Në thelb | Politika

Një tren dhe shumë tensione

Nga - 15.01.2017

Treni kontravers kthehet në Beograd, por tensionet mbesin.

Ora po shënonte 22:00 kur forcat e Njësisë Speciale për Intervenim të Policisë së Kosovës (ROSU) po bëheshin gati të ktheheshin në bazën e tyre. “Treni ka mbërri në Kralevë, s’kemi asnjë punë më këtu”, ishte pohimi me ngazëllim i një pjesëtari të ROSU për Kosovo 2.0, pas më shumë se dhjetë orë në detyrë. Lehtësim dhe mburrje mund të lexoje në fytyrën e tij dhe të plot pjesëtarëve të tjerë të policisë, të cilët prej mëngjesit të së shtunës po prisnin në gjendje gatishmërie një tren aspak të zakonshëm. 

I ashtuquajturi “treni rus” – si referencë ndaj shtetit prej ku është dërgu në Serbi – me mbishkrimin provokues ”Kosova është Serbi”, në 21 gjuhë kishte mësyrë veriun e Mitrovicës nga Beogradi. Për herë të parë pas 18 vitesh, siç thuhej në kryeqytetin e Serbisë.

Por destinacionin e tij treni që transportonte zyrtarë serbë, përfshirë edhe të tillë që e kanë të ndaluar të hyjnë në Kosovë si drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë si Marko Gjuriq, nuk e arriti. Treni u ndal pikërisht në vendin ku shumë historianë pretendojnë se ishte qendra e Serbisë mesjetare. Më vonë kjo qendër nga historianët serbë do të shtyhej thellë e më thellë në Kosovë, duke krijuar edhe mitin serb për Gazimestanin, kishat, shenjtërinë e “tokës serbe”, e Prizrenin si “kryeqytet”.

Studiuesi britanik Noel Malcolm, autor i një libri për historinë e Kosovës, në një intervistë për “Radio Europa e Lirë” kishte deklaruar se shumicën e miteve për Kosovën i kanë krijuar historianët serbë – përfshirë këtu mitin se Kosova është zemra e Serbisë, qendër e kishës dhe kulturës serbe, e kështu me radhë. Por djepi i serbëve ishte Rashka, pra Sanxhaku perëndimor, jo Kosova. 

Nga aty nuk ka shtyllë të ndriçimit rrugor pa flamurin e Serbisë.

Mesjeta është një periudhë e rëndësishme për historinë e Serbisë, e cila asokohe udhëhiqej nga dinastia e Nemanjiqëve, e cila vepronte në Rashkë. Sikurse edhe shumë monarkë të tjerë të Mesjetës, siç shkruan publicisti Tim Judah, edhe Nemanjiqët ishin donatorë për ndërtimin e kishave. Sot e asaj dite kishat më të famshme të financuara prej tyre gjenden në Serbi dhe disa në Kosovë. Në Kosovë më të njohurat janë Patriarkana e Pejës, Graçanica dhe manastiri i Deçanit në pjesën perëndimore të Kosovës.

Me këngë që kujtonin “të kaluarën e lavdishme” zyrtarë të qeverisë serbe dhe pasagjerë të tjerë u nisën të shtunën në mëngjes nga Beogradi në Mitrovicën e veriut. Gjatë ditës policia e Kosovës mori urdhër të mos lejojë trenin të futet në Kosovë. Edhe mediat perëndimore, të cilat gjithnjë e më pak interesohen për zhvillimet në Ballkan, të shtunën shkruan se Serbia provokoi Kosovën me trenin propagandistik, një lloj kishe mobile me ikona ortodokse dhe mesazhin tashmë tradicional “Kosova është Serbia” — një pohim që u minua me kthimin e trenit në Beograd.

Por megjithëse treni u kthye, Serbia vazhdon të jetë e pranishme në forma të ndryshme në veriun e Kosovës. Qeveritë serbe kanë investuar pandërprerë në infrastrukturë në veri në përpjekje për të krijuar pamjen se këtu nuk është Kosovë, por Serbia.

Gjithçka fillon në hyrje të fshatit Rudar, ku udhëtarët i “përshendet” një kryq i madh. Nga aty nuk ka shtyllë të ndriçimit rrugor pa flamurin e Serbisë. Tabelat orientuese, afishet, rrugët dhe rrugicat, madje edhe shtyllat e urave të betonit që duhet të kalosh prej Rudarit deri në Jarinje, pikën e fundit kufitare në veri mes Kosovës dhe Serbisë, të gjitha pa dallim janë të shënuara vetëm me alfabetin cirilik. Për të rinjtë kosovarë, të cilët nuk e kanë mësuar këtë abëcë serbe, udhëtimi në këtë pjesë të Kosovës është edhe sfidë gjuhësore.

Disa shenja të shtetit të Kosovës shihen në Jarinje. Pas dy orë udhëtimi dëgjohet edhe gjuha tjetër zyrtare e Kosovës: shqip. E flasin policët e stacionuar aty.

Retorika eskaluese

Në Jarinje që nga orët e hershme të mëngjesit të së shtunës ishin shtuar forcat policore. Pjesa dukshëm më e siguruar nga policia ishte te hekurudha. Pranë saj policët të udhëhequr nga komandanti i ROSU Amir Gërguri kishin vendosur edhe autoblindat dhe mjetet për shpërndarje të protestuesve. Megjithatë, protesta dhe reagime nga ana e qytetarëve serbë dje në veri nuk pati. Por, qindra protestues janë mbledhur sot pasdite ne sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e veriut, por nuk u raportuan incidente.

Me të ndalë trenin në Rashkë, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq doli në një konferencë të jashtëzakonshme në Beograd për media për të arsyetuar vendimin. Tha se e bëri për ”të shpëtuar qytetarët e tij”. Ai u tregoi gazetarëve në Serbi se institucionet në Kosovë veçse i kanë nisur trupat policore në kufi, në Jarinje. Këto trupa, sipas tij, kanë pasur për detyrë të arrestojnë lokomotivistin.

“Shqiptarët [e Kosovës], pa miratimin e NATO-së apo dikujt tjetër, i kanë dërguar 17 vetura të blinduara … në veri me dëshirë të nxitjes së një konflikti i cili do të ishte i përmasave të mëdha”, ka thënë Vuçiq, i cili po ashtu sugjeroi që Kosovarët kanë vendosur mina në hekurudhë, një deklaratë që është mohuar kategorikisht nga Prishtina.

 

Presidenti i zgjedhur amerikan Donal Trump shihet kudo në afishe të mëdha e me mbishkrime cirilike në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës.

Ai tha që kishte filluar diskutimet me lider nga Evropa dhe bota sa i përket rastit dhe sugjeroi që është në pritje të reagimeve të mënjëhershme nga Rusia dhe Kina, dhe se po ashtu do të kontaktonte me lider amerikan në ditët në vijim.

“I lus serbët të janë të qetë, ndërsa shqiptarëve në Kosovë dhe Metohi u them mos u përpiqni t’i sulmoni serbët me armë, sepse Serbia nuk do të lejoj”, tha Vuçiq.

“Silluni me përgjegjësi, paqja është në interes të të gjithëve … Dhe mos e shkatërroni atë për të cilën kemi punuar gjatë – paqen … As gjyveçi, as çokollata e as treni s’është kërcënim për askënd. 50 autobusë në ditë [nga Kosova] kalojnë në Serbi dhe asnjëri nuk ka problem. Le ta kuptojnë mirë se çka i porosita. Dhe mos na u kërcënoni se as unë nuk po kërcënohem, por lutje që mos t’i vrasin serbët”, tha Vuçiq.

Kjo retorikë u përcoll edhe nga presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili i tha gazetarëve sot që Serbia nuk do të hezitoj të i dërgoj trupat në Kosovë nëse ekziston ndjenja që serbet po jetojnë në rrezik. “Ne kurrë nuk do të fillojmë apo provokojmë konflikt, por ne jemi një shtet që duhet të mbroj njerëzit dhe territorin e saj”, tha ai. I pyetur nëse kjo pëfshin dërgimin e trupave në Kosovë, ai u përgjigj, “Po që se i vrasin serbët, të gjithë do të shkojmë atje, e jo vetëm ushtria. Ja, edhe unë do të shkoj i pari, nuk do të ishte kjo hera e parë”.

Prishtina reagon

Në Prishtinë, ndërkaq, zyrtarët shtetërorë të cilët lejojnë që kamionët me mallra nga Serbia të hyjnë pandërprerë në Kosovë, në paraqitje të ndara kanë dhënë versionet e tyre për ndaljen e trenit. Presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte i zëshëm me kërkesën për ndaljen e trenit, dhe i cili sipas Reuters pretendon të ketë lëshuar urdhërin për dërgimin e forcave speciale policore, bëri një deklaratë në Facebook.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme”, ka shkruar ai – duke potencuar se në tren pati zyrtarë të Serbisë që nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë. “Prandja, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet. Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij”.

“Kurdo që ka nevojë, ne do të sillemi sërish në mënyrë shtetërore për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

Enver Hoxhaj

Deklarata e tij nxiti reagimet nga analistë e deputetë. Deputeti i pavarur Ilir Deda nënvizoi se treni duhet të ndalet, sepse shkel sovranitetin e Kosovës, por tha se nëse presidenti më të vërtetë ka dhënë një urdhër për policinë e Kosovës, atëherë ka shkelur mandatin kushtetues që ka. Presidenti ligjërisht nuk është organ që jep urdhëra për Policinë që është autoritet i pavarur brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe merr urdhëra nga Qeveria.

Kreu i qeverisë së Kosovës Isa Mustafa u takua dje me një pjesë të kabinetit, pastaj deklaroi para mediave se Kosova iu përgjigj me ligj Serbisë. “Duhet të theksoj se së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veselin dhe presidentin Hashim Thaçin pas kthimit në vend, kemi marrë të gjitha masat që të informojmë faktorin ndërkombëtar për këtë situatë, kemi mobilizuar të gjitha institucionet shtetërore, dhe janë ndërmarrë të gjitha masat adekuate në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën”, deklaroi Mustafa.

Ai shtoi se provokimi me tren është në vazhdën e ”synimeve të mbrapshta të Serbisë për ta destabilizuar gjendjen në Kosovë”. Sipas tij Këshilli për Siguri i Kosovës ka marrë vendim të veprojë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën në raport me situatën e krijuar së fundmi.

“Hyrja e trenit në Republikën e pavarur nuk do të lejohet, ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, theksoi Mustafa, duke përmbyllur konferencën me një falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i zgjedhur amerikan Donal Trump shihet kudo në afishe të mëdha e me mbishkrime cirilike në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës.

Në lidhje me trenin reagoi edhe opozita në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje e quajti produkt të pastër të negociatave pa parime dhe pa kushte mes Kosovës dhe Serbisë. “Dhe sikurse për koncesione të tjera, përgjegjësit kryesorë edhe për këtë iniciativë të Serbisë brenda Kosovës janë Hashim Thaçi, Edita Tahiri dhe Isa Mustafa”, thuhet në deklaratën e dërguar për media të VV-së. ”Ky tren që po qarkullon për herë të parë në relacionin Beograd-Mitrovicë që nga viti 1999, është përplot me motive të trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë dhe me thënie që konsiderojnë Kosovën si pjesë të Serbisë. Dhe kjo, është qartazi mesazhi i Serbisë që e do Kosovën si në vitin 1999”.

Për ministrin e punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, provokimi me tren nga Serbia tregon se ajo është burim i destabilitetit dhe konfliktit. “Është shtet që jeton me të kaluarën e errët. Por kurdo që ka nevojë, ne do të sillemi sërish në mënyrë shtetërore për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha Hoxhaj. Shqetësimet e tij i ka shprehur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili përmes një postimi në Twitter ka theksuar nevojën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas një dalldie publike mbi rrugëtimin e trenit gjakrat u qetësuan deri të dielën mbrëmje, shumica e policisë speciale të Kosovës u tërhoq e disa mbetën në detyrë në Jarinje për të vëzhguar situatën. Liderët serb nga veriu kanë apeluar autoriteteve të Kosovës që të tërheqin të gjitha njësitë.  Përderisa shumica e udhëtarëve të trenit vazhduan udhëtimin e tyre me autobus, treni u kthye për në Beograd. Megjithatë, pasojat e këtyre ngjarjeve me gjasë do të vazhdojne të ndjehen edhe për ca kohë.K

Imazhet: Majlinda Hoxha / K2.0.

  • 15 Jan 2017 - 21:55 | D:

    kisha vertete shume kohe qe nuk lexoja nje artikull kaq profesional ne gjuhen shqipe. Bravo

KOMENTO