Më 5 korrik, Ministria e Drejtësisë në Kosovë me krenari ia dorëzoi qeverisë draftin final të Kodit Civil, një prej dokumenteve më të rëndësishme juridik në sistemin e drejtësisë. Vetëm dy javë pas dorëzimit të dokumentit, kryeministri dha dorëheqje dhe kodi, i cili kodifikon aktet juridike në fushën e të drejtës civile, mbeti në pritje për një vendim për statusin e tij.
Procesi për ta sjellur në fuqi nuk do të jetë i lehtë për qeverinë e re, e cila pritet të formohet në fillim të vitit të ri.
Edhe pse Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë — sponsorët dhe mbështetësit më të mëdhenj të Kodit Civil — e kanë etiketuar Kodin e ri Civil si progresiv dhe si një përditësim shumë të nevojshëm të sistemit të drejtësisë, duket se politikëbërësit do të ballafaqohen me reagime të ashpra nga aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët ngulin këmbë që është fare pak përfshirës si legjislacion.
Kjo për shkak se drafti i ri i Kodit Civil nuk e njeh martesën ndërmjet dy personave të së njëjtës gjini.
Për aktivistët, dispozitat vetëm e përforcojnë diskriminimin me bazë ligjore ndaj personave gej në Kosovë.
Mundësi e humbur për ta mbyllur zbrazëtinë ligjore
Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ministria e Drejtësisë e nisën procesin e hartimit të Kodit Civil në vitin 2014. Një fazë e dytë e kodifikimit nisi dy vjet më vonë. Edhe në këtë fazë, BE-ja i ndihmoi grupit punues që u kryesua nga Ministria e Drejtësisë. Drafti final, i publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë, përfshin dispozita ligjore të së drejtës civile, të sistemuara në pesë “libra”: Pjesa e Përgjithshme, Detyrimet, Pronësia dhe të Drejtat Tjera Sendore, Familja, dhe Trashëgimia.
“Kosova [aktualisht] nuk ka Kod Civil të unifikuar”, shpjegoi Zyra e BE-së për K2.0. “Korniza ligjore e saj në fushën e të drejtës civile është një përzierje komplekse e akteve juridike të miratuara në periudha të ndryshme historike dhe të bazuara në tradita të ndryshme juridike”.
Përveç që i ka përditësuar disa pjesë të ndryshme të legjislacionit si Ligjin për Familjen dhe Ligjin për Pronësinë, kodifikimi gjithashtu synon të jetë më praktik si për qytetarët ashtu edhe për juristët, të cilët nuk kanë më nevojë të lexojnë ligje të ndryshme për ta kuptuar rregullimin e pronës dhe të drejtat e detyrimet tjera që lidhen me dispozitat ligjore për familjen dhe pronësinë.
Zyra e BE-së dhe Ministria e Drejtësisë vazhdimisht kanë deklaruar se prodhimi i Kodit Civil është i domosdoshëm si një mekanizëm juridik gjatë procesit të shtetndërtimit, që do t’i mbronte qytetarët në fushën e të drejtës civile, dhe se në këtë mënyrë do të ketë përmirësime në pjesë të ndryshme të legjislacionit në përputhje me standardet e BE-së.
"Nëse drafti aktual hyn në fuqi, Kodi Civil do ta përbëjë një ligj që është diskriminues dhe që shkel të drejtat themelore të njeriut për çiftet e së njëjtës gjini".
Rina Kika, avokate e të drejtave të njeriut
Megjithatë, avokatja për të drejtat e njeriut Rina Kika thekson se definicioni i martesës që është përfshirë në draftin final të Kodit Civil është identik me atë që është përfshirë më parë në Ligjin për Familjen — ku martesa definohet si lidhje mes një burri dhe një gruaje — dhe që nëse hyn në fuqi ky Kod, do t’u mohohen shumë të drejta çifteve gej.
“Ministria e Drejtësisë ka dështuar t’i konsiderojë obligimet pozitive të saj për t’i garantuar të drejtat e njeriut për çiftet të së njëjtës gjini që jetojnë në Kosovë, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi që drafti i Kodit Civil nuk parasheh ndonjë lloj njohje ligjore për këto çifte”, thotë Kika. “Prandaj, nëse drafti aktual hyn në fuqi, Kodi Civil do ta përbëjë një ligj që është diskriminues dhe që shkel të drejtat themelore të njeriut për çiftet të së njëjtës gjini”.
Ajo i thekson veçanërisht dy nene të Kushtetutës së Kosovës që shkelen në projektligjin e Kodit Civil; Nenin 24, që garanton barazinë para ligjit, dhe Nenin 37, që garanton të drejtën për martesë dhe familje”.
Aktivistët për të drejtat e personave LGBTI po shpresonin që Kodi Civil më në fund do ta mbyllte zbrazëtinë juridike në Kosovë, ku Kushtetuta e garanton të drejtën për t’u martuar për secilin qytetar, ndërsa Ligji për Familjen e kufizon këtë të drejtë.
Kjo e ka lënë mbi çiftet gej barrën për ta kundërshtuar sistemin. Në parim, ata do të duheshin të aplikonin për një leje për martesë në komunë, dhe pastaj, po të zbatohej Ligji për Familjen në vend të Kushtetutës, do të duheshin ta çonin rastin e tyre te Gjykata Kushtetuese; megjithatë, deri tani, asnjë rast i tillë nuk është ndërmarrë.
Kika thotë se Kodi Civil duhet të rishikohet në mënyrë që të jetë në përputhje me obligimin e Kosovës për t’i garantuar të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët; Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës.
Për më tepër, sivjet Avokati i Popullit të Kosovës dha një deklaratë zyrtare që drafti i Kodit Civil shkel të drejtën kushtetuese për martesë ndërmjet personave të së njëjtës gjini.
Por Ministria e Drejtësisë me sa duket nuk po e pranon që dispozitat në nivelin më të lartë të legjislacionit të Kosovës dhe ato në Kodin Civil janë kontradiktore.
“Grupi punues përgjegjës për hartimin e Kodit Civil, ka dhënë opinionet e tyre se dispozitat e hartuara të Draft Kodit Civil janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe direktivat përkatëse të BE-së”, tha zyra për komunikim e Ministrisë së Drejtësisë.
Dështimi i komunikimit
Praktikë e mirë dhe standarde gjatë hartimit të legjislacionit dhe politikave të reja është përfshirja e shoqërisë civile duke i dhënë rol të rëndësishëm në proces, qoftë duke e përfshirë në grupet punuese, qoftë duke marrë rekomandime prej saj gjatë seancave të konsultimit me publikun.
Ndonëse Kodi Civil është kyç për ta ndaluar diskriminimin kundër personave gej duke e mbështetur të drejtën e tyre për martesë dhe familje, si dhe të drejtat tjera të cilat i gëzojnë qytetarët tjerë, aktivistët nga OJQ-të që avokojnë për të drejtat LGBTI mendojnë se ata janë përjashtuar nga procesi.
“Nuk kishim kurrfarë qasje brenda grupit punues, sepse ishte i mbyllur”, thotë Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD). “Në fund, ata dolën me një draft final të cilin do ta hapnin për konsultime me publikun. Para kësaj, ne thjesht e dinim që ishte një grup punues që po punonte diçka, dhe se qasja në të ishte e pamundur”.
Nuk është e qartë se kush ishin përfaqësuesit që ndihmuan me hartimin e dispozitave që lidhen me të drejtat e personave gej.
Zyra e BE-së në Kosovë tha për K2.0 se rekomandimi i BE-së për të pasur përfaqësues nga shoqëria civile në grupin punues ishte marrë parasysh. Por nuk është e qartë se kush ishin përfaqësuesit që ndihmuan me hartimin e dispozitave që lidhen me të drejtat e personave gej.
Emrat e anëtarëve të grupit punues — dhe nëngrupeve të tij — nuk janë në uebfaqen e projektit, dhe kur u pyet nga K2.0, zyra për komunikim e Ministrisë së Drejtësisë nuk përmendi emra. Në vend të kësaj, u përgjigj se grupi punues “përbëhet prej ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë të fushave që përfshijnë çështje që ndërlidhen me Kodin Civil, duke përfshirë profesorë universitarë, gjyqtarë prej fushës së të drejtës civile, avokatë, noterë etj.”
Zyra për komunikim shtoi se pas finalizimit, Kodi Civil u lansua për konsultime me publikun, ku të gjithë akterët relevantë kishin të drejtë të japin komente dhe rekomandime; ato u morën nga Ministria, e cila i rishikoi dhe vendosi cilat duhet të merren parasysh.
Zytarët e Zyrës së BE-së në Kosovë thanë për K2.0 se kanë organizuar tubime të ndryshme në të cilat anëtarët e shoqërisë civile dhe aktivistët, përfshirë këtu aktivistët LGBTI, i ngritën shqetësimet dhe mendimet e tyre.
Nuhiu nga CSGD thotë se OJQ-të që merren me të drejtat LGBTI i adresuan vërejtjet e tyre në diskutimet publike, dhe u munduan gjithashtu t’i prezantojnë ato në takime private me zyrtarët e BE-së.
Organizatat e ndryshme që punojnë në fusha që lidhen me të drejtat e njeriut dhe fusha të ngjashme u bashkuan për ta përpiluar një dokument me rekomandime të cilin ia dërguan Ministrisë së Drejtësisë pas konsultimit fillestar me publikun më herët gjatë vitit. Dokumenti përdorte argumente juridike për të theksuar se si mungesa e njohjes së martesës ndërmjet personave të së njëjtës gjini është jokushtetuese dhe e shtron rrugën për diskriminim.
Rekomandimi i parë ishte të zëvendësohen referencat “një burrë dhe një grua” dhe “gjinitë e ndryshme” me “dy persona” në të gjitha nenet që definojnë marrëdhëniet.
Nuhiu shpjegon se e kanë shtuar një alternativë të dytë në rast se Ministria nuk i pranon ndryshimet për martesën. Si formë alternative, bashkimi civil u propozua si njohje ligjore për çiftet të së njëjtës gjini.
"Kemi hasur në rezistencë prej eskpertëve të BE-së në shtyrje të rekomandimeve tona, veçanërisht ato të ndërlidhura me kapitullin për Martesën”.
Adelina Berisha, Rrjeti i Grave të Kosovës
Ai thotë se ishin në fakt përfaqësuesit e BE-së ata që e befasuan me qëndrimin e tyre, pasi që nuk ngulën këmbë për çështjen e martesës ndërmjet personave të së njëjtës gjini, në mënyrë që të mos e rrezikojnë procesin në përgjithësi.
Edhe Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), një tjetër organizatë që propozoi rekomandimin për martesën ndërmjet personave të së njëjtës gjni, e theksoi befasinë e përfaqësuesve të RrGK-së sa i përket rezistencës nga ekspertët e BE-së.
“Duhet theksuar se gjatë punës në këto rekomandime për ne ka qenë më problematike qasja e ekspertëve gjermanë dhe holandezë të angazhuar nga BE-ja”, thotë ajo. “Kemi hasur në rezistencë prej tyre në shtyrje të rekomandimeve tona, veçanërisht ato të ndërlidhura me kapitullin për Martesën”.
Ajo thotë se këta ekspertë thanë se qytetarët kosovarë ende nuk janë të gatshëm ta pranojnë martesën ndërmjet çifteve të së njëjtës gjini.
“Ne e kemi potencuar rëndësinë që korniza ligjore ka edhe në ndryshimet e bindjeve dhe qëndrimeve diskriminuese dhe paragjykuese të shoqërisë, dhe rolin që ligjet kanë për t’i avancuar dhe ndryshuar këto besime”, thotë ajo.
Nuhiu thotë se nuk ka marrë fare përgjigje nga Ministria për atë se si janë adresuar kërkesat e tyre.
Por Zyra e BE-së në Kosovë thotë se janë pajtuar t’i rregullojnë disa çështje me ligje të veçanta për shkak se ato meritojnë vëmendje speciale.
“Siç thamë më parë, duhet të hartohen disa ligje të caktuara të veçanta për ta lejuar zbatimin e këtyre të drejtave civile”, tha Zyra e BE-së në Kosovë për K2.0. “Kodi Civil i lejon këto ligje të veçanta për t’i rregulluar më tej të gjitha nevojat specifike, dhe kjo do të ndodhë tani apo në kohën e duhur, pa e ndryshuar vazhdimisht Kodin Civil”.
Sipas Nuhiut, propozimi për një ligj të veçantë përfaqëson diskriminim në vete.
“Çka? A janë personat gej më ndryshe prej tjerëve, dhe kështu duhet bashkimi i tyre të rregullohet me një ligj special?” thotë ai. “Dhe e dyta, çdo ligj që buron nga Kodi Civil është nën Kodin Civil në hierarkinë legjislative”.
Nuhiu thotë se shpreson që deputetët e zgjedhur dhe komisionet parlamentare nuk do ta miratojnë Kodin Civil në formën aktuale. Megjithatë, nëse kodi e kalon procesin legjislativ, Nuhiu është i sigurtë që lufta do të vazhdojë deri te Gjykata Kushtetuese.K
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.
Ky publikim është botuar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ECMI Kosovo dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.