Pikëpamje | Politika

A janë Kosova dhe Serbia në luftë të ftohtë?

Nga - 24.05.2024

Narrativa luftënxitëse e viktimizuese i lë prapa Kosovën dhe Serbinë.

Po afrohet 25-vjetori i përfundimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, që shënuan përfundimin e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Sot, duket se qytetarët e Kosovës po jetojnë në një epokë të një lufte të ftohtë me Serbinë. Narrativat e përdorura nga zyrtarët serbë dhe ata kosovarë nuk mund të krahasohen; historia tashmë ka shënuar qartë kush ishte agresori dhe kush viktima. Megjithatë, çdo narrativë jodiplomatike dhe përçarëse, nga cilado anë që vijë, shkakton dëme të mëdha. Në vend se të ecet përpara, me narrativa të këtilla të dy vendet stagnojnë. 

Fjala “viktimë” është ajo që përshkruan më saktë politikën e dy udhëheqësve, presidentit serb, Aleksandar Vučić dhe kryeministrit kosovar, Albin Kurti. Përmes kësaj narrative të viktimës ata mobilizojnë ndjekësit e tyre, duke i frikësuar qytetarët me idenë se “lufta po na troket në derë” dhe mund të hyjë brenda në çdo kohë.

Figura e “armikut” është qendrore në narrativën e liderëve populistë, të cilët garojnë jo për të përmirësuar e siguruar mirëqenien e qytetarëve, por për t’i përfshirë ata në një rreth vicioz imagjinar të pasigurisë, të nxitur nga frika nga armiqtë imagjinarë, të cilët, sipas tyre, janë gati të nisin sulmin dhe luftën. Të dytë synojnë të mbeten sa më gjatë në pushtet, të ruajnë status quo-në, me të cilën, ndoshta një ditë, do të përmenden në librat e historisë si nacionalistë ose patriotë që dinë si të mbrojnë vendin, sovranitetin dhe rendin kushtetues.

Ky synim kërkon katër elemente: së pari, që njerëzit t’u besojnë se janë viktima dhe t’i votojnë pa mëdyshje në zgjedhje, edhe nëse nuk janë plotësisht të kënaqur me gjendjen sociale në vend. Së dyti, një narrative bindëse që ata janë viktima shekullore të fqinjëve ose të komunitetit ndërkombëtar. Së treti, një narracion i mirëmenduar, i bazuar mbi fakte gjysmë të vërteta mbi “kërcënimin dhe rrezikun” nga një “okupator” i dëshmuar ose nga “grabitësit” shekullorë të territorit të tyre. Së katërti, të instalohen metoda dhe teknika të ndryshme për realizimin e qëllimit të tyre, ku metoda më e lehtë dhe më e suksesshme është përdorimi i fjalorit të gjuhës së urrejtjes dhe refuzimit për kompromis, që e pengojnë daljen nga status quo e rrënjosur thellë.   

Dehumanizimi i shqiptarëve dhe viktimizimi i serbëve

Te qytetarët serbë edhe sot mbizotëron një narrativë dehumanizuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo s’është befasuese kur shikojmë nëpërmjet prizmit të historisë dhe përdorimit të narrativës nga politikanët, shkrimtarët dhe akademikët serbë, të cilët u kanë atribuuar karakteristika nënçmuese shqiptarëve të Kosovës. Mohimi i krimeve të luftës të kryera nga Serbia, duke përfshirë masakrat dhe mohimin e ekzistencës së kombit kosovar, është një element i përhershëm në diskursin politik të politikanëve serbë gjatë viteve.

Në një mbledhje të vitit 2018 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), dedikuar Kosovës, Ivica Dačić, ministër i atëhershëm i jashtëm në Serbi, deklaroi se Vlora Çitaku (ish-ambasadore e Kosovës në ShBA) “nuk është kosovare, por shqiptare dhe se kombi kosovar nuk ekziston”. Terma si “shteti i vetëshpallur i Kosovës”, “shteti i rremë i Kosovës”, dhe “institucionet e përkohshme të Kosovës” janë pjesë e një fjalori të gjerë që për 16 vjet e kanë përdorur jo vetëm zyrtarët serbë, por edhe mediet, të cilat në një masë të madhe janë nën ndikimin e pushtetit serb.

Dialogu në Bruksel, i nisur me qëllim për të normalizuar marrëdhëniet midis dy shteteve, ka nxjerrë në pah shumë forma të gjuhës së papërshtatshme të përdorur nga zyrtarët e Serbisë dhe të Kosovës, të cilët shpesh marrin duartrokitje nga mbështetësit e tyre politikë. Deklaratat pas çdo raundi të negociatave, si “kemi fituar 3 me 0” ose “5 me 0”, sugjerojnë një rezultat zero-sum, ku njëra palë ka fituar gjithçka, tjetra ka humbur — ndërsa vetë negociatat, për këtë arsye, mbeten në një nivel të ulët.

Në kuadër të krizave të vazhdueshme në veriun e Kosovës, nëpër komunat me shumicë serbe, një nga deklaratat më të rënda u bë nga presidenti Vučić. Në dhjetor 2022, serbët e Kosovës, të punësuar në sektorin publik, u dorëhoqën duke krijuar një vakuum institucional. Duke iu referuar ndërhyrjeve të kryeministrit Kurti, që emëroi Nenad Rašić si ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Rada Trajković si këshilltare të Rašić, presidenti Vučić e quajti Kurtin “fundërrinë terroriste” dhe Rašićin e Trajkovićin “llumin më të keq serb nga fundi i vozgës”.

Presidenti Vučić shkoi edhe më larg në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit kushtuar situatës në Kosovë, më 22 prill 2024, duke u ankuar se kryeministri i Kosovës nuk ndodhet në mbledhje për shkak se është “i zënë me minimin e stabilitetit regjional, duke udhëhequr personalisht fushatën e partisë së tij në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”. Atë kohë po zhvillohej fushata për zgjedhjen e presidentit/es të ri/e të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Vučić shtoi “Dua t’u dërgoj mesazhin njerëzve në Maqedoninë e Veriut se përzierja në çështjet e tyre të brendshme nuk është politikë e Serbisë, por veprim i shtetasit tonë të papërgjegjshëm, Albin Kurti”. Termat e përdorur nga presidenti Vučić, pa dyshim do të mbeten shembuj të diskursit të ashpër dhe urryes në diplomacinë botërore, si dhe si një shembull i qartë i ngritjes së nacionalizmit në popullin e vet.

Emërtimi pezhorativ për shqiptarët, “shiptari” u legalizua nga gjykatat serbe në vitin 2021, kur Gjykata e Apelit refuzoi një padi nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Serbi kundër ministrit të atëhershëm të punëve të brendshme, Aleksandar Vulin, që e përdori këtë term në vitin 2019.
Ky term përdoret shpesh nga Vulin, i cili aktualisht është në listën e zezë të ShBA për përfshirje në afera korruptive në dëm të stabilitetit të Ballkanit. Organizata “Gratë në të zeza” në Beograd, një lëvizje paqësore dhe organizatë feministe reagoi ndaj këtij vendimi. Ato thanë se me atë vendim “gjykata i ka dhënë fuqi juridiko-institucionale gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Serbi.”

Ndërkohë, për qytetarët serbë që guxojnë të pranojnë krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, rasti “Sandulović” jep një mesazh të qartë, jo vetëm. Nikola Sandulovic, politikan pro-perëndimor në Serbi, vendosi lule në varrin e një të miture nga familja Jashari, e vrarë në vitin 1998. Mbi 50 anëtarë të familjes, mes tyre fëmijë, së komandatit të UÇK, Adem Jasharit, u vranë në shtëpinë e tyre në Prekaz nga forcat serbe.

Sandulovic kërkoi publikisht falje për krimet e shtetit serb ndaj civilëve. Pasi u kthye në Serbi, ai përfundoi gjysmë i paralizuar pas një rrahjejei. Sipas tij, ai u torturua nga Shërbimi Sekret Serb (BIA). Ky rast shërben edhe si dëshmi për komunitetin ndërkombëtar se Serbia asnjëherë nuk do t’i pranojë krimet e kryera në Kosovë. 

Këtë vit, politikanët serbë kanë riaktualizuar narrativën e viktimës duke pretenduar se, përmes disa vendimeve, qeveria e Kosovës dëshiron t’i dëbojë serbët lokalë të Kosovës. Igor Simić, nënkryetar i Listës Serbe, në një intervistë në TV Pink, një medie nën kontrollin e Beogradit zyrtar, ka deklaruar se serbët në Kosovë, për shkak të vendimeve më të reja të qeverisë së Kosovës lidhur me vendosjen e euros si valutë kryesore tregtuese, po i përjetojnë ditët më të vështira që nga viti 1999. Banka Qendrore e Kosovës në dhjetor 2023 mori vendim që valuta euro të jetë valutë kryesore tregtuese. Kjo e pamundësoi përdorimin e dinarit në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ku edhe përdoret. Kjo shkaktoi tension politik.

Në intervistë Simić tha se ishte e qartë se “kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, dëshiron ta përmbyllë çështjen serbe në Kosovë e Metohi pa asnjë plumb të shkrepur”. Sipas Simić, Kurti synon ta bëjë jetën të pamundur për serbët në Kosovë si në veri, ashtu edhe në jug, të pengojë jetesën e tyre, pagesën e rrogave dhe t’i pengojë serbët që të mbijetojnë.

Traditën e kultivimit të narrativës nacionaliste kundër Kosovës dhe qeverisë aktuale nuk e ndërpreu as kryeministri i posazgjedhur i Serbisë, Miloš Vučević. Në një intervistë, ai deklaroi se ushtria serbe “është më e forta në rajon dhe është mjaft e fortë për të zmbrapsur çdo agresor të mundshëm dhe çdo përpjekje të Kurtit për të shkaktuar një pogrom të ri të marsit apo ‘Stuhi’.” Miloš Vučević u referohej trazirave të marsit 2004 në Kosovë dhe operacionit ushtarak të vitit 1995, ku Kroacia kishte rimarrë 18% të territorit në rajonin e Krajinës, që e kishte humbur nga Serbia në fillim të luftës, dhe sipas Komitetit të Helsinkit, ushtria kroate kishte vrarë 410 civilë serbë dhe dëbuar rreth 200,000 nga shtëpitë e tyre.

Ngrirja e status quo-së

Me 24 shtator 2023, një njësi e Policisë së Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Grupi i armatosur udhëhiqej prej nënkryetarit të Listës Serbe, e mbështetur nga presidenti Vučić, Milan Raidoičić. 

Që nga ajo kohë, kryeministri Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në pothuajse çdo dalje publike në Kosovë, në konferenca ndërkombëtare ose në biseda me diplomatë të huaj, e përmendin rrezikun e sulmit të armatosur nga Serbia. 

Rreziku për luftë, sulm të armatosur a pushtim nga Serbia, është përmendur vazhdimisht nga qeveria e Kosovës edhe para sulmit të Banjskës, sidomos në intervista me medie ndërkombëtare, ku kryeministri Kurti e ka projektuar Kosovën aq të rrezikuar sa nesër, nëse jo sot, qytetarët mund të zgjohen mes një lufte. Kjo ka bërë që problemet tjera që ai do të mund t’i adresonte, të dalin në plan të dytë.

Kësaj narrative lufte i shtohet edhe gjuha publike e kryeministrit Kurtit ndaj presidentit Vučić dhe shtetit serb.

“Putini i vogël” është një term me të cilin kryeministri Kurti i Kosovës e quan presidentin Vučić. 

Në profilin e tij në Facebook në prill të vitit 2022, ndër të tjera kishte shkruar: “Me mikun e Putinit në Republikën Serbe [Milorad Dodik] dhe me Putinin e vogël në Serbi [Aleksandar Vučić], paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë nuk kanë qenë kaq të rrezikuara”. Ai më tej shtonte se fashizmi nuk është i rezervuar për Gjermaninë dhe Italinë midis dy luftërave botërore ose për Kilin e Pinoçetit një gjysmë shekulli më parë. “Çdo popull ose shtet mund të përfundojë në fashizëm,” ka shkruar kryeministri Kurti duke aluduar në Serbinë. Serbia e porosit komunitetin ndërkombëtar se është roje e paqes në Ballkan, por e akuzon kryeministrin Kurti se dëshiron luftë dhe përndjekjen e serbëve nga Kosova. 

Të dyja palët lavdërohen me armatimin e blerë dhe buxhetin për ushtrinë. Kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij thonë se janë të gatshëm për çfarëdo sulmi nga Serbia. Serbia, në anën tjetër, tërthorazi nuk e përjashton mundësinë e konfliktit të armatosur, duke theksuar se “nuk do t’i braktisë kurrë serbët e Kosovës”. Kësaj radhe liderët serbë nuk i përmendin fjalët e zyrtarëve serbë të viteve ’90 për gjoja “popullin duarthatë [serb]”, sepse, posaçërisht në veri të Kosovës, me muaj të tërë zbulohen dhe konfiskohen armë të ndryshme, municion dhe uniforma të sjella nga Serbia. 

Në veprimet e tyre “kreative” politike, deklaratat, sulmet verbale dhe akuzat e ndërsjella, duket se për të dyja palët është i mirëseardhur konflikti i armatosur në Ukrainë dhe tani në Gazë, që edhe ata të vringëllojnë me armë, ose ta akuzojnë palën tjetër për qëllime luftënxitëse.

Në shënjestër të kryeministrit Kurtit dhe presidentit Vučić janë edhe zyrtarët ndërkombëtarë, si “armiq të jashtëm”. Kryeministri Kurti sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur “naiv” pasi i beson presidentit Vučić, ndërsa përfaqësuesin special në dialogun e ndërmjetësuar nga BE , Miroslav Lajčakun dhe përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, të “njëanshëm” pasi e favorizojnë Serbinë.

Presidenti Vučić thotë se Kosova është fëmijë i komunitetit ndërkombëtar dhe çfarëdo që të bëjnë në fund do t’i mbrojnë. “Çfarë doni, të na bombardoni?” ka deklaruar presidenti Vučić në njërën nga konferencat e shumta me gazetarë, në kontekstin e trysnive të komunitetit ndërkombëtar që Serbia ta njohë Kosovën. Natyrisht, përgjigjja e presidentit Vučić ishte: “Jo dhe kurrë”.

Ndërsa, ekzistojnë edhe armiqtë e brendshëm te të dyja palët: opozita dhe individë me reputacion, të cilët i kundërshtojnë politikat kokëforta dhe joracionale të liderëve aktualë serbë dhe kosovarë. Presidenti Vučić ka deklaruar se opozita serbe i ka të njëjtat parime me kryeministrin Kurti, largimin e tij. Ndjekësit e kryeministrit Kurti i quajnë “shkije” — emërtim pezhorativ për serbët — dhe spiunë të Vučić të gjithë ata që marrin guximin për ta kritikuar kryeministrin ose kabinetin e tij.

Me narrativa të ngjashme dhe veprime populiste, zyrtarët kosovarë dhe serbë e kanë një qëllim të vetëm — ngrirjen e status quo-së. Pse? Sepse nuk dëshirojnë që në historitë e tyre kombëtare të hyjnë si politikanë kyçë që kanë bërë kompromise. Për politikanët serbë, nuk u konvenon të hyjnë në histori si njerëzit që e kanë shitur “djepin serb”, siç i referohen Kosovës. Ndërsa qeveria e tanishme kosovare nuk dëshiron të hyjë në histori si një qeveri që ka pranuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin deri vonë e ka quajtur si nismë që cenon sovranitetin e Kosovës. 

Këtë status quo po e mirëmbajnë me sukses me fjalorin populist të përditshëm, duke përhapur frikën nga një konflikt i mundshëm, çfarë me shumë sukses po ua “shesin” qytetarëve të vet. Qytetarët, nga frika e një konflikti të mundshëm, nuk e ngrejnë zërin për gjendjen socioekonomike gjithnjë e më të keqe dhe shtimin e varfërisë. Kjo është arsyeja kryesore që me qindra të rinj dhe të aftë për punë çdo ditë e braktisin Kosovën dhe Serbinë dhe shkojnë në vendet e Evropës Perëndimore. 

Megjithatë, kjo retorikë populiste e politikanëve, e cila shpesh në vete përmban edhe gjuhën e urrejtjes, ka si pasojë radikalizimin e ndërsjellë të shoqërive, pikësëpari ngritjen e nacionalizmit. E nacionalizmi në vetëvete gjithnjë mund të sjellë ekstremizmin e dhunshëm ose konflikte të armatosura të përmasave më të vogla apo më të mëdha.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky artikull është prodhuar në bazë të monitorimit të medies, i kryer nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.