“Jeta e personit mbrohet me ligj”, Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 21.
Në natën e 8 dhjetorit në kryeqytetin e Shqipërisë, një zyrtar policor qëlloi për vdekje një djalë 25 vjeç, i cili më vonë u identifikua si Klodian Rasha, afër shtëpisë së tij gjatë orës policore.
Sipas raportit të policisë, i cili bazohet në dëshminë e zyrtarit të përfshirë, gjatë patrullimit në rrugën Dritan Hoxha, patrulla ka parë një person që “kryente veprime të dyshimta”. Personi nuk paskësh reaguar ndaj urdhrit të policisë për t’u ndalur, por është mësyrë të ikë “duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri”.
“I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”, thotë në fund raporti zyrtar.
Versioni zyrtar i ngjarjes është se është gjetur një armë afër vendit të incidentit. Megjithatë, qytetarët e Shqipërisë ende po presin që Prokuroria ta vërtetojë këtë pretendim dhe deklarojë nëse arma i ka takuar viktimës.
Për momentin, hetimet po vazhdojnë dhe zyrtari policor që pranoi se kishte qëlluar viktimën është arrestuar për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Prapëseprapë, vrasja shkaktoi zemëratë publike dhe mijëra qytetarë dolën në rrugë për të marshuar në kërkim të drejtësisë dhe të dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm.
Lista e kërkesave të tyre po zgjerohet me thirrje për dorëheqje dhe ndryshime të mëdha. Protesta filloi në Tiranë por është përhapur në shumë qytete të tjera, duke përfshirë Lezhën, Shkodrën, Lushnjën, Beratin, Bulqizën, Vlorën, Fierin dhe Durrësin.
Pyetjet që duan përgjigje
Publiku po ua rikujton autoriteteve se Shqipëria ka ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se standardet e saj kërkojnë zbatimin e një prove të proporcionalitetit në rastet kur shteti përdor dhunë vdekjeprurëse ndaj qytetarëve. Sipas këtyrë standardeve, e drejta për jetë duhet të mbrohet dhe shtetet janë të obliguara të shmangen nga dhuna vdekjeprurëse — përveç nëse është absolutisht e domosdoshme.
Publiku po shtron një varg pyetjesh, përfshirë atë se si mund të jetë dhuna vdekjeprurëse absolutisht e domosdoshme nëse zytari policor e ka pasur të pamundshme të dijë nëse viktima ka qenë e armatosur, pra pa e ditur nëse ka paraqitur rrezik, dhe nëse ka pasur masa proporcionale përmes së cilave zyrtari ka mundur ta kryejë detyrën bashkë me shmangien e humbjes së jetës.
Është me rëndësi qendrore që këto pyetje dhe shumë të tjera që lidhen me rastin të përgjigjen me procedurë hetimore objektive dhe transparente, si dhe me një gjykim të drejtë, në mënyrë që të ketë drejtësi. Dhe kjo është çfarë po kërkojnë shqiptarët në rrugë.
Kërkesa e parë, e cila qe dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, është përmbushur më 10 dhjetor. Tash, protestuesit po kërkojnë reforma brenda Policisë Shtetërore, përfshirë dorëheqjen e kreut të saj dhe ndalimin e dhunës policore. Po ashtu ka pasur thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Revolta u përshkallëzua drejt dhunës më 9 dhjetor, gjë që rezultoi në policë dhe protestues të lënduar, prishje gjësendesh dhe përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe sprajit lotsjellës ndaj protestuesve.
Në ditën e parë të protestave, protestuesit kanë vërejtur mosmbajtjen e pazakontë të helmetave dhe mburojave që policët e praktikojnë si standard gjatë protestave. Ata akuzuan qeverinë se po i përdornin policët si “mish për top” duke i ekspozuar qëllimisht ndaj dhunës, në mënyrë që më vonë të përdoret si propagandë për ta devijuar vëmendjen publike nga vrasja e Klodian Rashës te policia e lënduar.
Policia Shqiptare është kritikuar në të kaluarën për mospajisjen me identifikim personal gjatë protestave. Kjo praktikë është në kundërshtim me ligjin dhe e bën të vështirë identifikimin e zyrtarëve dhe kërkesën për llogaridhënie.
Revolta u përshkallëzua drejt dhunës më 9 dhjetor, gjë që rezultoi në policë dhe protestues të lënduar, prishje gjësendesh dhe përdorim të gazit lotsjellës, topave të ujit dhe sprajit lotsjellës ndaj protestuesve. Pamjet mediatike shfaqin dhunë të tepërt policore gjatë arrestimeve, madje edhe ndaj të miturve, si dhe tërheqjen zvarrë të protestuesve drejt Ministrisë së Brendshme nga njerëz me veshje civile.
Për shkak të zemërimit të madh janë tërhequr paralele me protestat në Greqi të vitit 2008 pas vrasjes policore të 15 vjeçarit Alexandros Grigoropoulos dhe me protestat e sivjetme në ShBA pas vrasjs së George Floyd nga policia.
Dhuna dhe kërcënimet
Qindra protestues janë marrë në mbajtje që nga fillimi i protestave, shumë prej të cilëve kanë qenë të mitur që janë vënë në mbajtje të policisë me procedura “problematike”, sipas Ombudspersonit. Në bazë të burimit të njëjtë, mes 11 dhe 13 dhjetorit janë ndaluar 233 njerëz. Qendrat e ndalimit në Tiranë janë të mbushura përplot, kështu që të ndaluarit po transferohen në qytete të tjera. Avokatët kanë raportuar se të arrestuarit janë keqtrajtuar në stacionet policore, janë mbajtur në qeli të mbushura plot, janë lënë të flenë në dysheme dhe janë detyruar të firmosin që nuk duan të mbrohen me avokat.
Prindërit kanë thënë se nuk janë informuar për arrestimin e fëmijëve të tyre dhe kanë pasur vështirësi madje edhe t’i identifikonin stacionet e policisë se ku mbahen.
Këto janë shkelje të rënda të së drejtës për proces të rregullt, të drejtës së të miturve në kontakt/konflikt me ligjin dhe lirisë nga tortura dhe trajtimi çnjerëzor ose degradues. Pavarësisht nga situata alarmuese, fakti se avokatët ofrojnë shërbime falas në mbrojtje të protestuese është shpresëdhënës.
Por, protestuesit nuk janë caku i vetëm.
Gjatë viteve të fundit, gjendja e lirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar dhe qeveria ka luajtur rol aktiv në këtë punë.
Dy gazetarë në Tiranë, si dhe një punëtor i medias në Durrës, janë ndaluar gjatë raportimit për protestën dhe dokumentimit të dhunës policore ndaj të miturve. Arrestimet e dhunshme të gazetarëve janë përshkruar si “të stilit Lukashenko” nga presidenti dhe janë dënuar nga Safe Journalists Network dhe shoqata të gazetarëve shqiptarë.
Sulme të tilla ndaj lirisë së medias dhe arrestimet e gazetarëve nuk janë raste të izoluara në historinë e vonshme të Shqipërisë. Gjatë viteve të fundit, gjendja e lirisë së medias në Shqipëri është përkeqësuar dhe qeveria ka luajtur rol aktiv në këtë punë.
Për më tepër, gjatë emergjencës së COVID-19, Shqipëria ka vënë precendente negative sa i përket shkeljes së lirisë së tubimit. Protestat ende mbesin të ndaluara, ndërsa sipas Drejtoratit të Përgjithshëm të Policisë, mbi 300 njerëz janë ndjekur penalisht vetëm mes marsit dhe qershorit. Më tej, një numër protestash paqësore janë shpërndarë me dhunë nga policia, përfshirë protestën kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar dhe një protestë kundër ndërtimit të hidrocentraleve.
Këto masa janë zbatuar në mënyrë selektive ndaj protestave kundërqeveritare, ndërsa tubimet e llojeve të tjera — sikur ngjarjet politike ose koncertet — janë mbajtur pa pengesë.
Kërcënime dhe frikë
Ndonëse vrasja policore mund të jetë rast i izoluar, dhuna e policisë nuk është e tillë.
Aktivistët pretendojnë se policia në Shqipëri ka histori të shpërdorimit të të varfërve, minoriteteve sikur romët dhe egjiptianët dhe shitësit e rrugëve, si dhe ekziston një besim i moçëm se ajo u shërben politikanëve dhe të pasurve. Ka pasur raportime se njerëzit i frikësohen më shumë policisë se virusit, për një burrë rom që është rrahur nga policia bashkiake e Tiranës tek mblidhte mbeturina dhe për një të mitur që është rrahur nga policia për shkeljen e orës policore.
Para pandemisë, dhuna policore është përdorur po ashtu gjatë protestave, kurse janë arrestuar dhe janë bërë cak aktivistët. Disa shembuj janë protestat e Organizatës Politike dhe ato të aktivistëve mjedisorë, të cilët janë përballur me dhunë, kërcënime dhe arrestime për shkak të pjesëmarrjes në protesta dhe angazhimit në aktivizëm.
Që nga fillimi i pandemisë, qeveria shqiptare është dukur se ka investuar për ta dhënë imazhin se policia është mjet i frikës. Kryeministri Edi Rama ka postuar një video që gjoja se shfaqte policinë spanjolle duke rrahur dhe ndjekur njerëz nëpër rrugë, të shoqëruar me një përshkrim tepër të pavend “ose respektoni distancën sociale… ose do të vraponi edhe ju”.
Shumë njerëz në Shqipëri e kanë marrë këtë si kërcënim.
Protesta është shpërthim i pakënaqësisë së qytetarëve të ndrydhur të një vendi me nivele të larta të korrupsionit dhe pa gjykata funksionale.
Për më tepër, gjatë ngujimit, ushtria patrullonte rrugët për t’i kërkuar qytetarët “e pabindur” ndërsa mbizotëronte narrativa e “luftës”. Dënime me burgim deri në 8 vjet janë shpallur në prill në Kodin Penal për ata që shkelin masat e COVID-19, si dhe gjoba deri në 40,000 euro për organizatorët e protestave përmes një akti normativ më 15 mars, 2020.
Gjithë këto fakte nuk duhet të shihen si të ndara nga protestat e tanishme.
Protesta është shpërthim i pakënaqësisë së qytetarëve të ndrydhur të një vendi me nivele të larta të korrupsionit dhe pa gjykata funksionale, i cili po shndërrohet prej një shteti me sundim tashmë të dobët të ligjit në një shtet policor. Është një protestë që udhëhiqet nga rinia që nuk sheh të ardhme në shtetin e tyre për shkak të papunësisë, duke e lënë Shqipërinë në vendin e katërt në botë për nga dëshira e njerëzve që duan të mërgojnë — krah për krah me shtete që janë në luftë.
Së fundi, mënyra se si mediat proqeveritare kanë raportuar për protestat ka qenë brengosëse. Ato kanë përdorur tituj dramatikë për djegien e bredhit të Kërshëndellave në qendrën e qytetit nga protestuesit, ndërsa kanë dhënë më shumë hapësirë për rrëfimet që portretizojnë policinë si viktimë të protestuesve dhe duke lënë mënjanë informata për protestuesit, gazetarët dhe të miturit që janë lënduar dhe ndaluar.
Ç’është më me rëndësi, disa nga titujt kanë theksuar se viktima e të shtënës ka pasur të kaluar kriminale — kështu duke dhënë informata jorelevante, të pavërtetuara dhe çorientuese. Në vend se të kontribuojnë në debatin publik në të mirë të sigurimit të llogaridhënies, disa media kanë vendosur të investojnë në hedhjen e baltës ndaj viktimës dhe demonizimin e protestuesve dhe protestës, duke e përulur arsyen që solli deri këtu: zhvlerësimi i jetës së një të riu.
Ndonëse dhuna është e papranueshme dhe nuk duhet të nxitet, respektimi i arsyes legjitime prapa fillimit të protestave, kërkesave të saj dhe familjes së viktimës është i paktë fare.
Mënyra e raportimit për një rast kaq të ndjeshëm është tepër joetike. Por as kjo nuk është risi në Shqipëri.
Sidoqoftë, edhe pse qeveria kontrollon shumicën e kanaleve televizive dhe disa portale onllajn, ende ka media që e raportojnë protestën saktësisht: si zemëratë kryesisht e rinisë (mashkullore) të frustruar me atë se çfarë ofrojnë Shqipëria dhe politikanët e saj tani për tani.
Ndonëse dhuna është e papranueshme dhe nuk duhet të nxitet, respektimi i arsyes legjitime prapa fillimit të protestave, kërkesave të saj dhe familjes së viktimës është i paktë fare.
Protestat nisën sepse një djalë 25 vjeç u vra nga një zyrtar policor dhe njerëzit do të protestojnë dhe do të mbajnë zi deri sa të shohin drejtësi dhe ndryshim. Në një vend ku diktatura ka ndjellë frikë nga reagimi publik, kjo protestë është shenjë pjekjeje në një shoqëri që po mëson se si ta shprehë tërbimin, zemërimin dhe pakënaqësinë.
Ndërsa për politikanët është koha të dëgjonë.
Imazhi i ballinës: K2.0