Çdo mëngjes, para se të zgjohet, ia hapi derën e dhomës me kujdes të madh, mos po ia prishi gjumin. Ka diçka magjike n’fytyrën e tij kur flen, mbase ma kujton kohën kur ka qenë i vogël. Mandej, me vëmendje e ndigjoj si lëviz, e ka nji ritëm të caktum të hapave kur del prej dhomës dhe e mbyllë derën, kur i lan dhambët, fytyrën, i kreh flokët. E njoh këtë ritëm ma mirë se frymën teme. Dhe megjithatë, çdo ditë kam dilema. Ndoj ditë m’duket që jam tepër e butë si prind. E lejoj me notu kudo, në rrjete, në biseda që s’i kuptoj, në botë që nuk më kërkon ma as si prind e as si dëgjues. Ndoj ditë, m’kap ankthi. Ia kontrolloj çantën, dollapet, rrobat — analizoj çdo gja, deri te mënyra qysh m’përshëndet në mëngjes.
Nuk di çka asht normale ma për nji 17-vjeçar, e as për nji prind të nji 17-vjeçari. Koha po i turbullon krejt kufijtë që dikur na dukej se i njihnim. S’jam e sigurt nëse ka mbet ndonji vijë e qartë mes asaj që quhet kujdes dhe asaj që rrëshqet në frikë dhe ankth. “Fazë asht” m’thojnë shoqet që kanë fëmijë ma të mdhej, adoleshenca kështu e ka. Por unë shpeshherë e ndiej që s’asht punë faze apo moshe — asht gjuha që zbehet, pamja që ndryshon, mendimet që nuk thuhen. Janë përgjigjet e shkurta “mirë”, “kurrgjo”, “send”, që t’bajnë me mendu se ke mbetë veç nji spkektatore që lutet, dhe lutet, dhe lutet mos me i ndodhë asgja e keqe.
E di që s’jam e vetme n’këtë udhëtim. E ndiej qysh po lodhemi prej nji bote që po shpërbahet e tëhuajësohet para syve tanë, pa na lanë kohë as me kuptu qysh me u mbrojtë dhe me i mbrojtë fëmijët. Dhe kjo ndjenjë e hutisë asht e përbashkëta e prindve të adoleshentëve. Po bahet normë që fëmijët mos të flasin me neve, të rriten me fytyra tjera, me autoritete të padukshme që ne nuk i shohim, por ndikimin e ndiejmë në secilën përgjigje që s’vjen dhe në secilin vështrim që shmanget.
E pashë serialin “Adolescence” me regji të Philip Barantini, i shkrum prej Stephen Graham dhe Jack Thorne, me nji frymë, mbase jo për shkak të ngjarjes që shtjellon, por për mënyrën qysh e shfaq frikën që ne nuk e kemi emërtu ende. Frikën që ndoshta jemi duke i humbë lidhjet me fëmijët tanë. Seriali nis me arrestimin e Jamie Miller, që interpretohet prej aktorit Owen Cooper, nji djalë 13-vjeçar, për vrasjen e shoqes së klasës, Katie. Por nuk asht “kush e bani” ajo që trondit, por “pse ndodhi”. E përgjigjja asht aq afër — Jamie u radikalizu online, në heshtje, me përmbajtje që ushqen urrejtjen ndaj grave dhe maskulinitetin toksik, derisa prindët s’dinë kurrgja.
Në katër episode t’randa, e kupton se dhoma s’asht ma strehë, po terren ku ndërtohet urrejtja, ku fëmija yt ushqehet me mizogjini, bullizëm e nxitje të dhunës, që vijnë prej forumeve e videove që ti s’i njeh, prej komenteve që ti s’i kupton dhe prej emojis që duken krejt të pafajshme. Asht tregimi i nji babe që nuk e kupton ku ka gabu. I nji nane që vazhdimisht ngre dilema “a jam nanë e mirë”. I nji familjeje që përpiqet me i dhanë kuptim nji bote t’panjohun. Megjithëse seriali nuk t’jep përgjigje, ai të detyron me i ba pyetjet që s’ke guxu kurrë me i ba; t’kthehet në pasqyrë të pamëshirshme, por të domosdoshme.
Pas transmetimit, mediet ma prestigjioze britanike si gazetat The Guardian, The Times, si dhe transmetuesi publik britanik, BBC e trajtun me analiza të thella serialin, duke e kategorizu si nji prej pasqyrimeve ma të sakta të krizës në të cilën po kalojnë djemtë sot. Në rrjete sociale, shumë prindër e mësimdhënës/e nisën me i nda historitë e veta, duke dëshmu që historia e Jamie s’asht veç e nji karakteri fiktiv, por nji realitet i hidhun që po troket edhe n’dyert tona.
Dhoma — vatër e zemërimit të heshtun
Ky serial m’i kujtoi rastet që i kemi këtu, para syve tanë. Jamie nuk jeton në Kosovë, por mundet me qenë ai djali 19-vjeçar prej Vushtrrisë, i cili veç para pak ditësh dyshohet se e vrau shokun e vet, moshatar. U raportu se viktima e kishte ftu dorasin në nji takim me u sqaru, por takimi u kthye në tragjedi. Apo ai i djali tjetër, po ashtu 19-vjeçar i Klinës, që dyshohet se vrau dy djem tjerë të rinj, në mars 2025.
Çka po i ban djemtë me besu se vetëm dhuna u jep peshë?
Kemi nisë me konsumu dhunën si pjesë të zakonshme të lajmeve, por askush nuk pyet: çka po ndodh me djemtë tanë? Çka po i ban me besu se vetëm dhuna u jep peshë? Paraqitja e tyne “e qetë”, “të mbyllun në dhomën e vet” duket se nuk asht e tillë. Sepse dhoma asht ba dritare drejt nji bote që ne nuk e njohim. Bota virtuale, ku ata ekspozohen ndaj ndikimeve që i përforcojnë narrativat e dhunës dhe dominimit, botë prej nga hyjnë njerëz si Andrew Tate, ish-kampion i kick-boksit, ndër tjera, i akuzum për përdhunim, trafikim me qenie njerëzore dhe për formimin e nji grupi të krimit të organizum për t’i eksploatu gratë.
Tate e përzien imazhin e milionerit “self-made” (t’bam vetë) me propagandën mizogjene, duke u shndërru në nji idhull toksik për djemtë e rinj, që kërkojnë identitet në dhunë dhe përbuzje ndaj grave. Mund të mendojmë se Tate asht nji fenomen i largët, i kufizum në ekranet e TikTok-ut dhe YouTube-it, por realiteti asht krejt ndryshe.
Nji artikull i Radios Evropa e Lirë (REL) zbulon se ndikimi i tij ka depërtu thellë edhe në Kosovë. Kur nga REL kishin pyetur në nji klasë të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, se sa prej nxënësve e njihnin Tate, 21 nxënës kishin ngritur duart, që përbënte rreth 60% të klasës. Disa djem, sipas REL, e konsiderojnë atë si model të fuqisë mashkullore, duke e quajtur “babë” apo “Top G”, derisa vajzat e shohin krejt ndryshe — si “njeri primitiv”.
Kjo ndarje ilustron polarizimin e thellë që ai shkakton në mesin e të rinjve dhe ngre shqetësime serioze për rolin të cilin e kanë influencuesit me mesazhe mizogjene në formimin e identitetit dhe qëndrimeve të gjeneratës së re.
Shoqëria jonë mbetet patriarkale, me rregulla të ngurta gjinore, ku të jesh burrë nënkupton të jesh patriark, dominues, i fortë dhe mbajtës i familjes.
Algoritmi nuk e shpërblen ndjeshmërinë, por ekstremet. Në këtë formë ndërtohet zemërimi, jo si shpërthim i papritun, por si edukim i heshtun, i përditshëm, i pamëshirshëm. Krejt këto tendenca bahen edhe ma të rrezikshme për shkak të kontekstit tonë socio-kulturor. Shoqëria jonë mbetet patriarkale, me rregulla të ngurta gjinore, ku të jesh burrë nënkupton të jesh patriark, dominues, i fortë dhe mbajtës i familjes. Ndjenjat nuk bahen llaf. Por kur ndjenjat shtypen, ato nuk zhduken. Ato fermentohen. Dhe shpërthejnë. E në këtë rend patriarkal, ndonëse kryesisht gratë dhe vajzat kanë qenë dhe janë viktima, nuk domethanë që djemtë dhe burrat e sotëm po kalojnë pa pasoja.
Patriarkati i dëmton krejt, secilin në mënyrën e vet. Ky zingjir dhune e shtypjeje emocionale në terrenin tonë gjen tokë edhe ma pjellore. Statistikat në Kosovë flasin qartë. Pas vitit 2020, institucionet dhe organizatat kanë vërejtë shtim të rasteve të dhunës dhe agresionit mes të rinjve në Kosovë.
Nëpër shkolla dhe rreth tyre, nga Policia e Kosovës (PK) gjatë vitit 2024, janë evidentu 577 incidente të dhunshme, nga 564 vitin paraprak. Pra, edhe brenda shkollave ku supozohet se fëmijët i kemi të sigurt.
Por dhuna nuk ndalet me kaq. Prej korrikut 2023 deri në qershor 2024, në PK janë raportu 2,856 raste të dhunës në familje. Viktimat janë kryesisht gratë, por edhe fëmijët — ata që shpesh mbesin të padukshëm në statistika, por që i ndiejnë pasojat në heshtje.
Në rrugë dhe lagje, pasojat bahen edhe më të dukshme: vetëm gjatë vitit 2023, janë regjistru 1,992 raste, ku autorë të dyshum për vepra penale ishin të mitur.
Të padukshëm, por viktima po ashtu, pos shkollave edhe brenda shtëpive. Sipas UNICEF, 70% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë ndonjë lloj dhune gjatë disiplinimit, përfshirë edhe sulmin psikologjik dhe/ose ndëshkimin fizik. Shtatëdhjetë përqind. Nuk janë veç shifra. Asht fëmija jem. I yti. I fqinjit. I mësueses. Dhe kur fëmijët e mësojnë dhunën në shtëpi, s’ka disiplinë as autoritet në shkollë që e mundet me e çrrënjosë këtë fenomen.
A po rritet nji brez djemsh që ndihen të panevojshëm dhe të padobishëm?
Po e rrisim nji brez djemsh që ndihen t’panevojshëm. E kjo s’asht krizë veç e tyne, asht krizë e krejt shoqnisë. Se djemtë që ndihen t’pavlefshëm, nesër s’kanë me ditë me ndërtu marrëdhanie t’shëndetshme. S’kanë me u ba prindë t’mirë. S’kanë me ndërtu shoqni t’mirë.
Sipas raportit Understanding Young Men and Masculinities in the Balkans, që analizon se si rriten djemtë dhe si perceptohet e manifestohet burrnia në Ballkan, i publikum prej CARE International Balkans dhe Promundo-US, në vitin 2014, djemtë e rinj në Ballkan përballen me nji krizë shumëdimensionale që i shpie drejt izolimit social, problemeve të shëndetit mendor dhe sjelljeve të rrezikshme.
Disa prej elementeve kyçe janë papunësia dhe mungesa e mundësive — elemente që mbesin të pranishme edhe sot. Si pasojë, djemtë e rinj janë të paaftë t’i përmbushin pritshmëritë tradicionale, që janë ende të ngulituna thellë në shoqëri, si “burra të shtëpisë” dhe bartës të përgjegjësive financiare. Kjo, sipas raportit, ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e turpit, depresionit, sjelljeve antisociale, abuzimin me substanca dhe, në disa raste, çon edhe drejt mendimeve për vetëvrasje.
Dhe kur nuk sheh vlerë as te puna, as te vetja, as shkolla s’mbetet ma strehë. Për shembull, në Britani, sipas Anketës Vjetore të Shkrim-Leximit, leximi për qejf ka shënu rënie të madhe, sidomos te djemtë, ku vetëm 28.2% e tyre kanë thanë se lexojnë për qejf, në krahasim me 40.5% te vajzat. E në Kosovë, sipas vlerësimit të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) për vitin 2022, vajzat i tejkaluan djemtë me 25 pikë.
Por problemi shkon përtej leximit. Mënyra si socializohen djemtë, si mësohen me i mshefë ndjenjat dhe me i shtyp emocionet i çon drejt izolimit.
Përveç serialit “Adolescence”, në Britani vëmendje të madhe tërhoqi edhe raporti i publikum po ashtu në mars 2025 nga Centre for Social Justice (CSJ) organizatë konservatore e përqendrume në hulumtime rreth politikave sociale. Raporti, i titullum “Lost Boys” (Djemtë e humbun), ka ba bujë jo veç për përmbajtjen, por edhe për faktin se vjen prej nji institucioni që tradicionalisht ka pasë ndikim n’agjenda shtetnore. Menjiherë mbas publikimit, gjetjet u raportun gjerësisht nëpër medie, duke ndezë debat publik rreth djemve që po humbin, tekstualisht, jo metaforikisht.
Ky raport tregon që djemtë kanë dyfish më shumë gjasa me u përjashtu nga shkolla. Gjanat s’janë shumë ndryshe as në Kosovë, ku dallimi midis djemve dhe vajzave sa i përket rrezikut për braktisjen e shkollimit të mesëm po rritet për çdo vit — në vitin akademik 2018/2019, 78.7% të të gjithë nxënësve që braktisën shkollimin ishin djem.
Edhe kur s’janë as viktima, as agresorë, djemtë mbesin të humbun n’ekranet e telefonave, duke ndjekë modele burrash që shpërndajnë urrejtje e përçmim.
Po ashtu, ka lëvizje interesante në tregun e punës. Në Britani, në vitin 2022, sipas përmbledhjes në “Lost Boys” paga bruto e vajzave të grupmoshës 16-24 që punonin me orar të plotë ishte ma e lartë sesa e djemve të grupit të njëjtë socio-ekonomik. Ky rezultat reflekton përparimin e vajzave, por njikohësisht nxjerr në pah thellimin e krizës për djemtë. Derisa kjo ndodh, sipas raportit, edhe sektoret ku zakonisht kanë dominu djemtë në aspektin e punësimit si ndërtimtaria, bujqësia, industria, janë në rënie. Me fjalë tjera: djemve të rinj ka nis me iu humbë identiteti ekonomik.
Po nuk asht veç shkolla e puna. Mbi krejt këto, raporti “Lost Boys” e thekson mungesën e nji modeli të përshtatshëm atëror fillimisht në shtëpi pastaj në sistemin arsimor. Kjo mungesë nuk na fton me idealizu nji rend të vjetër patriarkal, por me kuptu se edhe djemtë kanë nevojë për figura që ua mësojnë ndjeshmërinë dhe jo dominimin. Krejt këta faktorë i çojnë djemtë drejt rrugëve të rrezikshme: janë ma të ekspozum ndaj dhunës, bullizmit e varësive. Edhe kur s’janë as viktima, as agresorë, mbesin të humbun n’ekranet e telefonave, duke ndjekë modele burrash që shpërndajnë urrejtje e përçmim.
Dhe kur s’ka motivim me vazhdu shkollimin, as përkrahje me ndërtu diçka këtu, djemtë ikin. Jo gjithmonë si rebelë, as si aventurierë, por shpeshherë si të padukshëm.
Në Kosovë, të dhënat mbi arsimin e lartë nxjerrin në pah nji disbalancë të thellë gjinore në dam të djemve. Për periudhën 2022–2023, prej 4,519 të diplomuarve në nivelin bachelor, vetëm 1,232 apo 27% kanë qenë djem, ndërsa pjesa dërrmuese, 3,287 apo rreth 73% vajza. Kjo shpërfaq mungesë të theksume të qëndrueshmërisë dhe përkushtimit akademik tek djemtë/burrat. Dhe kur s’ka motivim me vazhdu shkollimin, as përkrahje me ndërtu diçka këtu, nji pjesë e tyne ikin.
Jo gjithmonë si rebelë, as si aventurierë, por shpeshherë si të padukshëm. Sipas analizës statistikore të Institutit kërkimor GAP për migrimin e kosovarëve në Gjermani, i publikum në vitin 2023, mbi 177,000 burra të lindur në Kosovë kanë migru, krahasu me 153,000 gra midis viteve 2010-2022. Diferenca gjinore prej 8% mundet me u dukë e vogël, por bahet domethanëse kur e lidhim me moshën mesatare të migrimit ndër vite, e cila sillet midis 20-22 vjeç. Djem që s’kanë fillu as me jetu mirë po largohen.
Edhe pse burrat kanë pasë tradicionalisht pushtet e privilegje në shoqni, kjo s’duhet me na ba me injoru faktin që shumë prej djemve të sotëm po rriten të pambrojtun në nji botë që ka ndërru rrënjësisht, pa ua dhanë mjetet e duhuna me u përshtat me ndryshimin. Rregullat e lojës kanë ndryshu, por pritshmëritë mbi supe të djemve janë ende aty, si harta të vjetra që të çojnë udhëve që s’ekzistojnë ma.
Nëse ky trend vazhdon dhe djemtë rriten pa ndjesinë e vlerës, t’izolum dhe pa hapësinë me e gjetë vendin e vet në shoqni, atëherë nesër nuk kemi me pasë as burra të mirë, as prindë të mirë, as shoqni që e mban veten. Boshllëku ka me u mbushë, si gjithmonë, por shpesh me dhunë, ndaj vetes e ndaj tjerëve.
Këtë krizë, përveç raporteve e statistikave, e shohim përditë — në shkolla, në rrugë, në lajme. E ndiejmë kur fëmijët tanë na kalojnë pranë e nuk na shohin. Unë djalit tem ende ia dëgjoj hapat çdo mëngjes. Ende lutem. Por lutjet nuk mjaftojnë. As dashnia s’mjafton. Djemtë janë duke humbë para syve tanë derisa na përpëlitemi ndër iluzione se ende kemi kohë.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu/ K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.