Udhëheqësve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar iu pëlqen ta paraqesin vendin tonë si një shoqëri shumëkulturore. Shumica e popullsisë është e etnisë shqiptare, por politikanët menjëherë e përmendin se janë edhe pesë komunitete pakicë të njohura zyrtarisht me Kushtetutë, si dhe nga të tjerët.
Mirëpo, në praktikë, pamja nuk është gjithmonë kaq e këndshme dhe disa prej këtyre pakicave janë pothuajse krejtësisht të segreguar.
Shembulli më i dukshëm është Mitrovica, qyteti ku ura nuk është simbol i bashkimit, por i ndarjes. E megjithatë,Mitrovica nuk është vendi i vetëm në Kosovë ku personat e etnive të ndryshme jetojnë kryesisht jetë paralele. Që nga lufta dhe pas saj –në të cilën ndodhën ndryshime të rëndësishme demografike –shpesh ka pasur pak bashkëkomunikim kuptimplotë mes komuniteteve në shumë vende.
Në vitet e fundit, ka pasur një prirje të të rinjve që e kalojnë urën e Mitrovicës dhe njoftohen me njëri-tjetrin dhe shumë OJQ që me vite promovojnë bashkëpunim ndëretnik. Megjithatë, në tërësi, ka ende shumë frikë që po mbizotëron mes qytetarëve dhe disa raporte thonë se njerëzit nuk e tregojnë haptazi etninë e tyre për shkak të frikës nga diskriminimi.
Prandaj, ne mendojmë se është e nevojshme ta fillojmë një bisedë rreth etnicitetit.
Pse kanë pasur ndikim kaq të kufizuar përpjekjet për të sjellë integrim kuptimplotë në dy dekadat e kaluara? Çka ka funksionuar? Çka duhet të bëhet ndryshe? A është integrimi i plotë i arritshëm, ose së paku vërtetësisht i dëshiruar? Nëse po, sa po sjellin ndryshim institucionet dhe organizatat dhe sa duhet të kalojë te përgjegjësia individuale?
Bashkohuni me ne për një diskutim të hapur më 14 nëntor, në ora 17:30 në Hub 2.0.
Për ta nisur bisedën i kemi ftuar:
- Gëzim Selaci – Asistent dhe kandidat për PhD në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Sociologjisë.
- Nita Luci – PhD në antropologji dhe profesore në Departamentin e Shkencave Shoqërore në A.U.K
- Igor Marković – Politolog, aktualisht i angazhuar si hulumtues dhe menaxher i projektit në organizatën Aktiv.
Diskutimi do të moderohet nga Dafina Halili – gazetare në K2.0.
*Do të ketë përkthim në anglisht/serbisht.
Kjo ngjarje mundësohet nga Prince Claus Fund.