Ajo ishte shoqëruesja ime e parë në jetë. Ditën e tretë mbas Bumit të Madh që më solli në botën e tyre, familja ime shtroi drekë për miq e dosta dhe sipas adetit të kamotshëm, të ftuarve ua prezantuan pjesëtarin më të ri të kabiles së tyre. Mbi sofrën, ku hahej Hashlama me tarator, mysafirëve të ngazëllyer kam kaluar nga dora në dorë duke marrë bekimin e tyre me një Mashallah të pëshpëritur në vesh, ndërsa tradita e pagëzimit e përcjellur me këtë gatim të jashtëzakonshëm në mënyrë simbolike shprehte dëshirën e tyre që të rritesha në mirëqenie e me ymër sa vetë kupa malore e kokrrave të saj në tepsi.
Shtytja e parë me Hashlamë m’i shtonte gjasat për mbijetesë, prandaj shumësia e pjesëmarrësve në ceremoni ishte më se e dëshirueshme. Familjet prej dyerve të mëdha dhe të vjetra organizonin ndeja të mëdha, sepse sa ma shumë tepsi që shërbeheshin aq më i bereqetshëm pritej të ishte jeta e vogëlushit. Por në rastin tim, me takat të familjes, por edhe me që ishte dimër; qenë gatuar vetëm tre tepsi nga gruaja e kojshisë tonë të parë, Igball hanëmi. Prej fqinjëve, që ndër shtëpitë e shpeshta të qytetit çmoheshin më tepër se kusherinjtë, ajo ishte më e përshtatshmja për këtë detyrë; ngase ishte një gatuese shumë e zonja dhe ishte e begatshme me fëmijë.
Njëra pas tjetrës shtresoret e perforuara qenë pjekur në shporetin me dru për gatime, në mutfakun e shtëpisë tonë në mahallën e Tabakëve. Po aty pas pjekjes, nuset e reja e kishin kokrruar Hashlamën me shumë terbije, në ritmin që u merrte kohë aq sa shternin të gjitha llafet. Kur më në fund muhabetet ishin shoshitur, gati se ish kry mbasditja. Para të se shërbehej, vetëm u kishte mbetur që ta derdhnin tlynin e shkrirë mbi “kupën e saj malore” në sasi që përcaktonte shijen dhe shkëlqimin e duhur të kokrrave të imtësuara në madhësi të kupinës. Të qeshurat e papërmbajtura që vinin duke u shpeshtuar prej mutfakut, ishin isharet se së shpejti do të shtrohej sofra, ndërsa unë mezi prisja shfaqjen time të parë para të ftuarve.
Natyrisht, nga gjithë ky manifestim, në mbamendjen time nuk është regjistruar asgjë, por hiq protagonistët dhe mahallën, përjetimin tim të parë fjalë për fjalë ka mund t’ju tregonte edhe gjyshi im prej rrëfimeve të prindërve të tij, apo baba, e bile edhe vogëlushi im; pasi që ritualin e ndjelljes së bereqetit për fillim të mbarë të jetës e kemi kallzim të përbashkët. Sa për stërgjyshin nuk jam i sigurt, bën vaki që ai edhe nuk ka le në këtë shehër, mirëpo për ne katër brezat që e pasuam atë, shoqëruesja jonë e parë mbeti po ajo e njëjta.
I pari im, sikur edhe të gjithë ardhacakët tjerë, gatimin e saj e kishte përvetësuar si diçka të vetëkuptueshme. Adeti në të cilin zateti kishte vjetërsi përrallore – thuhej se të vegjlit e të gjithë brezave të këtij shehri ishin të mirëseardhur në jetë me Hashlamë në sofër. E kush nuk do t’i besonte një bereqeti të tillë që me shekuj i ka shoqëruar fillestarët e këtij qyteti të vjetër?! Po si ka mbijetuar gjithë kohën pa u tjetërsuar, është diçka për t’u admiruar – bile edhe rituali i gatimit i ka mbetë i njëjtë! Prej se dihej, Hashlama ishte ushqim gëzimi e shprese që simbolizonte plleshmërinë e bereqetin, ndërsa shërbehej për babina dhe si ushqim i parë që nusja ua gatuante dasmorëve. Paraardhësit tim këto dëshmi duhet t’i kenë mjaftuan që të ruhej prej tersit në jetë. Prandaj ashtu si për të, edhe kjo Hashlamë e imja mbeti e pandryshuar; haje me shumë pak përbërës (vetëm miell, ujë të vluar, pak krypë e tlyen), e kokrruar në njësi elementare dhe krejtësisht akromatike në dukje – një kryevepër e minimalizmit gastronomik.
Por përkundër kësaj modestie të shquar, ajo është më tepër se ushqim i pashëm e i shijshëm, e më tepër se miraz i bereqetit për një fillestarë. Fjalë për fjalë e kokërr për kokërr, Hashlama është tregimi më i ruajtur i sojit tim. Një tregim i pashkëputur qysh prej fillimit të kohës sonë; siq nuk janë as urat që rindërtohen pas çdo vërshimi, as muret e kalasë të shënuar me emrin e sunduesit të fundit, as leckat e flamujve të zbehur të shteteve të kaluara, as fasadat e shtirura, as edhe lumi i ndotur pa peshq, as dini e as imani, por është mu ajo, e mbijetuara e vetme e të gjitha tranzicioneve të pakryera të këtij qyteti – kodi i tij burimor mbi të cilin janë të shkruara rrëfimet e Prizrenit. Prandaj çdo herë që zatetem në të, ma nduk një kujtim.
* * *
Atë pasdite paraloja e gatuar në mutfak, bukur mirë kishte ndez festën tonë familjare. Bashkë me kokrrat e Hashlamës, ato në shtëpi e kishin futur gëzimin e harenë, për t’i dhënë hov tutje kallaballëkut të burrave të përhumbur me pije organike. Por mua, të mbështjellurin kat kat me tyrlifar plafa të pispillosur, më kishin lënë me prit si hut. Igball hanëmi që duhej të më paraqiste para dostave papritmas ishte zhdukur. Prapa tingujve ritmik të defit që vinin prej eviçisë i dëgjoja zërat tek sa e kërkonin.
Por e di unë se ku është Xhixhja ime. I vyn asaj edhe një trohë kohe për veti. Para pasqyrës në mutfak, flokëve të saja të zeza, të përmbledhura në një mëqik të madh pas kokës, është duke ua shtuar do lule ngjyrë vjollce për anash. Se ku i ka gjetur ato në mes të muajit shkurt, një Zot e di.
Ama e bukur është medet.
Ilustrimi: Pranvera Paqarizi.
jel ce biti hashlame za zeta ? ;)
Grande!
Të falenderoj Jeton për këtë shkrim të mrekullueshëm e cila më ktheu në fëmini dhe ku në tregimin tand isha po thuajse edhe unë në atë kuzhinë e në atë eviçi e në atë ndejde (babinë)