Pikëpamje

A mundet vërtet ta tërheqë Republika e Çekisë njohjen e Kosovës?

Nga - 21.09.2019

Zeman ia kthen shpinën trashëgimisë, por ballafaqohet me ligjin ndërkombëtar.

Presidenti i Republikës së Çekisë, Miloš Zeman, demonstroi stilin personal të politikës së jashtme gjatë vizitës diplomatike që e bëri në Serbi më 11 shtator.

Përkundër marrëdhënieve të mira që ka vazhduar t’i ndërtojë dhe t’i mirëmbajë diplomacia çeke me Republikën e Kosovës tash sa vjet – Çekia e njohu Kosovën si shtet në maj 2008 – u deshën vetëm disa fjali nga presidenti për të shkaktuar huti të madhe. 

Duke folur në një konferencë për shtyp bashkë me Presidentin serb Aleksandar Vučić disa minuta pasi arriti në Beograd, Zeman e shprehu mospëlqimin e tij për Kosovën:

Vučić: “Jemi shumë të lumtur dhe shumë të kënaqur që po ju shohim këtu.”

Zeman: “Është kënaqësi për mua. Më pëlqen Serbia.”

Vučić: “E dimë-“

Zeman: “Dhe populli serb.”

Vučić: “-e dimë që na mbështetni.”

Zeman: “Nuk më pëlqen Kosova.”

Vučić: “Falemnderit shumë. Ju dëshirojmë gjithë të mirat.”

Zeman: “Oh, po.”

Me një hyrje të tillë, ai e fitoi një reputacion të shkëlqyer në Serbi.

Zeman shkaktoi edhe më shumë befasi gjatë konferencës për shtyp kur premtoi se do të diskutonte me zyrtarët kushtetues çekë për mundësinë që Republika e Çekisë ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur – ide kjo që menjëherë u kundërshtua nga ministri i jashtëm i Republikës së Çekisë, por sipas Zeman, ajo mbështetet plotësisht nga Lubomir Metnar, ministri i mbrojtjes.

Deklaratat e Zeman shkaktuan trazira në Republikën e Çekisë, pasi ai personalisht e mori vendimin, gjatë kohës kur ishte kryeministër në pranverë 1999, për të marrë pjesë në operacionin e bombardimeve kundër Jugosllavisë. Të gjithë përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s – përfshirë këtu Zeman – kishin mundësinë për të vënë veto mbi bombardimin e Serbisë në atë kohë.

Pas deklaratave të fundit të Zeman, Kryeministri çek Andrej Babiš deklaroi se nuk shihte arsye pse qeveria çeke duhej ta ndryshonte qëndrimin dhe ta revokonte njohjen e pavarësisë së Kosovës, por se zyrtarët kushtetues sigurisht që do ta diskutonin këtë çështje. Kryeministri e tha këtë në një konferencë për shtyp në Pragë, pas bisedimeve me kryeminisrat e shteteve të tjera të Grupit Visegrád (Republika e Çekisë, Sllovakia, Polonia, Hungaria) dhe të Ballkanit Perëndimor.

Ish-Kryeministri çek Mirek Topolánek, qeveria e të cilit e njohu Kosovën si shtet ë 2008, reagoi në Twitter:

“Miloš, nuk do ta korrigjosh bombardimin e Beogradit. Nëse je duke u hequr si budallë, të lutem mos na përfshij ne…”

Serbia me sa duket ka qenë mjaft e suksesshme në reduktimin e numrit të shteteve njohëse.

Disa thonë se këto janë vetëm deklarata boshe që kanë për qëllim ta ngrenë reputacionin e Zeman në mesin e vëllezërve të tij sllavë, të cilët i lëvdon aq shumë. Ndoshta… por prapëseprapë i kemi dy probleme të mëdha këtu.

Njëri lidhet me pozitën e Republikës së Çekisë në çështje ndërkombëtare, sepse Republika e Çekisë e humb legjitimitetin demokratik, kur një individ flet pa u koordinuar me qeverinë dhe divergjon nga agjenda e jashtme e shtetit. Kjo është politikë veçanërisht joetike për një president të një demokracie parlamentare si Republika e Çekisë. 

Tjetri është fakti që një deklaratë e tillë mund të shkaktojë një efekt domino që do ta kënaqte Serbinë, pasi që tashmë dihet se ky shtet ka investuar shumë në fushatat kundër njohjeve të Kosovës. Kjo u bë e ditur si rrjedhojë e skandalit në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ), ku mediat lokale zbuluan një pagesë prej 350,000 eurosh nga qeveria serbe për ministrin e jashtëm të RAQ-së, në shkëmbim të një deklarate verbale nga ana e tij për “çnjohjen” e Kosovës. 

Për më tej, Serbia me sa duket ka qenë mjaft e suksesshme në reduktimin e numrit të shteteve njohëse. Përderisa pavarësinë e Kosovës ende e mbështesin shtetet e mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së, sipas Beogradit, njohjet janë tërhequr nga 15 shtete anembanë botës, përfshirë këtu Madagaskarin, Surinamin, Burundin dhe Papua Guinenë e Re.

Qershia mbi tortë, në vizitën e Zemanit në Serbi, ishte kur gjatë konferencës për shtyp e përmendi dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ftesës për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. “Më lejoni ta shpreh një mendim personal por edhe më të fuqishëm, se një shtet që drejtohet nga kriminelët e luftës nuk i përket komunitetit të shteteve demokratike”, tha ai.

Presidenti serb Aleksandar Vučić e falenderoi Zemanin për këtë qëndrim të drejtpërdrejtë. 

Por këtu Zeman ishte i ulur dhe po negocionte me një propagandist të aftë, i cili po e portretizon vendin e tij para botës si viktimë, duke i shfrytëzuar aftësitë narrative për ta ngritur reputacionin e tij politik – duke e portretizuar vetën njëkohësisht si viktimë dhe shpëtimtar.

Nuk është fshehtësi që Zeman po mundohet t'ia kushtojë Lindjes pjesën më të madhe të vëmendjes së tij, veçanërisht Rusisë dhe Kinës.

Ishte i ulur dhe po negocionte me dikë që refuzon ta pranojë se gjenocidi në Srebrenicë u krye kundër njerëzve të pafajshëm. Ishte i ulur dhe po negocionte me dikë që po akuzohet nga populli i tij për autoritarizëm dhe censurim të mediave. Ishte i ulur dhe po negocionte me dikë që ka shërbyer si ministër në qeverinë e Slobodan Milošević-it, i cili vetë ishte akuzuar formalisht 29 herë, përfshirë këtu akuza për gjenocid, bashkëfajësi në kryerjen e gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të rënda të konventës së Gjenevës.

Kjo vetëm tregon sa pak ka ndryshuar politika serbe prej 1990-ave, pavarësisht pretendimeve të presidentit “proevropian” serb, i cili Zemanit i duket “lider i madh”. 

Identifikimi i rrënjëve të qëndrimit të Zeman ndaj Kosovës

Zeman është figurë mjaft e diskutueshme në politikën çeke, pasi ka divergjuar nga agjenda zyrtare në disa raste. Ndonëse më parë ka vepruar si mbështetës i Bashkimit Evropian, në vitet e fundit ai e ka kritikuar më shumë.

Në vitin 2018, para se të fillonte mandati i dytë i tij si president i vendit, opinioni publik ishte se zgjedhja e tij si president do të krijonte kushte më të favorshme që timoni gjeopolitik të kthehej drejt Lindjes. Sot nuk është fshehtësi që Zeman po mundohet t’ia kushtojë Lindjes pjesën më të madhe të vëmendjes së vet, veçanërisht Rusisë dhe Kinës. Në këtë aspekt, është shumë e qartë dhe e kuptueshme ajo që e shtyu Zemanin t’i shprehte këto mendime kundër Kosovës në Beograd.

Është e ditur gjithashtu se në Serbi takohen tregtia e Kinës dhe interesat gjeopolitikë të Rusisë: Kina po luan rol gjithnjë më aktiv në Serbi, si pjesë e zgjerimit të ndikimit të saj në Evropën Qendrore dhe Lindore. Në anën tjetër, Rusia ka pasur ndikim mbi Serbinë me shekuj të tërë.

Për më tej, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Rusia ishte aleati i vetëm i rëndësishëm i Serbisë. Ajo i dha Serbisë mundësinë për t’u ngritur pas izolimit që po ia shkaktonte Perendimi.

Pra me sa duket, kjo është një situatë e përkryer për një burrë i cili me shumë dëshirë provokon dhe nxit polemika pa vlerë. Ku ka më mirë se ta gjejë një partner i cili i ndan të njejtat mendime dhe vlera?

A është e mundshme të tërhiqet njohja?

Njohja bëhet me vendim unilateral që mund të jetë eksplicit ose implicit – në mënyrë që një shtet të ekzistojë në komunitetin ndërkombëtar, duhet të njihet nga shtetet e tjera. Kur të njihet, i bie që shteti i njohur ose qeveria e tij ka të drejta dhe privilegje që jepen nga ligji ndërkombëtar.

Pas Konventës së Montevideos për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (1933) – që u nënshkrua vetëm nga shtetet amerikane, por është pranuar universalisht si shpallje e përsëritur e ligjit zakonor ndërkombëtar – secili shtet duhet t’i shfaqë disa veçori thelbësore që quhen “atribute të shtetësisë”, në mënyrë që shtetet e tjera ta njohin pavarësinë e tij.

11 vjet kanë kaluar prej kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, dhe kjo pavarësi tani është bërë fakt i fortë dhe i padiskutueshëm. Kosova i përmbush kriteret e shtetësisë dhe me sukses e ka themeluar veten në skenën ndërkombëtare.

Neni 6 i Konventës së Montevideos thotë se “njohja e një shteti thjesht tregon që shteti njohës e pranon personalitetin e tjetrit me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara nga ligji ndërkombëtar”. 

E rëndësishme është pjesa që pason: “Njohja është e pakushtëzuar dhe e paanulueshme”. 

Një rast si ky, ku Republika e Çekisë tani po e konsideron revokimin e njohjes së saj për shtetësinë e Kosovës, mund të karakterizohet si rast ku interesat politikë po mbizotërojnë para respektit për ligjin ndërkombëtar.

Presidenti duhet ta përfaqësojë shtetin jashtë vendit në përputhje me interesat dhe politikat zyrtare shtetërore.

Republika e Çekisë kurrë nuk e ka revokuar njohjen për ndonjë shtet në të kaluarën. Qeveria çeke, nëpërmjet Rezolutës Nr. 635 të 21 majit të vitit 2008 e njohu Republikën e Kosovës dhe u pajtua të themelonte marrëdhënie diplomatike. Kjo ishte njohje de jure, domethënë njohje e plotë dhe finale e shtetit.

Ministria e Punëve të Jashtme theksoi gjithashtu se Republika e Çekisë i ka arritur disa marrëveshje të rëndësishme me Kosovën. “Republika e Çekisë ka interes të qartë për t’i ruajtur marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë këtu obligimet e të dyja palëve që burojnë prej këtyre marrëveshjeve”, u tha në deklaratën e Ministrisë pas deklaratave të Zeman.

Po ta tërhiqte Republika e Çekisë njohjen e saj për Kosovën, zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të karakterizohej me vështirësi të papërfytyrueshme.

Presidenti duhet ta përfaqësojë shtetin jashtë vendit në përputhje me interesat dhe politikat zyrtare shtetërore. Shtrohet pyetja: Çfarë interesash përfaqëson realisht Miloš Zeman kur bisedon për Kosovën në Serbi?

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.