Blogbox | Diaspora

A lejohen kritikat ndaj kulturës shqiptare?

Nga - 05.09.2019

Ruajtja e origjinës gjatë kërkimit të ndryshimit.

Më kujtohet kur isha 14 vjeçe dhe një shoqe suedeze më tha: “Fortesa, ti nuk je si të tjerët, je si ne”. E kishte fjalën që nuk isha si të huajt e tjerë, isha më e mirë se ata.

Asokohe, u pata lehtësuar dhe pothuajse ndjehesha krenare. Më dukej që më në fund bëra vend aty.

Por sot ndjej turp të madh për lehtësimin tim. Madje, ndihem e mërzitur dhe nervoze që nuk e kuptova se pohimi i saj ishte racist.

Rrallë flasim për kërkimin e vazhdueshëm për identitet që e përjetojnë fëmijët e diasporës. Dikur mbase kemi qenë shumë të sigurt për identitetet tona – “Ne jemi vetëm shqiptarë”. Mund ta kemi argumentuar identitetin me pohime të tipit “gjaku nuk është ujë” e madje të kemi dhënë edhe shembuj të tipit “qeni i lindur në shtallë nuk bëhet kalë”.

Por çfarë ndodh kur kjo siguri fillon të prishet?

Ajo që më shokon më së shumti në gjithë këtë diskurs janë identitetet dhe karakteristikat që na jepen dhe na vendosen prej të tjerëve. Paradoksalisht, ka tendencë që këto të jenë të ndryshme në vendin e lindjes dhe në vendin e origjinës.

Prindërit i sulmoja shpesh me pohime të tipit “do të doja të isha suedeze”.

Në Perëndim, të shpeshta janë pyetjet paragjykuese për origjinën, familjet apo edhe mënyrën se si hamë. Paramendoni si është t’u tregosh njerëzve në Suedi që edhe jashtë Perëndimit njerëzit përdorin thikë, pirun e lugë…

Në Kosovë, diskutimet prekin tema si dallimet materiale, pasuria shoqërore dhe ndonjëherë akuzat se jemi të llastuar (akuzë që, brenda kontekstit, nuk mund të mohohet). 

E kam kuptuar që në Kosovë ekziston një perceptim se thjesht për shkak që jetojmë në shtete të zhvilluara dhe të largëta, të gjitha lidhjet me Kosovën i kemi të prera, dhe jemi krejtësisht të ndarë nga kultura e origjinës.

Në disa momente gjatë adoleshencës, sigurisht se kisha dëshirë që kjo të ishte e vërtetë – prindërit i sulmoja shpesh me pohime të tipit “do të doja të isha suedeze”. 

Pa marrë parasysh distancën fizike, ne lindemi dhe rritemi në të njëjtën kulturë, por në ambiente të ndryshme; pra kemi mundësinë të jetojmë në botëra të ndryshme.

Mund të krenohemi me origjinën tonë, por duhet të jemi edhe kritikë.

Ballafaqimet me mendësitë patriarkale nuk janë inekzistente edhe kur rritesh në një familje liberale. Nëse nuk ballafaqohesh me to në shtëpi, ballafaqohesh jashtë saj – me familjen e gjerë ose me miqtë.

Kur e vizitonim familjen e babait në Kosovë, qëndronim në shtëpinë e gjyshes, derisa ajo ndërroi jetë.

Më kujtohet një ditë, kur erdhi njëri nga axhallarët e mi në dhomën e ditës dhe gratë e familjes, përfshirë këtu nënën time, u ngritën në këmbë. Pas tij, erdhi axha tjetër dhe u përsërit kjo procedurë. Më vonë erdhi babi dhe gratë u ngritën përsëri.

Nuk e kuptoja pse burrat nuk i përshëndetnin gratë në të njejtën mënyrë kur ato hynin në dhomë.

E vërejta këtë ritual të ngritjes në këmbë dhe e pyeta nënën me zë: “Pse po çohesh? Kurrë nuk çohesh në shtëpi”.

Ajo nuk m’u përgjigj, sepse para se të shkonim në Kosovë, më kishte thënë se nëse nuk më përgjigjej menjëherë, do të më përgjigjej më vonë, kur të ishim vetëm. Çfarë bëra pas kësaj? Sigurisht që pyeta përsëri, me më shumë zë.

Për mua, ky ishte një fenomen i çuditshëm. Nuk e kuptoja pse burrat nuk i përshëndetnin gratë në të njejtën mënyrë kur ato hynin në dhomë.

E çuditshme ishte gjithashtu kur isha fëmijë dhe më pyesnin nëse i ndihmoja mamit në shtëpi. Në atë kohë, nuk e kuptoja pse më pyesnin mua, por reagimi im instiktiv ishte të pyesja pse t’i ndihmoja unë, kur i ndihmon babi. 

Gjatë zgjimit feminist, kur isha rreth 15-16 vjeçe, kisha tendencë ta kritikoja shumë kulturën tonë. Për mua ishte pothuajse një aktivitet i kohës së lirë. Pa marrë parasysh, në atë kohë, kuptimi im për trashëgiminë socio-ekonomike nuk ishte zhvilluar plotësisht. Dhe më goditi si kamion kur e kuptova se shumë gjëra që i kisha konsideruar si shtylla të kulturës sonë janë… të këqija… mizogjene… të dëmshme…? 

Edhe sot, mendoj se të gjithë njohim vajza që i kanë lënë punët, arsimin dhe ëndrrat në qytetet e tyre pasi janë martuar, për të shkuar që të jetojnë me burrat e tyre – në emër të traditës. Kur ndodh e kundërta, shoqëria kritikon. Sepse në kulturën tonë, burri, me sa duket, është norma dhe ai të cilit gratë duhet t’i përshtaten.

E adhuroja faktin që kur shqiptarët martohen, ata rrinë të bashkuar, për shkak të dashurisë dhe besnikërisë. Shqiptarët i rregullojnë problemet, në vend se të ndahen, mendova unë. Vetëm më vonë e kuptova që nuk është gjithmonë dashuria ajo mrekullia e këtyre martesave. Në fakt është “kultura e turpit” – marrja – dhe frika e pasojave shoqërore që i mbajnë njerëzit të bashkuar.

Çfarë ndodh kur traditat të cilat i ke lidhur me kulturën tënde papritmas del të jenë mizogjene dhe të dëmshme? Çfarë ndodh kur papritmas nuk pajtohesh?

Dhe kjo marre kryesisht u drejtohet vajzave e grave. Çifti ndahet – marre për gruan! Një vajzë shqiptare martohet jashtë etnisë së saj – marre për nënën që nuk e rriti si duhet!

Çfarë ndodh kur kritikon kulturën deri në pikën ku e vetmja përgjigje është: “Kështu është kultura jonë, kështu ka qenë gjithmonë, dhe ne nuk mund ta ndryshojmë”. Çfarë ndodh kur traditat të cilat i ke lidhur me kulturën tënde papritmas del të jenë mizogjene dhe të dëmshme? Çfarë ndodh kur papritmas nuk pajtohesh? A bëhesh më pak shqiptare? A bëhesh më perëndimore?

librin “We Should All be Feminists” (Të gjithë duhet të jemi feministë), shkrimtarja feministe nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie thotë: “Kultura nuk i bën njerëzit. Njerëzit e bëjnë kulturën”. Pohim shumë i vërtetë. Kultura nuk duhet të ruhet nëpërmjet traditave të dëmshme; ne duhet t’i vëmë në dyshim ato, të kuptojmë prej ku dhe kur kanë ardhur, dhe t’i braktisim nëse është e nevojshme.

Kultura jonë është më shumë se shkelja e të drejtave të grave dhe fëmijëve, është më shumë se një maço-kulturë e fuqishme, dhe duhet të jetë më shumë se një kulturë në të cilën burri është norma.

Nuk bëhemi më perëndimorë e më pak shqiptarë nëse i kritikojmë këto. Duhet ta ruajmë origjinën dhe kulturën duke kërkuar gjithmonë ndryshime dhe progres, në mënyrë që të përparojmë kolektivisht.

Jo, nuk je më pak shqiptar nëse nuk je tradicional e konvencional. Jo, nuk je më shumë shqiptar nëse je tradicional e konvencional. (Fundja, si matet “shqiptaria”?)

Kërkimi i identitetit me gjasë është rrugë pa fund. Sigurisht, ajo që nuk na duhet gjatë rrugëtimit është që njerëzit të na thonë sa shumë kështu e sa pak ashtu jemi.

Ndjenja e të qenit në mes mund të jetë gjithmonë e pranishme, por kjo është një bekim dhe mallkim me të cilin ne, fëmijët e diasporës, duhet të ballafaqohemi.

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO