Pikëpamje | Politika

A mund me të vërtetë të shkëmbejnë territor Kosova dhe Serbia?

Nga - 14.08.2018

Një vështrim në rrënjët dhe reagimet ndaj ndarjes.

Javëve të fundit, diskursi publik në Kosovë është dominuar nga një temë e vetme. ‘Ndarja’ – kështu i thanë në fillim. Pastaj “shkëmbimi i territorit”. Pak më vonë u shfaq termi  “korrigjim i kufijve”.

Në media është raportuar se dy presidentët fqinj të Kosovës dhe Serbisë – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić – janë bajraktarët më të mëdhenj të kësaj ideje. Por pse, kur dhe si u lind kjo ide?

Idetë e tilla nuk janë të huaja në rajonin e Ballkanit – luftërat e viteve ’90 në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë (BeH) në masë të madhe buronin nga Serbia, e cila po përpiqej të ndryshonte kufijtë për të krijuar territore etnikisht homogjene.

“Mos e përmend litarin në shtëpinë e të varurit,” thotë një shprehje e urtë e gjuhës shqipe dhe në një rajon që nuk ka kompaktësi gjeografike etnike dhe ku shumë rajone shtetesh janë të pleksura me grupe të ndryshme etnike, shumë ekspertë paralajmërojnë se çdo orvatje për të ridefinuar kufijtë etnikë do e provokonte një situatë të rrezikshme që do të mund të prodhonte si efektin bumerang ashtu edhe atë domino.

Për shembull, rreth 30 përqind e popullsisë së BeH është etnikisht serbe dhe udhëheqësi i entitetit me shumicë serbe, Republikës Srpska, rregullisht i bie daulleve të ndarjes dhe pavarësisë. Njënjëshëm, rreth 25 përqind e qytetarëve të Maqedonisë janë shqiptarë etnikë dhe çdo lloj rishqyrtimi i kufijve mund ta riafirmojë çështjen kombëtare atje, e cila solli konfliktin e vitit 2001.

Thaçi – i cili pasi u bë president e vuri njëanshëm veten në krye të ‘fazës përfundimtare’ të dialogut me Serbinë – ka sugjeruar që çdo ndryshim i fundëm i kufijve do të ndodhte vetëm pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën si shtet më vete dhe për rrjedhojë një marrëveshje të këtillë do të bëhej mes dy shtetesh të pavarura dhe sovrane, me miratim të ndërsjelltë.

Kjo mund të jetë një arsyetim se përse një shkëmbim i këtillë nuk mund të ndodhë në shtetet e tjera të rajonit, për sa kohë që nuk ka pajtim të dyanshëm mes dy shteteve gjegjëse. Është e vështirë ta përfytyrosh, për shembull, ndonjë marrëveshje të përbashkët midis dy shteteve në rastet e Serbisë dhe BeH, Maqedonisë dhe Shqipërisë ose Malit të Zi dhe Kosovës.

Në ndërkohë kanë reaguar edhe organizatat e shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia. Përmes një letre të hapur dërguar përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, ata u shprehen kundër ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve në vija etnike. Njashtu, në letër i bëhej thirrje publike Federica Mogherinit që vetë ajo të deklarohej qartë kundër idesë së ndarjes së Kosovës.

Një reagim ka ardhur edhe nga David L. Philips, drejtor i Programit për ndërtim të paqes dhe të drejta pranë Institutit për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias. Në një shkrim autorial ai, ndër të tjera, nënvizon një çështje tejet të ndjeshme: çfarë do të ndodhte me popullsinë shqiptare që jeton në veri të lumit Ibër dhe me popullsinë serbe që jeton në jug të këtij lumi dhe ç’mekanizëm do të ngritej për të menaxhuar një dyndje të mundshme të të dy popullsive?

Një histori e ndarjes

Ideja për ridefinimin e kufijve të Kosovës ka lindur në vitet ‘80 në mesin e qarqeve akademike serbe dhe bymoi viteve të ‘90 me këmbënguljen e ish presidentit jugosllav, Dobrica Ćosić, para se disi ta humbiste intensitetin pas luftës së vitit 1999. Asgjëmangut, në terma praktikë në terren, në një farë mase u konkretizua pas luftës, kur shumë joserbë u dëbuan nga pjesa veriore e Mitrovicës.

Megjithëkëtë, mu atëherë kur për shumëkë kjo ide ishte e vdekur, fantazma e saj nuk iu nda Kosovës. U riaktualizua pas zgjedhjes së presidentit të ri amerikan, Donald Trump, sidomos me letrën që kongresmeni republikan amerikan, Dana Rohrabacher, ia nisi presidentit të asokohshëm serb, Tomislav Nikolić, në fundjanarin e vitit 2017. Në këtë letër Rohrabacher e udhëzonte Nikolićin që ta merrte parasysh mundësinë që të bëhej një “ndryshim reciprokisht i dobishëm i kufirit verior”.

Letra në fjalë u kritikua dhe u harrua për një kohë, por idetë që përmbante ajo sërish dominuan kryetitujt që nga pranvera. Në prill të këtij viti, në një konferencë të organizuar nga Grupi për Hulumtime të Politikave të Ballkanit, Thaçi tha se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me Serbinë, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe Kosova do ta merr ulësen në OKB.

Por prilli ishte gjithashtu pikërisht muaji kur opsioni i ndarjes filloi të përflitej në media, sado që kryeministri Haradinaj e mohoi të ishte në dijeni për diç të atillë dhe e hodhi poshtë si opsion. Një muaj më vonë, gjatë një ligjërate në Universitetin e Oksfordit, Thaçi u shpreh se Kosova është gati për kompromis. Më vonë në Prishtinë ai shtoi se marrëveshja do të ishte e dhimbshme, megjithëse e potencoi se Kuvendi do të kishte fjalën e fundit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Thaçi idetë që vetë i nxjerrë në shesh paradite, pasdite rend t’i mohojë dhe të distancohet prej tyre, duke i etiketuar si "fake news" variantet e ndarjes që ai vetë i ka nxjerrë në qarkullim.

Në të vërtetë, rravgimet e tij për këtë çështje duket të jenë intensifikuar kohëve të fundit, me sjelljen e tij që ta kujton një barsaletë të treguar nga ish-Presidenti i ShBA-së, Ronald Reagan, gjatë Luftës së Ftohtë, në të cilën një rus i lebetitur ia beh në KGB për të njoftuar se i kishte humbur papagalli. I habitur, agjenti i KGB-së i thotë që aty nuk është vendi i duhur dhe se me këto raste merret policia lokale. “E di, e di, vetëm erdha t’ju them se nuk pajtohem me asnjë fjalë të asaj që ka për ta thënë papagalli im!”

Ngjashëm me qasjen e parapëlqyer nga një president më bashkëkohor i ShBA-së, Thaçi idetë që vetë i nxjerrë në shesh paradite, pasdite rend t’i mohojë dhe të distancohet prej tyre, duke i etiketuar si “fake news” variantet e ndarjes që ai vetë i ka nxjerrë në qarkullim. Krejt rishtazi, ai tërë kësaj çështjeje ia gjeti një emër të ri – e emërtoi “korrigjim kufijsh” – as ndarje, as shkëmbim.

Përkundër kësaj loje me ndryshim qëndrimesh brenda ditës dhe me mospërjashtim të prerë të mundësisë së ndarjes, Presidenti s’ka rreshtur së akuzuari mediat, duke e akuzuar grupin medial “Koha” se po e përdor diskursin e njëjtë sikurse të homologut të tij Vučić. Si rrjedhojë, “Koha” vendosi të ndërpret çdo komunikim zyrtar me presidentin dhe zyren e tij, duke e shtyrë Thaçin që të kërkojë falje, i cili tha se qëllimi i tij nuk kishte qenë të fyente askënd.

Një tjetër temë që presidenti ka qenë i zëshëm kohëve të fundit është tema e bashkimit kombëtar shqiptar. Në një intervistë për gazetën tiranase, “Tema”, ai u shpreh se bashkimi kombëtar nuk është tabu e në një intervistë tjetër për televizionin shqiptar, “Top Channel”, deklaroi se shpreson që Shqipëria do të pozicionohet në favor të vullnetit të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Thaçi gjithashtu ka parashtruar idenë e nxjerrjes së propozimit të shkëmbimit territorial në një referendum publik. Megjithatë, kushtetuta e Kosovës aktualisht nuk e lejon një veprim të këtillë, që do të thotë se paraprakisht duhet bërë ndryshime kushtetuese. Ndryshimet në kushtetutë kërkojnë dy të tretat e shumicës së votave në Kuvend, një skenar i pamundur, marrë parasysh kundërshtimin e gjerë kundrejt këtij plani në mesin e spektrit politik kosovar.

Pozicionimet ndërkombëtare

Hashim Thaçi, në një mënyrë a tjetër, e ka lënë të nënkuptueshëm edhe faktin se mundësia e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është lënë e hapur nga vetë akterët e mëdhenj ndërkombëtarë.

“Deklarimi i sinqertë dhe shumë i përgjegjshëm i ambasadorit të ShBA-së, duhet të merret seriozisht nga të gjithë, pa dallim”, ka thënë presidenti Thaçi, duke komentuar intervistën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, dhënë në KTV më 19 korrik, në të cilën ai nuk e përjashtoi mundësinë e ndarjes, duke shtuar se “nuk do të flasë rreth elementeve të marrëveshjes përfundimtare”.

OKB-ja nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. Farhan Haq, zëdhënësi i OKB-së, nga Nju-Jorku tha: “Ne përkrahim çdo lloj diskutimi midis Prishtinës dhe Beogradit që merret me çështjen e statusit të Kosovës dhe ne inkurajojmë palët që ta diskutojnë këtë çështje”.

Thaçi e ka bërë të qartë njashtu se edhe Rusia e përkrah cilëndo marrëveshje që e arrijnë dy palët, duke thënë se në takimin që kishte me Dimitry Medvedevin në Ankara gjatë inaugurimit të Presidentit turk Erdoğan, kryeministri rus i ka thënë se nëse Kosova dhe Serbia merren vesh mes veti, pozicioni rus do jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e përbashkët.

Akterë të tjerë ndërkombëtarë, megjithatë, e kundërshtojnë haptazi idenë në fjalë. Ambasada Britanike e ka bërë të qartë se Britania e Madhe beson se thirrjet për ndryshime kufitare mund të jenë destabilizuese, ndërsa Ambasada Gjermane ka folur gjithashtu kundër kësaj ideje, sikundër që është shprehur dhe vetë kancelarja gjermane.

Refuzimi politik

Në frontin e brendshëm, në Kosovë, pothuajse që të gjitha partitë politike e kanë hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes ose shkëmbimit të territoreve që nga fillimi.

Pasardhësi i Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veseli, i cili njëherazi është kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se “ndarja e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë në tryezën e bisedimeve”. Në fakt, nga radhët e PDK-së, idenë e Thaçit e ka përkrahur publikisht vetëm ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili, ndonëse u deklarua kundër ndarjes, tha se Kosova do ta përkrah vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Nga partnerja e PDK-së në koalicionin qeveritar, AAK-ja, kryeministri Haradinaj dhe nënkryetari i partisë, Daut Haradinaj, janë deklaruar kundër mundësisë së korrigjimit të kufijve, duke paralajmëruar se kjo do të shpinte drejt luftërash të reja. Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili kryeson partinë e koalicionit, Nisma Socialdemokrate (më parë e njohur si NISMA) ka deklaruar gjithashtu se idetë për shkëmbime territoriale janë të papranueshme.

Nga ana tjetër, opozita ka qenë disi më e rezervuar në gjykimin e veprimeve të fundit të Presidentit Thaçi. Kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se “nuk është koha për ndarje dhe shkëmbim territoresh”, por nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, e ka ngritur zërin në mbështetje të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, madje duke mëtuar se këtë ide e ka pasur ai që para Thaçit.

Vetëvendosje, ndërkohë, ka paralajmëruar protesta kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve, me liderin Albin Kurti që ka thënë se “idetë për shkëmbim territoresh apo korrigjim të kufijve më shumë janë në funksion të një lloj krijimi të atmosferës ku një status special për veriun e Kosovës bëhet më i kollajshëm në emër të një premtimi për kompensim në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i cili nuk do të ndodhë”.

E vetmja parti që pa mëdyshje është shprehur në favor të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, është Lëvizja për Bashkim (LB), e cila nuk ka përfaqësues të zgjedhur në Kuvend. Udhëheqësi i partisë, Valon Murati, ka thënë se duhet të njihet e drejta e vetëvendosjes për serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Serbisë.

Ndër të rallët intelektualë që e përkrahën idenë e shkëmbimit është akademik Rexhep Qosja, i cili shkroi se shqiptarët duhet ta pranojnë idenë e shkëmbimit të territorit, përndryshe Serbia do ta marrë si Luginën e Preshevës ashtu edhe autonominë për Veriun e Kosovës.

Pamja nga Beogradi

Por si po rrjedhin gjërat kah Serbia vis-à-vis kësaj çështjeje? Presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vučić, muaj më parë zuri ta përgatiste opinionin serb për mundësinë e njohjes së shtetësisë së Kosovës, por pak ditë më pas tha: “Më brengos fakti që Thaçi beson se Mitrovica veriore ose Leposaviqi nuk i përkasin Serbisë”, duke folur në mënyrë implicite për ndarjen.

E kur u pyet për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe për pretendimet kosovare ndaj Luginës së Preshevës, ai u përgjigj me shpoti, duke bërë pyetje retorike se mos kosovarët “kanë menduar edhe për Vojvodinën, Beogradin e Shumadinë?”

Në anën tjetër, Ivica Dačić, ministri i jashtëm serb, tha se “Thaçi do dialog dhe përpiqet për kompromis, por nuk po e përkrahin të tjerët”, gjersa pak ditë më parë deklaroi se “s’do të kemi moment më të mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, duke u munduar kësodore ta qetësojë opinionin publik serb. Megjithatë, kryeministrja serbe, Ana Brnabić, më pas ka thënë se ndarja e Kosovës është thjesht qëndrim i Dačićit dhe se qeveria serbe akoma nuk ka vendosur për qëndrimin e vet zyrtar.

Pavarësisht garancive të kryeministres, ka pasur njëfarë reagimi në Serbi dhe Presidenti Vučić ka folur edhe për media rreth idesë së njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe shkëmbimit të mundshëm territorial. Ai tha se nëse serbët nuk pajtohen që kufiri me Kosovën duhet demarkuar, atëherë “le të përgatitemi që ta mbrojmë Vranjën pas 40 vitesh”.

Vučići gjithashtu u takua me Patriarkun Irinej, kreun e Kishës Ortodokse Serbe, me të cilin e sqaroi tërë situatën e krijuar në raport me Kosovën. Më parë, abati i Manastirit të Deçanit, Sava Janjić, kishte paralajmëruar për një incident të cytur ndërsjelltazi, i cili do të çonte në ndarjen e Kosovës.

Sa i përket opozitës, Vuk Jeremić nga Partia Popullore Serbe dhe ish-ministër i jashtëm serb, ka thënë se nuk do ta pranojnë as ndonjë zgjidhje që e parasheh pranimin e Kosovës në OKB. Lideri tjetër opozitar serb, Čedomir Jovanović nga Partia Liberale, i cili që moti është shprehur pro njohjes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se në shtator do ta krijojë një koalicion opozitar që do të dalë me një zgjidhje për çështjen e Kosovës.

Njerëzit në terren

Por një tjetër element i rëndësishëm në këtë drejtim është qëndrimi i dy popullsive – shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe serbëve të Kosovës. Në fund fare a s’janë vallë vetë ata që do të jetojnë në njërin apo tjetrin shtet?

Sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfaqësuesit e tyre politikë këto ditë i kanë takuar që të gjithë liderët politikë të Kosovës, me ç’rast në secilin takim është konfirmuar mbështetja e Kosovës për shqiptarët e Luginës.

Sa i përket mundësisë së bashkimit me Kosovën, që të gjithë liderët shqiptarë nga Lugina janë deklaruar pro bashkimit me Kosovën, ndonëse kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë së fundi se një bashkim i atillë do të mund të paramendohej vetëm nëse Lugina e Preshevës bashkohet si e tërë (dmth me territorin e plotë të tri komunave shqiptare në Serbi) dhe se çdo bashkim i pjesshëm do të sjellte pasoja të rënda.

Kërkesat e kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifit, ishin edhe më të mëdha – ai tha se të tri komunat me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës duhet të bashkohen me Kosovën, porse Serbia të mos marrë asgjë nga Kosova.

Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se secila ndarje ose korrigjim kufijsh do ta linte shumicën e popullatës serbe të Kosovës në jug të lumit Ibër me një zgjidhje të vetme - eksodin.

Nga ana e udhëheqësve serbë të Kosovës, partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, javë më parë u shpreh haptas në favor të ndarjes së Kosovës, pas një takimi të mbajtur me Presidentin Vučić në Beograd.

Sidoqoftë, të tjerë liderë politikë serbë të Kosovës kanë folur kundër ndarjes. Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajković, ka thënë se secila ndarje ose korrigjim kufijsh do ta linte shumicën e popullatës serbe të Kosovës në jug të lumit Ibër me një zgjidhje të vetme – eksodin. Ndërkohë, ish kreu i Listës Serbe, Aleksandar Jablanović nga Partia Serbe e Kosovës nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Presidentit Vučić, ka thënë se serbët e Kosovës nuk kanë frikë nga shqiptarët por nga Beogradi, duke e vazhduar një armiqësi të gjatë me presidentin serb.

Me të dyja shoqëritë e ndara, duket e pashmangshme që një shkëmbim territori do të lë pas pakënaqësi nga të dy anët dhe se ndarja potenciale përgjatë lumit Ibër nuk do të garantonte stabilitet afatgjatë në marrëdhëniet midis dy shteteve.

A do të provojnë dy presidentët që të ravijëzojnë kufirin mbi këto prerekuizita demografike dhe gjeopolitike? Ngelet për t’u parë. Ajo që është e sigurt është fakti që të dy presidentët, si Thaçi ashtu dhe Vučići, duken të vetëm në këtë tentativë aktuale. Një herë për një herë.

Në Kosovë, kundër mundësisë së një shkëmbimi territoresh janë që të gjitha partitë kryesore të shumicës dhe opozitës. Kundër janë deklaruar edhe pjesa më e madhe e shoqërisë civile. Ani pse jo të gjithë e kundërshtojnë këtë propozim nisur nga motive të njëjta, do të jetë shumë e vështirë që një propozim i tillë të pranohet nga opinioni publik kosovar.

Imazh: Atdhe Mulla / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.