Në thelb | Arkitekturë

Një Monument Mes Vëllazënim Bashkimit dhe Adem Jasharit

Nga - 30.10.2015

Ende ka opinione të pasakta për strukturën ikonike në Prishtinë.

Në qendër të qytetit të Prishtinës është një monument i revolucionit. Rrallëherë mendohet si i tillë, por e mbanë një pozitë të privilegjuar që pesëdhjetë vite në kryeqytetin e Kosovës. Po të kishte kamerë mbi të, do të ishte syri i qytetit. Disa njerëz e quajnë ”tre rremëshi” ose ”trekëndëshi”

Sipas hulumtimeve tërësore nga Forum ZFD, emri zyrtar i trekëndëshit është Monumenti kushtuar heronjve të Lëvizjes Nacionale Çlirimtare, dhe i përkushtohet luftëtarëve të rënë të cilët u ngritën kundër okupimit fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjindet në atë që tani quhet sheshi Adem Jashari, e që prej ndërtimit në 1961 deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë u quajt Sheshi i Vëllazërim Bashkimit.

Burimet nga Komuna e Prishtinës shpjeguan për Kosovo 2.0 se emri i sheshit u ndërrua në Adem Jashari në 2000 ose 2001, por asnjë dokument nuk u gjet për ta dëshmuar këtë; ndryshimi i emrit u riaprovua zyrtarisht në 2010. E gjithë hapësira përgjithësisht e mban emrin ‘Vëllazënim Bashkimi’ në mesin e prishtinalive.

Në fund të shtatorit të këtij viti, Komuna e Prishtinës lajmëroi një projekt për rinovimin e sheshit, që jo vetëm se do ta pastrojë këtë zonë por edhe do të sjell ndryshime, veçanërisht në dyshemenë e kësaj hapësire publikë të frekuentuar.

deklaratë për Kohavision, Kryetari Shpend Ahmeti shkoi aq larg duke thënë se mendon që duhet të ketë referendum për të vendosur se a duhet të vazhdojë të ekzistojë në Sheshin Adem Jashari ai monument qendror që u ndërtua si pjesë e filozofisë ‘Vëllazërim Bashkim’ e cila u shpërnda në Jugosllavi nga Josip Broz Tito. “Ose duhet ta heqim monumentin, ose duhet ta ndërrojmë emrin e sheshit; mendoj se duhet të vendosin qytetarët me referendum”, tha ai, duke sugjeruar se situata aktuale e ekzistencës së monumentit në një shesh që ka emrin e një heroi kombëtar shqiptar ishte “paradoks”.

Për t’i shtuar pak humor kësaj çështjeje, Kuku Neës lajmëruan se Ahmeti i ka kërkuar Adem Jasharit që të regjistrohet si pronar i tokës, pasi që ka shumë sende në emër të tij – mos bëni panikë, është publikim satirik.

Por komentet e kryetarit e kapën me befasi publikun, pasi që asnjëherë nuk është bërë thirrje për referendum nga Komuna e Prishtinës (të paktën prej pavarësisë së Kosovës); kjo masë sigurisht se do të ishte shembull për vendimet e ardhshme. Megjithatë, në këtë rast diskutimi rreth monumentit gjithashtu theksoi mënyrën se si disa e perceptojnë këtë objekt, shpeshherë me ide të gabuara për historinë e tij.

Monumenti i kushtuar luftëtarëve të rënë shihet nga ekspertët si pjesë e rrymës artistike moderniste.

Trekëndëshi u ndërtua brenda konceptit të Vëllazërim Bashkimit, filozofisë së Titos për promovim të solidaritetit në mes të kombeve të ndryshme të federatës të cilën e kryesonte ai. Fakti se mban emrin e Adem Jasharit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë, dikujt mund t’i tingëllojë kontradiktor, veçanërisht nëse e sheh këtë monument brenda kontekstit origjinal të tij.* Si shumë monumente të epokës jugosllave, trekëndëshi shpeshherë shihet në Kosovë si simbol i shtypjes serbe të 1980-ave the 1990-ave, edhe pse këto monumente u ndërtuan në një periudhë shumë më të begatë e paqësore të ish-Jugosllavisë, në 1960-at e hershme, për të simbolizuar gjithçka pos kundërvënies.

E vërteta është se projekti i ardhshëm që do të zbatohet për të rigjallëruar sheshin Adem Jashari nuk do të prek monumentin e luftëtarëve të rënë. Ky projekt nuk parashikon heqjen e monumentit, por diskutimet pas prezantimit të projektit dhe komenti i kryetarit sollën shumë pyetje. Çfarë kishte aty para se të ndërtohej sheshi? Çfarë kishin ndërmend të bëjnë autoritetet e asaj kohe me këtë ndërtim? Çfarë simbolizon, brenda kontekstit? A ka status të mbrojtur të trashëgimisë kulturore? Çfarë do të ndodh tani?

Ta analizojmë situatën tërësisht.

Shkatërro të Vjetrën, Ndërto të Renë

Sipërfaqja ku sot është sheshi Adem Jashari dhe monumenti i tij qendror më herët ishte pjesë e një djepi autentik të jetës dhe pjesë e qendrës së qytetit të vjetër të Prishtinës. Një pjesë e çarshisë së vjetër ekzistonte në këtë sipërfaqe në formë të dyqaneve të shumta dhe ndërtesave me arkitekturë tradicionale dhe vendore. Gjithashtu ishte rrugë lokale që lidhte zonën e pjesës së vjetër të qytetit me hekurudhën ekzistuese (por jofunksionale) në dyert e lagjes Arbëria. Kjo situatë filloi të ndryshonte dramatikisht, veçanërisht pas 1947 kur Prishtina u bë kryeqyteti i Kosovës.

Me slloganin “Shkatërro të Vjetrën, Ndërto të Renë”, shumë çarshi të vjetra dhe ndërtime që përfaqësonin arkitekturën osmane (mes tjerash), u shkatërruan në Jugosllavi për të sjellur një pamje të re në emër të modernizimit.

Para vitit 1960, lokacioni ku sot është Sheshi Adem Jashari ishte pjesë e qytetit të vjetër të Prishtinës.

Në këtë hapësirë, në dy anët e rrugës që nuk ekziston më, dy ndërtesa moderne që përfaqësuan stilin e ri arkitektural filluan të ndërtohen: një ndërtesë krahinore që sot është Kuvendi i Kosovës, projektuar nga një prej nxënësve të arkitektit të njohur zvicrrano-francez Le Corbusier, dhe një ndërtesë komunale, Komuna aktuale e Prishtinës.

Arkitektja kosovare Rozafa Basha shpjegoi se justifikimi i përdorur për shkatërrimin e çarshisë së vjetër ishte fakti që ishte i ndërtuar me materiale të vjetra e të dobëta, dhe kështu autoritetet donin të ndërtonin diçka të re, dhe vendosën ta përdorin zonën për të themeluar institucione të reja. Por Basha tha se kishte edhe faktorë ideologjik. “Vendimi [për të shkatërruar çarshinë evjetër] nuk pati të bëjë vetëm me struktura të dobëta” tha ajo. “Ishte edhe për të sjellur një mënyrë të re të jetës”.

Në një tekst të shkruar nga një arkitekte tjetër, Eliza Hoxha, për një raportmbi trashëgiminë kulturore në Prishtinë, autorja deklaron: “Një rend i ri socialist u desht të sjell një qytet të ri që duhej të ishte në harmoni me qendrat tjera urbane të Jugosllavisë”.

Në Rrugë drejt Vëllazërim Bashkimit

Sheshi Vëllazërim Bashkimi, së bashku me monumentin e tij qendror, ishte projekt i Miodrag Zivkovic, skulptor serb i njohur për përmendoret e tij në ish-Jugosllavi. Më vonë ai ishte edhe dekan i Fakultetit të Arteve të Zbatuara në Universitetin e Beogradit në 1970-at, dhe përsëri për disa vite në 1990-at.

Zivkovic u lind në 1928 në Leskovac, Serbi jugore, qytet me më shumë se 60,000 banorë; kufijtë e këtij qyteti preken me kufijtë e Kosovës. Arkitektja Rozafa Basha shpjegoi për Kosovo 2.0 se monumenti për luftëtarët e rënë në Prishtinë është në fakt rezultat i një gare. Në 1959, Zivkovic ishte fitues i një gare kombëtare për të projektuar një monument të revolucionit në qytetin e Prishtinës; Sheshin Vëllazërim Bashkimi.

Ideali i Vëllazërim Bashkimit i dha emër shumë shkollave, lokacioneve, dhe pjesëve të infrastrukturës publike, duke përfshirë autostradën kryesore kombëtare Ljubljanë-Zagreb-Beograd-Shkup. Në sheshin e betonit në Prishtinë, kjo moto u përzie me një kauzë tjetër: përkushtimi ndaj luftëtarëve të rënë të luftës antifashiste – pa marrë parasysh se çfarë përkatësie etnike kishin.

Në qendër të sheshit 160 metra katror, monumenti është i përbërë prej dy pjesëve: një lapidar i gjatë 22 metra me tri shtylla që hapen si tufë lulesh, dhe një skulpturë që portretizon tetë figura partizane, dhjetë metra para obeliskut. Pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një grup i studentëve i ngjyrosën këto figura partizane për t’i përfaqësuar vendet perendimore që mbështetën Kosovën kur pati vështirësi.

Një pamje e monumentit prej 1970-ave.

Fillimisht ishte një fontanë në anën tjetër të lapidarit, përballë figurave partizane, por kjo u zhduk si pjesë e modifikimeve të viteve 1970 e më tej. Nuk ka ndryshuar shumë gjatë dekadave sa i përket estetikës së kësaj hapësire, që i përket rrymës moderniste. E tërë pamja është bërë imazh ikonik i qytetit; vendtakim për të rinjtë dhe vend ku mund të kalojnë kohën grupe të shumëllojshme të njerëzve, por veçanërsiht fëmijët, pas instalimit të një skate-parku në njërin krah.

Zhduk Vlerat dhe Ndrysho Historinë

Në vitin 1999, pas ndërhyrjes së NATO në Kosovë, monumenti vuajti nga një përpjekje për ta dëmtuar me dinamit, dhe efektet afatgjate ende nuk janë analizuar plotësisht. Përsëri në 2010, qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Kryeministri aktual Isa Mustafa, gjithashtu bëri përpjekje për ta rrëzuar monumentin. Plani përfshinte ndërtimin e një vendi për parking nëntokë, dhe ngritjen e një statuje të Adem Jasharit, por realizimi i projektit dështoi.

Përpjekja për ta shkatërruar këtë monument nuk ishte unike.

Zhvillimet politike në Jugosllavi pas vdekjes së Titos në 1980 përfaqësuan një kontekst shumë më ndryshe të urrejtjes dhe kundërvënies së rritur në mes të kombeve. Në Kosovë, shtypja e shqiptarëve, veçanërisht gjatë 80-ave dhe 90-ave, rezultoi në reagim të ashpër ndaj monumenteve prej kohëve socialiste, duke përfshirë përmendoret e Luftës Kombëtare të Çlirimit.

Në një artikull të shkruar nga Shkelzen Maliqi për publikimin “Monument, Fytyra Ndryshuese e Kujtimit”, autori thotë: “Dukej se ideologjia e Titos dhe premtimi i tij për vëllazërim e bashkim pothuaj se u zhduk brenda natës”.

Historianja e artit Vesa Sahatçiu ndërmorri hulumtime të thella për traditën e këtyre monumenteve dhe beson se perceptimet e monumenteve të epokës jugosllave si serbe janë të pavenda. “Monumentet prej periudhës jugosllave duhet të shihen prej kontekstit historik nga cili erdhën”, tha ajo. “Reduktimi i debatit në vija kombëtare i jep këtyre monumenteve kuptim që nuk patën fillimisht”.

Sahatçiu beson se monumenti është i rëndësishëm për vlerat artistike, si dhe si referim ndaj një periudhe të caktuar historike. Ajo gjithashtu njeh faktin se këto monumente të epokës jugosllave u ndërtuan, në fjalët e saj, “për të drejtuar ideologjinë socialiste të asaj kohë”. Historianja e artit përfundon duke thënë se “heqja e këtyre monumenteve është zgjedhje e amnezisë kolektive”.

Duke prerë Barin

Për të kuptuar se cili ishte plani i fundit për Sheshin Adem Jashari dhe monumentin qendror të tij, Kosovo 2.0 foli me arkitektin që e ka mbikëqyrur dizajnin e projektit rinovues, Gyler Mydyti, këshilltare e jashtëm e komunës nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara. Projekti, që Mydyti thotë është nismë e kryetarit të komunës, nuk ka kurrëfarë plane për të hequr ndonjë pjesë të monumentit të luftëtarëve antifashist, as lapidarin, e as skulpturat.

“Kryetari deshi më shumë hapësirë të gjelbërt”, tha Mydyti. Ajo shpjegoi se ky shesh është rigjallëruar vetëm dy herë në më shumë se tri dekada. Në fund të fundit, rezultat i dizajnit është rritja e sipërfaqes së gjelbërt, që do të integrohet me një dysheme të ridizajnuar.

Dizajnet e fundit të projektit të Komunes së Prishtinës.

Arkitekti shpjegoi se shkallët që gjinden anash rrugës Agim Ramadani do të ndryshojnë, por një pjesë qendrore e tyre do të mbetet në stilin e njejtë në mënyrë që t’i bëhet homazh profesorit të Fakultetit të Arkitekturës, Burhamedin Sokoli. Sipas arkitektes, ky profesor gjithmonë thoshte në mësimet e tij se sheshi ishte shembull i mënyrës si nuk duhet të projektohen shkallët; janë shumë të gjata për të ecur me nga një hap, dhe shumë të shkurta për të bërë një hap të dytë mbi to.

Dizajni i ri përfshinë ndryshim të dyshemesë, shkallëve dhe më shumë hapësira të gjelbërta.

Si me shumë ndërtime prej epokës jugosllave në Kosovë, as monumenti qendror e as sheshi nuk gëzojnë statusin e caktuar të trashëgimisë së mbrojtur kulturore. Të gjithë arkitektët që u konsultuan nga Kosovo 2.0 u pajtuan se kjo zonë është teknikisht e rregulluar si pjesë e një ‘zone ndarëse’, për shkak të afërsisë me Qendrën Historike në Prishtinë, kufijtë e së cilës janë vetëm disa metra larg. Zonë ndarëse është një pjesë në afërsi të një lokacioni që gëzon status të trashëgimisë së mbrojtur kulturore. Megjithatë, Qendra Historike e Prishtinës aktualisht ka vetëm status të mbrojtjes së përkohshme; deri më tani, nuk ka plan të konservimit për të mbikëqyrur zhvillimin e zonës së mbrojtur ose rrethinës së saj, duke përfshirë Sheshin Adem Jashari dhe Monumentin kushtuar heronjve të Lëvizjes Nacionale Çlirimtare.

Se a do të heqet apo jo monumenti dikur – me ose pa referendum – mbetet vendim i Komunës së Prishtinës.K

Fotografitë: Foto nga arkiva dhe pamje të projektit, të dhëna me mirësjellje nga Komuna e Prishtinës.

Ilustrimet në Fejsbuk dhe në Ballinë nga Driton Selmani.

*Shënim i redaksisë: Në versionin e mëparshëm të këtij artikulli, redaksisë së K2.0 i është përvjedhur një fjali që thoshte “Fakti se mbanë emrin e Adem Jasharit, hero i ashtuquajtur shqiptar etnik i luftës së vitit 1999, mund të tingëllojë kontradiktor, veçanërisht nëse e shohim këtë monument jashtë kontekstit origjinal.”

Më 06.11.2022, K2.0 e ka përmirësuar këtë fjali, ashtu që fjalia dhe artikulli t’i reflektojnë faktet drejt.