, tha Bušić.
Performancat e Dina e Melit u pritën ngrohtësisht në Shqipëri dhe Kosovë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kjo ka frymëzuar projektet e tyre të ardhshme, një prej të cilave do ta lidhë komunitetin arbëresh në Itali me arbëneshët në Kroaci, për të zhvilluar një libër këngësh nga komunitetet përtej detit Adriatik. Një projekt i dytë, ende në fazën hulumutese, është një album i ri që do ta trajtojë “fshirjen e kufijve”, duke nxjerrë në pah këngët e përbashkëta, ide që buroi nga reagimi i ngrohtë i publikut të tyre kur dëgjuan “Bërbili”.
“Këngët që i përkasin secilit — ka shumë prej tyre, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Mesdheun”, tha Bušić. Me këtë projekt të radhës, ato shpresojnë ta ndërtojnë një hartë të re kulturore përmes muzikës.
Por, krejt në fund, kultivimi i kulturës, muzikës dhe komunitetit arbënesh ishte synimi kryesor i albumit të tyre të fundit. Një pjesë e kësaj përfshin mbajtjen e ligjëratave muzikore në komunitet me fëmijët që mësojnë gjuhën arbëneshe dhe për korin vendas.
“Për mua ishte ndoshta gjëja më e rëndësishme të pranohesha, të them, në oborrin tim”, tha Bušić dhe që “komuniteti vendas ende të identifikohej me këngët”.
Shpresa e tyre është që arbëreshët pas pesë apo 10 vitesh t’i këndojë këto këngë në ahengje dhe tubime joformale.
Ndonëse Bušić dhe Ivković u shtuan edhe anën e tyre personale këngëve, komuniteti ishte i përfshirë në çdo hap. “Secili që kishte diçka për të dhuruar, disa materiale, incizime, njohuri të gjuhës arbëneshe, përkthime, çdo gjë, të gjithë u përfshinë”, tha Bušić. “Dhe edhe tani disa po na kontaktojnë për të ofruar informacione të reja”.
Dhe megjithëse disa aspekte të kulturës së vjetër arbëneshe mund të jenë duke u zhdukur ngadalë, komunitetit, të paktën, i është shtuar një anëtar i ri.
“Në vitet e ’80-ta”, kujton Ivković, “mund të notoje [në këtë pjesë të qytetit] vetëm nëse ishe nga Arbanasi. Kur filluam incizimet e CD, Dina më dërgoi në Punta Bajlo për të notuar. M’u desh të hidhesha në det nga disa gurë. Gurë tre metra të lartë. Ishte si fillimi im si arbëneshe […] Nëse do ta luash këtë muzikë, duhet të kërcesh”.
Bušić e ndërpreu duke buzëqeshur: “U bë arbëneshe”.
Me raportim nga Daniel Petrick
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.