Shijuesit e shijueset e kafeneve në Kosovë e dinë që prija e duhanit duke e shoqëruar atë me kafe është një traditë. Por në fillim të vitit 2024, shumica e kafeneve në Prishtinë ndaluan pirjen e duhanit në mjedise të mbyllura. Qeveria e nisi vitin duke u përpjekur t’i zbatojë ligjet për duhanin dhe duke dërguar inspektorë/e nëpër kafenetë e Prishtinës.
Vetëm në janar të vitit 2024 janë shqiptuar 520 gjoba nga inspektorët/et sanitarë/e për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Ndërkohë, mund madje të na bie të shohim fushata të reja kundër duhanpirjes. Ky lloj zbatimi është i dukshëm. Por a do të jetë i mjaftueshëm për t’i kapërcyer faktorët që historikisht kanë ndikuar që ligji për duhanin të mos respektohet?
Prija e duhanit është shqetësim urgjent shëndetësor në Kosovë. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, kosovarët/et konsumojnë mbi 3,000 tonë duhan në vit, në vlerë mbi 300 milionë euro. Një anketë e Democracy Plus, në vitin 2019, tregoi për shkallë të lartë të duhanpirjes në Kosovë: 36.4% e të rriturve. Në mesin e burrave, shkalla është 48.9%, ndërsa te gratë është 23.8%. Gati 70% e duhanpirësve në Kosovë pinë mbi 20 cigare në ditë. Ndikimi i këtij konsumi të lartë të duhanit në shëndetin publik i shtyn institucionet të marrin masa për kufizimin e tij. Megjithatë, ligjet kundër duhanit kanë hasur në pengesa gjatë zbatimit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), duhani është përgjegjës për mbi tetë milionë vdekje në vit në mbarë botën, 20 nënlloje të ndryshme të kancerit dhe shumë gjendje tjera të përkeqësuara shëndetësore. Përdorimi dhe prodhimi i duhanit gjithashtu ka ndikim negativ në mjedis. Kjo industri konsumon burime të mëdha dhe emeton 80 milionë tonë dioksid karboni (CO2) në vit, barasvlefshëm me shtimin e 17 milionë makinave me benzinë nëpër rrugët e Tokës dhe 5% e shpyllëzimit botëror që rezulton nga prerja e pemëve, për t’i krijuar hapësirë bimëve të duhanit. Rreth 4.5 trilionë filtera cigaresh ndotin globin çdo vit.
Ligji i Kosovës për Kontrollin e Duhanit rregullon aspekte të ndryshme të kontrollit të duhanit përmes një sërë masash të rrepta. Ligji është ndryshuar dy herë, një herë në vitin 2022 dhe pastaj në 2023. Pirja e duhanit tashmë ndalohet pothuajse në të gjitha ambientet e brendshme publike dhe vendet e punës. Po ashtu, ligji ndalon rreptësisht të gjitha format e reklamimit, promovimit dhe sponsorimit të duhanit, duke përfshirë çdo mbështetje financiare për qeverinë nga industria e duhanit. Ligji gjithashtu ofron paralajmërime në të shkruar, që mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të paketimit të pakos së duhanit, kufizon shitjen e produkteve të duhanit në vende të caktuara dhe vendos një kufizim në moshë, prej 18 vjeç, për shitje të duhanit.
Mungesa e zbatimit të legjislacionit në Kosovë është e dukshme. Ligjet e reja të krijuara pas luftës së vitit 1999 ndoqën premisën e harmonizimit të tyre me legjislacionin evropian. Në këtë kontekst, disa ligje u krijuan sa për t’i plotësuar udhëzimet ndërkombëtare si mjet për ta arritur nivelin e kërkuar të demokracisë. Kësisoj, përderisa procesi i miratimit të ligjeve është i kënaqshëm, zbatimi nuk është i dukshëm.
Në fillim të vitit 2024, pati një përpjekje më të prekshme nga qeveria për të zbatuar ligjin për duhanit. Kjo s’është përpjekja e parë për zbatim të plotë të ligjit, por ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë rezistencë ndaj kësaj çështjeje. Kështu që, ne duhet t’ia shtrojmë vetes në mënyrë kritike disa pyetje. Pse disa ligje në Kosovë mbeten në letër dhe nuk zbatohen kurrë? Dhe, më konkretisht, përkundër përpjekjeve, pse ligjet kundër duhanit hasin në vështirësi për t’u respektuar në Kosovë? Si përfshihen grupet e interesit të kompanive në këtë ekuacion?
Ligji dhe grupet e interesit
Procedurat legjislative, administrative dhe gjyqësore të bërjes së ligjeve ndikohen nga një sërë faktorësh si opinioni publik, masmediet, ngjarjet tronditëse dhe grupet e interesit. Grupet e interesit mund të ndikojnë në zbatimin e ligjeve dhe politikave në një mënyrë që u përshtatet interesave të tyre, por jo domosdoshmërisht në përputhje me interesat e shoqërisë më gjerësisht. Në këtë kontekst, masmediet mund të luajnë rol vendimtar në formësimin e opinionit publik dhe mënyrës se si çështjet diskutohen më gjerë në shoqëri. Grupet e interesit zakonisht kanë njohuri rreth kësaj dhe shpesh përdorin strategji mediale për të fituar mbështetje për pozicionet e tyre ose për të shtuar presion mbi politikëbërësit. Po ashtu, edhe masmediet mund t’i kanalizojnë interesat që nuk përputhen me opinionin publik duke qenë pjesë e strategjive të tilla.
Grupet e interesit mund të formësojnë agjendat dhe prioritetet legjislative ashtu që të rezultojë në miratimin e legjislacionit në mënyrë simbolike apo neglizhente, që plotëson të gjitha kriteret ligjore, por që i mungon detyrimi ose zbatimi në praktikë. Legjislacioni i tillë është tregues i sfidave më të gjera në zbatimin e ligjit, të cilat shpesh nxiten nga interesa të jashtme si grupet me ndikim ose ligjvënës që u shërbejnë motiveve të ngushta.
Një shembull është industria ndërkombëtare e duhanit, e cila prej kohësh ka përdorur taktika të përparuara lobuese për të ndikuar në legjislacionin dhe rregulloret për kontrollim të duhanit. Për shembull, në Gjeorgji, Shoqata e Biznesit të Gjeorgjisë, e mbështetur nga dega lokale e Philip Morris International, bëri presion për taksa më të ulëta dhe legalizim të produkteve të duhanit me ndezje IQOS – “I Quit Ordinary Smoking” [shq. Unë heq dorë nga duhanpirja e rëndomtë], lloj duhani pa hi, tym dhe erë. Në mënyrë të ngjashme, në Kenia, British American Tobacco thuhet se e bindi qeverinë ta hiqte ndalimin e qeseve të nikotinës, duke lejuar British American Tobacco të prezantonte një produkt.
Industria e duhanit madje argumenton se taksat më të larta të duhanit nxisin kontrabandën. Në Kolumbi, Philip Morris International punoi me Federatën Kombëtare të Departamenteve për të luftuar kundër rritjes së taksave në Kongres duke mbështetur financiarisht përpjekjet kundër kontrabandës.Në mënyrë të ngjashme, kompania Japan International Tobacco (JTI), pronare e markave Camel dhe Winston, thekson përpjekjet e saj për ta luftuar kontrabandën e duhanit dhe nxitë një imazh të përgjegjshëm shoqëror, duke u përqendruar në ndikimin negativ të kontrabandës së duhanit në komunitet. A thua drejtuesit e kompanisë shqetësohen ngjashëm edhe për ndikimin negativ që duhanpirja ka për komunitetin?
Disa mund të argumentojnë se kompanitë në të gjitha industritë veprojnë ngjashëm, duke i dhënë përparësi fitimit para mirëqenies shoqërore dhe duke kërkuar të lidhen me kauza pozitive. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk duhet t’ua mundësojnë kompanive të duhanit të kalojnë kaq lehtë. Në fund të fundit, ata po prodhojnë dhe tregtojnë atë që OBSh ka theksuar se është “i vetmi produkt i ligjshëm konsumues që vret deri në gjysmën e përdoruesve të tij kur përdoret saktësisht siç synohet nga prodhuesi”. Siç erdhi në përfundim edhe Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut, “nuk ka dyshim se prodhimi dhe tregtimi i duhanit është në kundërshti me të drejtën e njeriut në shëndet”.
Çështja aktuale: Rregullimi i duhanit në Kosovë
Kosova miratoi Ligjin e saj për Kontroll të Duhanit duke ndjekur standardet e OBSh. Megjithatë, një studim i publikuar në fillim të vitit 2024 nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) gjeti se ndonëse legjislacioni për kontroll të duhanit është miratuar, përpjekjet e vazhdueshme të industrisë së duhanit për ta dobësuar zbatimin e tij kanë shpërfaqur sfidë domethënëse për shëndetin publik.
Pavarësisht hapave që janë bërë për zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit, taktikat e fshehta të industrisë vazhdojnë ta pengojnë përparimin. Sipas studimit të KADC, industria e duhanit lobon tek institucionet qeveritare, manipulon politikat tatimore dhe pengon rregulloret. Duke përdorur ligjet dhe shoqatat ekonomike, kompanitë ushtrojnë ndikim të paligjshëm, duke synuar t’i mirëmbajnë normat e duhanpirjes dhe t’i ruajnë fitimet.
Një shembull i asaj se deri ku mund të shkojnë kompanitë e duhanit për t’i ruajtur fitimet e tyre është rasti i Philip Morris kundër Uruguait. Në vitin 2013, Philip Morris sfidoi legjislacionin kundër duhanit të Uruguait përmes një gjyqi ndërkombëtar arbitrazhi, duke pretenduar se masat e shëndetit publik të vendit, si paralajmërimet grafike në paketim dhe kufizimet e reklamave, ia zhvlerësuan markat e cigareve dhe investimet.
Philip Morris synoi t’i mbronte fitimet e tij nga masat rregulluese të krijuara për uljen e normave të pirjes së duhanit dhe përmirësimit të shëndetin publik. Inicimi i një rasti të tillë mund t’i kërcënojë vendet e tjera që konsiderojnë krijimin e legjislacionit të ngjashëm. Megjithatë, gjykata vendosi në favor të Uruguait dhe urdhëroi Philip Morris t’i paguante 7 milionë dollarë në shpenzime ligjore.
Vitet e fundit, industria e duhanit është zgjeruar në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, duke shtuar pabarazitë botërore. Normat e pirjes së duhanit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë në rritje, veçanërisht në mesin e adoleshentëve, pjesërisht për shkak të rregullave të dobëta, si dhe marketingut, që i synon sidomos gratë. Ky mund të jetë rasti në Kosovë, duke qenë se industria nuk kursen përpjekjet për t’i mbrojtur interesat e saj, duke vonuar udhëzimet administrative dhe duke kundërshtuar dispozitat kryesore të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Studimi i KADC ofroi hollësi edhe për përdorimin e mundshëm të medies nga industria e duhanit, shembull i cili ilustrohet me çmimin “Vangjush Gambeta” që jepet çdo vit nga Unioni i Gazetarëve/eve Shqiptarë/e (UGSh). Ky çmim i inauguruar në vitin 2009, sponsorohet nga JTI, duke treguar se si kompani të tilla mund të promovojnë një imazh pozitiv publik dhe të forcojnë reputacionin e tyre, duke ndikuar te gazetarët/et dhe duke kundërshtuar perceptimet negative për industrinë.
Studimi i KADC theksoi edhe disa gjetje të tjera. Kompanitë e duhanit lobojnë kundër ligjeve të rrepta ndaj duhanpirjes për t’i mbrojtur fitimet, ndërsa lokalet dhe restorantet u rezistojnë ndalesave, duke bërë që klientët dhe individët e varur nga pirja e duhanit ta shpërfillin zbatimin dhe ta shohin atë si kërcënim për zakonin e tyre.
Në shoqërinë tonë, zbatimi i ligjeve të duhanpirjes mbart një peshë të konsiderueshme dhe kapërcen thjesht pajtueshmërinë ligjore. Ne duhet ta marrim parasysh barrën e vendosur mbi organizatat e shëndetit publik që kanë për detyrë zbutjen e ndikimit të sëmundjeve të ndërlidhura me duhanin. Me mungesën e zbatimit, këto institucione përballen me ngarkesë të rëndë në sistemet e kujdesit shëndetësor.
Për më tepër, të rinjtë/rejat nuk janë imunë/e ndaj pasojave të kësaj situate. Hulumtimet e fundit gjetën se shitësit mund t’u shesin lehtësisht cigare fëmijëve në Prishtinë. Pa mekanizmat e nevojshëm të zbatimit, këto institucione përballen me një betejë të vështirë për ta bërë popullatën ta kuptojë rëndësinë e kontrollit të duhanit.
Në fakt, shpërfillja e ligjeve të duhanpirjes shkon përtej sferave ligjore, duke u futur edhe në vetë themelin e normave dhe institucioneve tona shoqërore. Zbatimi i këtij legjislacioni nuk është thjesht një çështje ligjshmërie, por komponent jetik në ruajtjen e mirëqenies së shoqërisë sonë në tërësi.
Gjithashtu, zbatimi i ligjeve për duhanin është pozicionim kundër korporatave shumëkombëshe, që vendosin fitimin para shëndetit publik dhe para shqetësimeve mjedisore. Qeveritë që qëndrojnë kundër këtyre tentativave duke zbatuar me rreptësi rregulloret për duhanin, dëshmojnë përkushtim për ta mbrojtur shëndetin publik dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Tash për tash, nismat e fundit për zbatim më të rreptë të ligjeve të duhanit, në krahasim me vitet e mëparshme, ofrojnë një fije shprese, me kusht që këto përpjekje të jenë të qëndrueshme. Shoqëria civile, institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare duhet të punojnë ngushtë për t’i adresuar këto sfida dhe për të siguruar zbatimin efektiv të politikave të kontrollit të duhanit. Zbatimi i ligjeve për duhanin në Kosovë nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një domosdoshmëri themelore për ruajtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e mirëqenies shoqërore.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Thjeshte, kompanite e duhanit kane fute shume pare ne treg, mafi!